Feminizmi dhe të gjitha lëvizjet e atilla të tanishme, përgjithësisht, si për inat të drejtësisë e barazisë, ngatërrojnë më shumë lëmshin e problemeve shoqërore në vend se që ia gjejnë fillin.
Kur flasin mbi dhunën, merren me pasojat e dhunës, dhe kurrësesi me mekanizmat (shkaqet) që krijojnë këtë dhunë. Nuk bëhet fjalë të shtrojnë pyetjen se nga vjen kjo dhunë, çfarë nuk shkon në këtë shoqëri që shtyn një dhunë të tillë, dhe cilën rrugë duhet ndjekur për të gjetur ndonjë zgjidhje. Jo, në vend të kësaj i reduktojnë këto probleme që shpesh janë ekonomiko-shoqërore, në probleme gjinie. Nuk mund të bëhen një shkaku dhe pasoja. Njëra nuk mund të jetë pjesë e tjetrës, por njëra krijon tjetrën.
Pjesa më interesante është se si shkak i gjithë këtyre pabarazive dhe padrejtësive, na del të jetë vet “mentaliteti” i popullit! “Fajet i ka populli”, shkruajnë andej – këndej disa aktivistë. Nuk çuditem që këto lëvizje janë çdo herë e më shumë në modë, pasi gjithë këta që i bëjnë thirrje popullit për t’u gdhendur siç duhet, u duket vetja sikur po veçohen prej popullit, sikur janë ata mbartësit e vlerave që duhen ndjekur.
Ta analizosh thellë, janë gjithmonë disa arsye shumë vetjake që shtyjnë njerëzit të bëhen pjesë e lëvizjeve për barazi apo drejtësi. Pra, ta shikosh nga larg, këto lëvizje mund të duken si një tentativë e reduktimit të vlerave të një shoqërie në disa vlera vetjake.
Gjithë ky lëmsh është i përbërë nga elemente që me apo pa dashje kërkojnë të reduktohen. Meqë e nisëm me feminizmin, po i qëndrojmë deri në fund. Sot dëgjojmë shpesh vajza e gra që sa herë arrijnë një qëllim në jetë (ose jo), e lidhin disi me gjininë. Parimi i feminizmit a nuk është barazia përpos gjinisë? Pse atëherë duhet të vendosim para gjininë si përfaqësuese të vetes? Pse duhet ta reduktojmë të tërën në një copëz përbërëse të saj?
Kjo më shqetëson e më duket mjaft kundërthënëse kur vjen nga vet aktivistet e feminizmit ose njerëzit që në një mënyrë a ndonjë tjetër përfaqësojnë një shoqëri. Kryetarja Vjosa Osmani është shembulli më konkret që mund të marrim. Në rradhë të parë, zonja ndihet krenare pasi mbart këtë post si grua që është, dhe mendon që rrugëtimi i saj mund të jetë frymzim për vajzat. E po, gjinia nuk e bën kryetare as më të mirë as më të keqe, dhe si rrjedhojë vajzat mund të identifikohen tek ajo (po aq sa djemt) duke u bazuar në vlerat e saj si kryetare e jo si femër. Së dyti, përdorimi i shprehjes “po flas në emër të gjitha femrave” është po aq i pavend. Femrat as nuk përbëjnë ndonjë komunitet e as nuk mund të përfaqësohen. Të flasësh në emër të femrave, është po aq absurde sa të flasësh në emër të njerëzimit.
Për ta përmbyllur, një tjetër absurditet i bërë në emër të këtyre lëvizjeve është nxerrja nga konteksti e disa pjesëve të historisë tonë, për të miratuar atë teorinë e tyre që fajin e gjetën në mesin tonë, në atë çfarë ata pëlqejnë ta quajnë “mentalitet”. Përveç kësaj shpesh ndodh ta trajtojnë si të njëjtë historinë tonë, me atë të vendeve të tjera, problemet tona me problemet e vendeve të tjera, e si rrjedhojë merren kaq shumë me probleme që ndodh të mos kenë ekzistuar ndonjëherë tek shqiptarët në këtë rast. Kjo ndodh pasi admirimi i disave për vendet e tjera dhe qytetërimet e tjera siç janë sot i pengon ata të shohin se në shumë aspekte qytetërimi shqiptar ka qënë shumë më i përparuar se të tjerët.
Gjithsesi nuk po gjykoj kënd, përkundrazi, e kuptoj më së miri që shumica ndjekin këtë rrugë. Është padyshim shumë më lehtë të jesh pjesë e një lëvizjeje feministe kështu në ajër, të cilës rrënjët nuk i prekin tokën, se sa të vrasësh vërtet mendjen për shoqërinë, ta analizosh gjërë e gjatë, duke u shkëputur nga vetvetja, duke u shkëputur sidmos nga morali që të pengon ta shikosh drejt çështjen dhe si rrjedhojë të pengon të gjesh një zgjidhje. Është padyshim më lehtë të gjykosh të shkuarën pa marrë mundimin të dalësh nga koha të cilës i përket. E kuptoj shumë mirë që nuk është e lehtë ta pranosh se problemet shoqërore kanë rrënjë më të thella që të tejkalojnë. Të gjitha i mirkuptoj, por mirkuptimi im nuk vlen gjë dhe nuk e ndryshon faktin se lëvizje të tilla jo vetëm se nuk përmisojnë gjë, por shkojnë edhe në drejtim të kundërt të vet parimeve të tyre.
add a comment