Po bëja një kurs të gjermanishtes në Institutin e Goethes në Freiburg. Me mua në kurs ishte dhe një gazetare nga Çeçenia. Ana, e quanin. Si shumë të tjerë edhe ajo ishte detyruar të ikte prej vendit të vet, për arësye politike. Ishte shumë e shkathtë, e guximshme dhe nuk e kishte problem të belbëzonte gjermanisht, kur donte të thoshte mendimin e vet, për dallim prej meje, që flisja veç kur isha e sigurtë që nuk do të bëja gabime. Pasi edhe ajo jetonte ne Bernë, rrugën me tren e bënim bashkë. Nje ditë, derisa po ktheheshim, shikuam fotografitë e dasmës së saj.- Po babain pse nuk e ke në fotot e dasmës… e pyeta, sapo vura re që nuk e pashë askund ndonjë burrë që do të mund të ishte i jati.- Prindërit e mi janë ndarë sa kam qenë e vogël, dhe unë jam rritur me prindërit e mamit, me gjyshin dhe gjyshen…. tha.- Dhe me babain asnjë kontakt, pyeta unë e habitur.- Jo nuk kam kontakt. Nuk e di për ç`aresye?! Më duket që mami im ia ka ndaluar të më takojë.- Po ti vetë, kur je rritur s’ke marr kontakt me te, insistova,- nuk e ke ftuar as në dasmë?!- Por, as babai im nuk ka bërë ndonjë gjë për të më parë, tha ajo. -Ai është dashur të bëjë gjithçka për të më takuar. Diçka brenda meje e ka pritur, që ai të vijë të më vizitojë, qoftë edhe duke u futur me forcë në shtëpinë e gjyshit.Kjo histori e saj më riktheu tek një ngjarje e jashtëzakonshme, të cilën sa herë e kujtoj, më shkakton shumë dhimbje. Megjithëse e kam sjellë nëpër mend shumë shpesh, asnjëhere nuk kam gjetur mënyrën e duhur për ta rrëfyer. Ca gjëra si duket veç përjetohen, shumë vështirë përshkruhen. ***Ishte pranverë e vitit 1992. Fati më kishte rënë të jetoj ato vite në Krushë të Madhe. Kisha njohur më parë shumë studentë nga ai fshat. Madje studentë të dhjetave. Por, kurrë nuk kisha besuar që një student, i cili prish çdo ditë gjumin për të shkuar në ligjërata, që prish gjumin për të shkuar në bibliotekë, një student që eksperimenton nëpër kabinete shkencash të ndryshme, nuk e ka ndryshuar as edhe një milimetër, mënyrën patriarkale të jetës. E ndodhur në këto rrethana të reja të jetës, të paparashikueshme për mua, kisha vendosur të luftoja, qoftë edhe vetëm, unë në njërën anë, një mentalitet i tërë në anën tjetër. Ndaj atë ditë kur më thanë që Ukshin Hoti po qëndronte para shtëpisë së prindërve të ish-gruas së tij, ku ishin edhe fëmijtë e tij, u frigova shumë. U frigova mos po i ndodh ndonjë gjë e keqe atij. Mendimi i parë që më erdhi në kokë ishte, Serbija mund t’a përdor këtë mentalitet fisnor kundër tij?! Ndonëse rregullat patriarkale (të cilave unë nuk u isha nënshtruar kurrë), nuk lejonin që gratë, aq më tepër një “nuse e re”, siq isha unë, të përziheshin në punët e burrave, u bëra gati dhe dola. Po ecja shpejt, sikur doja të parandaloja ndonjë të keqe. Sa më pa, nga larg, u nis drejt meje.-E sheh në ç`gjendje më sollën krushjanët e mi Shemë, -më tha. – Po sikur, po sikur të të vrasin vërtetë këta (?!), -e pyeta e frikësuar. E pashë të qeshte.- E rëndësishme është që fëmijtë e mi, do ta dijnë që babai i tyre i ka dashur me çmimin e jetës… tha. ***- E po kështu do të doja të bënte babi im për mua, -tha Ana, e cila deri atëhere kishte dëgjuar në heshtje.- Një histori si kjo, qoftë edhe e dëgjuar nga të tjerët, do të më bindte që ai më ka dashur.-Dhe thua që do ta kuptojnë fëmijët e tij si ti, -e pyeta. -Do ta kuptojnë, atëherë kur kjo dashuri e babait, do t’u duhet atyre…tha ajo. Mbase edhe Kosova do ta kuptojë Ukshin Hotin, atëherë kur do të ketë nevojë për te, atëherë kur kjo dashuri e tij do t’i duhet asaj, mendova. Urime Ditëlindjen e Ukshin Hotit, Kosovë!
add a comment