Vështrim/Analizë

Ylli Meçe: Kurrë nuk harrohen ballistët e luftës por as këta ballistët e sotëm “modernë”

Mbase periudha historike dhe korriku i hershëm i vitit 1943 e donte që unë të ndalesha në atë ngjarje madhore e me rëndësi të madhe historike, që kishte të bënte me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, e cila me formën më të lartë të organizimit të saj kreu me sukses, me nder e dinjitet të lartë, misionin e vet duke u bërë shpresë për popullin dhe tmerr për armikun. Sigurisht, armikun e kishim përballë të egër e mizor, paçka se kolaboracionistët e asaj kohe mundoheshin që nën maskën e “Kartës së Atdhetarizmës” të maskonin veprimtarinë e tyre tradhtare e në shërbim të armikut. Tashmë, jo vetëm “Legeliteti” zogollian, por dhe organizata e shportës së karavidheve të “Ballit Kombëtar” janë kaq shumë e diskretituar në opinionin e brendshëm të vendit, sa që dhe “fama” e tyre si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit i ka kaluar kufijtë nacionalë, duke u ndërkombëtarizuar si shtresa më servile, e cila u vu jo vetëm në shërbim të okupacionit, por që i lyeu duart me gjakun e popullit deri në bërryl. Dhe bëmat e tyre janë aq të shumta saqë është vështirë të përcaktosh se sa të mëdha janë dimensionet e tradhtisë. Sigurisht që mora lapsin dhe për të shkruar, shkas më dha një ish “pseudo-intelektual”, i cili në kuadrin e rishikimit të historisë na ka bërë zbulimin e madh se Ballistët nuk na qenkëshin ashtu si i ka përcaktuar populli dhe damkosur historia, por na qënkeshin më të mirë dhe si shembull na merr Hysni Lepenicën dhe se kjo histori nuk duhet parë bardhë e zi, por me të gjitha nuancat e veta. Pra sipas tij kjo histori duhet rishikuar me dritëhijet e veta, sikurse na shprehet “intelektuali”, i cili deri dje, pra në periudhën “proto berishiane” na e shante deri në rrënjë e nuk u linte kusur ballistëve, e teksa çuditërisht në periudhën tjetër “postberishiane” të miratuar nga kryeballisti me qylaf e kollare në kokë, Edi Rama, kërkon të revizionojë historinë. Sigurisht, për të qenë dhe realistë, në të gjithë veprimtarinë e Ballit Kombëtar mundet të ketë patur dhe ballistë të gënjyer si “Arifi” (personazhi i librit “Komisari Memo”, pse jo dhe ndonjë “kumandar çete”, i cili mund t’i ketë hedhur ndonjë pushkë kundër fashistëve sidomos atyre italianë sikurse ka ndodhur me nja 5-6 ballistë që luftuan në Drashovicë.

Po pse ky aksion na e përcaktoka Ballin? Harron “intelektuali” se pikërisht Prefekti i Vlorës në shkresën e vet dërguar Ministrisë së Brendshme shkruan se: “Me ndihmën e ballistëve u bë e mundur kapja e komunistes së rrezikshme Qeriba Derri e shoqja e Shaqo Derrit”! Kjo shkresë ka datë dhe vulë, sikurse pikërisht kjo shkresë ka një lidhje logjike dhe koherente me platformën e protokollit famëkeq “Dalmazo-Këlcyra”, shkresë kjo, e cila i çjerr maskën plotësisht Ballit Kombëtar. Në këtë shkresë pra sipas protokollit të sipërpërmendur Ali Bej Këlcyra me kryeballistin tonë të Vlorës, Nuredin bej Vlora i angazhohen dhe i betohen gjeneralit Renzo (Dalmazzo)… se këta kaporalë angazhohen që të mbajnë qetësi (ashtu si kujdestari i “Lulëkuqeve mbi mure”) në popullin e krahinës së Labërisë dhe se i premtojnë pushtuesit se trupave italiane nuk do t’u ndodhë asgjë nga rebelët e kuq. Kjo shkresë, ky dokument mund të konsiderohej dhe i pavërtetë nëse Balli do të luftonte apo të paktën t’u përmbahej vendimeve të Konferencës së Pezës më 1942. Për të mos u diskretituar publikisht, por dhe për konsum publik, ata fillimisht e pranuan me fjalë “Konferencën”, por e sabotuan me vepra atë dhe kjo ishte logjike që do ta sabotonin. Dikush mund të pyesë: Po mirë pse si qe puna dhe çfarë e shtynte “Ballin” që të mos e luftonte fashizmin apo të bënin luftë me letër?! (Madje as me letra nuk bënin sepse ata (ballistët) nxirrnin gazetën e tyre legalisht nën kujdestarinë e pushtuesve. Pra përse, cilat ishin arsyet që “Balli” nuk u bashkua me Nacionalçlirimtaren? Kjo duhet parë te shtresa që përfaqësonin, te baza ekonomike nga e cila rridhnin “Kumandarët e Ballit”. “Ajka e Kombit” ose “Balli”, jo pa qëllim kishte zgjedhur ta emëronte vetveten në mënyrë të tillë, sepse ata ishin të gjithë bejlerë e agallarë, pra “baballarët e kombit” dhe këta baballarë që nuk mungonin të kishin dhe si mbiemër emrin e fshatit apo krahinës (në zakonin shqiptar për të përcaktuar shkallën e pozicionit të lartë ekonomik përdorej titulli “bej”, “aga” ose emri i fshatit si psh Ali Bej Këlcyra. Nuredin Bej Vlora nuk mundet kurrë të pranonin “brekëgrisurit” partizanë që të bënin reformën agrare, e aq më tepër për një Shqipëri ku populli ishte sovran e të gëzonte të drejtat e tij të barabarta, pa shtypje e shfrytëzim klasor të njeriut nga njeriu. Pikërisht ky është thelbi, kjo është pika më kryesore që Balli Kombëtar distancohej nga lufta ndaj dhe propaganda e tij ishte e përqëndruar kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Të marrësh psh e të ngresh në piedestal Hysni Lepenicën apo dhe ndonjë aksion individual të tij duke mos e lidhur të gjithë veprimtarinë e tij si kryeballist me Organizatën e Ballit Kombëtar do të thotë të mos bësh analizë të vërtetë, por të cekët dhe sipërfaqësore. Kur kapitulloi Italia fashiste, garnizoni italian në Grehot ku kishte vendkomandën, kishte marrë urdhër që armët dhe depot me materiale e municione duhej t’u dorëzoheshin partizanëve, teksa çeta e Lepenicës këmbëngulte ti dorëzoheshin atij. Me gjithë përpjekjet dhe paralajmërimet e komandës italiane ai kërkoi të futej me forcë deri sa u konfrontuan me armë duke u vrarë vetë Hysniu dhe disa ballistë të tjerë. Sigurisht nuk ishte gjë e mirë dhe nuk duhej të ndodhte, por pamaturia e tij dhe nxitimi e hodhi në aventurë tragjike. Tashmë le të marrim se ç’ndodhi me “Ballin” mbasi ra dhe kapitulloi Mussolini? Cili ishte qëndrimi i Ballit me pushtuesin e ri? Menjëherë “vakumin” e krijuar në vjeshtën e vitit 1943 e zunë nazistët gjermanë. Gjermanët në raport me ushtrinë italiane kishin një imazh më të ashpër dhe më luftarak, pavarësisht se çizmja e pushtimit është e njëjtë në peshë qoftë ajo serbe, greke, italiane apo gjermane. Ideologu i tyre me jakë të bardhë prej diplomati, i udhëzonte të gjitha strukturat e Ballit që të mos e prisnin “gjerman agën” me luftë, madje ata jo që nuk e pritën me luftë, por për të treguar se ishin dashamirës së nazistëve kapën rob në janar të vitit 1944 dhe gjeneralin anglez “Devis” ose sikurse i thërrisnin me pseudonimin Trocky duke ua bërë si dhuratë nazistëve gjermanë. Aq shumë e gëzuan ballistët tanë Hitlerin, sa që ky i fundit vetë personalisht i ishte mirënjohës “Ballit Kombëtar” dhe veçanërisht trimit Azis Biçaku, të cilin dhe e dekoroi. Por kjo dekoratë nuk ishte vetëm për “Zizo ziun”, (Azis Biçakun), por për të gjithë Ballin dhe “ajkën e kombit”. Ka me dhjetëra e dhjetëra dokumenta, të cilat vërtetojnë katërcipërisht rrugën e tyre të tradhtisë, rrugë kjo që i ka mbuluar me turp. Pikërisht, ajo çka theksuam më sipër ishte baza ekonomike e tyre, të cilët te çdo pushtues shikonin ekzistencën e vet si shtresë dhe klasë politike. Mallakastriotë ishin dhe ata që ua dorëzuan dhe spiunuan te nazistët gjermanë “këshilltarët e Hekalit”, (veçse mallakastriotë tradhtarë), të cilët gjermani i pushkatoi pa hezitim, sikurse me dhjetëra e dhjetëra shembuj të tillë. Fenomeni i tradhtisë dhe lindjes së organizatave tradhtare e në shërbim të armikut lindin në periudha të caktuara historike, atëherë kur një vend okupohet ushtarakisht, pikërisht në situata të tilla vihen në provë klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë dhe ky nuk është fenomen vetëm shqiptar, por dhe norvegjez me Kuislingun në krye dhe francez me marrshallin “Pëtein” dhe hungarez me Hortin dhe hortistët dhe rumun me Antoneskun apo serb me Drazha Mihajlloviçin. Tradhtia përherë është dënuar nga popujt, por dhe nga organizatat përparimtare sikurse në rastin konkret dhe nga vetë anglo-amerikanët. Sigurisht ky “dënim” që ata u kanë bërë ka qenë i përkohshëm sepse më vonë këto banda të çarvalitura ata do t’i përdornin për qëllimet e veta kundër atyre vendeve të cilat filluan ndërtimin e një shoqërie të re pa shtypje e shfrytëzim klasor të njeriut nga njeriu. Kryeballisti modern me tumane dhe kollare në qafë, Edi Rama herë u bën thirrje indirekte veteranëve që të tregohen më luajalë me historinë dhe hera herës i ironizon ata me batutat e tij “të këndshme si të Duçes” dhe meqenëse nuk arrin dot të mallkojë Luftën Nacionalçlirimtare na rehabiliton Mithat Frashërin, kështu që për rrjedhojë matematikore dhe “intelektuali lab” na rehabiliton Lepenicën. Vallë të mos e kuptojnë se rehabilitimi i tij do të thotë të rehabilitosh “Ballin e Kombit”?! Këta lloj intelektualesh plangprishës le të mos e duan sistemin e Enver Hoxhës, paçka se në atë kohë brohorisnin më shumë se të tjerët për të,veçse historia nuk është interpretim subjektiv dhe as dëshirë individuale. Ajo është shkencë e vërtetësisë historike të popujve, e shpjeguar mbi bazën e dialektikës që analizon jetën dhe veprimtarinë e shoqërisë njerëzore në etapa të caktuara të saj, qëndrimet e klasave dhe shtresave të ndryshme të tyre në këto etapa. Francezët psh. e dënuan me vdekje marshallin Petein ish-heroin e luftës së parë, (vonë ia kthyen dënimin me burg përjetësisht, për shkak të moshës) sepse ai nënshkroi aktin e përgjysmimit të Frances me Hitlerin, po kështu ka ndodhur me çdo organizatë tradhtare në gjithë Europën, madje dhe vetë amerikanët i dënuan ashpërsisht simptomat e lindjes së organizatave naziskine në shtetet e tyre dhe me këtë rast lind natyrshëm pyetja: Këta bythëpërdredhur të sistemeve ku e gjejnë kurajën të rehabilitojnë tradhtinë? Mos vallë meqenëse u kalua në sistemin aq të dëshiruar të ballisto-zogistëve përligjet bashkë me ta dhe rishikimi, rehabilitimi dhe e zeza u dashka bërë e bardhë?! Ja supozojmë se këtë e bënë, por unë pyes po Shqipërinë kush e çliroi? Apo dhe me këtë rast do thonë se armiku iku vetë dhe me këtë rast përligjin dhe falsifikimet e tyre se ne nuk kishim 28 mijë yje që ranë për Atdhe. Kjo shifër i tremb shumë tradhtarët dhe nuk është e rastësishme që i ulin numrat e tyre. Kjo do të thotë se nuk është bërë aspak luftë. Harrojnë qyqarët se sa kishim ne vetëm partizane femra nuk kishte e gjithë Shqipëria ballistë, madje dhe ata që ishin vraponin nga mbas makinave të gjermanit.

Epoooooo ç’na polli belaja me këta ballistët! Na u qepen si balta mbas opinge si gjatë kohës së luftës, ashtu dhe në kohë paqeje! Thonë (mund të jenë dhe fjalë dhe nuk dua të dënohem me ligjin e antishpifjeve gazetareske) se Edi Ramën e paska kërkuar organizata e “Ballit Kombëtar” për ta bërë kryetar. Madje Alimadhi i ka përgatitur dhe nje qylaf me zhgabe, një palë tumane nga Qerreti i Kavajeë dhe një palë tespije, të cilat thonë se ia ka bërë dhuratë Erdogani! Rroftë e qoftë Balli, i cili tërë kohën qëndroi në bisht!