Prishtinë, 3 maj 2016
Po e ripublikoj pas pesë vitesh për aktualitetin që ka edhe sot! (Sa për ta ngritur si “fenomen”…)
Të merresh me politikë në një vend dhe në një shtet të paqëndrueshëm ekonomikisht e politikisht (të pafuqishëm) nuk qenka e lehtë, e kam thënë një ditë diku… Por, të merresh me politikë në nje vend-shtet ku klasa politike e shtetërore e tij (me ndonjë përjashtim…) është e kapur dhe e shantazhuar është tepër e vështirë, sepse në shoqëri të këtilla të lodhura nga varfëria, korrupcioni e krimi i organizuar, në “lojën” politike nuk ka moral dhe politika pa moral është barazi me matrapazllëk dhe mashtrim e përfitim! Pjesa më e “dhimbshme” dhe më e “viktimizuar” (emocionalisht) e kësaj “loje” të ndyrë, që quhet me paturpësi “politikë”, është familja, farefisi, miqtë dhe njerëzit më të dashur të politikanit që është pjesë e kesaj “politike”! Fëmijët, motrat, vëllezërit, farefisi dhe miq e shokë njeriun e tyre në këtë “politikë” e shohin gjithmonë me simpati, si më të mirin, më të pagabueshmin, më të drejtin, etj., e shohin “model”! Paraqitjet e tij publike, sjelljet dhe veprimet e tij politike, edhe kur janë matrapazllëk i pastër, i shohin pa asnjë vrejtje, kritikë apo gabim!
Edhe kur “politikani” i tyre i zemrës bene gabime, marrëveshje, sjellje dhe veprime të dëmshme për subjektin politik, e madje edhe për vendin, ata jo që e perkrahin, por edhe “angazhohen” që ta mbrojnë nga ata që ua kritikojnë apo që nuk pajtohen me ato sjellje e veprime! Prandaj, mendoj unë, fëmijët tanë, familjarët, farefisi, miqtë e shokët që na duan shumë do të bënin mirë dhe, mendoj unë, e kanë për “detyrë” të na shohin dhe të na peshojnë me sy e me kandar kritikë! Vetëm kështu na ndihmojnë. Nëse u vjen keq të na e thonë publikisht, të paktën të na e thonë në vesh sepse, vetëm kështu na ndihmojnë që të bëjmë sa më pak gabime… Populli ynë thotë me të drejtë: “Më mirë një e sharë në vesh se një e lavdëruar në publik ose faqe botës”.
Nuk e keni idenë sa zor më vjen kur shoh djemtë, vëllezërit, motrat ose vajzat, dhëndurët, baxhanakeshat (kunatat) e të dashurit tjerë të politikanit që shkruajnë poshtë e lartë (rrjetet sociale ua kanë dhënë këtë “shans” të paimagjinuar më parë të gjithëve që t’i nxjerrin në treg dijet e tyre…) për ta “mbrojtur” “politikanin” e tyre (vetëm pse është njeriu i tyre i dashur!) nga kritikat që vijnë nga anë të ndryshme!! Kjo nuk do të thotë që familjarët e farefisi nuk kanë të drejtë të shkruajnë e te merren me politikë e me çka t’u do zemra, duke dhënë edhe kontributin e tyre në fushën e ideve dhe të zhvillimeve të vendit… Por jo duke u shndërruar në partizanë të verbër të “idhullit” të tyre të dëmshëm për subjektin ose, larg qoftë, edhe për vendin, siç po ndodhë edhe aktualisht…
Prandaj, njerëzit e dashur të “politikanit” që me sjelljet, paraqitjet e tij publike dhe me veprimet e tij e dëmton subjektin ose vendin do të duhejë të mbanin qëndrim kritikë e jo ta mbështesin. Edhe kur e shohin që ky i dashuri i tyre po abuzon me besimin që ka marrë dhe me postin e tij politik-publik për t’u pasuruar e për t’u bërë milioner njerëzit e tij të dashur do të duhej të mbanin qëndrim e t’i thonin në vesh: “të duamë dhe të mbështesim për politikan besnik dhe për shërbëtor të vendit dhe interesave të tij e jo për hajdut e maskara që vjedhë e dëmton vendin”. Kështu dhe vetëm kështu duhet, ndihmohet e përkrahet vendi, populli, atdheu…