Durim Bala: Përkujtim e nderim për atdhetarin dhe revolucionarin Xhevdet Bala – falënderim bashkëveprimtarëve dhe të gjithë atyre që erdhën e na ngushëlluan
Përkujtim dhe falënderim!
Xhevdet Musë Bala
1969-2021
Lajmi mori dheun në trojet shqiptare se, më 18 maj në mëngjes, ditën e martë, pushoi së rrahuri zemra e revolucionarit të orëve të hershme të çështjes shqiptare, birit të Musë Mehmetit nga Isniqi i Shqipërisë, Xhevdet Balës. Për vëllezërit, motrat, shokët e idealit e për fisin e farefisin e Xhevdetit, ky lajm ishte shumë i papritur, tronditës e pikëllues. Përpara Xhevdetit, më 3 nëntor 1995, kishte ikur në moshën 37 vjeç vëllai i tij Neli.
Gjatë luftës së fundit mbetën në fushën e betejës dy vëllezërit Ganiu, 36 vjeç e Xhaferi 25 vjeç, ndërsa tashti, si rrufeja që godet në kohë të mirë, në mëngjesin e 18 majit, papritur e pa kujtuar, pa qenë asnjëherë i sëmurë në jetën e tij, në moshën 52 vjeç iku blini plak i Isniqit, Xhevdet Musa, për t’u bër i katërti vëlla në botën e amshimit.
Kur mbushi 52 vjet, më 15 nëntor të vitit që shkoi, sikur ta kishte parandjerë tha: tashti që mbusha 52 vjet jetë, tamam sa ka jetuar Isa Boletini kur u vra, më 23 janar 1916, në Podgoricë, çdo ditë që do të jetoj më tepër, e kam dhuratë. Nga dheu i huaj ku je ti, duhej sjell në Atdhe trupi i pajetë i Xhevdet Musës, që të varrosej në dheun e Isniqit të Lekë Vukës, që aq shumë e deshi dhe bëri për të, që nga mosha 16 vjeçare, kur revolucionarët nuk ishin të shumtë dhe numroheshin në gishta. Duhet të varrosej aty ku baca, Xhafa i Vogël i tij, qëndroi plot 18 vjet deri sa u bart me Ganiun te varrezat e dëshmorëve në Gllogjan. Në ditën e rivarrimit Xhevdeti tha: ”Baca Xhafë, ma paske ngrohur dheun, që kurë të vij këtu një ditë ta gjej varrin e ngrohtë!” Kur erdhi baca i madh nga Gjemania, pranë trupit të tij të pajetë, në morgun e spitalit, qëndronin si të shtangur vëllai Rrustemi, djali Çlirimtari, shoqja Arbëria, nipi Qëndrimi e miku i tij Ardiani.
Baca Metë, duke ia puthur ballin në arkivol i tha:” Xhevdet! Pse na le ne? Pse u dorëzove, ti që na ke mësuar gjatë tërë jetës që të mos dorëzohemi kurrë? ”Ndërsa Luli i tha: ”Vëlla Xhevdet! Shkove te tre vëllezërit tjerë që i deshe më shumë se ne, dhe ne ngelëm vetëm dy vëllezër.
Pas këtyre fjalëve pllakosi heshtja gjatë së cilës të gjithë qanim së bashku me zemër e shpirt, por jo me lot. Heshtjen e theu zëri i Çlirimtarit, i cili ende nuk i ka mbushur 15 pranvera. Ai thirri :”O Lul! O baca Metë! A po më pranoni për vëlla që unë të bëhem vëllau i tretë i juaj në vend të babit nga sot? Baca i madh, që kurrë nuk e mat fjalën në vend e kuvend, pasi i hodhi dy duart mbi supe dhe e përqafoi fort nipin e tij i tha: ”Mendo mirë çfarë po thua, Çlirimtar që të mos pendohesh më vonë, sepse ta zëvendësosh babain tëndë është goxha e vështirë. Ai kur mbushi 6 vite ishte në llogore në aksion me kazmë e lopatë në dorë, duke rrënuar tokën nën këmbë themeleve të “bashkim-vllazërimit” dhe duke hapur themele të rinj të Shqipërisë natyrale. Ai ishte aktiv, nuk kishte kthim pas. Çdo detyrë që i ngarkohej e kryente me sukses e pa përtesë e pa pagesë… Çdo herë luftoi për kapuq te bardhë e jo për kapuq të madh. Kohët ishin shumë të vështira e të rënda, sepse Serbia kishte aktivizuar me një taktikë shumë djallëzore e dinake shqiptarin kundër shqiptarit. Në supin e Pejës të gjithë punëtorët aktivë të sigurimit ishin shqiptarë e argatë të Tomë Miçunoviqit.
Pasi Çlirimtari dëgjoi me vëmendje xhaxhain e djeshëm e vëllain e sotëm tha: ”Unë paskam kohë edhe një vit që t‘i mbush 16 vjet dhe po ju betohem se nuk do të dorëzohem sa të jem në jetë!
Edhe në Atdhe morën lajmin e kobshëm fis e farefis, miq dashamirë e shokë të ilegales, për të cilët kulla e Musë Mehmetit i kishte hapur dyert për të pritur e përcjellë dashamirët e shumtë që kishin mësyrë derën e kullës për të ngushëlluar. Pasi u kryen procedurat e nevojshme ditën e enjte, më 20 maj, arritëm në Atdhe dhe vendosëm që varrimin ta bënim të premten, më 21 maj, në orën 15:00. Pra, si sot para një muaji. U zgjuamë në mëngjes për ta përcjellë deri në banesën e fundit Xhevdet Balën… Koha ishte me diell, por nga shkaku i virusit korona, menduamë se dashamirët tanë do të pengoheshin për të ardhur dhe për këtë arsye varrimi do të ishte pa shumë pjesëmarrje, kuptohet me të drejtë,që mos të rrezikohej shëndeti i njerzëve!
Por, kishim menduar gabim sepse, ata, shokë të ilegales e të idealit, të cilët nuk kishte mundur t’i ndalë një virus shumëfish më i egër se Corona, e që quhet UDB-ja, nuk u ndalën as sot për t’i dhënë lamtumirën djalit të Musë Mehmetit e viganit të Shqipërisë!
Filluan të vijnë turma shokësh miqsh e dashamirësh, bash si valët e detit,
Deri në oren 14:00, një orë përpara varrimit, taman si me zë kushtrimi, erdhën nga jugu e veriu i Shqipërisë, e gjithë paria e Malësisë së Gjakovës. Erdhën nga Presheva, Shkupi, Gjilani, Llapi, Prishtina, Vushtria, Drenica, Vitia, Mitrovica e vende të tjera! Erdhi për ta nderuar trupin e pajetë të veprimtarit Xhevdet Musa, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e flamurtari i UÇK-së, me flamurin e UÇK-së në dorë dhe uniformën e UÇK-së, Muhamet Kuka nga Kaçaniku. Ai, kur zuri vend pranë vëllait të madh dhe xhaxhait të Xhevdetit, në odën e burrave tha: ”Sot jam anëtar i familjes së revolucionarit të agimit të hershëm për çështjen shqiptare, prandaj u ula afër të zotëve të shtëpisë që dhe mua të më ngushëlloni”!
Ora po ofrohej 14:30 minuta. Mbi trupin e pajetë të Xhevdet Musës qëndronte flamuri i kombit para të cilit, Xhevdet Bala, shpeshherë ishte betuar me grushtin lart, për ta përmbysur botën e vjetër të “bashkim -vëllazërimit” e për t’i hapur dyert botës së re, Shqipërisë natyrale.
Ai betohej me grushtin lart, sepse ata të cilët dolën me dy gishta një dekadë më pas ishin strukur në zyrat dhe fotelet e „safjanta“ të “bashkim-vëllazërimit”.
Kolonës i printe flamuri i UÇK-së me flamurtarin Muhamet Kuka.
Arritëm të varri i hapur me turmën e madhe të pjesëmarësve, që nuk mbahej mend edhe para pandemisë. Ishte e vështirë t’i dalloje dhe t‘i përshendetje të gjithë, por në fytyrat e tyre lexohej dhimbja e dëshpërimi për Tigrin e Isniqit, Xhevdet Musën, që iku para kohe.
Papritmas sytë më shkuan te fytyra e shokut të idealit dhe vëllait të Xhevdetit, Agim Sylejmanit, i cili kishte ardhur enkas nga Zvicra për të marrë pjesë në varrimin e vëllait dhe shokut të tij Xhevdet Musa!
E kam dëgjuar që moti, fjalën e urtë të popullit se burrat e mirë të vendit e të kombit dinë ta shndërrojnë mortin në dasmë. Sot e vërtetova se këte ditë pikëllimi e zije në truallin tonë, burrat dhe gratë që vërshuan nga të katër anët e Atdheut, e shndërruan në një ditë bashkimi dhe miqësie, duke marrë seicili pjesën e ngushëllimit që i takon në këtë rast. Fjalimin e rastit para të pranishmëve e mbajti Prof.Skënder Shatri, i cili ishte pjesë e ilegalës në truallin e Musë Mehmetit. Me zerin qe i dridhej ai tha: ”Xhevdeti ishte vetëm 16 vjeç, kur me grushtin lart u betua para flamurit dhe u pranua anëtar i Lëvizjës Revolucionare, ngaqë ishte brumosur në kullën e tij, veç nga prindërit, edhe nga kolosët e shqiptarisë, që kishte pritur dhe përcjellë si, Nuhi Berisha, Enver Topalli, Rasim Maloku, Malë Morina, Sali Çeku e të tjerë.Skënderi shtoi se „ka sot këtu në mesin tonë shokë që trokitën në derën e kullës dhe nga Xhevdet Musa janë paisur me armë dhe shtypin ilegal të asaj kohe. Ai ishte ndër shtyllat kryesore dhe të pathyeshme prej bijve të Musë Mehmetit dhe shokëve të ilegales“! Meqenëse bënte vapë dhe pjesëmarësit kishin rrugë të gjatë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, nuk u lexuan të gjitha letrat dhe telegramet e ngushëllimit. U lexua vetëm telegrami i veteranit të çështjes kombëtare, Hasan Malës, vëllait të Rexhep Malës! Pas fjalës së Skënder Shatrit, hoxha i fshatit kreu ceremoninë fetare dhe i njoftoi të pranishmit se për tre ditë rresht dyert e kullës së Musë Mehmetit do të ishin të hapura për të pritur ngushëllimet e miqve dhe dashamirëve. Tre ditët e të pamës dhe pas tre ditëve, nuk pati pandemi e as virus që i ndaloi turmat e dashamirëve që vinin valë-valë për të shprehur ngushëllime në kullën e Musë Mehmetit. Për këtë arsye, për nderin dhe respektin që treguan të gjitha shtresat popullore, ndaj truallit të Musë Mehmetit në këto ditë zije për ne, qoftë me pjesëmarjen e tyre fizike, qoftë përmes telefonatave dhe telegrameve që na u drejtuan,nga e gjithë bota shqiptare dhe diaspora, duam t’u shprehim sinqerisht e shqiptarisht;
FALENDERIM
Vëllezër e motra, fis e farefis, miq, shokë e dashamirë, shokë të ilegalës e shokë të idealit, familje të dëshmorëve, ushtarë dhe eprorë të UÇK-së ,invalidë të luftës së UÇK-së e ju të burgosur për çështjen e Atdheut, Ju që në këto kohë të rënda pandemie, nuk shfaqët frikë dhe ja mësytë dyerve të truallit tonë që të na lehtësoni këtë dhimje të radhës, ju falënderojmë nga shpirti e zemra shqiptarisht dhe sinqerisht të gjithëve pa përjashtim, që nga jugu e deri në veri, që nga burrat e malësisë së Gjakovë e gjer te burrat e Shkupit e Preshevës.
Do ju jemi mirënjohës për jetën e jetëve e në veçanti do i falënderojmë me emër të gjithë ata vëllezër që Xhevdet Musa i ndjerë i pat për zemër e i pat në zemër gjatë gjithë jetës së Tij.
Falënderojmë bacën e shtatë milionë shqiptarëve; Rifat Jasharin, bacën Hasan Mala e bacën Hysen Gërvalla. Falënderojmë institucionin e vetëm në botën shqiptare, që nuk i harron luftërat dhe heroizmat e Shqipërisë natyrale ndër shekuj, Radiokosovën e Lirë dhe Prof.Ahmet Qeriqin. Falënderojmë veteranin e UÇK-së dhe flamurin e UÇK-së që barte në dorë Muhamet Kuka. Falënderojmë komandantin e zonës së Dukagjinit, që mori pjesë në ngushllime Ramush Haradinaj me bashkpuntorë. Falënderojmë zëvendës shefin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, kolonel Dilaver Goxhajn. Falënderojmë birin e Enver Hoxhës, Ilir Hoxhën. Falënderojmë Shkelzen Bajraktarin.
Falënderojmë Sadete Haki Zekën, i falënderojmë përfaqësuesit e klerit musliman, krishterë e bektashi, e së fundi do falënderojmë 95 vjeçarin, veteranin e arsimit e plakun e Dukagjinit dajën e Xhevdetit, Demush Tahir Berishën nga Ruhoti!
Pra vëllezër, këte nder që na bëtë ua kthefshim në gëzime e për gëzime!
Në emër të familjes së Musë Mehmetit;
Durim Nel Bala, në Isniq, më, 21 qershor 2021