Lëvizja\UÇK

Dhimitër Shtëmbari: “Kënga e jetës mbi vallen e vdekjes” (Libër për jetën e 50 invalidëve të LANÇ)

Të dashur miq!Nga libri im “Kënga e jetës, mbi vallen e vdekjes”, brenda të cilit përfshihen plot 50 jetëshkrime invalidësh të LANÇ, po shkëpus vetëm një fragment nga portreti “Teksa bëheshin gati për ta futur në varrë”. Invalidin, për të cilin bëhet fjalë, Arif Bizhgën, një ish Kolonel me emër, e kam pasur në zyrë deri pak kohë para se të ndahej nga jeta.Këtu bëhet fjalë për një episod të vërtetë, edhe pse duket si i pabesueshem. Lexim të këndshëm, të dashur miq!Teksa bëheshin gati për ta futur në varrëShkrimtari i mirënjohur, Resul Bedo, në një nga artikujt e botuar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka pas shkruar:“… Tri ditë e tri net në Labinot të Elbasanit plumbat hodhën vallen e vdekjes. Kur Tahir Kadareja, komandant i Divizionit II Partizan kaloi pranë një kufome njeriu të mbytur në gjak, i kapërceu delli i ballit nga dhimbja. E njohu. Ishte Arif Bizhga nga Kaparjeli i Gjirokastrës. – Ka mbaruar, komandant, – i qe drejtuar me lot në sy një partizan. Tepër i pikëlluar, komandanti tha: “Ka qenë vërtet një djalë trim. S’i dridhej qerpiku i syrit…”.Dhe, i heshtur para atij trupi të pajetë, shtoi: – Na iku edhe Arifi, o djem! Por… zemrat lart! Luftojmë për Shqipërinë!Fjala e komandantit të Divizionit bëri që emri i Arif Bizhgës, kuadër, të shënohej në radhën e emrave të partizanëve të vrarë. Me lot në sy, komandanti urdhëroi: -Të hapet varri për të vrarin!Nën heshtjen pikëlluese, nisi hapja e varrit. Dëgjoheshin vetëm goditjet e kazmave: çuk, çuk, çuk…Trupi i përgjakur i Arif Bizhgës, tashmë i shndërruar në kufomë, qëndronte i mbuluar me një batanije të përskuqur nga gjaku. Në çastin që e morën në duar për ta lëshuar në gropë, ngjau e pangjara: kufoma lëvizi pak! – Është gjallë! Është gjallë! – u dëgjua një britmë. E lëshuan sërish përdhe dhe…- Po, po; ka shenja jete! – ngriti zërin një tjetër, që vazhdonte t’i rrinte te koka. Ndërkohë, komandanti i Divizionit përkulet mbi trupin e të përgjakurit, i ve dorën mbi ballë dhe…- Të mbyllet varri! – tha me zë të ulët. Dhe atij që iu hap varri në shtatorin e vitit 1944, iu ngrit kënga për së gjalli. Jetoi dhe i kontribuoi Atdheut deri me detyra shumë të rëndësishme.Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ, Esat Molla, duke folur për këtë dëshmor të gjallë të Atdheut, qe shprehur: “Dardha bie nën dardhë: Atdhetar i flaktë gjyshi, atdhetar i zjarrtë i biri dhe ja, i tillë, edhe nipi: Arifi. Dhe mendo, se pikërisht këtij ish kuadri të njohur të Luftës e të pasçlirimit, 71 vjet më parë i qe hapur varri!Por shqiponjave nuk u dihen varret.U njihen vetëm foletë.