Vështrim/Analizë

Akademik Rexhep Qosja: Heronjtë e luftës dhe heronjtë e mendjes

Heronjtë e luftës dhe heronjtë e mendjes
Heronjtë e luftës, heronjtë e luftës, heronjtë e luftës. Të rëndësishëm, pamatshëm të rëndësishëm, për të sotmen dhe të ardhmen e popullit, që i ka lindur e rritur, për bashkëkohësinë dhe historinë e popullit që krenohet me ta.
Por, përpos heronjve të luftës në të gjitha kohët dhe te të gjithë popujt historikë kanë ekzistuar dhe janë çmuar e adhuruar edhe heronjtë e mendjes.
Si heronjtë e luftës ashtu edhe heronjtë e mendjes në kohë të ndryshme e në vende të ndryshme herë janë dashur e çmuar më shumë e herë më pak. Dhe, kjo varej shumë prej sundimtarëve dhe bashkësundimtarëve të tyre të niveleve të ndryshme, si dhe prej rendit politik, shoqëror e shtetëror që kishin ndërtuar ata.
Si numri i heronjve të luftës ashtu dhe numri i heronjve të mendjes me kohë vjen duke u zvogëluar.
Historia na ka bindur, ndërkaq, se heronjtë e mendjes janë më të qëndrueshëm në kohë sesa heronjtë e luftës.
Shembujt dëshmues janë të shumtë e të ndryshëm.
Greqinë e lashtë, antike, e duam dhe e kujtojmë në radhë të par për shkak të heronjve të mendjes. E kujtojmë dhe e duam për shkak të Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Demostenit, Platonit, Aristotelit, Heraklitit. Dhe të një vargu skulptorësh.
Rilindjen e madhe italiane e duam aq shumë dhe e çmojmë aq shumë dhe gjithmonshëm jo për shkak të figurave të saj politike e shtetërore, për shkak të heronjve të paktë të luftëtarëve, që nuk ishin as të shpeshta e as të mëdha në atë epokë sa në epokat e tjera sidomos pas Rilindjes, por për shkak të krijuesve të saj të mëdhenj të letërsisë, të pikturës, të skulpturës, të arkitekturës, siç janë Dante Aligieri, Bokaçio, Petrarka, Leonardo Da Vinçi, Mikelangjelo Buonaroti, Rafaelo e shumë të tjerë.
Rilindjen tonë Kombëtare, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, e duam aq shumë, e çmojmë aq shumë, gjithmonë, mbi të gjitha për shkak të krijuesve të saj, për shak të krijimtarisë së tyre të gjithanshme shpirtërore dhe për një varg arsyesh të tjera si fryt i asaj krijimtarie të tyre të gjithanshme shpirtërore e mendore: për arsye se ata, ata, rilindësit tanë, e ndërtuan Epokën madhështore të Rilindjes sonë Kombëtare, e ndërtuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si organizatë politike, kombëtare, ushtarake, shtetkrijuese e ndërtuan vetëdijen kombëtare të shqiptarëve, e ndërtuan letërsinë kombëtare shqipe, të shkruar me gjuhë të pastër shqipe, të liruar prej fjalëve të huaja për të cilat shqipja kishte fjalët e veta, e ndërtuan politikën dhe diplomacinë kombëtares shqiptare, me të cilat e bënë me dije Botën për të drejtat që do të duhej të kishin dhe për qëllimet që donin të sendërtonin, e ndërtuan programin politik kombëtar për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar të Shqipërisë, e mblodhën krijimtarinë shirtërore të popullit prej fillimeve të krijimit të saj dhe ia treguan Evropës me vepra të botuara, e krijuan Alfabetin latin të gjuhës shqipe në Kongresin e lavdishëm të Manastirit, e krijuan Himnin kombëtar dhe, më në fund, e krijuan Shtetin shqiptar –Shqipërinë, në vitin 1912, në Vlorë.
Dhe, kështu, ata, Rilindësit tanë, Naum Veqilharxhi, Jeronim de Rada, Hoxha Tahsini, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Anton Zako Çajupi, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Ismail Qemali e shumë të tjerë, arritën të sendërtojnë qëllimin e tyre madhështor: krijuan shqiptarin kombëtar, atdhetar, dhe krijuan Shtetin e tij – Shqipërinë.
Prej të dhënave që u sollën këtu për Rilindjen tonë Kombëtare, përkushtimi ndaj së cilës është pakësuar në këtë kohë të sunduar prej interesave përfituese, financiare, dhe prej të gjitha të dhënave që u sollën në të gjitha njësitë e këtij shkrimi shihet, besoj, se përpos heronjve të luftës kemi edhe heronjtë e mendjes. Të harrosh heronjtë e mendjes, siç po ndodh në këtë kohën tonë në Kosovë e në Shqipëri, të cilët historikisht, na mëson historia, janë më jetëgjatë se heronjtë e luftës, do të thotë: të veprosh e të luftosh fort kundër vetvetes.