Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CIII) – SHIROKA – FSHATI TURISTIK NË BRIGJET E LIQENIT E NËN HIJEN E TARABOSHIT

Gjendemi pranë Liqenit të Shkodrës, liqenit më të madh në jugun e Evropës, liqenit që ndahet (padrejtësisht) mes Shqipërisë e Malit të Zi, liqenit që ka sipërfaqe prej 368 km2, nga të cilat 149 km2 i përkasin Shqipërisë. Për t’i shijuar bukuritë e shumta të këtij liqeni dhe të tokës që e rrethon, duhet nisur nga Shkodra, duhet kaluar urën e Bunës për t’u drejtuar brigjeve perëndimore të liqenit, drejt fshatrave turistike bregliqenore Shirokë e Zogaj. Ky udhëtim përshkohet nga peisazhe mahnitëse të papara lumore, liqenore e malore, si dhe të restauranteve e objekteve tjera hoteliere e turistike. Fshati i parë është Shiroka, që gjendet 5 km nga qendra e Shkodrës dhe 3 km nga Ura e Bunës, që gjendet në bregun e liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit Tarabosh, të cilin shkodranët e quajnë si lagje e Shkodrës. Shiroka ishte pikë turistike dhe plazh, kryesisht i shkodranëve, që para luftës, u zhvillua pas çlirimit dhe u braktis pas viteve 90-ta. Viteve të fundit ajo po rigjallërohet, duke u bërë një qendër e veçantë për pushim, jo vetëm për shkodranët. Nëse shkodranët nuk i gjen në Shkodër, ata duhet t’i kërkosh në Shirokë, sepse, aty gjejnë klimën e butë e ajrin e pastër, freskinë e liqenit e pishat e Taraboshit, plazhin e mirë e drekën e shijshme. Ky fshat, i cili gjatë shekujve ka jetuar me liqenin dhe peshkimin, është shumë afër me qytetin, është si një paralagje e Shkodrës, prandaj shkodranët e vizitojnë lehtë e shpesh, sidomos e vizitojnë gjatë fundjavëve. E vizitojnë, pos me makina, edhe me biçikleta apo në këmbë, sepse duhet përjetuar peisazhi që mrekullon. Dikur këndej udhëtohej edhe me traget e me barka motorike që nga Ura e Bunës deri në Shirokë, kurse tash janë bërë projekte për transport liqenor të udhtarëve për ta lidhur Shkodrën me Shirokën, me Zogajn e me Vir-Pazarin në Malin e Zi. Dikur në Shirokë, në sezonën turistike të verës, vërshonin mijëra pushues ditorë e qëndrues, që sistemoheshin në fshat. Madje, në fshat kishte edhe kamp për pionierë, i vendosur në ish-vilën e A. Zogut. Në vitin 1930 Ahmet Zogu e kishte zgjedhur Shirokën për ta ndërtuar njërën nga vilat e tij të pushimit, një vilë e stilit italian që nuk e vizitoi kurrë. Pas vitit 1945 vila u kthye në “Kamp të Pionierëve” me nxënës të shkëlqyeshëm të Shkodrës, ndërsa tash është e boshatisur, e harruar dhe e shkatërruar. Leka Zogu paska pretenduar ta merr vilën përmes gjyqit, duke pas kontest pronësor me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Deri vonë nuk kishte asnjë investim nga shteti në Shirokë, por investimet e viteve të fundit në kuadër të programit “Rilindja urbane” ia kanë ndryshuar pamjen fshatit. Është rregulluar qendra apo sheshi i fshatit, është ndërtuar rruga e re dhe shëtitorja brigjeve të liqenit nga Shiroka deri në Zogaj. Sheshi është veshur me gurë e dru, duke krijuar motive tradicionale, siç është mozaiku me motive të një qilimi, improvizim i një ode të pritjes së miqëve. Sheshi është zbukuruar me elemente të gurit e drurit dhe është pajisur me ndriçim e gjelbërim, i përshtatshëm edhe për lojëra për fëmijë, për shëtitje, piknik, amfiteatër, peshkatari etj. Ky shesh, i cili pas ndryshimit të sistemit ishte mbushur me ndërtime pa leje, tash është transformuar tërësisht, madje është shpallur kandidat për çmimin e lartë të BE-së për arkitekturë. Gjithashtu, pranë sheshit janë rregulluar e fasaduar disa nga shtëpitë, duke i dhënë fshatit pamjen e një qyteze të bukur turistike. Kur je në Shirokë sheh nga të gjitha anët shpendë. Liqeni popullohet me 270 lloje të shpendëve, nga të cilat janë edhe shpendët e rralla; pulëbardhat, pelikanët, lejlekët, shqiponjat… Pos shpendëve, liqeni është i pasur me peshq dhe alga; 65 lloje të peshqëve, siç është krapi, ngjala, qefulli, levreku etj., dhe 250 lloje të algave, që krijojnë livadhe nënujore përgjatë tërë liqenit. Ndryshe, Shiroka njihet si fshat i peshkatarëve. Thuhet se falë Shirokës shkodranët hanë peshk, së paku, njëherë në javë. Është me famë veçanërisht krapi i liqenit të Shkodrës dhe është tradicionale gatimi i tavës së krapit. Nga bimët ujore dallojmë lotosin apo karasanin, një bimë që rritet vetëm në këtë liqen e që jep fryte që mund të hahen. Është interesante se kjo bimë bën fryte vetëm kur vera merr me shi, edhe pse ajo rrënjët i ka në ujë! Perla turistike nën hijen e Taraboshit dhe në bregun e Liqenit të Shkodrës, që fillon aty ku formohet lumi Buna, me klimë të përshtatshme, me florë e faunë të pasur, me arkitekturë të veçantë të ndërtimeve, me plazhe të vogla liqenore, me traditë të pasur të gatimit e veçanërisht me traditë kulturore e historike, është fshati i njohur e shumë tërheqës, fshati Shirokë. Ajri i freskët i malit dhe i liqenit, dreka e peshkut dhe e gatimeve tradicionale, shërbimi me kujdes të veçantë tërheq turistët, jo vetëm të Shkodrës. Sepse, Shiroka krijon mundësi për plazh, për peshkim, për lundrim me barkë, për ecje e për ngjitje në mal. Vetëm 4 km përtej Shirokës, i ngjajshëm me Shirokën, edhe një fshat tjetër pret turistë. Ky është fshati Zogaj, fshat turistik e peshkatar, që ndodhet afër vijës kufitare. Edhe përtej kufirit, përgjatë brigjeve të liqenit, vazhdojnë fshatrat e bukura shqiptare të Krajës. Të shkoni në Shkodër e të mos e shijoni natyrën e bukur rreth Liqenit të Shkodrës, të mos i shijoni as gatimet tradicionale të peshkut, do të ishte lëshim, mbase edhe gabim i madh!