Kufiri mes mitologjisë dhe historisë, shumë herë, figura të caktuara i ka lënë mes mitit dhe
realitetit. Këtë kufi, as sot, shkenca bashkëkohore nuk ka arritur ta zhbëj argumentueshëm, në
mënyrë që figurat e caktuara mitik t’i vendosi në rrafshin e historisë dhe me këmbë në tokë.
Koj dukuri, nuk është handikap vetëm tek ne shqiptarët, por edhe tek të gjithë popujt e botës,
të cilët bëmat madhore të figurave të tyre mitike, nuk kanë mundur t’i përcaktojnë qartë në
kohë e hapësirë, përderisa mungojnë shënime, dokumente dhe kronik të kohës.
Këto bëma madhore, që popujt i kanë ruajtur në kujtesën e tyre, bartur me besnikëri nga brezi
në brez, natyrisht herë- herë edhe të hiperbolizuara dhe të mjegulluara të cilat kërkojnë një
shtjellimi adekuat të epokave mitologjike, qasje shkencore kjo, që mungon edhe sot tek ne
shqiptarët, me aq sa kemi lexuar për Gjergj Elez Aliun, Doruntinën, Rozafën, Urën e shenjët e
tjera. Kjo mungesë faktesh shkencore për figurat mitike, nuk kursen as Persët, as Romakët, as
Grekët, as Alamanët, as Azurët, as Galët, as Valetët, as Ilirët- përkatësisht pasuesit e këtyre
etnive, siç jemi edhe ne, pasues të Ilirëve.
Bie fjala; tek Zviceranët, miti për Wilhelm Tellin, ruhet edhe sot e kësaj dite në të dhënat e
tyre historike si: “ Die Alte Eidgenosenschaft”, “ Gründungsmythen” etj. ku ishte bërë
alanca- lidhja- Bündnis, mes Kantoneve Uri, Schwyz dhe Unterwalden, për të kundërshtuar të
plotfuqishmit e kohës së Habsburgve, që sundoni në kohën: Römisch- Deutschen Reich,
Perandoria Romake- Gjermane. Marrëveshja mes këtyre tri Kantoneve për të kundërshtuar
Habsburgët, ishte bërë me 1 gusht 1291, që shënohet edhe sot si dita kombëtare e Zvicrës.
Më pastaj, Mythos von “Rütlischwur”, ku sunduesit Habsburg, shfrytëzonin dhe nënshtronin
fshatarët. Në vazhdim, Wilhelm Telli, nuk ishte përkulur dhe nuk kishte përshëndetur një
flamur-leckë të Habsburgve, duke e ruajtur kështu krenarinë e vet!
Der Herrscher Gessler- Sundimtari Gessler, njëri nga më gjakpirësit e Habsburgve, në shenjë
hakmarrje, ia kishte vënë një mollë mbi kokë të birit të Wilhelm Tellit, dhe e kishte urdhëruar
atë që ta qëllonte me heshtë!… Nëse do të dështonte, do ta godiste të birin në kokë, nëse do të
godiste mollën, do t’i falte jetën- kështu i kishte premtuar Herrscher Gessler, Wilhelm Tellit!
Wilhelm Tell, para kësaj sprove të madhe, në mënyrë precize, kishte goditur mollën mbi
kokën e të birit të vet!, por gjakpirësi, Gessler, prapë së prapë, nuk ia kishte falur jetën Tellit!
Kjo ndodhi, që përplaset furishëm mes realitetit dhe mitit edhe sot, në tërë Confederatën
Helvetike- CH, ruhet me plot fanatizëm. Janë qindra rrugë, godina, sheshe, male, institucione,
pije të ndryshme, burime uji, Kështjella, klube sportive etj, që emrin Wilhelm Tell e mbajnë
me respekt e krenari.
Adhurimi ynë nëpër kohë që haset kudo:
Ne, mitet i duam, dhe i kultivojmë po me aq fanatizëm, ani pse nuk kemi edhe gjithaq
dokumente e kronika të shkruara të kohës. Bie fjala: Miti për Doruntinën, Rozafen, Arbërin,
Urën e Shenjt, Gjergj Elez Aliun e të tjera, që janë përcjellë besnikërisht nder brezni. Këto
mite i mbajmë dhe shënojmë me krenari, kemi me dhjetëra sheshe, Kala, klube, Shoqata,
grupime kulturore gjithë hapësirës sonë shqiptare etj. që mbajnë emrin e tyre, dhe kjo është e
mrekullueshme që pasuron kulturën shqiptare gjithandej.
Paradoksi tjetër, që haset po ashtu kudo nëpër kohë, të vë para përgjegjësisë:
Ne, nuk respektojmë në nivelin e prekshëm, figurat tona me peshë kyçe në kohërat më të
rëndësishme, që i dhanë kahen e duhur historisë dhe etnisë sonë shqiptare në Ballkan. Figurat
historike këto, siç është ajo e Milush (Nikollë) Kopiliqit, e cila as gjëkundi në trevat
shqiptare- gjithandej, nuk u përjetësua në nivelin e duhur?!
Milush (Nikollë) Kopiliqi, para së gjithash është figurë historike, me ëmë e at, me grua e
fëmijë, me farë e fis e katund, ishte Kopiliqas, nipash i Likocit. Milush Kopiliqi, vdiq vetëm
16 vite para së të lindte Gjergj Kastrioti ynë i madh!, Milushi, ishte bashkë-kohanik e
bashkëluftëtar me Kastriotët, Arianitët, Dukagjinët etj. me të cilët edhe kishin mbajtur
Kuvende burrash për t’u organizuar në mbrojtje të tokës, duke u betuar në fe, zot e atdhe!
Milushi, në Kopiliq, kishte shtëpi e katandi, kishte rend të organizuar. Pra kjo ishte figurë
madhore reale dhe aspak mitike, a nuk meriton më shumë kjo figurë?, pyetje që shtrohet me
sa zë kemi:
Çka është bërë deri me tani për figurën e Milush Nikollë Kopiliqit?
Sa shtatore janë ngritur për Milushin në trevat shqiptare, sa rrugë, Institucione, sheshe,
godina, shkolla ushtarake, mulli, lumenj, burime uji, Muze, shoqata sportive, njësite
ushtarake, shoqata kulturore, kuvende e të tjera, mbajnë emrin e Milush Nikollë Kopiliqit
sot!?… Duke u nisur nga fshati i tij i lindjes e deri tek komuna e tij, më tej së kaç; drejt
Prishtinës e Tiranës, nuk ka as edhe një obelisk, as nam e nishan për këtë figurë, që popujt të
tjerë, shqyhen e zhgërryhen për ta përvetësuar ketë figurë kaq të madhe historike!
Absurditeti dhe paradoksi shqiptar, që nuk kapërdihet me asgjë! Mjerim i pashpjegueshëm
intelektual, politik, kulturorë, filozofik dhe kombëtar!
Po, megjithatë nuk duhet të mohojmë çdo gjë, sepse ka disa shkrime të historianëve tanë tek
tuk, të paraqitura në ndonjë tryezë, por pa ndonjë peshë të zhurmshme historike. Ka disa
këngë të mbledhura. Këtu duhet cekur kontributin e veçantë shkencor, që ka bërë autori,
Ahmet Qeriqi, me romanin e tij: “Guri i Betimit”, si dhe në punimet e mëhershme, kushtuar
Milush Nikollë Kopiliqit, roman me peshë kronike- historike i zhanrit letrar. Në këtë roman,
autori Qeriqi ka bërë shtjellimin e asaj periudhe epokale për shqiptarët, e ka bërë me guxim,
me fakte e dëshmi të pakontestueshme, duke nxjerrë në sipërfaqe tërësinë e këtij rrafshi mbi
gjashtë shekullor, që këtë mit ai, e ka zbritur në rrafshin historik.
Janë edhe disa studiues të tjerë, të cilët kanë spikatur rolin e Milush Kopiliqit në Betejën e
Kosovës të 15 qershorit të vitit 1389 dhe historisë së lavdishme shqiptare të asaj periudhe
kohore e cila u përvetësua nga serbët në aspektin fetar, u manipulua në aspektin historik dhe
versioni i deformuar u shpërnda në shtetet e Evropës e në disa shtete të botës, të cilat nuk kanë
sa duhet të dhëna për versionin shqiptar të Betejës së Kosovës, edhe pse ka shumë fakte e
dëshmi që mbështesin realitetin objektiv historik të kohës dhe që po pasqyrohen e po
pasurohen nga studiuesit, sidomos në Kosovë.
Milush Nikollë Kopiliqi, i ka marrë jetën Sulltan Muradit të Parë në tokat shqiptare, ku ai me
ushtrinë e tij të madhe kishte ardhur, nga Edreneja për të pushtuar këto treva, ndërsa
shqiptarët dhe forcat aleate të krishtera kishin rezistuar me aq dhe për aq sa kishin mundur.
Tani, nëse dikush e bëri një mur për Sulltan Muradin, diku një tyrbe, pse ne nuk e vumë nga
një gurë për Milush Kopiliqin, qoftë në vendin e fushëbetejës, qoftë në vendlindjen e tij, në
Kopiliq, qoftë në komunën e tij, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë, ku mund të përulemi
para gurit dhe emrit të tij të madh?!