Ditari i Enver Hoxhës për përplasjen Turqi – Greqi: E SHTUNE20 KORRIK 1974 ZBARKIMI I FORCAVE USHTARAKE TË TURQISE NË QIPRO”
Fakt është se popullsia turke e Qipros nuk është trajtuar kurrë mirë nga grekët, ajo vazhdimisht është persekutuar nga qipriotët grekë. Prandaj, mund të anojmë nga turqit dhe ne kemi mbajtur anën e tyre, jo pse grekët e megaliidhesë kanë pretendime edhe mbi atdheun tonë, por se e vërteta ashtu qëndron. Kur u stabilizua gjendja në Qipro, edhe pozitat tona ishin për këtë statuskuo. Kush e prishi këtë? S’ka asnjë dyshim: Athina e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Anglia. Athina shoviniste donte me kohë ta aneksonte Qipron, që kur prifti Makarios dhe gjenerali Grivas luftonin për ENOS-in. Edhe Makariosi ishte për ENOS-in, edhe ky prift aventurier, me njëqind flamurë në xhep, ishte kundër turqve, për bashkim me Greqinë, pastaj u bë kundër Athinës, ishte me Anglinë e kundër saj, kjo më në fund e shpëtoi nga thonjtë e ENOS-it, ishte pro Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pastaj e prishi me to, lejoi bazat e NATO-s në ishull, zuri miqësi me Bashkimin Sovjetik, bëri vizit në Kinë, u puq me Maon dhe me Çian Çinin, hiqesh “i paangazhuar”, por flinte me të tërë. Prift politikan edepsëz. Natyrisht Athina nuk e duronte dot, prandaj futi në Qipro oficerë dhe ushtarë grekë dhe këta bënë puçe dhe ia ngritën këmbët Makariosit. Pra Greqia e filloi agresionin e para, gjoja nga brenda, për të aneksuar ishullin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëheshin zot i saj, nga frika se mos e zinte vendin Rusia që është e uritur për baza në Mesdhe. Mirëpo, Turqia nuk fjeti, as nuk pyeti, as nuk dëgjoi, as nuk u tremb, por e kaloi pengesën e ujit. Të tjerët u gjendën me gisht në gojë. Është mirë për ne që megali-idhesë greke t’i thyhet dhe një herë hunda. Bashkimi Sovjetik flet e bërtet kundër Greqisë se do të aneksojë Qipron. Po kush flet? Hrushovianët, që me Venizellosin (junior) biseduan për t’i dhënë Greqisë Gjirokastrën dhe Korçën. Kush flet për aneksim? Socialimperialistët sovjetikë që pushtuan Çekosllovakinë, që rrëzuan Dubçek-Makariosin dhe vunë Husak-Samsonin! Por kuptohet pse e bëjnë ata këtë, për t’i bërë qejfin Turqisë, së cilës po ia prishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia etj.
Titushka që hiqet si parimor, edhe ai po bërtet, por do ta shohim deri kur do të bërtasë miku dhe aleati i Turqisë dhe i Greqisë. Për udhëheqjen e Turqisë ai do të thotë një fjalë, siç tha “Për sy e faqe” për pushtimin e Çekosllovakisë. Të gjitha këto janë lodra të të poshtërve, të të shiturve tek imperialistët amerikanë dhe sovjetikë. Këta që sot janë “miq – të klikave, nesër bëhen armiq të tyre, sot -mbajnë anën e njërit”, nesër gjejnë formula të tjera të diktuara nga dollari, rubla e sterlina. Në OKB bëhen llogje. Në fakt gjërat vendosen jashtë OKB-së. Ç’paturpësi! Në lloj-lloj mbledhjesh lëshohen deklarata, kurse mbi popujt hidhen bomba dhe topa. S’mund të mbash asnjë qëndrim zyrtar në këto situata. Ne po forcojmë mbrojtjen tonë, jemi shumë vigjilentë, pse rreziku i një lufte po vjen rrotull në Mesdhe dhe në Ballkan. Në befasi asgjë nuk do të na gjejë dhe, po të vijë rreziku, ne do ta përballojmë me sukses e do të mposhtim çdo agresion.