Demonstratat e 81-it, si për nga plotënia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, ishin një kryevepër e mendimit politik shqiptar. Ato, prandaj, shënojnë epokë.
Prishtinë 11 mars – Në këtë përvjetor jubilar – të dyzetin, të revolucionit të vonuar antikolonial të Kosovës, rikthimi tek pesha historike e tij, për studjuesit e shkencave humane, është diçka e natyrshme. Ky vështrim është përkushtim këti brezi dhe një lloj mirënjohjeje për rolin e tij në historinë moderne politike të Kosovës.
Në kushtetutat moderne gjithandej në Europën e viteve ’80-të
dhe ’90-të, dinjiteti i qytetarit po fillonte të garantohej jo vetëm në
rrafshin ligjor, por edhe në atë social. Shteti i mirëqenies e shndërronte
qytetarin në qenie sipërore, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Dinjiteti i
tij duhet të garantohet dhe të jetë i pacenueshëm në punën dhe jetën e
përditshme.
Brezi ynë i ri, ai që do të hynte në histori me emrin “Brezi i Republikës”
(1981), këtë frymë të shtetit të mirëqenies ekonomike e sociale ëndërronte e
angazhohej politikisht që ta përvetësonte dhe ta aplikonte edhe në hapësirën
shqiptare.
Nuk është e rastësishme, që në shumicën e bashkësive
shqiptare janë ruajtur brez pas brezi vlerat cilësore që prodhon jeta e
dinjitetshme dhe fryma e solidaritetit, duke mos e përjashtuar në këtë kuadër
edhe përmasën socio-estetike të jetës. Prindërit mund të jenë analfabetë, por
dëshira dhe këmbëngulja e tyre për t’i arsimuar fëmijët, ajo ndjesi e
iluminizmit autentik, e ka burimin pikërisht te kulti për Dijen dhe Dinjitetin.
Lidhja e qytetarëve të Prishtinës me kauzën e studentëve ngjitet në përmasat e
revolucionit më 1 e 2 prill 1981. Ndërkaq, kërkimi i rrugëve nga
prindër-qytetarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për t’i regjistruar e
arsimuar fëmijët edhe në universitetet më prestigjioze në botën perëndimore
sot, qoftë edhe me çmimin kapital të shitjes së shtëpive të tyre, është në
përputhje me vetëdijesimin sipëror për rolin e dijes në shoqërinë moderne. Për
këtë, gjykimi për të vërtetën historike fiton peshë jo vetëm në rrafshin
shkencor, por edhe në atë praktik, në jetën e përditshme, në funksion të
formimit e maturimit si qytetar.
Bashkekzistenca e konceptit sipëror mbi vlerat dhe të
vërtetën historike, ndërkohë pret të përballet me të vërtetën plebiane (i
imponuar në masë të madhe nga ai i Zadrugës sllave, jo rrallë edhe i
ambalazhuar me petkun e vulën e Akademisë!
Mundësinë për vendosjen në vend të dinjitetit dhe rishkrimin e historisë në
përmasat e saj reale, bazuar në metodologji të rreptë shkencore, na e kanë
hapur pikërisht demonstratat e vitit 1981. Ato ishin gurthemeli i kryeveprës
politike të organizatave klandestine, që do të kurorëzohej me themelimin e
UÇK-së.
Demonstratat
e 81-it, si për nga plotënia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, ishin një
kryevepër e mendimit politik shqiptar. Ato, prandaj, shënojnë epokë.
Demonstratat e pranverës së vitit 1981 e shndërruan Kosovën gradualisht në një
Armegadon biblik, ku kulmoi ballafaqimi i së keqes me të mirën. Një fjalë e
urtë malazeze thotë: “Nuk bie bora për të mbuluar bregun, por për të
zbuluar bishën”.
Në Kosovë më 1981, bashkë me zbulimin e bishës ranë edhe maskat e
kolaboratorëve.
Demonstratat e vitit 1981 ishin me këtë përmasë historike, meqë në thelb kishin
vrullin e ndjeshëm dhe energjik, që filozofët realë do t’i krahasonin me
kryeveprat e mendimit klasik grek, që kombinonin imagjinatën rinore me
burrërinë e logjikës.
Unë i cilësoj demonstratat e 1981-it dhe atë brez të rinisë, si manifestim
historik par exelence, duke e
identifikuar atë me frymën e vitit 1968 që ka dominuar Europën, dhe që e
shndërroi brezin në pjesë të homopolitikusit modern.
Kolaboratorët shqipfolës kishin përvetësuar shumëçka nga filozofia politike e
Bizantit, prandaj ata edhe sot potencojnë formën e Autonomisë, duke e lënë nën
hije përmbajtjen. Këtë fenomen e kishte vënë re mirë Arbën Xhaferi, kur
shkruan: “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë shpërthyen, ngaqë autonomia
ishte formale, e dedikuar për nomenklaturën politike, për oligarkinë komuniste
dhe nuk kishte shtet të vërtetë”. [A. Xhaferi, vepra 1, f. 36]
Në
gjuhën frënge ekziston një togfjalësh i veçantë, që kam dëshirë ta ndërlidh me
brezin e vitit 1981: “noblesse obligo”. Duket se historia ia kishte
ngarkuar rinisë fisnike të 1981-it atë barrë të madhe, që ajo e kreu me sukses:
ndarjen e epokës, shënimin e kthesës së madhe historike, prej nga nuk kishte më
kthim prapa. Ky ishte kufiri që ndante politikat kolaboracioniste të Kosovës me
një filozofi tjetër të të menduarit e të vepruarit, për të rezultuar pastaj në
një formë shumë konkrete të rezistencës, që prodhoi Ushtrinë e lavdishme
Çlirimtare të Kosovës.
Ky brez dhe ai që do të pasojë, do të jenë bartësit e aktivitetit politik të
organizatave klandestine, që u kurorëzua me themelimin e LPRK-së, dhe më pas të
UÇK-së – këtë binom politiko-ushtarak, që do t’i sjellë tok me NATO-n, edhe
lirinë e gjakuar kësaj pjese të atdheut tonë, duke imponuar zgjidhjen politike
të Republikës së dytë shqiptare në truallin dardan si hap drejt bashkimit në
trajtën e Federatës shqiptare.
Europianeizimi i Kosovës është proces i pandalshëm: ai do të bëhet, para së gjithash, në planin formalo-juridik, çka nënkupton se do të fillojë funksionimi i shtetit të së drejtës. Rrjedhimisht, përfitues do të jenë të gjithë qytetarët e Republikës, natyrisht edhe ish- kolaboratorët dhe familjet e tyre, meqë në Kosovë do të promovohen gjithnjë e më shumë vlerat e qytetërimit europian, pjesë e së cilës jemi si Komb.
Në prag të këti përvjetori jubilar, më 14 shkurt, Kosova riktheu dinjitetin e qytetarit në themelet e mendimit politik dhe politikbërjes. Ky rikthim i politikës tek etika dhe dinjiteti, është i ndërlidhur gjithësesi edhe me frymën e “Brezit të Republikës” – atë të 1981-ës.