Sa herë që vjen marsi, gurët rrokullisen e
gumëzhijnë për trimat, ata kërkojnë që të vendosen në vendin e vet për të
peshuar më mirë, nuk kanë thënë së koti që moti: ” Guri rënd peshon n’vend
t’vet!” . Mos pretendoni të sfidoni gurët e historisë, se nuk mateni dot me
ta!…
Nga marsi në mars,
sa shpejt ikën vitet, po bëhen njëzet e tri tani, kur gjuhët e flakëve të
luftës, kishin përfshirë Kosovën. Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
kishin lëshuar shtat, dhe po mateshin me pushtuesin për t’i treguar atij se ky
vend ka dalzotësit e vet. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po bënin
historinë, ata po mateshin me ashpërsitë e pushtuesit Serb dhëmbë për dhëmbë.
Çlirimtarët tanë, po tregonin gatishmërinë e vet për të paguar çmimin e lartë,
pa varësisht kostos së saj- liria mbi të gjitha!
Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari, po përdridhte mustaqet, dhe me shikimin
e mprehtë po depërtonte rreptë atyre tymnajave dhe flakëve që po përcëllonin
atdheun tonë. Ai kishte tre kut mustaqe, me shtatin si lis me rrema. Në shpinë
mbante bjeshkët e Qyqavicës si mburojë, në gjoks bjeshkët e Shkëlzenit si
pararoje! Ooo, kush ishte si ai, Oso Kukë, Mic Sokol, Jakup Ferr, Sefë Koshare
e Kastriot, Ademi, biri i kësaj toke, legjendë e legjendave, kryefjala dhe kallëzuesi
i lirisë së atdheut!
Siç e thotë legjenda për Gjergj Elez Alinë dikur, po, edhe Komandanti ynë me
Bajlozin u pre në shtat, sa gjaku shkoj rreke! Nëntë herë ishte pre me
dushmanin e me nëntë plagë në shtat po qëndronte në këmbë- si Jakup Ferri me
trimat e vet.
Ai mbante plisin mbi sy, si strehët e kullave tona prej guri, me mitralozin nën
sqetull, rreth fishek si dhëmbë kuçedër- do thoshte Jakova!… pashëm pash po i binte tokës e qiellit
kaltërosh të Kosovës, por si shqiponja që ruan zogjtë e vet. Në lartësitë e
qiellit, mund të fluturojnë vetëm shqiponjat shqiptare, që ranë për atdhe nën
kushtrimin e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit: “ Për liri, bini o burra!”…
Kur mërrolët lëshoheshin në ballin e Legjendarit, hallakatej moti, dhe zbrazej
furishëm së bashku me breshëritë e plumbave të luftëtarëve të lirisë, që
derdheshin mbi armikun gjakatarë. Ademi Jashari me trimat e tij, bënë historinë
më të re të Kosovës. Ai, dha krejt çka pati për lirinë e atdheut. Komandanti
ynë së bashku me trimat e tij, tanimë në gjirin e përjetësisë, i takojnë
historisë së popullit tonë. Ata u bënë legjendë e gjallë e një qëndrese të pa
imagjinueshme nga shumë strateg të djeshëm, por edhe të sotëm. Ata kaluan,
madje edhe pragun e përjetësisë, Adem, të kujtojmë nga marsi në mars- marsi
erdhi përsëri!…
Që nga ajo ditë e deri me sot, kaluan mbi dy dekada. Qytetaria e civilizuar, të
gjithë atyre që bënë të pamundurën për çlirimin e vendit të vet, si dhe për
gjëra tjera humane në shërbim të njerëzimin, i nderon dhe respekton me ndjenjën
më të lartë, nga se ata bënë flijimin më sublim për qëllime humane. Qysh nga
lashtësitë mitike të mbretërisë së perëndive, kur Prometheu u sakrifikua në
emër të humanitetit për njerëzinë, ka mbetur diku një shenjë që quhet gur!, pra
ai quhet “Guri i Prometheut!”. Nga ajo kohë e deri sot, në literaturën
botërore, ky shembull i mishërimit në mbrojtje të njerëzisë në emër të
vetëmohimit, flitet e shkruhet për këtë gur, ku thuhet: ” tek Guri i
Prometheut!”… Ky sublimim në filozofi quhet mishërim, mishërim me njerëzoren,
diçka e shenjët, diçka e madhërishme, diçka sublime…
Komandanti ynë Legjendar, para së gjithash, çliroi shpirtin tonë nga kushtëzimi
i robërisë, të cilën ai e refuzoi me vendosmëri dhe nuk iu bind iluzionit të
fundosur, prandaj triumfi filozofia e tij mbi konceptin për lirinë, guxim,
guxim dhe vetëm guxim!
Të kujtojmë dhe të mos meditojmë nëpër histori: që nga lufta e Kosovës me 1389,
pra që nga atëherë qëndron një gur, më vonë bënë edhe një mur, ku varrosen
rropullitë e Sulltan Muradit të parë! Edhe sot ajo tyrbe në Mazgit të
Kastriotit quhet e Tyrbja Sulltan Muradit, ku njerëzit kanë krijuar edhe
besëtytni të ndryshme rreth saj, dhe shkojnë atje e gjunjëzohen (para ish
kasapit të popullit shqiptar), për të kërkuar shërim!… Më vonë, po ashtu
pushtuesit tanë, kanë ngulur, me shumë dinakëri edhe një guri tjetër diku në
Gazimestan, ku tuboheshin pushtues e poltron për t’u betuar se do ta djegin
Kosovën, kështu u rrokullisëm ne, nga një absurditet në absurditetin tjetrin me
konceptin e varësisë shpirtërore!
Popujt
e civilizuar, vunë nga një gur diku në shenjë mirënjohje, përderisa pushtuesit,
këta gurë i vunë në shenjë hileje për të përvetësuar tokat tona, me gurët që
kishin ngulur me duart e tyre të përlyera me gjak, në zemër të tokave
shqiptare, deri edhe në prag të Patriarkanës së Pejës, Manastirit të Deçanit,
mullirit të vjetër tek Ura e Ibrit etj.
Nëse dikush dje e bëri një mur për Sulltan Muradin, pse ne sot, nuk e vumë nga
një Gur për Milush Kopiliqin, qoftë në fushëbetejë, qoftë në vendlindjen e tij,
qoftë në Prishtinë apo Tiranë, i cili Sulltanit të madh të Turqisë ia la kokën
në Kosovë si hipotekë, në faqet e historisë së përgjakur! Kush është ai që mund
të na dëftej, se: Ku mund të gjunjëzohemi ne para gurit dhe emrit të Milush
Kopiliqit që t’i përulem deri në gjunjë!…
Në gurtë e varreve të krushqve kam hasur, dhe janë të paprekur me qindra vjet-
siç është e paprekur edhe legjenda për vëllavrasjen e dasmorëve tanë, ngase
pushtuesi e ruante me fanatizëm “legjendën” mbi vëlla-vrasjet tona, për të na
yshtur edhe më, por habit fakti se nuk janë ruajtur as gurët, dhe as legjendat
për trimat e asaj kohë, që lanë kockat për lirinë e atdheut. Kush i vrau gurët
dhe legjendat dje nëpër shekuj, dhe kush po i vret sot?!…
Sot, kur trimat tanë legjendën e zbriten nga qielli në tokë, dhe e bënë
realitet- të kapshëm dhe të prekshëm, madje e ulën këmbëkryq në luadhin e madh
të shqiptarisë, fatkeqësisht edhe sot mungojnë shumë gurë të historisë, si në
Kosovë, Shqipëri, Luginë, Çamëri, ah Çamëri!…
Mos harroni: në gjithë Kosovën, pushtuesi Serb, kishte vu gurë, mbi të cilët u
bazua edhe “pakoja e Ahtisarit!”, madje sot, po vihen kufijtë e plagëve të
Kosovës, nënshkruar me dorën tonë, që të mos sillemi më andej pari, si tek guri
i kullës së Isa Boletinit, tek Çakorri e kulla e zhlebit, tek rreth rrotullimi
i Urës së Ibrit- parku i “paqes!”… nuk kalon dot as rruga tek Manastiri i
Deçanit, as tek Patriarkana e Pejës, as tek Kisha Ortodokse e Millosheviqit,
ngritur dhunshëm në mes Prishtine, mu tek Institucionet tona Universitare, nuk
guxon të preket as të tre kunjat- trekëmbëshi mbrapa Kuvendit të Republikës, së
e ka ngritur nomenklatura e titos, Kosovë rrethuar me kunja, Kosovë, Kosovë!…
Absurditete në kohë:
Dikur në Kuvendin e Kosovës u tha: “ Objektet e vetme, që nuk kanë leje
ndërtimi janë; Kisha Ortodokse serbe (që ishte e ngritur), dhe Shtatorja e
Lirisë, që nuk e ngritën kurrë!”, ky krahasim u tha publikisht, nuk u tha pa
qëllim! Parlamenti i Kosovës (as sot), nuk i dha dy metra truall për
Komandantit Legjendar në Prishtinë, sa për t’i vu këmbët ne tokë- si shpjegohet
kjo!
Nga ana tjetër; ata që mohuan shtatoren e lirisë dhe Komandantin e saj dje, sot
krejt solemnisht shkojnë e përkulen para varrit të Komandanti, dhe betohen në emër
të atdheut dhe në emër të Adem Jasharit!, o zoti i madhe, sa e pështirë kjo
ironi, Shqipëri o nënë Shqipëri!…
Një gur, një krua, një urë, një mur, një
lis…
Një gur ku ka vënë kokën, një
krua ku ka pirë ujë, një urë ku ka kaluar lumin, një mur ku është fortifikuar,
një lis ku ka bërë një sy gjumë, Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari- kjo
nderon shqiptarinë, dhe historinë tonë më të re!
Nga marsi në mars 2021