Shqipëria/Aktualitet

Blerim Muriqi: Lajçaku po vjen për ta provokuar Kosovën

Kosova e pas zgjedhjeve të 14 shkurtit e ka një fitues, por akoma nuk e ka një pushtet të bërë. Zgjedhjet dhanë shumë qartësi të brendshme rreshtimi elektoral, por ato nuk prodhuan skemë të qëndrueshme institucionale, meqë pozita e Kryetarit akoma mbetet nyja gordiane e tyre. Gjetja e një emri të votueshëm për kryetar nga palët kundërshtare të skenës sonë, po duket mision i pamundur. Provokimi me ndonjërin nga Jasharët mund të rezultoj po aq sa zgjidhje edhe ngërç. Jasharët mund të shërbenin vetëm po të kalkulonte politika si tërësi dhe jo si imponim.  

Në rrethanë të tillë ardhja e Laçakut është një ngutje, e cila më shumë do të lë shijen e provokimit për ta vënë Kosovën edhe figurativisht mes Amerikës dhe interesave të frymës ruse mbi Europën.  

Lajçaku dhe ministri i jashtëm rus Lavrov këto ditë ishin në linja të njëjta paraqitjeje ndaj Kosovës. Përfaqësuesi europian nxori veten në një fotografi me sfondin e pasëm hartë ku Kosova ishte pjesë e Serbisë derisa e pasoi ministri i jashtëm rus Lavrov me hartën e Kosovës të tërën me slloganin serb “Kosoava është Serbi”.  

Lajçak përveç se po vjen në kohë të papërshtatshme, ai po vjen që të merret edhe me çështjen e ambasadës sonë në Jerusalem. Nëse ai nuk ka harruar, Kosova duhet t’ia kujtoj se dimenzionimi ynë i politikës së jashtme është më shumë nevojë se sa kredo standardesh, të cilat Europa ua vjerr në qafën e vogël popujve që aspirojnë integrimet.   

Por, mbi të gjitha, Lajçak po vjen ta “kërcënoj” Kosovën për dialogun, të cilin kryeministri në ardhje dhe fituesi plebishitar i zgjedhjeve, z.Kurti, e ka renditur në vendin e shtatë në prioritetet e tij. Renditja e dialogut në kaq periferi prioritetesh nga ana e z.Kurti, është aty – aty një paralajmërim i fortë se Serbia duhet të bëjë më shumë nëse e do mundësinë e dialogut dhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Përndryshe, reciprociteti do të bëhet kryefjala e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. 

Me një fjalë, Lajçak po vjen për ta vënë Kosovën në bankën e re të të akuzuarit, duke i vënë tema nëpër këmbë. Ai po vrapon me zellin e frymës ruse  dhe mbishkrimin europian, me një karikaturë që nuk shkon as për kohën e as për realitetet. Kosova, sot nuk është askund në axhenden europiane të integrimeve! Asaj i tregohet një karrotë që ndoshta do të mbillet ndonjëherë. Dhe ajo “ndoshta ndonjëherë” kujtohet në Europë se mjafton për trurin e etur të hallit tonë hipotetik.  

Tendenca e z.Kurti në qeverisjen e tij të parë, për ta balancuar mësymjen e Grenellit me futje të hapsirës europiane në marrëdhëniet tona të jashtme është karremi që po e joshë Lajçakun të rend kaq në pakohë, por ai duhet të dij se z.Kurti nuk është më Albini i vitit të kaluar, kur gjërat i pati marrë me një lehtësi tendence kapërcimi nga taborri amerikan, ku nuk ndjehej mirë me euforinë Grenell për të balancuar me Lajçakun, Borellin dhe deri dhe tendenca me Makronin.  

Kurti kryeministër me plebishit nuk është Kurti Princ, por Kurti në përgjegjësi të plotë dhe kjo i ndryshon gjërat. Ai me përvojën e herës së shkuar do të masë shumë herë para se të pres, dhe do të gjykoj edhe me përvojën e pushteteve të shkuara po aq sa edhe me synimet e veta drejtuese. 

Lajçaku po vjen ta shantazhojë Kosovën, ta vëjë para sprovave dhe ta kërcënoj, ta nxjerr para syve të opinionit ndërkombëtar një mosbashkëpunuese etj., etj.. Por, ai nuk po e kupton se z.Kurti tashmë ka gjithë përvojën ta drejtoj qeverinë e vendit dhe di ku duhet të mos e vëj këmbën. Shpejtimi i Lajçakut para se të bëhet qeveria, pra në këtë vakum institucional është “fyerje” për Kosovën dhe në rastin më të mirë nuk do duhej të pritej përtej takimeve të kurtoazisë nga liderë partish dhe pushtetit në ikje.  

A po na shpie Lajçak drejt reciprocitetit me Serbinë? Do të ishte pyetja që Kosova e pas bërjes së qeverisë së re do duhej t’ia shtronte vetes, dhe t’i fillonte integrimet ndërshqiptare në kushtet e tanishme, të cilat një ditë do të rezultojnë normalitet funksional i një hapësire homogjene!