Xhevat Gjini: LVV – ja e ka kandidatin që kërkon populli i Kosovës ta ketë Kryetar
(Hydajet Hyseni – Kandidati që bashkon…)
Partia, që fitoi zgjedhjet për ta qeverisur vendin, LVV – ja, nuk i ka 80 deputetë që do t’ia bënin kuorumin e domosdoshëm për ta zgjedhur Kryetarin e Republikës. Partitë humbëse të këtyre zgjedhjeve, LDK, PDK…, janë deklaruar se nuk do të qëndrojnë në karriket e tyre të fituara për deputetë në kohën e votimit për Kryetarin e Republikës nëse kandidate është Vjosa Osmani. Qëndrim jo parimor, jo shumë institucionalist e në favor të një klime mirëkuptimi e bashkëpunimi pozitë – opozitë, por e drejtë e tyre “demokratike”. Kjo situatë kërkon zgjidhje! LVV – ja është me fat që e ka kandidatin që krijon konsensusin e nevojshëm ndërmjet forcave politike. Jo vetëm kaq. HYDAJET HYSENI është kandidati që sot i duhet Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. Ky është kandidati që përmbush një për një të gjitha kërkesat kushtetuese, morale, politike, kombëtare, qytetare dhe intelektuale që duhen për t’u zgjedhur dhe për të qenë Kryetar (gabimisht po i thonë “president”) i Republikës. Hydajet Hyseni e ka kapitalin moral, intelektual, politik, kombëtar e njerëzor si rrallë kush ndër shqiptarët e sotëm në Kosovë. Vështirë t’i gjendet shoku për shpirtgjerësi, mirësi, rezon dhe mendje të hapur e demokratike. Kandidatura dhe zgjedhja e tij Kryetar Republike u bënë nder njësoj si anëtarëve dhe votuesve të LVV – së edhe anëtarëve dhe votuesve të PDK – së, LDK – së, AAK – së dhe pakicave në Kosovë. Madje, gjithë shqiptarëve.Hydajet Hyseni në krye të Republikës do t’ia kthente Kosovës dhe popullit të saj atë tolerancën, bashkëpunimin, harmoninë dhe qetësinë politike, qytetare, ndërpartiake e ndërnjerëzore, që politikanë e qeveritarë të pa përgjegjshëm ia “vodhën” dhe ia mohuan Kosovës, e që kaq shumë i duhet sot e nesër për ta finalizuar shkëputjen e plotë nga Serbia gjithnjë e më pretenduese, gjithnjë e më agresive…Fundja, Hydajet Hyseni nuk ka as nevojë dhe as pretendime për këtë post. Por, ky post, Kosova dhe populli i saj kanë nevojë, sot, për një Hydajet Hysen. Konsideroj të jemi me fat që e kemi.