Ibish Neziri: Kumtesë për Heroin e LPK – UÇK -së e të krejt Shqipërisë, Xhemajl Fetahajn
(Kumtesa është lexuar në Akademinë e mbajtur për Pranverën Shqiptare ’81 dhe për kujtimin dhe nderimin e emrit të HEROIT, Xhemajl Fetahaj. )
Pejë më 5 qershor 2021
Të dashur shokë,
miq të nderuar,
Është e zakonshme që në përkujtime të tilla, të flitet për rrugën jetësore të të përkujtuarit, prandaj edhe unë do të përpiqem që me pak fjalë, ndonëse e kam mjaft të vështirë, ta përmbledh rrugën e shkurtër, por shumë të begatë jetësore të dëshmorit të kombit – heroit të Kosovës Xhemajl Fetahajt.
Nëse do të më duhej që vetëm me një fjali ta përmbledhja gjithë rrugën jetësore të tij, do të thosha „Një jetë të tërë në shërbim të atdheut“, por kjo me siguri se juve nuk do të ju mjaftonte, prandaj edhe nëse zgjatem pak, fillimisht ju kërkoj ndjesë.
Xhemajli lindi më 27 maj të vitit 1964, në njërën ndër familjet më të mëdha të Rrafshit të Dukagjinit, në familjen Fetahaj të Raushiqit, paraardhësit e së cilës, gjatë katrahurave të ndryshme janë ballafaquar me vështirësi si të mbijetesës ekonomike, ashtu edhe asaj fizike edhe shoqërore duke e ndarë fatin e vet bashkë me fatin e popullit dhe atdheut.
Xhemajli ishte djali i pestë i Metë dhe Holë Fetahajt
Fëmijëria e Xhemajlit ishte sikurse edhe e të gjithë bashkëmoshatarëve të tij. Ai u rrit me tregime për bëmat dhe heroizmat e popullit tonë ndër shekuj, me tregime për dhunën dhe terrorin që pushtuesit e trojeve tona për decenie me radhë e kishin ushtruar dhe e ushtronin mbi shqiptarët. Kishte dëgjuar për masakrat e 13-ës e të 15-ës. Kishte dëgjuar edhe për vrasjen prapa shpine të stërgjyshit të tij me dy djemtë dhe tre kushërinjtë nga hordhitë serbe në vjeshtën e vitit 1915. Këto do të shërbenin vetëm si orientues për ta përcaktuar rrugëtimin e tij në luftë për liri.
Veprimtaria atdhetare e tij zë fill në majin e vitit 1980, pas vdekjes së satrapit Josip Broz – Tito, kur komitetet komunale, organizatat themelore të LK-së, të gjitha institucionet partiake dhe shtetërore përpiqeshin që sa më mirë t’i organizonin nderimet, jo vetëm në kryeqendrën e krimit, në Beograd, por edhe aty ku ishte e mundur, në ditën e varrosjes së atij satrapi.
Drejtoria e Shkollës Ekonomike në Pejë, me kërkesë të Komitetit Komunal të LK-së kishte vendosur që nxënësit e kësaj shkolle, në sallën e edukatës fizike, përmes një televizori, ta përcillnin ceremoninë e varrimit të Titos.
Xhemajli duke mos u pajtuar me këtë, i takon shokët, ku një nga një e ku dy nga dy dhe merren vesh që ta bojkotojnë këtë. Përpjekja doli plotësisht e suksesshme, nga se në sallë nuk hynë më shumë se dhjetë veta. Me nismën e Xhemajlit dhe shokëve tjerë u arrit që të bojkotohen edhe veprimtari tjera në nderim të Titos.
Pas kësaj Xhemajli nuk ndalet. Ai bashkë me shokët gjejnë literaturë, e cila ishte e ndaluar dhe të njëjtën e përcjellin nga dora në dorë.
Demonstratat e vitit 1981 e gjejnë rreth 17-vjeçar. Formimi i tij tani e kishte marrë rrugën e vet, ndërkaq, ato demonstrata akoma më shumë ia forcuan urrejtjen për pushtuesit dhe dëshirën për lirinë. Nisur nga kjo, ai do t’u bashkohet veprimtarive të rinisë studentore dhe shkollore shqiptare, që ia kishin vënë kazmën themeleve të shtetit okupues jugosllav. Një ditë vere të vitit 1981, deri sa kthehej nga Bjeshka e Zhlebit, ku kishte qenë bashkë me kushërinjët moshatarë, nga Kulla e deri poshtë në rrafsh, mbi asfalt e shkruan parullën „Kosova Republikë!“
Pas kësaj kishte vazhduar të shkruaj aty këtu ndonjë parullë dhe në ndërkohë kishte filluar të bashkëpunonte me vëllezërit Emrushin e Demën dhe kushërinjtë Vehbiun, Muharremin e Miftarin që tani më ishin lidhur me grupe atdhetare, të cilat lirinë e atdheut e kishin vënë mbi gjithçka.
Më 17 janar të vitit 1982, natën kur në afërsi të Stutgartit, nga plumbat e armiqve, në një pritë bien Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, Xhemajli dhe Vehbiu, në panot reklamuese të sipërmarrjeve të ndryshme i shkruajnë parullat „Kosova Republikë“, „RSK“, dhe „Trepça është e jona“. Poashtu edhe në afërsi të varrezave në Pejë, i shkruajn parullat e njëjta. Ishte ky aksioni i parë që Xhemajli e kryen me vendim të organizatës.
Nga kjo natë aksionet marrin rrugë për të mos u ndalur më deri me burgosjen e Xhemajlit dhe shokëve. Natën në mes të 25 dhe 26 prillit të vitit 1982 përsëri panotë e përmendura më lartë, si dhe rruga afër varrezave të reja të shqiptarëve, në të dalë të qytetit, u mbushën me parullat „Kosova Republikë!“, „RSK“, „Trepça është e jona!“, „Lavdi shokëve të rënë në burgje!“, „Poshtë tradhtarët!“, „Poshtë serbomëdhenjtë!“ etj. Në natën mes 19 dhe 20 majit të vitit 1982, përsëri u stolisën rrugët e qytetit. Këtë radhë në telat e lartpërçuesit, në fshatin Raushiq, mbi rrugën që e lidh Pejën me Deçanin, bashkë me kushëririn Muharremin e varin një çarçaf përmasash relativisht të mëdha me përmbajtjen „Kosova Republikë!“, „Na i lironi shokët!“. Për heqjen e këtij çarçafi, pushtetmbajtësit u detyruan ta vënin në veprim edhe helikopterin, sepse ndryshe nuk mund e hiqej.
Tëni më grupi ishte lidhur me Lëvizjen Popullore për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi dhe kishte filluar të vepronte në sistemin e tresheve.
UDB-shët në Pejë, në krye me shefin e tyre, Asllan Sllamnikun, tani më nuk gjenin qetësi. Gjithnjë e më shpesh iu binte telefoni apo njoftoheshin përmes radiolidhjeve se këtu apo aty u shpërndanë afishe, u shkruan parulla… dhe ata me vrap, pa e pritur mëngjesin, dilnin t’i fotografonin dhe t’i fshinin në mënyrë që kur njerëzit të dilnin në rrugë, të mos i shihnin. Edhe në natën në mes të 25 e 26 qershorit të vitit 1982 përsëri grupi i udhëhequr nga Xhemajli do t’i mbushë panot e muret me parulla kundërjugosllave
Edhe në viti 1983 nga nata mes 16 e 17 janarit grupi do ta filloi aksionin e shkruarjes së parullave.
Shumë shpesh rrugët dhe muret në Pejë dhe Raushiq agu i ditës do t’i gjejë përplot me parulla me kërkesat për Kosovën Republikë, për Trepçën e cila punonte e nga e cila Beogradi fitonte, për lirimin e shokëve, që dergjeshin burgjeve jugosllave për të vetmën arësye se kishin kërkuar liri e barazi për vete e Kosovën e tyre të pushtuar
Në vjeshtën e vitit 1983 Xhemajli i kishte filluar studimet në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, por ai nuk shkëputej nga veprimtaria në vendlindje. Gjithnjë kthehej dhe gjithnjë Serbisë ia bënte ndonjë sherr.
Edhe në natën mes 16 e 17 janarit të vitit 1984 rruga në dalje të qytetit në drejtim të Deçanit u mbush me parulla. Përsëri Xhemajli dhe Muharremi, por këtë herë nuk do të zgjas shumë, ngase UDB-ja mes të cilëve kishte edhe mjaft shqiptarë, disa prej të cilëve sot, për turpin e faqen e zezë tonë, e bartin statusin e të burgosurit politik dhe të veteranit, iu kishte rënë në gjurmë dhe në orët e hershme të mëngjesit të 27 janarit, ende pa u ndarë mirë nata e dita, pas një rrethimi të hekurt, në familjen Fetahaj filluan bastisjet dhe arrestimet.
Xhemajli në përpjekje për të mos iu rënë në duar, filloj të kacafytej me milicët, 3-4 prej të cilëve iu hudhen sipër dhe ia lidhën duart, ende pa i mbushur 20 vjet.
Të arrestuarit në mënyrat më të vrazhda u torturuan fizikisht dhe psiqikisht për rreth 36 orë e pastaj u liruan, ndërkaq Xhemajli dhe Vehbiu e shokë tjerë, do të mbeten në burg për vjetë me radhë.
Prokurorë e gjyqtarë duke mos qenë në gjendje t’i çonin hetimet deri në fund, ato ua besuan udbashëve shqiptarë, të cilët përmes torturave më çnjerëzore u përpoqën të nxirnin ndonjë gjë nga të arrestuarit.
Pas pesë muajsh torturash e maltretimesh ngritet aktakuza kundër Xhemajl Fetahajt dhe shokëve të tij, për veprimtari nga bazat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar dhe për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.
Më 18 qershor 1984, Xhemajl Fetahaj bashkë me 13 shokë u gjet para trupës gjykuese të Gjykatës së Qarkut në Pejë, kryesuar nga Orhan Basha
Pas katër ditësh shqyrtimi, Xhemajli, ndonëse i katërti në akuzë, mori dënimin më të rënd brenda grupit. U dënua me 6 vjetë burg.
Xhema edhe pse i burgosur, nuk do të pajtohet me regjimin dhe nuk do të hesht ndaj padrejtësive. Ai do ta ngris zërin kundër keqtrajtimeve e torturave dhe kushteve çnjerëzore në burg. Kështu, më 7 shtator të vitit 1985, në dhomën nr. 2 të krahut të parë në Burgun e Qarkut në Pejë ku ishte bashkë me të vëllanë Demën dhe pesë të burgosur tjerë, në mëngjes barrikadohet duke e mbyllyr derën me shtretër, për çka pas hapjes së derës do të dënohet me 30 ditë qëndrim në qeli.
Prej burgut të Pejës, në fillim të shtatorit të vitit 1985 Xhemajlin e transferojnë në Burgun e Valevës në Serbi, ku do të përjetojë tortura të tmerrshme, madje dhe mbajtje për 70 ditë radhazi në qeli. Në këtë burg do të jetë edhe njëri ndër organizatorët e grevës nëntëditëshe të urisë përmes së cilës u kërkua e drejta për të pasur libra dhe gazeta në gjuhën shqipe, gjë që edhe u arrit.
Më 27 korrik të vitit 1988, pas katër vjet e gjysmë qëndrimi në burg, pasi që Gjykata e Lartë pas ankesës së mbrojtësit i kishte zbritur denimin, Xhemajli e kapërceu pragun e burgut të vogël të Valevës për të dalur në burgun e madh të quajtur Kosovë, në të cilin nuk do t’i lidh duart kryq, por do të bashkohet në demonstratat e protestat e përditshme që zhvilloheshin në gjithë Kosovën!
Në demonstratat e muajit nëntor të vitit 89 Xhemajli nuk mbeti pa rënë në sy të zagarëve të pushtetit, prandaj për të mos iu rënë në dorë, u detyrua të kaloj në ilegalitet ku qëndroj për një kohë në shtëpinë e Shaqir Gashit e pastaj të Hysni Morinës në Prizren.
Ashtu sikurse fundi i vitit 1989 edhe janari dhe shkurti i vitit 1990 do të jenë të stërmbushur me protesta e demonstrata, pjesë e pandashme e të cilave do të jetë edhe Xhemajli.
Pas një janari të përgjakshëm, më 2 shkurt të vitit 1990 një grup të rinjsh fillojnë aksionin për pajtimin e gjaqeve. Edhe në këtë grup do të vërehet prania dhe kontributi i Xhemës.
Krahas punës në këtë aksion Xhemajli angazhohet edhe në veprimtari tjera si në zanatin e vjetër të shpërndarjes së afisheve dhe gazetave që ilegalisht futeshin në Kosovë, edhe për grumbullimin e armëve, por kjo nuk zgjati shumë. Lëvizjet e tij kishin bërë që organet e ndjekjes t’i binin përsëri në gjurmë dhe përsëri të bënin përpjekje për ta arrestuar, prandaj Xhema përsëri u detyrua të kaloj në ilegalitet e më vonë edhe të arratiset jashtë vendit
Më 25 shkurt të vitit 1991 në Düsseldorf të Gjermanisë e dorëzon kërkesën për strehim politik.
Në maj të vitit 1993 Xhemajl Fetahaj do t’i bashkohet organizatës në të cilën para se të burgosej i kishte bërë hapat e parë në veprimtarinë atdhetare, në Lëvizjen Popullore të Kosovës ku do ta jap një kontribut të jashtëzakonshëm qoftë në nëndegën për Gjermani, qoftë në Degën jashtë vendit.
Në mbledhjet e organizatës, do të jetë gjithnjë i pranishëm dhe shumë aktiv. Ai në diskutimet e tij do të kërkojë që vendimet e organeve drejtuese të zbatohen një për një.
Në bazë të rezultateve të punës atij shumë shpejt do t’i besohen detyra të reja. Në Mbledhjen e Përgjithshme të radhës, të Nëndegës së LPK-së për Gjermani, Xhamajli do të zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe arkëtar i Nëndegës.
Në Mbledhjen V të Përgjithshme të LPK-së, të Degës jashtë vendit, në dhjetorin e vitit 95 u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe në kuadër të strukturimit të fondit „Vendlindja thërret“, Xhemajli merr përgjegjësi të veçanta. Ai u ngarkua që bashkë me Fehmi Lladrovcin të bisedoj edhe me ish-oficerë shqiptarë, të cilët kishin dezertuar nga armata jugosllave.
Në shkurt të vitit 1998 Xhemajli do të udhëtoj për në Tropojë dhe nga këtu bashkë me grupin e ushtarëve që bartnin armatimin, dy herë e kalon kufirin dhe futet në Kosovë.
Në Mbledhjen Gjashtë të Përgjithshme të LPK-së, e cila u mbajt në kohën kur lufta kishte filluar të marrë përmasa të mëdha, Xhemajli ishte mes delegatësh, dhe përsëri zgjedhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.
Në mbledhjen e Këshillit Qëndror të Fondit Vendlindja thërret“, e cila u muar me ristrukturimin e fondit, Xhemajli u zgjodh nënkryetar i Këshillit Qendror të këtij fondi dhe kryetar i Degës në Gjermani.
Duke iu dukur pak ajo që bënte, ai kishte vendosur t’u bashkohet radhëve të uniformuara të UÇK-së“. Kështu, në ditën e 16 qershorit të vitit 1998 arriti në Tiranë, prej nga pastaj u nis drejt veriut, ku për disa ditë do të jetë në pikat e furnizimit në Tropojë dhe në Hoxhaj.
Gjatë qershorit, korrikut e gushtit të vitit 98 Xhemajli do të jetë aty ku kishte më shumë nevojë, herë në Hoxhaj e në Ujezë, e herë në Sylbicë. Në këtë kohë haptas kishin filluar veprimet e UÇK-së prej Padeshit deri te pjesa që del te C2-shi, afër Rrasës së Koshares.
Më 30 dhjetor kthehet përsëri në Gjermani ku i njofton shokët se kishte vendosur të hynte në Kosovë.
Më 2 shkurt të vitit 1999 niset drejt Barit dhe më 3 shkurt të vitit 1999, nga trageti i linjës Bari-Durrës, zbret në portin e Durrësit, prej nga bashkë me disa shokë u nis drejtë Veriut. Më 5 shkurt do të arrijnë në qendrën e njësive diversante-vëzhguese, ‘Delta’, të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Njësitet e Brigadave „131“, “134“ dhe BDV (Batalioni Diversanto Vëzhgues) ishin në kulmin e përgatitjeve për fillimin e operacionit luftarak, i emërtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së „Shigjeta“.
Duke i pasur parasysh përgatitjen, përvojën në ilegalitet, qëndrimin stoik në burgjet e Serbisë, aktivitetet kombëtare në Perëndim, Xhemajli ngarkohet me detyrën e oficerit të zbulimit në kuadër të sektorit për zbulim dhe kundërzbulim (G-2).
Këtu Xhemajli shumicën e kohës e kalonte me ushtarët e Batalionit Diversanto-Vëzhgues si njësi më atraktive dhe e supozuar për realizimin e aksioneve dhe operacioneve të ndërlikuara që lidhej ngushtë me ofrimin e shërbimeve për G-2.
Disa pjesëtarë të komandës u vendosen në Padesh, ku intensivisht merreshin me kryerjen e detyrave ushtarake deri në detajet më të vogla. Çdo mbrëmje luftëtarët nën masat e rrepta të maskimit bartnin municion, predha dhe material tjetër luftarak, i cili deponohej pranë kufrit. Në të gjitha këto aktivitete vërehej prezenca e Xhemës në role të ndryshme, herë si ushtar, oficer, zbulues, vëzhgues, ndërlidhës, snajperist, e herë si shënjues i minahedhësit 60 milimetërsh.
Në mëngjesin e 9 prillit, në orën 03:30 të mëngjesit, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK.së do të fillojë operacioni „Shigjeta“ në të cilin njësia „Delta“ zëvendëskomandant i së cilës ishte Xhemajl Fetahaj, do të jetë njësia e parë që hyn në territorin e Kosovës dhe e merr Rrasen e Koshares.
Luftime zhvilloheshin për çdo ditë, shpeshherë edhe nga afërsia. Forcat e UÇK-së përparonin dhe çdo ditë çlironin territor. Pas rënies së Agim Ramadanit, Xhema emërohet komandant i njësisë „Delta“, roli i së cilës gjithësesi do të jetë i jashtëzakonshëm.
Kompania e parë dhe kompania e dytë, që komandoheshin nga Xhemajl Fetahaj dhe Cenë Aliçkaj, ishin pozicionuar në pikën strategjike dominante në front në vijën Ujezë – Gomure, dhe vazhdonin ta mbanin duke e ndërruar njëra tjetrën pa e lënë për asnjë moment pozicionin.
Luftohej për çdo pëllëmbë. Ushtarët armiq përpiqeshin t’i mbanin të gjitha qafat dhe pikat strategjike, se për ta do të thonte jetë, ndërkaq ushtarët e UÇK-së t’i merrnin, sepse për ta ishte jetë e më shumë se jetë. Ishte liri! E tillë ishte edhe Maja e Zezë ku ishin të pozicionuara forcat gjakatare serbe. Paraditen e 31 majit Xhemajli, duke e vështruar majën, thotë: “Ata duhet larguar nga atje”. Këtë e kishte thënë edhe herë tjera. Asnjëherë nuk e kishte hequr nga mendja se ajo pikë strategjike duhej çliruar sa më parë, ngase nga atje armiqët e vëzhgonin terrenin dhe i granatonin pozicionet e UÇK-së.
Vendimi i Xhemajlit për t’u ngjitur në Ujezë ishte i prerë! „C1-shi duhet të merret!“
Ushtarët lajmërohen njëri pas tjetrit: “Edhe unë… Edhe unë… Edhe unë…” Cenë Aliçkaj, Florim Mataj, Milazim Shala, Senad Ramaj, të gjithë ushtarë të përgatitur për të gjitha situatat. „Rreth orës 10:00, Xhema i mblodhi tri skuadrat, ua ndau detyrat dhe vetë bashkë me shokët u nis drejt pikës C1.
Derisa ngjiteshin bjeshkës e takojnë Xhevdet Matajn në njërin nga pozicionet e UÇK-së dhe e marrin me vete, ndërkaq Senadin e kthejnë në një pikë tjetër që t’i ndihmoj mitralierit Halit Shabani.
Treguesit e orës i ishin afruar 15- shit. Grupi ishte afruar shumë afër pozicioneve serbe pa u vërejtur. Tani më nuk mund të flitej për distancë. Ajo nuk ekzistonte!
Pesëshja e luftëtarëve e udhëhequr nga Xhemajli u hodh si rrufeja në llogoret serbe! Filloi një përleshje trup më trup. Grupi i ushtarëve serbë u likuidua. U hap rruga për te bunkeri tjetër, i cili ishte rreth dhjetë metra më lartë. Pesëshja e luftëtarëve shqiptarë vazhdoi tutje duke depërtuar edhe në bunkerin e dytë. Aty kishte numër më të madh ushtarësh serbë. Përleshja ishte akoma me e rreptë. Të dyja palët shtinin. Milazim Shala e kap bombën, ia heq siguresën dhe e hedh në bunkerin përbri, por… edhe vetë mbeti i vrarë. Përleshjet vazhdonin. Ishin përleshje për jetë a vdekje. U vranë të tjerë ushtarë serbë. Katër luftëtarët shqiptarë ua rrëmbyen armët nga duart disave dhe filluan të shtinin me to. Armiqtë pësuan edhe një humbje të rëndë, por ishin të shumtë në numër. Përleshjet zgjatën rreth një orë, por pas një ore, gati u gjendën të rrethuar, prandaj edhe u detyruan të tërhiqen duke lënë shumë ushtarë serbë të shtrirë në pellgje gjaku.
Përmes të shtënave të shumta Xhema përpiqet ta tërheqë trupin e pajetë të Milazim Shalës. Ora ishte 15:20 e 31 majit të vitit 1999. Komunikimi përmes radiolidhjes ndërpritet. Nuk dëgjohet më zëri i Xhemës. Ai ishte goditur për vdekje vetëm tri ditë pasi i kishte mbushur 35 vjet.
Zjarri serb vazhdonte të ishte shumë i ashpër. Shtihej me të gjitha armët. Dy kishin rënë dhe tre tjerëve goditja mund t‘u vinte nga çasti në çast, prandaj duhej tërhequr vetë bashkë me dy trupat e shokëve të rënë. Për Cenën dhe Xhevdetin ishte ky mision i pamundur. Ndërkohë plagoset edhe Florim Mataj. Me dhimbje e pikëllim të madh, nga zjarri i dendur i forcave armike, u detyruan të tërhiqen. E tërhoqën edhe Florimin e plagosur, ndërkaq Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala mbetën në Majën e Zezë si roje të përhershme, për të mos lejuar kurrë më vënie gurësh kufiri në mes të tokave shqiptare!
Ai sot pushon në Kosharen legjendare, në Kosovën e lirë dhe të pavarur, bashkë me shokun e tij Milazim Shala, me të cilin ra në fushën e nderit dhe shumë ushtarë të tij bashkëluftëtarë, të cilëve përjetësisht duhet t’u jemi mirënjohës dhe t’u themi: Ju falemnderit!