Vështrim/Analizë

Prend Buzhala: Shkrimi dhimbjes (Persiatje me pak fjalë) 2

Shkrimi ynë nacional për luftën dhe për kohën para luftës në Kosovë, është shkrim i vuajtjes. Lektyrë e mundimeve, burgosjeve, përndjekjeve: masakrave, vrasjeve, rrezikut të një shfarosjeje totale. Para zhbërjes së atdheut nga polemi ynë. Është depërtimi në hapësirat e trishtimit, në përjetimet e tmerrit. Është dëshmia jonë që ka shenjën e civilizimit. Është jeta jonë me përvojat tragjike. E si të reagohej, aso kohe, në një hapësirë totalisht të dehumanizuar? Ishte Fjala Jonë përballë tmerrit, shfarosjes. Sa shumë u luftua Fjala Jonë, libri ynë, e vërteta jonë, aso kohe. Prej Fjalës së Shkruar, regjimet pushtuese, Turqi dikur e Serbi më vonë, frikësoheshin më shumës e prej çfarëdo rreziku tjetër. Pothuajse, secili libër për luftën e fundit në Kosovë ende i prek plagët. Dhe kjo është dëshmia më e saktë se sa të thella janë ato plagë. Një DËSHMI e tillë, e fortë, e prekshme dhe e thekshme, gjithsesi 1. Shkrimi i tillë nuk është vetëm dëshmi a rrëfim i thjeshtë i luftës së fundit: ato e kanë edhe gjenezën e farën e tyre, të luftërave e konflikteve që kanë ndodhur këndej; janë edhe dëshmi e rrëfime për regjimet që u ushtruan në këtë pjesë të Evropës Juglindore mbi një popull të lashtë e autokton. Janë rrëfimet e dëshmitë për metodat millosheviqiane të dëbimit masiv të popullatës shqiptare, për shkallëzimin e luftës, deri te masakrat e gjenocidi. Paslufta na vjen me rivalitetet tona të brendshme dhe me vrasjet ndërshqiptare. Po edhe ndërgjegjja e interesi i përbashkët i të gjithë qytetarëve që të kapërcehet ky hendek lufte e paslufte.Diku e pamë një burim drite e shprese për një të ardhme të përbashkët, ku do të ketë drejtësi për të gjithë dhe që pas këtij libri kulmoi me njohjen e statusit të pavarësisë së Kosovës. Shkrimi i tillë nacional, prandaj, e ka vlerën e saj të shumëfishtë: në radhë të parë, për ta sqaruar të vërtetën se sa larg kanë shkuar krimet e luftës. Dëshmon, siç do të shprehej një burrështeti, sa shumë kohë merr liria për të triumfuar mbi urrejtjen tek gjeneratat e këtyre viktimave, brezave që i kanë përjetuar këto tragjedi. Sigurisht që koha shëron plagët, por ato më shumë i shërojnë, në radhë të parë, përkujdesja jonë, ashtu sikundër i shëron edhe solidariteti njerëzor e shoqëror, solidarësi me anë të shkrimit dhe hulumtimit të të vërtetës.2. Kurse qortimi ynë i përbashkët, në këtë rast, sigurisht që drejtohet kah vetvetja në radhë të parë, për situatat demoralizuese e traumatike që mund t’ia shkaktojmë vetvetes, apo që mund të na i shkaktojnë edhe të tjerët; apo kushtet e rënda ekzistenciale, apo me plagët ekonomike, apo me grindjet politike, shoqërore, partiake e familjare, të cilat i rëndojnë këto varrë të pambyllura. “Duke falur nuk shoqërohet e kaluara e hidhur. Një kujtim i shëruar nuk është një kujtim që fshihet. Në vend të kësaj, për t’u falur ajo që nuk mund të harrohet, krijon një mënyrë të re të kujtesës. Dhe këtë ndryshim qëndrimi ndaj kujtesës sonë, ndaj të kaluarës tonë, e bëjmë të nxitur nga shpresa për të ardhmen tonë” shprehet Lewis B. Smedes, një autor i lëmit të etikës dhe reformave të traditës në SHBA. Ky ndërrim i qëndrimit përbën një heroizëm tjetër të kohës sonë, trimërinë e fortë të shpirtit. “Ka disa plagë që nuk mund të shërohen”, thuhet kudo nëpër botë, sepse nuk ka vend në botë pa plagë të tilla të hidhura. “Veprimi është një formë e ndriçimit të mendjes”, shton Rebecca De Mornay. Kështu le ta lexojmë Shkrimin Tonë nacional si shkrim veprimi të ndriçimit të të vërtetës dhe të mendjes, duke e gjetur frymëzimin e thellë humanist pikërisht në kohët e trishtimit, kur periudha e dhimbjeve dhe vuajtjeve ishte e thekshme, qoftë te një rrëfim i përdhunimit, mbytjes së viktimës e i hedhjes së saj në pus dhe kur secili takim i tillë me shpirtrat e lënduar, ishte edhe një lehtësim i kësaj dhimbjeje e plage. 3. Dhe pikërisht mu kur dhimbja ka zbritur në pikën më të ulët, mu aty, si e vetmja gjë që mund të ndodhë, do t’ishte një ngritje në rrugën e shërimit; për ta parë mu atë burim të dhimbjes, për të qenë i gatshëm ta shikojmë secili brendinë tonë, se ndryshe nuk ka se si të merresh me të. Por, mos të harrojmë: ndriçim është përvoja e njeriut që i ka përjetuar e parë këto tragjedi e tmerre, që i ka parë se si janë vrarë njerëzit e si kanë vdekur, se si janë rrëmbyer e si janë zhdukur. Janë edhe jo pak autorë të huaj që kanë shkruar libra për Kosovën, dhe për fat të mirë, shumë ndër ta janë përkthyer shqip. Ata erdhën në Kosovë dhe shkruan për Kosovën në emër të ndriçimit të të vërtetës, por sigurisht që e kanë pasur parasysh edhe atë parimin universal njerëzor, se vetë miqësia e solidarësia me njerëzit e tillë të përvojave të hidhura të luftës, është një trajtë e shërimit. Ajo që ndryshe, pra, quhet empati, apo bashkëndjesi njerëzore. Bashkëndjesi me këtë plagë të ftohtë, që ther edhe më shumë. Dhe veprimi i përbashkët është një burim drite, një ndriçim dhe shpresë për të gjithë njerëzit. (30 maj 2021)