Shqipëria/Aktualitet

Tulipani i Kukësit certifikohet nga Federata Botërore e florës dhe faunës

Deri dje ishte i përhapur mendimi se Holanda është vendi i tulipaneve, por ky mendim tashmë ka ndryshuar, sepse Tulipani qenka edhe shqiptar dhe rritet e gjendet vetëm në Surroj të Kukësit. Tulipani është një prej luleve më të bukura në botë, të cilën tashmë e kemi edhe ne, autokton e të certifikuar nga Federata Botërore e florës dhe faunës dhe të emërtuar “Tulipa Albanika” e të renditur si i 114 në listën e bimëve endemike.

Arben Palushi është biologu që ka ndjekur ecurinë e habitatit të rrallë, i cili u zbulua nga Besnik Hallaçi. Ndodhet vetëm në Kukës, në luginen e Drinit të Zi, në një lartësi mbidetare mesatare 500 deri 800 metra. Biologut kuksian Besnik Hallaçit, që ka ndrruar jetë katër muaj më parë si pasojë e Covid 19, iu desh një punë studimore 10 vjeçare për procedurën e autenticitetit të tulipanit shqiptar. Biologu  tregon për rrugën që ndoqi deri në marrjen e certifikatës. “Ishte shumë i përkushtuar që kjo zonë të shpallet e mbrojtur,” thotë biologu Arben Palushi.

Bashkia e Kukësit e shpalli zonë të mbojtur sipërfaqen prej 72 hektaresh, në të cilën ndodhet ky habitat. “Besniku nuk i pati gradat shkencore dhe ishte i detyryar ta mbronte nëpërmjet profesorëve të Kopenhagës,” thotë ai.

Shkencëtaret janë në studim e sipër për të përshtatur gjenet e këtij Tulipani për kultivim masiv të tij, proces i cili deri tani nuk ka dhënë rezultate, qoftë në ambiente studimore në Kukës, Tiranë apo edhe në laboratorët ndërkombëtar.

Kjo dëshmon në një farë mënyre se i përket vetëm atij habitati e hapësire mes livadheve e shkëmbinjve të Surrojit në Kukës. Me zbulimin e tij, Tulipani është bërë emblema zyrtare e Stemës në Qarkun e Kukësit.