Lëvizja\UÇK

Kadri Rexhaj: Adem Demaçi (1936 – 2018)

(Përkujtim me rastin e 85-vjetorit të lindjes)

Figura shumëdimensionale e Adem Demaçit për brezin tim si dhe për brezat e mëvonshëm për herë qe dhe mbeti në nivelin e një figure të denjë për hero legjendash. Ai jo vetëm se është konsideruar si njëri ndër zëdhënësit më besnik të idealeve dhe të kërkesave të popullit të Kosovës dhe viseve të saja të robëruara, ai jo vetëm se është konsideruar flijuesi më i ndërgjegjshëm në emër të idealeve dhe të aspiratave të popullit të shqiptar, por, me veprimtarinë e tij të gjerë politike, kulturore dhe shoqërore, konsiderohet ideolog dhe projektues i pavarësisë së Kosovës, të cilën ai e pa si hap të parë drejt bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet dhe nën një flamur. Nëse i besojmë faktit se gjatë periudhës së luftës së ftohtë ekzistonin dy super fuqi botërore, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, atëherë duhet t’i besojmë edhe faktit të ekzistencës së personaliteteve të autoritetshme botërore, personaliteteve superfuqi, në mesin e të cilëve shquhet edhe Adem Demaçi, i cili, me idetë liridashëse, me veprimtarinë revolucionare dhe me armatën e tij të përbërë nga djemtë dhe vashat më të mira të Kosovës, vit pas viti, arriti ta shkatërrojë njërën ndër perandoritë bashkëkohore më të forta të rruzullit tokësor, siç ishte Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore.