Shqipëria/Aktualitet

Xhevdet Shehu: Profecia e Namik Hotit për malësorin si Sali Berisha që “kur i hipën kalit veç pëlumbi e rrëzon”

Pa dashjen tonë, gjatë kësaj vere tejet të nxehtë me zjarre që, po na duhet të merremi me Sali Berishën si një problem politik dhe si një dukuri që ka angazhuar edhe partnerët tanë më të fuqishëm ndërkombëtarë. Pa asnjë diplomaci, është kërkuar largimi i tij nga politika për mëkate të rënda të tij si korrupsion shtetëror dhe dhunim të vlerave të demokracisë. Dhe si për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit, Berisha i sfidon të gjithë duke deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Por sa i besueshëm është ai në këto që thotë?

Pavarësisht deklarimeve prej të forti që bën Sali Berisha pasi u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, fakt i vërtetë dhe i besueshëm është pikërisht e kundërta. Ai është më i dobët se asnjëherë. Afrimi i datës së fillimit të punimeve të parlamentit të ri ia shton edhe më shumë ankthin dhe e bën edhe më të dobët. Sepse është e pamundur që ai të fitojë betejën e shpallur ndaj Shteteve të Bashkuara. Për të ardhur keq është fakti se me fundosjen e tij ai po merr me vete edhe partinë e tij.

Gjithë kjo që po ndodh me Saliun dhe partinë e tij më kujton një ngjarje të shkuar të një çerek shekulli më parë. Dhe ka të bëjë me Namik Hotin, ish-kryetarin e partisë ekologjike që tashmë nuk ekziston më.

Një nga shprehjet proverbiale të Namik Hotit, ose gjatë siç donte ai ta thërrisnin Namik Vehbi Fadile Hoti është kjo: “Berisha si malok, kur hyp në kalë nuk zbret kurrë veç duke e rrëzuar me plumb”! Kjo shprehje e thënë gjatë një interviste në TVSH bëri bujë dhe kujtohet edhe sot e kësaj dite. Më vonë dikush e pyeti Namikun: Po sikur të mos zbresë edhe me plumb? Atëherë vrisni kalin! U përgjigj qetësisht kryeekologjisti…

Pas deklaratës së ambasadores amerikane që fare troç i kërkoi Lulzim Bashës që Berisha të mos hyjë në parlament në shtator, situata u agravua edhe më shumë, pasi doli sërish Berisha, duke ashpërsuar tonet jo vetëm kundër ambasadores, por edhe kundër Shteteve të Bashkuara. Reagimet nga PD janë thuajse zero. Nuk e kundërshtojnë dot Amerikën, por edhe nga Saliu nuk ndahen dot. Saliu që i ka hipur kalit PD prej 30 vjetësh këtë kërkon. Vrasjen e kalit, pasi kështu i duket se do të ngjajë më e justifikuar ikja e tij. E kjo do të thonë se metaforikisht, sikurse tha ambasadorja Kim, ata do të hanë bar… Thuhet edhe se ata, pra deputetët e PD dhe të tjerë që janë strehuar në shpellën berishiane, mund të fillojnë një grevë urie të pashembullt e të paparë ndonjëherë… Dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të venë punët…

Po le të improvizojmë se si do të përgjigjej Namik Hoti po ta pyesnin sot se kush e vrau kalin e Berishës. Ai me atë shprehjen sifidante të të pafajshmit në fytyrë, por edhe të njeriut që i di të gjitha në të njëjtën kohë, duke mrrolur pakëz sytë nën kapelën republike, si gjoja nga drita e fortë e diellit, do të përgjigjej aty për aty:

– Kjo nuk është vështirë për t’u kuptuar. Kalin e vrau vetë Shkëlqesia e Tij Sali Berisha. Ai e deshi kaq shumë këtë kalë, sa një ditë pasi ia hoqën vizën amerikanët, e shtrëngoi për gryke kalin e tij shumë të dashur, sa e mbyti… Kështu bëjnë vetëm kalorësit e mëdhenj. Ata ikin bashkë me kalin. Atë kalë nuk mund ta shalojë kush tjetër. Kalorësi pasardhës duhet të gjejë me doemos një kalë tjetër.

Ndërsa lidhur me një grevë të mundshme të deputetëve të PD-së dhe ndjekësve të Berishës, Namiku e ka gati përgjigjen. E kam dhënë njëherë përgjigjen për këtë pyetje tridhjetë vjet më parë. Burrat e mençur nuk e përsërisin vetveten, thotë. Dhe largohet…

Dhe përgjigja e tij për grevën hipotetike të deputetëve demokratë, është kjo:

Gjatë ditëve të grevës së urisë së studentëve që kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti Shtetëror në shkurt 1991, Namiku tha qetësisht:

– Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Greva u bën mirë çunave, sepse iu pastron rropullitë…