Një mik e shok nga Kosova më thotë se ka disa kosovarë, shqiptarë për nga kombësia, që mbajnë anën e serbëve dhe flasin e shkruajnë që Enver Hoxha e ka shitur Kosovën, që më 1946-ën. Njëherësh, miku kërkonte edhe t’i jepja një mendim. Pasi u njoha me materialet rreth çështjes, shkrova një përgjigje dhe ia dërgova, të cilën, pasi e pa, më propozoi ta botoja në shtyp, sepse ka edhe në Shqipëri ndonjë zë i çjerrë! Mikut i thashë se kjo që thuhet për Enver Hoxhën është një shpifje e vjetër, e sajuar dekada më parë, nga Tito dhe serbët, të cilët e nxjerrin prej rafteve të mykur të arkivave serbe sa herë u duhet! Por e kanë kot, se as serbët dhe as ata disa kosovarë në shërbim të Serbisë nuk e mund ta errësojnë kontributin e shokut Enver Hoxha, të pushtetit popullor dhe të popullit shqiptar dhënë për arritjen e fitores së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës! Enver Hoxha, sa qe gjallë e në krye të Shqipërisë Socialiste, nuk ua ktheu krahët Kosovës e popullit të saj heroik! Kështu ka ndodhur edhe pas vdekjes së tij, më 11 prill 1985! Kështu ka ndodhur edhe pas vitit 1990! Kështu do të ndodhë sa te jetë bota! Cilido njeri që ka “dy pare mend në kokë” nuk mund të mohojë faktin që populli shqiptar ka qëndruar në anën e popullit shqiptar të Kosovës. Krejt qartë kjo u pa në ditët e luftës çlirimtare të Kosovës, kur pleq e plaka, nuse e bija, nëna e fëmijë të vegjël, deri për gjiri, gjetën strehim, për t’i shpëtuar gjenocidit serb, te vëllezërit e motrat e veta në Shqipërinë Mëmë! Që Enver Hoxha “ka shitur” Kosovën thoshin Tito dhe titistët! Po kështu thoshte edhe Millosheviçi! Kështu thotë sot edhe Vuçiçi! Kështu do të thonë edhe nesër udhëheqës të tjerë të Serbisë! Që e thonë serbët dhe udhëheqësit e Serbisë, kjo nuk çudit njeri! Po që e thotë edhe një grup kosovarësh, shqiptarë për nga kombësia, në mbrojtje të interesave të Serbisë, kjo është antishqiptare! Ky grup shqiptarësh kosovarë në krah të serbëve, sjell si “argument” një gjoja citat të thënë nga shoku Enver në mbledhjen e plenumit të KQ të PKSH-së, më 18 dhjetor 1946. Në atë mbledhje, Enveri gjoja paska thënë: “A është në interesin tonë tani të kërkojmë Kosovën? Kosovarët të bëjmë çmos të vëllazërohen me jugosllavët. Dhe se ata që nuk e kuptojnë këtë, është detyra jonë t’i luftojmë”! Kjo shpifje e serbëve nuk figuron në fjalimet e shokut Enver Hoxha mbi marrëdhëniet e PKSH-së me PKJ. Pse ky grup “trimash” nuk e publikoi këtë shpifje, ndërsa Kosova ishte nën Serbinë, po pasi ajo fitoi lirinë dhe pavarësinë nga Serbia me luftën çlirimtare të UÇK-së e të popullit të vet? Në kundërshtim me të vërtetën historike, serbët thonë edhe sot se Kosova është Serbi dhe i përket Serbisë! Serbët kështu do të thonë, po si ia lejojnë vetes ata disa kosovarë të bëhen vegël qorre e serbëve dhe kanë frikë t’u thotë serbëve se Enver Hoxha ia ka thënë Titos në sy, në zyrën e këtij në Beograd, që në qershor të 1946-ës, pra gjashtë muaj para plenumit të jashtëzakonshëm të 18 dhjetorit 1946, se Kosova është Shqipëri dhe duhet t’i kthehet asaj! Kjo deklaratë e Enver Hoxhës është publikuar gjerësisht që në atë kohë në mediat serbe dhe jugosllave, si edhe në mediat prestigjioze të shteteve më të fuqishme të botës! Njëherësh, ky fakt mjaftueshëm i qartë për të kuptuar se “citati” i vënë në gojën e Enver Hoxhës është një trillim i serbëve! Po s’ka asnjë trillim që mund të fshijë kontributin e Enver Hoxhës dhe të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhënë Kosovës dhe popullit të saj. Sepse Shqipëria mëmë ka qëndruar në çdo kohë në krah të Kosovës. Serbët e dinë mirë këtë! Por jo vetëm serbët! Po kaq mirë e dinë edhe ata disa shqiptarë kosovarë të vënë në shërbim të Serbisë. Zotërinjtë do të bënin mirë të lexonin librin e Enver Hoxhës “Një jetë për kombin” (faqet 288 – 289) që të shihnin sa qartë Enveri ia ka thënë Josif Broz Titos, 65 vjet më parë. Tito – thotë Enver Hoxha – më pyeti ç’mendoja unë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Për një moment heshta – thotë Enver Hoxha – për t’i përmbledhur në mënyrë koncize e të plotë pikëpamjet tona për këtë problem të rëndësishëm, pastaj i thashë Titos: – Ju i njihni padrejtësitë historike që i kanë bërë imperialistët e ndryshëm e reaksioni serbomadh Shqipërisë. I shpreha Titos, shkruan Enver Hoxha, mendimin e palës shqiptare që Kosova e viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’i kthehen kësaj. Se shqiptarët luftuan që të ketë një Shqipëri të lirë e sovrane, së cilës tani duhet t’i bashkohen edhe viset shqiptare të Jugosllavisë. Ka ardhur koha që ky problem nacional të zgjidhet drejt nga partitë tona. Zotërinjtë duhet të lexojnë e të mësojnë se J. B. Tito iu përgjigj pozitivisht kërkesës së shokut Enver dhe i “dha” fjalën Enverit se jam dakord me ju, por këtë nuk mund ta bëjmë tash për tash, sepse serbët nuk do të na kuptojnë dhe se do të punojmë në këtë drejtim! Çdo koment është i tepërt! Ato vite kanë qenë vite përpjekjesh për gllabërimin e Shqipërisë jo për bashkim-vëllazërimin e popujt të Jugosllavisë me popullin shqiptar! Ky ka qenë qëllimi i Titos! Ishte gjenialiteti i Enver Hoxhës ai që e shpëtoi Shqipërinë nga gllabërimi i Jugosllavisë. Që në vizitën e parë të Enver Hoxhës në Beograd dhe që në takimin e parë të tij me Titon në zyrën e këtij, në qershor të vitit 1946, Enver Hoxha e kuptoi se parulla e bashkim-vëllazërimit të Titos synonte gllabërimin e Shqipërisë, pra bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, jo bashkimin e Kosovës më Shqipërinë. Enveri, ndërsa priste që Tito t’i thoshte të shkonte për të vizituar Kosovën, Tito nuk e lejoi Enverin të bënte vizitë në Kosovën shqiptare gjoja për arsye sigurie! Në të vërtetë, “lepuri flinte gjetkë”!
Ndërkohë duke ndjekur vizitën e kryeministrit Rama në Kosovë!
Serbia (po edhe shtetet e tjerë) duhet të kuptojë e të shohë se shqiptarët janë bashkë kur fjala është për çështjen kombëtare! Padrejtësia i ka ndarë shqiptarët mbi një shekull më parë në pesë shtete të Ballkanit, ndonëse ata janë një popull, kanë një atdhe të përbashkët, kanë një gjak, kanë një gjuhë, kulturë dhe zakone të njëjta, kanë një flamur kombëtar! Bashkimi në trojet e veta i shqiptarëve duhet të jetë prioritet i qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës, si edhe i partive politike shqiptare të shteteve ku shqiptarët banojnë e jetojnë! Një shtet shqiptar i bën mirë gjithë Ballkanit dhe botës, i kontribuon paqes dhe stabilitetit!