Komenti

Xhevat Gjini: Pazarllëqet me Serbinë, provokimi poshtërues i kishës serbe (Serbisë), institucionet e mjera të shtetit të Kosovës, dominimi i konceptit autonomist, LVV – ja, Albin Kurti dhe Qeveria e tij në “dialog” me Serbinë

Kam përshtypjen se po ecet në rrugën e trasuar nga partitë dhe qeveritë pararendëse!! Nuk mund të bëhet Ministër i Mbrojtjes Lulëzim Jashari, sepse porosia për Serbinë dhe për aleatët e saj do të ishte e qartë: “Pavarësi – shkëputje e plotë nga Serbia ose luftë deri në njeriun e fundit”! Nuk mund të bëhet as Ministër i Jashtëm dikush që do të përfaqësonte këtë koncept e që do të përçonte këtë porosi në kancelaritë dhe qendrat evropiane e botërore…

Edhe njëzetedy vite pas Luftës Çlirimtare dhe pas asaj dhune, atij terrori, atyre masakrave dhe atij gjenocidi të Serbisë ndaj popullit shqiptar në tokën e tij, ndikimi dhe prania e Serbisë në Republikën Shqiptare të Kosovës vazhdon të jetë e dukshme! Serbia edhe me serbët e veshur me veladon të zi e me mjekra (kinse si “priftërinj”) po provokon e po poshtëron shtetin dhe popullin tonë ditën me diell! Sepse, organet shtetërore të Republikës së Kosovës vihen në “gjumë” nga politika (qeveria) dhe shtiren sikur nuk kanë parë gjë e sikur i zunë në befasi “priftërinjtë” e Serbisë!!?? Nuk kishin parë gjë as këta të Universitetit “Hasan Prishtina”, në oborrin e të cilit po mbahej liturgjia “fetare”!!?? Nuk pan gjë as ata qindra e mijëra studentë dhe organizatatë e tyre kryesisht partiake!!?? Të gjithë ishin në “gjumë” atë orë liturgjie – provokimi serb!!?? “Liturgji fetare” në një objekt që për asnjë minutë nuk ishte kishë – faltore?! Në një objekt që u ndërtua dhunshëm e duke uzurpuar oborrin e Universitetit tonë?! Krejt kjo, sepse politika dhe politikanët e tredhur kolaboruan e po kolaborojnë në dëm të lirisë, pavarësisë, tërësisë territoriale e sovranitetit të Kosovës shqiptare!! Me qyqarllëkun e tyre trimëruan Serbinë dhe politikën e tyre shoviniste e fashiste… Kryetari i Serbisë, Vuçiçi, pikërsiht tash zgjodhi të deklaronte se “pa kishën tonë nuk mund të kemi shtet dhe as komb”!! Porosia dhe pretendimi i qartë…

Nuk janë të rastësishme as shkrimet në gazetën e vjetër nacionaliste e shoviniste serbe, “Politika”, me ide, propozime e kërkesa që “selia e kishës serbe të kthehet në Pejë”, që kishës “serbe” në Kosovë “t’i jepet status diplomatik dhe eksterritorialitet” (si Vatikanit…)!!?? Nuk janë të rastësishme as idetë, propozimet dhe kërkesat e Serbisë që “katër komunave në Veri të Republikës së Kosovës (një e katërta e Kosovës) t’u jepet autonomia”, kurse pjesa tjetër e Kosovës “të kthehet nën protektoratin ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë me shtetin amë (!?), Serbinë”!!??, dhe “alternativa” tjera si këto, që po qarkullojnë edhe si “dokumente e letra jozyrtare” për të testuar “durimin” e shqiptarëve dhe mundësitë e “zhbërjes së pavarësisë e të sovranitetit të Republikës së Kosovës”!!??

Lëshimet e mëdha të pas Luftës, lëshimet e mëdha në Vjenë (plani i Ahtisarit) dhe lëshimet edhe më të mëdha në Bruksel (edhe pas OPINIONIT të GjND – së (!)) kanë rritur së tepërmi oreksin nacionalshovinist të Serbisë, nga njëra anë, dhe kanë rritur bindjen te qendrat e vendosjes (Fuqitë e Mëdha) se shqiptarët kërkojnë pavarësi, sovranitet e shkëputje të plotë nga Serbia, por pajtohen edhe me “zgjidhje të dhimbshme” kompromisi, nga ana tjetër!! Krah i fortë i zgjidhjes me kompromise në dëm të Kosovës shqiptare janë bërë edhe mediet e shkruara, elitat intelektuale e kulturore dhe kleri, që financohen dhe instruktohen nga fonde e qendra tepër të dyshimta…

Në të mirë të “zgjidhjes me kompromis të dhimbshëm” për Kosovën dhe krejt Shqipërinë shkon edhe qëndrimi disi “neutral” e “asnjënës” i shtetit AMË të Kosovës dhe kombit shqiptar, Republikës së Shqipërisë, e cila, e zënë ngushtë me “tranzicionin” 30 – vjeçar(!) dhe me përçarjet në dukje spontane, por në të vërtetë të projektuara dhe sponzorizuara fort e mirë, po sillet sikur Kosova shqiptare të ishte e të gjithëve veç e saja jo!!?? Nuk ka absurditet dhe perversitet më të madh se ky!! Vendi që është “pronari” i vetëm i çdo pëllëmbe të tokës shqiptare sillet si të ketë hequr dorë nga prona e tij ose si ta ketë “shitur” atë pronë dhe s’ka të drejta as detyrime më mbi te!! Për këtë qëndrim gati asnjënës të shtetit AMË nuk është pa faj edhe klasa politike e shtetërore e Prishtinës.

Zgjedhjet e fundit sollën në skenë një klasë politike që kujtonim se kishte ikur bashkë me Ibrahim Rugovën, i cili ishte i gatshëm në çdo kohë të shkonte në Beograd, madje edhe të kërkonte “shpëtim” e mëshirë nga njeriu që kishte angazhuar gjithë shtetin e Serbisë për zhdukjen e popullit të tij (!!), por kurrë nuk pranoi të kërkonte bashkëpunim, ndihmë e shpëtim nga shteti ynë AMË!! Duket që me këtë mendësi primitive e tepër të rrezikshme për ne po sillen e po funksionojnë edhe krerët aktual të Republikës së Kosovës!! Marrëdhënie vazaliteti e serviliteti me të huajt, kurse sjellje e deklarata “arrogante” e refuzuese me Tiranën zyrtare!! Kërkojnë me shumë “mirësjellje” leje për të vizituar një kishë në tokën e Kosovës (kishë nacionaliste dhe shoviniste), pranojnë vazhdimin e “dialogut” me shtetin që angazhohet me tërë potencialin e tij të mundshëm për zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe të qenies shqiptare, por nuk pranojnë me asnjë çmim “dialogun”, bashkëpunimin dhe bashkërendimin e politikave dhe të projekteve me shtetin tonë AMË!!

Pranojnë “megashengenin” me Serbinë (shih edhe marrëveshjen e Uashingtonit), por nuk e pranonin “minishengenin” ballkanik” (sipas procesit të Berlinit), ku Republika e Kosovës do të kishte vendin e saj si shtet i pavarur e sovran midis vendeve të Ilirisë (Ballkanit)!! Edhe tash, për “dialogim” me Serbinë, pajtohen të vazhdojnë dialogun me “personalitete” të konsumuara në kohën e Jugoserbisë dhe në dialogun me Serbinë, të formatit Blerim Shala e Veton Surroi, por nuk pranojnë ndihmën dhe mbështetjen e shtetit shqiptar dhe të diplomatëve, ekspertëve e politikanëve të rryer nga Tirana jonë!!

Partia e re (shefi i saj Albini) pranoi dhe u pajtua që në krye të listës së saj zgjedhore të ishte një Vjosa Osmani me ide dhe komcept autonomist – rugovist, tash edhe në krye të Republikës, por nuk do të pranonte kurrë (mbase nuk e lejojnë të fortit!?) që në krye të listës së tij zgjedhore e të Republikës të ishte një personalitet i dëshmuar me mendjen, përkushtimin, angazhimin, sakrificën dhe luftën e tij për çlirimin dhe shkëputjen e Kosovës shqiptare nga Serbia!! Thonë se “e bëri për vota”! Aspak e vërtetë! Cilëndo gjyshe që do ta vendoste në krye të listës së LVV- së do të fitonte aq vota sa Vjosa… Ishte kohë zhgënjimi dhe dëshprimi nga qeverisjet dhe partitë tjera.

Se nuk ishte punë votash, por punë “matematikash”, që në Kosovë i bën një “dorë e padukshme”, por e fuqishme, vërtetohet me emrimin e Mimoza Kusarit (e një partie tjetër!?) për shefe të grupit parlamentar!! Se nuk ishte punë votash vërtetohet edhe me emrimin e ministrave pas zgjedhjeve!! P. sh. Mund të bëhet Ministër i Mbrojtjes një djalë i “importuar” nga një shtet tjetër (turist), por kurrë nuk mund të bëhet ministër i biri i Komandantit Legjendar, Lulëzim Jashari!!! Mund të bëhen deputetë, ministra, zëdhënës e zyrtarë tjerë viktimat e dhunës e të terrorit pushtues, praktikantët, kosmopolitët, pasardhësit e jugokomunistëve (madje edhe erdoganistë e autonomistë-rugovistë), por kurrë politikanët, intelektualët, prijatarët e luftëtarët e lirisë, të pavarësisë e të demokracisë dhe pasardhësit e tyre të denj, të shkolluar e të kualifikuar në të gjitha fushat!!…

Po ecet në rrugën e trasuar nga partitë pararendëse!! Nuk mund të bëhet Ministër i Mbrojtjes Lulëzim Jashari, sepse porosia për Serbinë dhe për aleatët e saj do të ishte e qartë: “Pavarësi – shkëputje e plotë nga Serbia ose luftë deri në njeriun e fundit”! Nuk mund të bëhet as Ministër i Jashtëm dikush që do të përfaqësonte këtë koncept e që do të përçonte këtë porosi në kancelaritë dhe qendrat evropiane e botërore…

Mirëpo, Albin Kurti dhe cilido politikan a qytetar në këtë vend, do të duhej ta kuptonte pas 22 – vitesh se pavarësia – shkëputja e plotë nga Serbia është zgjidhje kompromisi dhe pa alternativë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës e të rajonit. Çdo zgjidhje tjetër do të ishte fitore e Serbisë dhe e programit të saj shtetëror e kishtar për ta provuar një ditë ripushtimin e Kosovës shqiptare, siç e thonë përditë e për çdo orë krerët e shtetit serb dhe të kishës së saj frymëzuese e bekuese për shfarosjen e shqiptarëve…

Për moslejimin e cilësdo zgjidhje më pak se pavarësi – shkëputje e plotë nga Serbia duhet unifikim i gjithë forcës politike e shtetërore dhe bashkëpunim e bashkërendim pa kushte me shtetin tonë AMË dhe me gjithë shqiptarët pa dallim në Iliri dhe në mërgatë për ta zhvilluar dhe siguruar mbrojtjen e Kosovës në rast agresioni. Kështu mund të bashkëpunohet edhe me miqtë tanë dhe të fitohet përkrahja e tyre…

Nëse Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk e përfaqëson dhe mbron në “dialog” me Serbinë dhe para qendrave të vendosjes pa ekuivoke këtë zgjidhje (Pavarësi të plotë nga Serbia), që është vullnet i një popullit, mund të përfundojmë, pa frikë se po gabojmë, që edhe kjo Qeveri dhe Kryeministri i saj po ecin me “kokën lartë” e të “vetëvendosur” gjurmëve të pazarllëqeve të atyre që humbën pikërisht për këto arsye… Pasojat do t’i vuanin brezat pas nesh!