Lëvizja\UÇK

Berat Luzha: Çka e karakterizoi Pranverën Shqiptqre ’81

Zhvillimet e Pranverës së vitit 1981 paraqesin kthesën e madhe në historinë tonë më të re; fillimin e një epoke të re, e cila u finalizua me luftën çlirimtare të UÇK-së. Cilat janë veçoritë, tiparet dhe cilësitë që e karakterizuan Pranverën Shqiptare ’81? Çka ishin ngjarjet e vitit 1981; protesta, demonstrata, trazira, lëvizje, kryengritje, luftë, kundërrevolucion, ngjarje, rezistencë…?

1. Në vitin 1981 në Kosovë kishin shpërthyer trazira të përmasave të gjera, të cilat ishin shtrirë në të gjitha territoret e pushtuara shqiptare e që ndikuan fuqishëm në politikbërjen, si të pushtetmbajtësve, ashtu edhe të grupeve ilegale politike, por edhe në politikën ndaj Kosovës të faktorit ndërkombëtar. Zhvillimet e pranverës së vitit 1981 mund të cilësohen si protesta. Ishin protesta kundër një regjimi të huaj, i cili shqiptarët i trajtonte si qytetarë të rendit të dytë. Protestohej për kushte të rënda të banimit dhe të ushqimit të studentëve, por edhe për varfërinë e prapambeturinë, në të cilën gjendej tërë populli shqiptar nën ish-Jugosllavinë. Ngjarjet janë identifikuar kryesisht si demonstrata. Dhjetra e qindra mijëra shqiptarë të të gjitha shtresave e kategorive shoqërore dhe nga të gjitha krahinat nën ish-Jugosllavi ishin ngritur për ta refuzuar regjimin kolonial, nën të cilin shqiptarët nuk shihnin perspektivë të mjaftueshme të zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor, etj. Demonstratat artikuluan zërin atdhetar të shqiptarëve për barazi, liri e demokraci.A ishin zhvillimet e vitit 1981 lëvizje kombëtare? Ato ndikuan thelbësisht në ngritjen e vetëdijes kombëtare, siguruan vazhdimësinë e veprimtarisë atdhetare deri në luftën për çlirimin e Kosovës dhe të luftërave në Kosovën Lindore e në Maqedoni. Pa lëvizjen e vitit 1981 nuk do t’i kishim as demonstratat e viteve 1982, 1983, 1988, 1989, 1990, dhe sidomos nuk do t’i kishim tri luftërat çlirimtare në fund të shekullit të kaluar e në fillim të këtij shekulli.Shumë nga ata që kanë folur e shkruar për ngjarjet e vitit 1981, ato i kanë cilësuar si kryengritje. Çarmatosja në Besi e konvojit të milicisë speciale, të ardhur nga Serbia, e argumenton më së miri këtë cilësim. Gjatë demonstratave në shumë qytete ka pasur të vrarë e të plagosur nga të dyja anët; nga milicia dhe nga demonstruesit. Në Prekaz është zhvilluar një betejë e armatosur mes milicisë dhe një familjeje shqiptare, ku gjithashtu kishte të vrarë dhe të plagosur nga të dy anët ndërluftuese. Në Gjakovë ndodhi një përleshje mes milicisë dhe rinisë, në të cilën mbeti një i ri i vrarë. Një përleshje me milicinë ka ndodhur edhe në Besianë. Pra, ngjarjet e vitit 1981 kishin elemente të theksuara të kryengritjes, por nuk ishin kryengritje, sidomos nuk ishin kryengritje e armatosur.Edhe pse në vitin 1981 kishte disa shkëndija, ato nuk arritën ta ndiznin luftën e armatosur, sepse ende nuk ishin krijuar kushtet e rrethanat politike për fillimin e një lufte të armatosur, ashtu siç ndodhi në vitin 1998. Megjithatë, ngjarjet e vitit 1981 ia vunë themelet e forta luftës së mëvonshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ishte e rastësishme njëra ndër parullat kryesore në demonstrata: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, parullë, e cila paralajmëronte luftën çlirimtare në Kosovë. Atëherë flitej e përflitej se njerëz të caktuar kishin dalë në male dhe se po fillonte lufta çlirimtare. Ishte çeta e Llapit, e cila kishte dalë maleve dhe po planifikonte fillimin e një lufte të armatosur. Regjimi i atëhershëm, duke përfshirë edhe pushtetmbajtësit shqiptarë dhe klasën politike të Kosovës, ngjarjet i klasifikuan si kundërrevolucionare. Shqiptarët nuk kishin për qëllim përmbysjen dhe marrjen pushtetit, as në nivel të Federatës, as në nivel të Krahinës. Madje, atyre atë kohë nuk i interesonte pushteti. Përkundrazi, kërkesat ishin minimale dhe joideologjike; barazimi i Kosovës me njësitë tjera në Federatën jugosllave. Cilësimi i demonstratave si kundërrevolucion i shërbente regjimit shovinist e hegjemonist serbo-jugosllav për të zbatuar mbi popullin shqiptar represion sistematik shtetëror.Në fjalorin tonë politik ngjarjet e vitit 1981, si dhe ato para e pas këtij viti, shpesh i kemi quajtur si rezistencë kombëtare. Elemente të rezistencës na shfaqen në Pranverën Shqiptare ‘81. Parullat e brohoritura dendur nëpër demonstrata, ishin; “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë” dhe “Trepça punon, Beogradi ndërton”. Këto parulla shprehnin, më së miri, karakterin e rezistencës kombëtare kundër asimilimit dhe tjetërsimit etnik të shqiptarëve, si dhe kundër shfrytëzimit kolonial të pasurive tona kombëtare. Të gjitha ngjarjet e vitit të madh 1981, që patën ndikim vendimtar për të ardhmen tonë, populli i ka emëruar me një fjalë, si Pranvera Shqiptare ‘81. Dhe, kjo Pranvera Shqiptare ’81, shembëllen shumë me Lidhjen Shqiptare ‘78.

2. Është bërë shumë zhurmë në lidhje me organizimin e demonstratave! Është bërë e bëhet edhe sot pyetja hipotetike: – Kush i organizoi demonstratat? Pushtetmbajtësit e atëhershëm gishtin e kishin drejtuar nga Shqipëria. Është thënë madje se demonstratat i ka organizuar UDB-a, KGB-ja, CIA, shtetet e Perëndimit etj. Këto pohime tendencioze ishin përpjekje dhe etiketime monstruoze, me qëllim të diskualifikimit të karakterit liridashës të demonstratave dhe për zhvlerësimin e tyre në sytë e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Asnjë dokument, qe 40 vjet, nuk e tregoi dhe nuk mund ta tregojë ndonjë argument se demonstratat nuk i kanë organizuar vetë shqiptarët në ish-Jugosllavi. A ishin spontane apo të organizuara? Një grup studentësh ishte përgatitur për organizimin e një proteste apo demonstrate, për të cilën ishte përcaktuar një plan veprimi, ku shtroheshin një varg kërkesash sociale dhe politike. Kurse drejtimin e demonstratave shpejt e morën grupet dhe organizatat ilegale politike, të cilat kishin vepruar me dekada dhe që kishin rol vendimtar në të gjitha ngjarjet e atij viti dhe në vitet e mëvonshme, deri në luftën çlirimtare. A ishin të manipuluara apo të nxitura nga qarqe të huaja demonstratat? Demonstratat u nxitën nga gjendja e rëndë dhe varfëria, nga prapambeturia e diskriminimi politik e ekonomik që u bëhej shqiptarëve nga regjimi serb e jugosllav, nga ndjekjet e vazhdueshme të elementit atdhetar dhe të inteligjencies përparimtare. Shqiptarët u provokuan rëndë edhe nga intervenimi brutal i njësive speciale policore të Beogradit në demonstratat e 26 marsit dhe të 1, 2 e 3 prillit. Ndaj këtyre provokimeve populli u përgjigj me dalje edhe më masive në demonstrata dhe me kërkesa edhe më këmbëngulëse politike.

3. Demonstruesit u akuzuan për kundërrevolucion dhe për orientimin e tyre ideologjik! Madje, u akuzuan se kanë tentuar të krijojnë një republikë “staliniste”. Ishte kjo një gënjeshtër, shpifje dhe spekulim ogurzi, me qëllim të justifikimit të masave fashiste, që regjimi po i ndërmerrte kundër demonstruesve dhe përgjithësisht kundër popullit tonë. Nuk do të kishte njeri normal i cili do të kujtonte, aq më pak të tentonte të vepronte për krijimin e një republike tjetërfare, me sistem e ideologji të ndryshme nga sistemi e ideologjia zyrtare e shtetit federativ. Demonstruesit kërkonin barazimin juridik e politik të shqiptarëve në Federatë, kurse barazimi apo përparimi i Kosovës në Republikë nënkuptonte edhe të drejtën juridike për vetëvendosje deri në shkëputje, e drejtë kjo të cilën shqiptarët do të mund ta konsumonin më vonë, kur të krijoheshin kushtet e rrethanat e përshtatshme politike. Nuk ka dyshim se demonstruesit ishin të ndikuar nga shteti shqiptar, të cilin e quanin “shteti amë”. Nuk ka dyshim, gjithashtu, se në demonstrata është brohoritur, në raste të rralla e të veçanta, ndonjë parullë ideologjike. Por, edhe këto parulla, në brendinë e saj, kishin karakter politik dhe atdhetar. Përmes tyre mëtohej të kundërshtohej ideologjia zyrtare e regjimit titist, e cila mbështetej në ideologjinë komuniste. Duke pas parasyshë rrethanat e kohës, ideologjia zyrtare e shtetit jugosllav nuk mund të kundërshtohej e as të luftohej me kërkesa apo parulla antikomuniste.

4. Regjimi titist nxitoi t’i etiketonte demonstratat se ishin të organizuara nga pozitat e nacionalizmit shqiptar. Sigurisht, demonstratat dhe ngjarjet tjera të vitit 1981 ishin edhe nacionaliste, por në kuptimin pozitiv të fjalës. Por, ato nuk ishin nacionaliste, në kuptimin negativ, ashtu siç i paraqiste propaganda e zhurmshme e regjimit titist, sepse ato nuk ishin të drejtuara kundër popujve tjerë dhe as nuk shprehnin urrejtje ndaj të tjerëve. Mund të themi se zhvillimet politike të vitit 1981 nuk ishin as irredentiste, çfarë i paraqiste propaganda titiste. Populli, përmes demonstratave, kërkonte barazi nacionale, d.m.th. të barazohej me popujt tjerë në kuadër të shtetit ekzistues. Tjetër është se realizimi i kësaj kërkese mundësonte legalizimin e të drejtës për vetëvendosje, deri në shkëputje. Duke e ditur se shprehja irredentizëm nuk i përshtatej apo nuk i përgjigjej plotësisht qëllimeve të regjimit për njollosjen e karakterit të demonstratave, pas disa viteve ata, në vend të akuzave për irredentizëm filluan të akuzonin për separatizëm. Po ta marrim kushtimisht Pranverën Shqiptare si pjesë e lëvizjes kombëtare për çlirim, mund të cilësohet edhe si lëvizje separatiste. Por, nëse ndalemi vetëm te demonstratat e vitit 1981, ato nuk janëtë tilla, edhe pse ato çonin drejt ndarjes dhe pastaj bashkimit, d.m.th. drejt separatizmit.

5. Për nga karakteri, demonstratat ishin paqesore. Demonstruesit ishin krejtësisht të paarmatosur dhe nuk paraqisnin asnjë rrezik për organet e shtetit. Vetëm më 2 e 3 prill, si pasojë e revoltës pas intervenimeve brutale të organeve shtetërore në demonstratat e 26 marsit e 1 prillit, në duar të demonstruesve kishte edhe gurë apo shkopinj, me qëllim vetëmbrojtjeje, por që përsëri nuk paraqisnin asnjë rrezik për organet shtetërore. Tronditja që iu bë themeleve të shtetit bëri që regjimi të reagojë ashpër dhe demonstratat t’i shndërrojë në demonstrata të përgjakshme. Kundër demonstruesve u përdorën të gjitha armët e policore dhe ushtarake, duke filluar nga gazi lotsjellës e deri te tanket e aeroplanat. Në altarin e lirisë ranë dëshmorët e parë. Faktikisht, demonstratat dhe të gjitha zhvillimet e vitit 1981, si dhe të viteve pasuese ishin zhvillime demokratike. Populli shqiptar nën ish-Jugosllavi shtronte para kreut të shtetit kërkesat politike e sociale në mënyrë demokratike. Mirëpo, përgjigjja e regjimit ndaj kërkesave ishte e rrufeshme dhe brutale; me dhunë e terror, me represion sistematik shtetëror, me makinerinë shurdhuese të propagandës antishqiptare…

6. Duhet të theksojmë edhe karakterin mbarëkombëtar të Pranverës Shqiptare ’81! Demonstrata, protesta dhe ngjarje tjera janë zhvilluar anembanë trojeve shqiptare nën okupim dhe te shqiptarët në emigracion. Me to janë solidarizuar të gjithë shqiptarët, kudo që kanë jetuar. Një mbështetje e fuqishme ka ardhur nga shteti amë, Shqipëria, e cila, pos përkrahjes së parezervë, doli në mbrojtje të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavinë. Populli u solidarizua në masë të madhe me zhvillimet politike të vitit 1981. Pos pjesëmarrjes masive në demonstrata, pos shkruarjes së parullave gjithandej nëpër Kosovë, ndjenja e solidarizimit u manifestua edhe me veshjet “kuq e zi”, me dukjen e shenjave dalluese kombëtare, siç është vënia e plisit, si simbol i identitetit kombëtar, me konsumimin e cigareve të prodhuara në Kosovë e dukuri tjera.

7. Si u etiketuan demonstratat dhe demonstruesit? Pushtetmbajtësit, edhe ata shqiptarë, në propagandën e tyre gjatë dhe pas demonstratave, kanë deklaruar se demonstratat ishin të parakohshme, të nxituara e të dëmshme për Kosovën, se për shkak të demonstratave Kosovës iu mor autonomia, se demonstratat i organizoi regjimi serb me qëllim që t’i qëronte hesapet me popullin shqiptar, se nuk kishte pas nevojë për demonstrata, se shqiptarët ishin kombësi e barabartë në Federatën jugosllave, se demonstruesit ishin elementë armiqësorë, se u përpoqën, pa sukses, t’i armiqësonin kombet e kombësitë e Jugosllavisë, se demonstratat na e prishën rehatinë, se demonstruesit u përpoqën ta shkatërrojnë vëllazërim – bashkimin e kombeve e kombësive të barabarta, se demonstruesit ishin kundërrevolucionarë, banditë, armiq të popullit, elementë destruktiv – turbullues, huliganë, terroristë, irredentistë, separatistë, romantikë nacionalë, tradhtarë të popullit e çka jo…! Demonstruesit, nga ana e tyre, e vlerësonin klasën politike të Kosovës, pushtetmbajtësit shqiptarë dhe intelektualët kameleonë si të shitur, tradhtarë, spiujë, sahanlëpirës, titistë, laramanë etj. Klasa politike e intelektuale, me shumicë, në vend se t’i përkrahte kërkesat popullore, u rreshtua në anën e armikut e kundër popullit, duke u bërë argatë të zellshëm të regjimit shovinist e kolonialist të Beogradit.

8. Duhet theksuar fakti se të gjitha demonstratat e vitit 1981, si dhe grupet e organizatat ilegale politike e kishin artikuluar kërkesën kombëtare politike për “Kosovën – Republikë”, kërkesë, e cila ishte shndërruar shpejt në një platformë politike të tërë lëvizjes kombëtare në Kosovë dhe në viset shqiptare nën ish-Jugosllavi.Për herë të parë dhe të vetme, në demonstratën e 26 marsit, u arrit të zhvillohej një dialog, në formë të negociatave, mes studentëve, nga njëra anë dhe përfaqësuesve të institucioneve politike të ish-Krahinës së Kosovës, nga ana tjetër. Negociatat nuk dhanë asnjë rezultat, përkundrazi, kishte pasuar intervenimi brutal i milicisë speciale serbe.

9. Pasi regjimi i cilësoi demonstratat të karakterit armiqësor, kundërrevolucionar, nacionalist e irredentist, filloi ndjekja e studentëve, e nxënësve, e punëtorëve, e fshatarëve, e arsimtarëve, e intelektualëve përparimtarë… Ndjekja masive e popullit shqiptar u manifestua me arrestime, burgosje, vrasje, diferencime ideopolitike, izolime, leçitje të familjeve atdhetare, përjashtime të nxënësve e studentëve nga shkollat, fakultetet e konviktet, largimet e punëtorëve nga vendet e punës… Që nga viti 1981 e deri në përfundim të luftës, shqiptarët kaluan nëpër kalvarin e vuajtjeve të pafund, të diskriminimit nacional, të gjenocidit, të kategorizimit si qytetarë të rendit të dytë, të jetesës nën trysni politike e sociale, të përceptimit të tyre si fajtor të përhershëm në Federatë… Megjithatë, populli ynë nuk i ndali asnjëherë përpjekjet e veta titanike për t’i realizuar aspiratat e veta për liri e bashkim kombëtar. Në bazë të këtyre përpjekjeve, erdhëm deri këtu, ku jemi sot e pas sotit, të shohim…!