E drejta për t’u mbrojtur në kufijtë dhe tokën tënde është e drejtë dhe detyrim themelor. Popujt dhe vendet që zgjedhin vajin, lutjet dhe përuljen për ta “shpëtuar” Atdheun dhe veten fundin e kanë të vajtueshëm! Uniteti politik dhe kombëtar në këtë ÇËSHTJE nuk bën të vihet në “diskutim” nga askush!
Edhe 22 vite pas Luftës Çlirimtare dhe shkëputjes së Kosovës shqiptare (pa vise) nga Serbia pushtuese bota po vazhdon të luaj me kartën e «ripajtimit» të popullit shqiptar me shtetin serb! Ç’të keqe ka këtu, do të pyeste dikush që s’i njeh marrëdhëniet shqiptaro – serbe të shekujve XIX, XX e këto të shekullit XXI! Dhe vërtet, ç’kuptim ka të qenit kundër « pajtimit » midis popujve ?! Historia e vjetër dhe kjo e reja ka njohur e njeh qindra shembuj të luftrave të përgjakshme ndërmjet popujve dhe pajtimit ose ripajtimit të tyre. Shebull i tillë janë edhe Franca e Gjermania, që kanë luftuar disa herë dhe janë (ri)pajtuar. Pas Luftës së Dytë Botërore këto dy vende, bashkë me Italinë, Anglinë, etj. nxitën pajtimin dhe bashkëpunimin përmes deklaratave, takimeve dhe traktateve që bëheshin për rindërtimin dhe ringritjen e vendeve të tyre të rrënuara nga Lufta dhe tmerret e saj. Këto vende, që u bënë shkaktare të vdekjes dhe gjymtimit të miliona njerëzve në Evropë e në botë (rreth 25 000 000 viktima !), u « mirëkuptuan » dhe bashkëpunuan ngushtë për një Evropë pa konflikte, paqësore, të zhvilluar dhe të bashkuar…
Arsyeja thotë që 22 vite pas përfundimit të Luftës shqiptaro – serbe do të duhej t’i kishim kaluar hasmërit (pa i harruar krimet, terrorin, masakrat dhe gjenocidin që Serbia ka kryer ndaj popullit shqiptar, jo vetëm në këtë Luftën e fundit!) dhe t’i ishim kthyer ndërtimit dhe ringritjes së vendeve tona, duke bashkëpunuar dhe duke u « mirekuptuar » për të mirën e popujve tanë dhe të rajonit… Populli serb dhe shteti serb do të duhej të kishin kuptuar se hegjemonia dhe supremacia e tyre në rajon ka perënduar. Populli shqiptar dhe Shqipëria, sado që ende të copëtuar, sot paraqesin FUQI të pakapërcyeshme në rajon e më gjerë. Prandaj, në interes të dy popujve tanë dhe të gjithë rajonit, është i domosdoshëm “mirëkuptimi» dhe bashkëpunimi. Jemi të « dënuar » të jemi popuj fqinj dhe të jetojmë pranë njëri – tjetrit në paqe dhe « mirëkuptim » e bashkëpunim. (Themi që Serbia e kupton që një luftë e re me Kosovën do të ishte luftë me kombin shqiptar në Iliri dhe në botë dhe nuk do të ishte shkatërrimtare vetëm për shqiptarët!…)
Mirëpo, bashkëpunimi dhe « mirëkuptimi » kërkojnë dy palë, nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë. Lëshimet (koncesionet) e vazhdueshme që ka bërë klasa politike e Prishtinës (jo populli shqiptar i Kosovës) Beogradi i ka kuptuar si dobësi dhe pafuqi të Kosovës shqiptare dhe të kombit shqiptar në rajon e në botë !? Dora e shtrirë e qeverive dhe institucioneve të Kosovës për « normalizim të marrëdhënieve” midis dy vendeve dhe midis popujve tanë nga Beogradi zyrtar zakonisht është parë me përbuzje dhe agresivitet ! Nuk thonë kot se « oreksi rritet duke ngrënë » ! Koncesionet e bëra nga qeveritë dhe institucionet e Kosovës shqiptare në vend se ta « zbutnin » Serbinë shoviniste e egërsonin dhe e bënin më agresive ! Oreksi për të qëndruar në Kosovë (kryesisht në Veriun e Kosovës) dhe për t’u kthyer një ditë « fitimtare » po i rriteshin Sebisë pas çdo marrëveshje dhe lëshimi që përfitonte nga politikanët e kapur në të kaluarën dhe nga këta të shantazhuarit !
Rol negativ në këtë proces të shkëputjes dhe pavarësimit të Kosovës shqiptare nga Serbia kanë luajtur disa Fuqi të Mëdha e qendra të vendosjes, të cilat nuk ishin të gatshme ta « mirëkuptonin » dhe ndihmonin shkëputjen e plotë të Kosovës shqiptare dhe bashkimin me shtetin e saj AMË ! Ky raport i forcave midis Fuqive të Mëdha dhe fuqia jonë e pamjaftueshme për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen tonë prodhoi një Rezolutë të OKB – së (Këshillit të Sigurimit), e cila edhe sot interpretohet ndryshe nga ne, shqiptarët, dhe miqtë tanë dhe ndryshe nga serbët dhe miqtë e tyre ! Për fatin tonë, kryesisht me ndihmën e miqve tanë, kjo Rezolutë (1244) dhe e drejta e Kosovës për ta shpallur pavarësinë e saj nga Serbia u interpretua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë(!), e cila i dha plotësisht të drejtë Kosovës, duke i njohur pavarësinë dhe shtetin e Kosovës të përputhshme me dokumentet dhe normat ndërkombëtare (edhe me Rezolutën 1244). Kjo edhe ishte fitorja e tretë e madhe e Kosovës (pa vise) pas Luftës Çlirimtare të LPK – UÇK-së dhe të kombit shqiptar dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, kjo fitore e madhe e Kosovës (njohja e të drejtës për pavarësi nga Serbia nga GJND – ja dhe vulosja e saj…) u « përbuzë » dhe u « shkel » nga klasa politike e Prishtinës (pranimi i fusnotës!!), pa përjashtuar edhe Tiranën zyrtare, e cila do të duhej t’i « dëshmonte » botës me gjithë fuqinë e saj se Kosova është çështje shqiptare dhe zemër e Shqipërisë e jo « çështje serbe » dhe « zemër e Serbisë » !!
Qëndrimi dhe përqëndrimi i Serbisë (strukturave dhe organeve të saj), sidomos në Veriun e Kosovës, u bë nën ombrellën e pranisë ndërkombëtare!! Angazhimi i UNMIK-ut dhe i pranisë tjetër ndërkombëtare për krijimin e enklavave serbe, që më vonë u bënë komuna « serbe », pastaj krijimi i « zonave të mbrojtura serbe », ndarja e Mitrovicës shqiptare, etj., nga njëra anë, dhe persekutimi i Luftës Çlirimtare të UÇK -së si dhe persekutimi i idesë dhe angazhimit për shkëputje të plotë nga Serbia, nga ana tjetër, e inkurajuan dhe trimëruan Serbinë që të angazhohet dhe veprojë natën e ditën, me të gjitha mënyrat dhe mjetet në dispozicion, për ta rritur ndikimin dhe praninë e saj brenda kufijve të Kosovës shqiptare! E gjithë kjo në emër të një pakice serbe (5%) dhe të religjionit e monumenteve fetare!? Krah i vyeshëm i këtyre pretendimeve serbe u bënë edhe ata që në një apo në shumë mënyra e në kohë të ndryshme i kishin shërbyer aparatit shtetëror pushtues e terrorist jugoserb! Të gjithë këta (sipas asaj që dihet nuk ishin pak!), jo që dolën të pa lagur nga Lufta, por edhe u mbështetën, u sistemuan dhe u “rehabilituan”, duke kapur majat e pushtetit, të politikës dhe të bashkëpunimit me administratën e OKB -së, të OSBE -së dhe me OJQ -të. Ky “komunitet” i stërvitur kolaboratorësh i kapën edhe mediet, e kapën drejtësinë, sigurinë, kulturën, ekonominë dhe gjithë sistemin. Kuptohet me përkrahjen e UNMIK-ut dhe pranisë tjetër ndërkombëtare, që diferenconte dhe persekutonte të gjithë ata që ishin kundër “Kosovës multietnike”, kundër enklavizimit, ndarjes së Kosovës shqiptare dhe kundër pranisë dhe ndikimit të Serbisë në Kosovë dhe në çështjet e saj. Ky proces i “përafrimit” dhe fuqizimit të Serbisë në Kosovë, në emër të pakicës serbe dhe kishës ortodokse “serbe”, e cila ka luajtur dhe po luan rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të nacionalizmit dhe shovinizmit serb në Kosovë e në rajon, u finalizua me koncesione, marrëveshje e plane (plani Ahtisarit) të pranuara nga paria e tredhur e Kosovës, por jo nga Serbia. Prandaj, vazhdoi me marrëveshjet e Brukselit dhe themelimin e Gjykatës Speciale për dënimin e Luftës Çlirimtare të kombit shqiptar. Kosova shqiptare mbeti peng e “dialogut” dhe e “marrëveshjeve” pa fillim e pa fund me Serbinë pretencioze dhe, së voni, edhe agresive dhe e presioneve dhe shantazheve të Fuqive të Mëdha dhe qendrave të vendosjes!!
Vendimi dhe veprimi i fundit i Republikës së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, të paktën në punën e targave, nxori në shesh gjithë arrogancën, agresivitetin dhe destruktivitetin e Serbisë, e cila po manipulon me një grusht serbësh dhe në emër të tyre po kërcënon lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës shqiptare!! E mësuar që Fuqitë e Mëdha dhe qendrat e vendosjes të bëjnë presion vetëm mbi të drejtën e Kosovës për ta kontrolluar territorin dhe kufijtë e saj, Serbia po ngritë tonin dhe po ashpërson gjuhën kundër të drejtave dhe detyrimeve themelore të një shteti të pavarur e sovran!! Vendosja e rreth 300 policëve (njësi speciale) dhe disa autoblindave pranë kufirit për t’i mbështetur policët kufitar në kryerjen e detyrave të tyre, sipas Serbisë, qenka “frikësim” për pakicën serbe, “demonstrim force”, etj. Kurse prania e ushtrisë (jo vetëm e gjandarmërisë e policisë) dhe e të gjitha llojeve të armatimeve në truallin shqiptar (Kosovën Lindore) dhe në kufi me Republikën e Kosovës nuk qenka as frikësim i popullatës së paarmatosur shqiptare dhe as kërcënim i drejtëpërdrejtë për Kosovën!? Qëndrime e politika të njohura e të pritura nga Serbia…
Por, ajo që nuk pranohet nga Republika e Kosovës dhe nga populli shqiptar është trysnia e njëanshme ndërkombëtare!! Sa herë që Kosova ndërmerr ndonjë veprim “simbolik” për të vendosur kontrollin në territorin e saj dhe kufijtë e saj Fuqitë e Mëdha dhe qendrat e vendosjes do të reagojnë dhe do të bëjnë presion që të “pezullohen e ndalohen veprimet e njëanshme”!! Me këtë qëndrim të “sinkronizuar” dolën vendet e pesëshes (kuintit) në Kosovë! Pastaj mbajtën takim të gjatë me Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm, sigurisht që u kanë bërë presion që të tërhiqen nga vendimi për reciprocitet në punën e targave!! Edhe Lajçaku i BE -së paska bër thirrje që “palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme” (si edhe vendet e kuintit) dhe të “lejohet lëvizja e lirë”! Ka 22 vite (pa hyrë në kohën e luftës e të pushtimit të gjatë gjakatar e terrorist) që Serbia të gjitha veprimet i ka të njëanshme dhe kërcënuese për lirinë e Kosovës dhe për paqen në rajon e më gjerë dhe të gjitha i “miratojnë” në heshtje dhe me besimin që Kosova do të lëshojë akoma!! Kryetari i Serbisë, i trimëruar nga qëndrimi i këtyre qendrave dhe fuqive, po i kërkon Kosovës, me tone ultimative, që “t’i tërheq trupat nga Veriu”, sikur Veriu i Kosovës të ishte në Serbinë e tij!! Prandaj, Republika e Kosovës (Qeveria e saj) nuk duhet të tërhiqet! Nuk bën më që Serbia t’i poshtërojë shqiptarët duke ua hequr targat në kufi e duke i keqtrajtuar, kurse Republika e Kosovës të ulë kokën dhe ta haj bukën me turp! Nuk bën, kjo është më e rëndësishmja, të tolerohen sjelljet e Serbisë dhe të mercenarëve të saj në Kosovë sikur të jenë në territorin e tyre! Nuk bën më që shqiptarëve të pushtuar (Kosovës Lindore) t’u mohohet çdo liri dhe e drejtë themelore, kurse pakica serbe në Republikën e Kosovës të ketë status “shtetformues” e të jetë e paprekshme dhe mbi ligjin!! Nuk bën më të vazhdohet dialogu me Beogradin që Kosovën e konsideron si territor të Serbisë! Dialogu, mirëkuptimi, marrëveshjet dhe “normalizimi i marrëdhënieve” kanë kuptim dhe duhet të bëhen shtet me shtet (si dy shtete) e jo nga këto baza!
Republika e Kosovës dhe gjithë forca njerëzore e materiale e këtij vendi dhe e kombit mbarë duhet të kalojë në shkallë “gatishmërie” dhe të mos e nënçmojë situatën nëse duamë që të shmanget lufta… Bashkëpunimi, marrëveshja dhe bashkërendimi i të gjitha çështjeve me shtetin AMË është çelësi i suksesit… Koncesionet e pafundme dhe të paprincipta Serbisë fundin e kanë me luftë. Politikat e qullta, hipokrite dhe të dështuara çojnë në luftë. Prandaj, për ta ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, kombi shqiptar, në marrëveshje dhe bashkëpunim e bashkëqartësim edhe me miqtë tanë, duhet të koncentrohet në përmirësimin dhe fuqizimin e kapaciteteve dhe zotësive luftarake mbrojtëse… Kjo situatë dhe këto objektiva duhet t’u bëhen të qarta miqve, kundërshtarëve dhe armiqve të lirisë dhe pavarësisë sonë për jetë, zhvillim e siguri kombëtare e rajonale. E drejta për t’u mbrojtur në kufijtë dhe tokën tënde është e drejtë dhe detyrim themelor. Popujt dhe vendet që zgjedhin vajin, lutjet dhe përuljen për ta “shpëtuar” Atdheun dhe veten fundin e kanë të vajtueshëm! Uniteti politik dhe kombëtar në këtë ÇËSHTJE nuk bën të vihet në “diskutim” nga askush!
(Redaksia e Gazeta Lëvizja)