Nuk ka popull kosovar, jemi të gjithë shqiptarë dhe të gjithë i përulemi një flamuri, flamurit të kuq me shqiponjën e zezë dykrenare në mes. Ky flamuri me harta e me yje nuk qe ai për të cilin u dhanë jetë. Kërkova në internet mbi himnin e Kosovës dhe si rezultat mora një tekst të titulluar “Evropa”. Ç’marrëzi ! Një flamur koti, që nuk përcjell kurrëfarë ndjenje te ndonjë shqiptar. Një himn, që vesh këtë kukull me rroba europiane, duke hedhur poshtë xhubletën e plisin ilir! Duke hedhur poshtë shqiponjën shqiptare që kur fluturon nga bjeshkët brenda kufirit të sotëm shqiptar në bjeshkët e Dardanisë e din që është prapë në shtëpi të vet.
Kur kam qenë e vogël, që kalonim nëpër Gjakovë a nëpër Prishtinë ndonjëherë, dëgjoja ta thërrisnin vendin Kosovë, e unë me mendje të një fëmije, mendoja se Kosova është qytet i Shqipërisë. S’kishte kuptim për mua të ishte shtet a vend i huaj, se ne flisnim shqip me të gjithë njerëzit atje. Nuk shihja as atëherë e as sot ndryshimin midis shqiptarëve të Republikës së Kosovës me ata të Republikës së Shqipërisë. Të dyja shtete të Shqipërisë e në Shqipëri. Edhe sot, kur dëgjoj disa të thonë : “Si flasin kosovarët ?…”, me keqardhje për një injorancë të tillë, u kujtoj se nuk ka të folur «kosovarçe ». Ka dy dialekte të shqipes: gegë e toskë, me nëndialektet e tyre. E folura nga qyteti në qytet e nga rajoni në rajon ka ndryshime të vogla jo vetëm në Kosovë, por kudo në gjeografinë shqiptare (si te popujt dhe gjuhët tjera në botë), por këto ndryshime nuk janë të tilla që një shqiptar i Çamërisë të mos kuptohet me një shqiptar të Kosovës a të një krahine tjetër shqiptare. Le që po bëhet gjysmë shekulli që edhe shqiptarët kanë gjuhën e tyre të njësuar dhe shkruajnë e flasin me gjuhën e tyre të standardizuar si gjithë popujt e qytetëruar.
Nuk e kam kuptuar kurrë as logjikën e kufirit që na ndanë. Kur në shkollë mësova hartën e Shqipërisë, mësova edhe që Republika e Shqipërisë është i vetmi shtet që është i kufizuar dhe « rrethuar » me bashkëkombësit e vet!!
Në një konkurs të organizuar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, ngado ktheje kokën gjeje e takoje shqiptarë. Njëri nga dy grupet e Malit të Zi, ishin shqiptarë. Po ashtu dhe njëri nga grupet e Maqedonisë, e nga Kosova njëjtë, sigurisht. Konkurronim me vëllezërit e motrat tona shqiptare! Kënaqësi e keqardhje në të njëjtën kohë. Ne flisnim me plotë dashuri në gjuhën tonë të bukur, por në sytë e të huajve ne ishim shqiptarët, ata ishin « maqedonasit », « malazezët » e « kosovarët » !!?? Në sytë e të huajve, e ndoshta edhe në sytë e disa shqiptarëve, që nuk e kanë të qartë çështjen shqiptare, unë jam një vajzë që vjen nga skaji më verior i Shqipërisë por, kur më thonë kështu ua kujtoj se nuk vij nga Shumadija…
Vërtet të huajve u falen « gabime » të këtilla se nëpër hartat e sotme kështu është shënuar, se këto harta mbartin vullnetin e fuqive të mëdha për t’i kënaqur shovinistët fqinj, por këto harta e ky vullnet është në armiqësi të përjetshme me dëshirën dhe vullnetin shekullorë të popullit shqiptar për jetë të lirë e të pavarur në një shtet e në një Shqipëri të bashkuar nën hijen e Flamurit kuq e zi. Sepse, nëse në harta të tilla Shqipëria shtrihet nga Tropoja në Sarandë, në mendjen e çdo shqiptari duhet të jetë më se e qartë se Shqipëria shtrihet nga Nishi e gjer në Prevezë.
Sot, që motrat e vëllezërit tanë shqiptarë në tokat e tyre në Kosovë gëzojnë pavarsinë-shkëputjen nga Serbia, nëpër shtëpitë e tyre ata mbajnë të varur në mure e në çati flamurin kuq e zi, ata vendosin plisin mbi kokë, ata betohen përmbi besë, ata flasin shqip, pra ata festojnë shqip se janë shqiptarë e këtë sado përpiqen ta mohojnë disa, kot e kanë.
S’ma bënte zemra të shkruaj vetem: “Urime Festa e Pavarsisë Kosovë”, se kjo ditë nuk është vetem festë, madje, përkundrazi. Kjo ditë është një përkujtimore e Lëvizjes për çlirimin e bashkimin e Shqipërisë. Gjaku nuk u derdh që sot të Kosova e shqiptarët të “kosovarizohen” e të tjetërsohen, duke ua mohuar identitetin kombëtar e flamurin e tyre kuq e zi, por u derdh për të vulosur qëndresën shqiptare me mallin që na djeg nga brenda qysh se u copëtuam.
Festofshim sa më shpejtë ditën e bashkimit të trojeve shqiptare me Flamurin kuq e zi!