Shyqyri Dade: Krijuam Anti-Socialin! Çfarë ka ndodhur me shoqërinë shqiptare këto 30 vite, një shënim mbi ‘njeriun e ri’ që ka lindur dhe po rritet në kurrizin tonë
– Dritarja e makinës që ecte me shpejtësi përpara nesh u hap dhe një qese fluturoi e u përplas në xhamin tonë të përparmë. Për disa sekonda qëndroi aty duke na kufizuar pamjen dhe më pas vendosi të largohej duke lodruar.
– Nuk mund të them sa ishte ora, kur krejt papritur, fare pranë Bashkisë shpërtheu një zë i fortë, pak vajtues, i zgjatur, melankolik, “tërheqës” dhe “i ëmbël” në një gjuhë të huaj dhe të pakuptueshme. Shushatja disa sekondëshe të kalon menjëherë, sepse tanimë je mësuar me zërin e lartë të playlist-ës, që pronari i barit të boshatisur poshtë shtëpisë tënde, ia ka besuar kamerierit të buzëqeshur mëngjarash, qethur sipas modelit të fundit.
– E kuqja vezulloi në kryqëzim dhe gjindja u sul të kapte kohën, boritë kundërshtuese të makinave që kishin rradhën të kalonin, ankoheshin e çirreshin të pashpresa.
– Duke rrotulluar telekomandën nëpër duar dhe kaluar listën e kanaleve, prezantuesja sapo njoftoi se një atentat dhe një grabitje e rëndë kishin pasuar njëra-tjetrën. Qëndrimi serioz dhe toni asnjanës i saj, i mësuar me të tilla njoftime, pothuaj të përditshme, të krijonte ndjesinë se asgjë e re nuk kishte ndodhur dhe se duhej kaluar rutinë në një kanal tjetër. Por ajo me shpejtësi vazhdon njoftimin: “Kemi ftuar në studio ekspertin filan”.
Eksperti filan, sikur të kishte mbirë që nga mbrapa televizorit, u paraqit me një përkulje të lehtë. Duke kuptuar rëndësinë e çështjes për të cilën ishte thirrur dhe duke dashur që të ishte sa më i dobishëm në përgjigjet dhe mesazhet që do të jepte, mori qëndrim, u drejtua dhe në esencë tha: “Zgjidhja është fare e thjeshtë dhe e lehtë. Duhet të armatosim të gjithë banorët e vendit. Ata duhet të mbrojnë veten, familjen dhe pronën e tyre”.
– Nxënësit të mësuar me zhurmën në klasë dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, ulërinin. Mësuesja e mësuar me këtë klasë vibrante, po kalonte bankë më bankë, duke zbatuar metodën e punës kokë më kokë.
– Dy mësues të rinj, krenarë për forcën e tyre dhe përgatitjen në artet marciale, e shtrinë prezantimin e performancës edhe në trotuar. I ziu trotuar, si dëshmitar i shumë ngjarjeve të zhvilluara pikërisht në kurrizin e tij, e regjistroi edhe dyluftimin e drejtë, të denjë dhe të ndershëm të dy mësuesve, të cilët mezi lejuan që në zënkën e tyre të ndërhynin edhe disa persona të tjerë, për ta kriposur e shtuar lezetin e sherrit.
– Plehrat e hedhura çapraz rreth e qark, e bënin akoma më heroik kazanin e djegur përgjysmë. Megjithë sulmet dhe goditjet që herë pas here i vinin nga distanca, ai përsëri qëndronte aty, në këmbë, i kërrusur pak, por këmbëngulës dhe vetëmohues. I plagosur rëndë ai mundohej të mbahej, duke pritur ndihmën që mesa dukej nuk do të vinte.
– Droga e kapur për herë të pestë në kontejnerin me banane nuk habit më asnjeri. As ata që e kapin dhe as vetë ata që e kanë paguar e porositur. Opinionin jo e jo. Punë droge ka përditë. Me kontejner, me avion, me skaf, me çanta, pa çanta. Varja. Por në këtë rutinë të kapjeve, dashur pa dashur një ndjenjë respekti të ngjitet si pa kuptuar për dërguesin, dora vetë. Ai me besnikëri të pakrahasueshme, vazhdon të dërgojë sasi të tjera droge, deri sa kontrata e nënshkruar me blerësin, të plotësohet.
– “Kriminel, vrasës, tigër, elefant, mafiozë, përfitues, shpifës, çirak, usta, lëri dënglat, je akoma në pelena, po haje hallvë, veting penal për ata që vrasin, ke bythë, s’ke bythë, tango politike, rrumpallë parlamentare, Baftjar, mos bëj të fortin, bosa, të kanë mbajtur në krah, ti, ty, se ti, se ty, vrasës, kriminelë, kriminelët, budalla…” Dhe shumë epitete të tjera të dala nga portrete me këmisha të bardha, me kollare, me xhaketa, të skuqur deri tek veshët, në një përplasje vendimtare për t’i mbyllur njëherë e mirë hesapet me kundërshtarët, përpara se të përplasen përsëri në seancën e radhës….
——–
Dalja nga një sistem tjetër dhe hyrja në këtë sistem, nuk nënkupton automatikisht moszbatimin e tërësisë së normave shoqërore. Fjala e lirë, liria veprimit, liria në përgjithësi, është një fitore e patjetërsueshme, në radhë të parë për individin dhe në radhë të dytë për shoqërinë.
Por keqpërdorimi i lirisë në mënyrë individuale, ose në grup, prek lirinë e dikujt tjetër. Në mënyrë që të mbrohet liria e kujtdo, shoqëria nëpërmjet përfaqësimit vendos kode, norma, ligje. Ngre institucione mbrojtëse, institucione që punojnë për të mos lejuar, penguar, korrigjuar dhe dënuar të gjithë ata që shkelin ligjet.
Njerëzit e të gjitha niveleve, duhet të zbatojnë edhe disa norma të cilat nganjëherë, nuk përfshihen në legjislacion, janë të pashkruara dhe varen nga një sërë faktorësh. Faktorët mund të jenë të trashëguar, tradicionalë, krahinorë, dialektorë, kulturorë, arsimorë, ekonomikë, të ndikuar nga edukata familjare, shoqërore, rrethit shoqëror, grupit, mjedisit, kombëtare, etj, e këtu mund të rreshtosh edhe faktorë të tjerë.
Shpesh tërësia e këtyre faktorëve dhe normave shkrihen në një mënyrë të vetme dhe dallohen tek paraqitja e tyre, pra nxjerrja jashtë e tyre në mënyra të ndryshme tek njerëz të ndryshëm. Këtë rëndom e quajmë sjellje. Njeriu i sjellshëm, zbaton normat. I pasjellshëm, nuk zbaton normat, etj.
Por tani ka shumë nga ata të cilët mendojnë se shoqëria në të cilën jetojmë, duhet të jetë një shoqëri pa norma. Se është një shoqëri e lirë dhe se individi apo grupime të caktuara mund të sillen si të duan, edhe kur prekin interesin e pjesës tjetër të shoqërisë.
A të detyron kush të thuash: – Faleminderit. Jo. Kjo fjalë del vetvetiu kur më parë është kryer një veprim i cili të favorizon, apo të pëlqen. Ka njerëz që nuk e njohin këtë fjalë. Dhe nuk njohin edhe shumë veprime të tjera. Do të ishte një gjë e mirë nëse do të mbeteshim thjesht në mungesën e mirënjohjes dhe të falënderimit për gjëra të vogla, se do të konsideroheshin si të padëmshme.
Por shoqëria jonë në këto tridhjetë vite dhe sidomos një pjesë e saj, krahas shndërrimeve të mëdha që detyrimisht e përballin atë me situata dhe kapërcime të natyrshme, por edhe të panjohura më parë, është ndeshur me fenomenet negative që shpesh ndodhin dhe zhvillohen në kurriz të saj, duke e dëmtuar rëndë atë.
Nëse gjatë periudhës së socializmit u përpoqëm të krijonim njeriun e ri, term ky që nënkuptonte njeriun përfaqësues të moralit komunist, në këto vite krahas njeriut të lirë, me norma, të ndershëm, zbatues të ligjit, krijuam edhe njeriun që me sjelljen e tij dëmton shoqërinë. Krijuam njeriun antisocial. Njeriu antisocial kalon deri aty, sa kjo vijë sjellje i kthehet në fiksim, në një çrregullim mendor.
Në kushtet e Shqipërisë, njeriu antisocial është kthyer në një dukuri. Me të ne ndeshemi përditë. I kemi para syve. Njihemi përditë me veprimet, bëmat, ngjarjet. Njeriu antisocial tani po arrin deri aty sa të na imponojë mënyrën e jetesës, mënyrën e të menduarit e të vepruarit.
“Të gjeti gjë ty se u shkatërruan ndërmarrjet, se u vodh prona shtetërore dhe ajo private? Çfarë ke që qahesh se po vjedhin? Ta futi njeri dorën në xhep ty? E pe filonin? Çun i shkathët. Çun me lek. Ka bo lek. Po vari trapin le t’boj pak burg. – Jepi noj lek atij, mos t’fut n’administratë. O ven me lek…” E plot, e plot, koncepte e mendime të kësaj natyre.
Ata që dogjën, vodhën, plaçkitën, bënë lekë, morën e dhanë rryshfet, përfituan, zhgrapën, zunë hapësirat private e publike, vranë e prenë, shfrytëzuan postet, u pasuruan pa bërë biznes e punë të ndershme, bënë të fortin, etj, shihen sot nga një pjesë e shoqërisë apo një pjesë e të rinjve si modele që kanë patur sukses në jetë.
Ne nuk na mungojnë ligjet dhe institucionet. Ligjet nuk zbatohen dhe institucionet janë të dobëta. Qeveria e kap lepurin me qerre. Është një shprehje e vjetër që tregon se kur është vullneti i duhur nga institucionet qeveritare, gjërat mund të vendosen në vendin e duhur. Por kjo shprehje nuk qëndron në rastin tonë kur qerrja është lepur.
Dhe në këtë mënyrë kemi dy lepuj, të cilët duhet t’i kapi dikush, t’i ndëshkojë, apo t’i korrigjojë, sipas shkalles së sjelljes antisociale.
Nëse qeveria thotë për kriminelët hëngshin kokën e njëri-tjetrit. Apo nëse thotë se është e drejta e kujtdo që të largohet nga vendi dhe sidomos kur është rasti për të rinjtë e këtij vendi atëherë institucionet janë jo vetëm të dobëta, por edhe jo serioze e jo të përgjegjshme. Ato e kanë humbur besimin e asaj pjese pozitive e të shëndoshë të shoqërisë që ne po i quajmë njerëz me norma.
Njeriu antisocial është sot në të gjitha nivelet. Është në fshat dhe në qytet. Është në rrugë dhe në semafor. Është në shkolla e fakultete. Është në biznes e në administratë. Është nëpër partira e në Kuvend. Është kudo. A është tashmë shumicë? Të shpresojmë që jo! (DITA)