Xhevat Bislimi: Kuvendi i marres edhe njëherë dënon Kosovën – Shqipërinë Verilindore
Prishtinë, 24 prill 2014
Dikur, gjatë mandatit tim si deputet, duke parë qëndrimin dhe lojalitetin e vazalitetin e shumicës së deputetëve në raport me UNMIK-un dhe me politikat e Serbisë ndaj Kosovës (Shqipërisë Verilindore), pata thënë se pa u rrënuar kjo ndërtesë, ku e ka edhe sot selinë Kuvendi i Kosovës (tash i Republikës së Kosovës), populli i Kosovës nuk mund të pres më mirë… Për kohën ishte një deklaratë publike “ultraekstremiste” në sallën e atij Kuvendi, të asaj ndërtese. Ishte koha e bisedimeve me Serbinë dhe dukej qartë se deputetët dhe qeveritarët (klasa politike) e Kosovës po kënaqeshin me fjalët e bukura të “ndërkombëtarëve” dhe me një (gjysmë)pavarësi që po negociohejë me Serbinë!!
Në vend se klasa politike e asaj kohe të kërkonte me këmbëngulje ribashkimin me shtetin shqiptar (si pjesë e Shqipërisë), ajo kërkonte me “këmbëngulje” pavarësi për Kosovën për të pranuar edhe një gjysmë pavarësie dhe atë me lëshime të rrezikshme për pakicën serbe dhe për Serbinë! Lëshimet gjatë atyre bisedimeve ishin të rrezikshme dhe kërcënuese për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës… Vazhdimi i bisedimeve, fusnota, marrëveshja e Brukselit, vazhdimi i mandatit për UNMIK – EULEX – in, Gjykata e veçantë për “krimet” e UÇK-së… më dhanë të drejtë edhe pse nuk e kisha dëshiruar dhe nuk do ta dëshiroja kurrë që të kisha patur të drejtë në ato “parashikime”…
SOT, Kuvendi i Republikës së Kosovës (ri)dënoi edhe njëherë Kosovën dhe popullin shqiptar me votën e deputetve të trafikuar, të kapur, injorantë, puthador, mashtrues… Shqiptarët janë të vetëdijshëm se ka politikanë, zyrtarë… që duhet të hetohen dhe të dënohen (nëse ka prova) për korrupcion, krim të organizuar, uzurpim, mashtrim, shpërdorim detyre, shpërdorim fondesh… Por, nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se këta politikanë e zyrtarë, edhe kjo (anti)drejtësi janë prodhim (pjellë) e UNMIK – EULEX-it dhe e ndërkombëtarëve në Kosovë… Prandaj, para tyre (“vendorëve”), po të kishim pushtet e fuqi… (“Ah, si nuk kam një grusht të fortë!…”) do të duhejë të dënoheshin “ndërkombëtarët”… Por, të miratosh themelimin e një gjykate speciale (me votën tënde) për të hetuar dhe dënuar “krimet” e UÇK – së është vërtet e pashembullt në botë… Apo nuk është Kosova jonë “sui generis”?!! Kot e kanë ata “politikanë” – matrapazë që deklarojnë se po e votojnë për ta “pastruar” luftën e UÇK – së!? Pallavra janë edhe deklaratat e “miqve” tanë ndërkombëtarë se “kjo i shërben Kosovës dhe heqjes së fajsisë nga UÇK-ja”, etj.
Ata që themelojnë gjykatë speciale për t’i hetuar “krimet” e pretenduara të UÇK-së në vend se të kërkohejë gjykatë speciale për t’i hetuar krimet dhe gjenocidin e faktuar të Serbisë dhe të serbëve nuk ia duan të mirën këtij vendi dhe as kombit shqiptar…
Në mbarë botën tashmë është krijuar opinioni dhe ka zënë vend bindja se UÇK – ja ka bërë “krime” dhe se Lufta Çlirimtare e kombit shqiptar paska qenë një luftë kundër serbëve e jo kundër Serbisë fashiste – vrastare… Hiç nuk ka rëndësi a do të dënohet dikush a jo pas disa vitesh… Edhe nëse nuk dënohet asnjë luftëtar, komandant a përfaqësues i UÇK – së, opinioni i krijuar dhe që do të krijohet akoma gjatë një procesi “maratonë” (tash edhe me votën e deputetve “shqiptarë”!!) nuk mund të “riparohet”… Dëmet do të jenë të mëdha, pavarësisht që populli shqiptar nuk do të përulet asnjëherë siç po përulen qeveritarët dhe deputetët e tij të kapur, të cilët për ruajtjen e pasurive dhe të privilegjeve të grabitura janë në gjendje të bëjnë lëshime edhe me të mëdha se kaq. Edhe sot, që u votua në Kuvendin e marres nga deputetët e pafytyrë vetëm ne një varrezë masive të Rashkës po nxirren dhe identifikohen kufomat e 400 shqiptarëve të vrarë e të masakruar për “fajin” e vetëm: ishin shqiptarë!! Mijëra të tjerë janë gjetur në varreza tjera masive… Po t’i shtohen këtyre krimeve dhe këtij gjenocidi serb edhe periudhat tjera historike (ta marrim vetëm nga viti 1878 e këtej…)! Kisha dasht ta dij: A thua si mund të bëjnë gjumë këta deputetë nga britmat, klithmat, thirrjet, ofshamat, lotët e nënave, të motrave, nuseve, fëmijëve të masakruar nga Serbia dhe nga serbët?!! Apo janë tërësisht të shurdhuar nga veshët dhe nga ndërgjegjia?!! Nderim për ata deputetë dhe deputete që votuan kundër kësaj gjykate antishqiptare dhe kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it!