Më kujtohet si sot, kur ai burrë i gjatë dhe i thantë, hyri në shtëpinë tonë dhe u ul në minderin e dhomës, në krah të Lajes, nanës sime. Kishte kaluar pak kohë nga Çlirimi i vendit, por m’u duk se në shtëpinë tonë erdhi sërish ilegali sypatrembur i rezistencës! Ishte Poeti i famshëm i Shkodrës sonë, autori i këngës së Tre Heronjve të Shkodrës! Bisedoi gjatë me nanën, teksa motra ime e madhe i nxori një gotë me shurup trëndafili dhe kafe. Unë rrija te dera e dhomës dhe e shikoja nga larg, me kureshtje e admirim. Këngën e Tre Heronjve, e përhapur në mbarë Shkodrën, e dija përmendesh!
Kur ai u ngrit të ikë, e shoqërova nanën deri tek dera e shtëpisë ku e përcolli, dhe aty e dëgjoj t’i thotë:
- Mirë Kolë, po atyre djemve tanë, a nuk do t’i qesësh një kangë? – dhe e pa drejt në sy.
Toni i zërit të saj, ishte midis kërkesës, lutjes, por edhe një lloj urdhri. E kishte fjalën për të pestë trimat e vrarë në Vig, akti i heroik i të cilëve në gushtin ’44, mu në prag të Lirisë, ishte përhapur me bujë e përnjëherë në gjithë Veriun e vendit dhe, shpejt pastaj, në mbarë Shqipërinë.
Ai i vuri nanës njërën dorë mbi sup dhe me një zë të ngarkuar, i tha:
- “Kangën që më kërkon, nanë Laje, e kam këtu – dhe dorën tjetër e vuri në anën e majtë të krahërorit, mbi zemër. – Ajo kangë që më kërkon, kangë që ka zgjuar gjaku i pastër i pesë heronjve të Vigut, ka filluar të këndohet nga njerëzit dhe unë vetëm do ta shkruaj!” Dhe shtoi: “Na e kena da, ma mirë me dhanë jetën si me le, se sa me tradhëtue luftën që kena nisë. Një herë thamë: Ja vdekje, ja liri!” – kanë shkruar ata vetë, në letrën që lanë përpara se të binin si trimat e legjendave. Është vështirë t’i përqaset një poezi a këngë atij përkushtimi heroik, apo qoftë tekstit të letrës së tyre drithëruese për shokët e idealit, që i dorëzuan nanë Drandes përpara se të vriteshin!”.
Unë e kam patur bindje qysh herët dhe gjithmonë, se kushdo që është angazhuar në lëvizjen e rezistencës ndaj okupatorit dhe ka marrë pjesë në Luftën NÇL, ka dëshmuar ashtu dashurinë e epërme për vendin, për lirinë e përparimin e tij, duke marrë parasysh se mund të linte edhe kokën. Por, duke dëgjuar fjalët që Poeti i tha nanës, realizova befas se njeriu është njeri dhe kushdo nga ata partizanë kryengritës, kanë besuar e shpresuar se nuk do t’i zinte plumbi i armikut. Por im vëlla, Ahmet Haxhia (me pseudonimin “Tigri”), ashtu si Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ndoc Deda e Hydajet Lezha, kanë parë shoku-shokun të vriteshin, njëri pas tjetrit nga plumbat e forcave mercenare dhe nuk janë ligështur aspak, teksa e dinin se po ai fat i priste të gjithë. Dhe kanë luftuar ashtu gjashtë orë, deri sa edhe i fundit prej tyre dha jetën. Ky qëndrim e ka emrin Heroizëm i Lartë, e ka emrin Vetëmohim i Ndërgjegjshëm, e ka emrin Dashuri në Ekstrem për Shqipërinë e përparimin e saj!
*
Me porosi të Qarkorit të Partisë së Shkodrës, Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhija, Ndoc Deda dhe Hydajet Lezha, u nisën me mision në zonën e Mirditës, për të ndihmuar Çetën partizane Pukë-Mirditë që të shtonte radhët me partizanë të rinj, me synimin që të bëhej batalion. Qëllimi kryesor i tyre ishte përgatitja e terrenit që kur të kalonin andej formacionet e rregullta partizane për të çliruar Veriun, të mos kishte reaksion dhe të evitohej me çdo kusht vëllavrasja. Ata ishin mbartësit e mesazhit për një mentalitet të ri për banorët e zonës së Mirditës, që ata të mos mbeteshin skllevër të disa bajraktarëve të egër prapanikë. Një mënyrë e re jetese në liri, zhvendos shumë eksperienca të vjetra dhe kjo nuk mund të ndodhë pa trauma e dhëmbje, pa keqkuptime, inat e egërsi. Prandaj edhe janë heronj ata pesë të rinj, që dhanë gjakun e tyre për atë mision luftarak e, njëkohësisht, aq human e fisnik!
E fillova këtë homazh për tim vëlla e shokët e tij duke përmendur Kolë Jakovën, autorin e poemës “Heronjtë e Vigut”. Dihet se arti i vërtetë nuk u kushtohet kurrë ngjarjeve apo personave të rremë, prandaj për Heronjtë e Vigut, Heronjtë e Vërtetë të Kombit, janë ngritur këngë të ndjera, janë shkruar poezi prekëse, është krijuar grupi skulptural që u njehsua me Shkodrën (të cilin një vullnet i lig u përpoq ta heqë nga qyteti), është xhiruar me plot vërtetësi filmi “Besa e Kuqe”, siç është pasqyruar heroizmi i tyre edhe në degë të tjera arti. Petrit Malajn, aktorin që luan rolin e tim vëllai në atë film, e kam pasur student dhe sa herë e takoj dhe e përqafoj, në një kuptim të largët, më duket se ashtu takohem e çmallem me tim vëlla…
Poema “Heronjtë e Vigut” u botua në vitin 1953. Atë vit unë shkoja për studime jashtë vendit. E mora me vete poemën e sapo botuar, krahas fotos së tim vëllai, me kokën e bukur plot flokë, me vështrimin e mprehtë, me fytyrën e zbehtë e jakën e bardhë të këmishës, vendosur mbi atë të xhaketës! Atë foto të Tigrit të Egër për pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe, njëkohësisht, të atij Pëllumbi të Bardhë të Paqes së Atdheut!
Kanë kaluar 77 vjet nga 21 gushti i vitit 1944, ndërsa e kam zor të besoj që ka kaluar aq shumë kohë! Brenda meje jehojnë, sot e përherë, vargjet e këngës labe “More trima, Ç’ndodh kështu – Vitet tutje, Ju tëhu!”.
Meliha Haxhimusaj (Haxhia) – Motra e Ahmet Haxhisë
Veterane e Luftës ANÇL