Histori

Organizata Dëshmorëve: 77 – vjetori i çlirimit të Elbasanit – Ditë e përjetësuar në tempullin e historisë

Elbasani sot 77 vite i çliruar nga pushtimi nazi-fashist, 77 vite që nderon luftëtarët e lirisë, 77 vite që përulet me respekt para Dëshmorëve të Atdheut të rënë në LANÇ.
Si çdo vit, edhe sot, kjo datë historike për Elbasanin, si pjesë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë, pranë lapidarin kushtuar kësaj fitoreje, dhe përjetësimit të lavdisë së Brigadës XV Sulmuese që çliroi qytetin, u organizua ceremonia zyrtare nga Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me OFDA Elbasan.
Para sheshit ku ndodhet lapidari, mbizotëronin simbolet kombëtare. Ky mjedis i gjerë, sot kishte vizitorë anëtarë të OFDA Elbasan, anëtarë dhe të afërm të familjeve të dëshmorëve, pasardhës veteranësh, përfaqësuesit më të lartë të Pushtetit Vendor Qarku Elbasan, Deputetë të Partisë Socialiste të Shqipërisë të Elbasanit, përfaqësues të Policisë së Shtetit për Elbasanin, përfaqësues të organizatave të ndryshme, si dhe qytetarë të ndryshëm, të cilët erdhën të nderonin historinë, luftëtarët që sollën lirinë, erdhën të përulen me nderim ndaj Dëshmorëve të Brigadës së XV Sulmuese, që ranë për çlirimin e qytetit, erdhën të nderojnë Dëshmorët e Elbasanit, që janë pjesë e trungut të madh të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut.
Nën marshet e Bandës Muzikore “Afërdita” të qytetit, pranë lapidarit, u vendosën kurora me lule nga Kryetari Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, nga Prefekti i Qarkut Elbasan, z. Spiro Maliqi, nga nënkryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, z. Lythi Lala, nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Taulant Balla, nga Sekretari Politik i Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, z. Damian Gjiknuri, nga Deputetët e kësaj force politike, zj. Evis Kushi, zj. Desantila Tahiraj, z. Klevis Xhoxhi, dhe z. Florenc Spaho. Kurorën në emër të OFDA Elbasan, e vendosën nënkryetari z. Bardhul Toda, dhe Sekretarja, zj. Rolanda Suli. Kurora u vendosën gjithashtu nga përfaqësues të Policisë së Shtetit Elbasan, nga përfaqësues të Komitetit të Veteranëve të Elbasanit, nga Shoqata e Ushtarakëve në Lirim, etj.
Në ceremoninë e rastit, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, përshëndeti përzemërsisht të gjithë të pranishmit. Në fjalën e tij, ndër të tjera z. Llatja ritheksoi vlerat që ka LANÇ në historinë tonë kombëtare, ndërsa përcolli mirënjohje të veçantë për të gjithë partizanët e Brigadës XV Sulmuese dhe dëshmorët e saj, që përmbushën me sukses detyrën e ngarkuar, për çlirimin e Elbasanit.
Të nderuar miq dhe bashkëkombës, kjo datë e shenjtëruar në tempullin e historisë kombëtare, është dhe do të mbetet e tillë, sa kohë mbi këtë tokë do të jetojnë shqiptarë me gjak shqiptari!
Lavdi dhe nderim të përjetshëm, për ata që u sakrifikuan në këtë luftë, duke nderuar kombin, dhe Shqipërinë e radhitën krah shteteve potencialë, si bashkëfitues kundër nazi-fashizmit!