Vështrim/Analizë

Bislim Elshani: Mbi krimin elektoral në Shqipërinë politike

Dje, në kuadër të fushatës zgjedhore, ndodhi një vrasje politike në Elbasan. Kur në lojë hyn vdekja, fjalët humbin çdo vlerë. Tani nuk është si vdekja e atij të shkreti që u vra në gjysmë të natës para disa muajsh, dhe që autorit s’iu zbulua kurrfarë plani apo mërie paraprake me viktimën, po është një vrasje e pastër e kundërshtarit politik prej një killeri të opozitës. Një sjellje e pastër fashiste. Dje dëgjova në një studio televizive kosovare kur një fshatar nga Drenica që kishte kaluar një jetë të tërë në Suedi, po që s’ishte skandinavizuar kurrë, duke lëvduar nga pozita feudo-fisnore udhëheqësin e opozitës shqiptare si një nip Drenice dhe si një kushëri i tij personal, dhe që për këtë shkak ishte e drejtë të bëhej kryeministri i ri. Një analist serioz shqiptar argumentoi se humbja e tretë e opozitës mund të ishte ilaqi që do të shënonte fillimin e rrënimit definitiv të sundimit të oligarkisë, të riciklimit të saj të vazhdueshëm çdo katër vjet dhe të lidhjes së politikës me paranë. Vetëm një opozitë e re dhe e virgjër, me një kulturë të re politike, mund t’i japë grushtin e fundit mbetjeve të fundit të këtij fenomeni. Kjo mund të ndodhë me t’u konsoliduar reforma në drejtësi dhe me të dhënë rezultatet e para qoftë edhe kundër vetë atyre që e iniciuan. Por kjo s’mund të ndodhë pa kaluar edhe një katërvjeçar. Me vrasjen e djeshme politike, elektorati shqiptar besoj se ka marrë një mesazh të qartë: nuk duhet votuar një opozitë kriminale, dhe se një opozitë që me çdo kusht e do pushtetin, duhet t’i refuzohet një kënaqësi e tillë në shkallë nacionale dhe me votë plebiscitare. Gjithsesi, edhe fjalët e kryeministrit të tanishëm gjatë fushatës, që ai s’është veçse një gomar të cilin mund ta ngarkojnë për punë, janë më të pranueshme se sa ata të cilët, me sy të skuqur nga babëzia, pushtetin akoma e konsiderojnë si një tepsi ku do t’i ngulin thonjtë. Për mua si kosovar, fitorja e tretë e Edi Ramës më ofron më shumë qetësi se sa fitorja e atyre që janë të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me mafian ruso-serbe, dhe që asnjëherë nuk u pastruan e nuk u shfajësuan prej ndonjë verdikti të qartë juridik. Dhe as përballë medias publike. Nëse ka pasur ndonjë shkarje të Edi Ramës në raport me Kosovën, kjo ka ndodhur për shkaqe ideore e konceptuale, ndërsa shkarjet e krahut tjetër janë të natyrës pragmatike kriminale të përfitimeve financiare e pasurore. Në këtë kuptim ata janë të gatshëm që nesër të tregtojnë me gjithçka, edhe me Kosovën. Me kundërshtarin ideor mund të debatoj e të grindem, mirëpo me një grabitës s’mund të bësh diskutime. Hajnat janë më të rrezikshëm se sa kundërshtarët politikë, thoshte Lenini. Askush nuk më garanton se në situatën e tanishme elektorale në Shqipëri nuk janë të përzier edhe gishtërinjtë e agjenturave ruso-serbe. Unë e di se edhe krahu në pushtet nuk është i pastër sa i përket hajnisë. Mirëpo, kundrejt opozitës, ata më tregojnë një dritë në fund të tunelit. Ndërsa me opozitën e sotme tuneli duket i pafund.