Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Kurti në Bruksel: S’mundet të ketë kompromis me kushtëzime të Serbisë për Asociacionin

PRISHTINË, 14 shtator/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut iu është dhënë një dokument dy faqesh të para gjashtë muajsh i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.

Për një dokument të tillë Kurti tha se nuk ka qenë në dijeni, derisa kritikoi lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak se ka cenuar rolin e tij në dialog duke pranuar një kushtëzim të tillë para dakordimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të aneksit të Ohrit të 18 marsit… Pala tjetër, presidenti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takim nuk ka pasur ndonjë rezultat. S’mundet të ketë kompromis meqenëse s’mundet me pas kompromis mes një propozimi me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër. Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që të shoh propozimin që ka dhënë Serbia, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dy faqesh në anglisht dhe serbisht që paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar i palës serbe, por ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe më pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë. Mua mu desh t’iu them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, ku ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Qartë neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjes e mëhershme të dialogut në Bruksel që janë të obligueshme dhe valide. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, tha ai.

Kurti nënvizoi se për të ecur përpara duhet të tejkalohet kushtëzimi serb, pasi zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit i është vënë një pengesë e madhe.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajcak e ka bërë në cenim të funksionit të tij si ndërmjetësues dhe lehtësues, por unë nuk mund të pranoj një gjë të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam…Nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë. Nuk mundet të quhet se kur të lexoni përmbajtën do të shihni se është kushtëzim…Sot e mora vesh pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes. I është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim e që është kushtëzimi i Serbisë. Unë këtë dokument nuk e kam pasur më herët nuk e kam ditur. Kam dëgjuar deklarata dhe kam besuar se janë qëndrime të njërës palë, mirëpo për mua kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të lehtësuesit evropian Lajçak. Për të ecur përpara duhet të tejkalohet kjo”, shtoi Kurti.

Krahas kësaj, Kurti kërkoi heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, pasi siç tha Kosova ka ndërmarrë hapat për deeskalimin e situatës në veri.

“Sa i përket sanksioneve që po quhen masa në mënyrë që 27 vendet evropiane të mos jenë të detyruara të votojë. Deeskalimi ka ndodhur në Kosovë, ne duhet të kemi kujdes që mos të kemi rieskalim. Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur. Por edhe konfiskimi i armatimit dhe arrestimi i kriminelëve është në funksion të rendit dhe ligjit që ndihmojnë deeskalimin….Meqenëse ka ndodhur deeskalimi dhe Udhëzimi administrativ për të zbatuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale është nënshkruar, rruga është hapur që këto masa të padrejta që po e dëmtojnë shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor të hiqen përfundimisht”, theksoi Kurti.

Megjithatë, ai theksoi se zgjedhjet në veri duhet të ndodhin vetëm përmes peticionit.

“Jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, por nuk mund të detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt. Kjo duhet të bëhet duke respektuar Udhëzimin administrativ, që thotë se duhet të organizohet peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në mënyrë që të organizohet votimi për largimin e kryetarëve. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë. Imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe aspak të mirëseardhura”, theksoi Kurti./KosovaPress/

Postimet e fundit !