Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (C) -SHËNGJINI – DETI, PORTI, MALI DHE LAGUNAT E TIJ
Shëngjini është një qytet i vogël bregdetar, njësi administrative në Bashkinë dhe në Qarkun e Lezhës, i njohur për plazhin e tij të gjatë dhe për portin detar. Qyteti shtrihet në një sipërfaqe të ngushtë në Gjirin e Shëngjinit, mes detit të kaltër, malit shkëmbor dhe zonës së lagunave. Është një oazë e mbrojtur natyrore. Qyteti, me plazh e port, me mbi 4000 banorë, ndodhet 7 – 8 km nga Lezha, 63 km nga Tirana, 230 km nga Prishtina. Me Velipojën nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë rrugore, por ka një projekt për ndërtimin e një rrugë të re, e cila do ta shkurtojë udhëtimin mes dy qyteteve turistike nga 62 në vetëm 15 km. Shëngjini ka qenë vend i banuar para erës së re nga fisi ilir i Abrejve. Llogaritet të jetë themeluar rreth 2400 vjet më parë. Gjatë luftës civile romake, në vitin 48 p.e.r., sipas Cezarit (vepra “Lufta civile”), në Shëngjin kishte zbarkuar dhe ishte strehuar një pjesë e flotës së tij, nën komandën e Mark Antonit. Jul Cezari, në veprën e tij, e përmend limanin Nimfeum, si vend i nimfave apo zanave. Në mesjetë, në vitin 1313, limani mori emrin Meduo, pastaj edhe Medue, Porto di Medea, San Giovanni de Medua (sipas Medeas – Medea, prince e Argonautëve). Gjatë pushtimit osman qyteti ishte i njohur me emrin Şingin. Limani i Shëngjinit mori rëndësi veçanërisht pas vitit 1880, kur Kongresi i Berlinit ia njohu Malit të Zi qytetin e Ulqinit. Emrin Shëngjin e ka marrë nga Kisha e Shën Gjinit, që ndodhej në malin e Shëngjinit, mbi qytetin e sotëm. Ndërkaq, Qeveria e Nolit, me propozim të Faik Konicës, në vitin 1924 këtij qyteti – lima ia vuri emrin Uillson, për nder të ish-Presidentit të SHBA-së, Thomas Wudrou Uillson. Pas vitit 1945 Shëngjinit iu kthye emri i vjetër, por shëtitorja qendrore e qytetit sot e mbanë emrin e Presidentit Uillson. Gjatë pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill 1939, trupat fashiste zbarkuan edhe në Shëngjin, ku gjithashtu hasën në rezistencë të forcave shqiptare. Pas çlirimit në qytet u zhvillua turizmi masiv, u ndërtua porti detar, baza ujore ushtarake etj. Porti i Shëngjinit është port i vogël, i treti në vend pas porteve të Durrësit dhe Vlorës, i cili shërben për transportin e mallërave, transportin e udhëtarëve dhe për anijet e peshkimit. Këtë port, në vitin 2009, Qeveria shqiptare ia kishte “dhuruar” apo premtuar për shfrytëzim Kosovës “për nevojat e bizneseve kosovare dhe ekonomisë së përgjithshme”. Edhe pse Qeveria e Kosovës kishte shfaqur interesim dhe kishte bërë disa kërkesa, asgjë dhe asnjë përgjigje apo marrëveshje zyrtare nuk është bërë, pos disa deklaratave boshe. Më vonë u zhvilluan bisedime me një kompani të madhe kineze për t’ia dhënë portin me koncesion për 25 vjet, por edhe kjo nismë ka dështuar. Si një lloj kompensimi për Shëngjinin dhe me qëllim të lehtësimit të procedurave doganore, Qeveria shqiptare vendosi t’ia lejojë Kosovës hapjen e një pike doganore në Portin e Durrësit. Tash porti synon të kthehet në destinim të qarkullimit të mallërave dhe transportit të udhëtarëve me traget Shqipëri – Itali. Në kuadër të Portit të Shëngjinit po ndërtohet një port turistik, me kapacitet prej 200 jahteve. Me qëllim të mbrojtjes së Gjirit të Drinit, në Shëngjin ishte ndërtuar një bazë ushtarake detare. Në marsin e vitit 1962 mbi portin e Shëngjinit është vendosur një bateri topash dhe një tjetër për vëzhgim. Vit pas viti janë ndërtuar dy mole në det, është ndërtuar tuneli ujor nëntokësor, janë shtuar skuadriljet dhe kështu u ngrit baza detare ushtarake e Shëngjinit. Pas vitit 1990 baza u reformua, duke iu përshtatur misionit të ri të Forcave Detare. Efektivi ushtarak e ka mbrojtur heroikisht bazën nga shkatërrimet e vitit të mbrapësht 1997. Plazhi i Shëngjinit, i gjatë 9 km dhe i gjerë 30 – 40 metra, është njëri nga plazhet më të mëdha e më të vizituara në Shqipëri. Në kohë normale këtu qëndrojnë mesatarisht 30 mijë pushues në ditë, kurse bashkë me pushuesit ditorë ky numër shkon deri në 45 mijë e në fundjavë deri në 70 mijë vetë. Plazhi njihet për rërën e imtë cilësore shëruese, me përmbajtje të lartë të jodit, njihet edhe për ujin e kthjellët e për kurorën e bukur të pyjeve me pisha. Është nga plazhet me pastërti të lartë të ujit dhe me 250 – 300 ditë me diell në vit. Lokalet e shumta hoteliere, të ndërtuara dekadave të fundit në brezin mes malit e detit, krijojnë kushte shumë të mira për pushuesit. Qyteti i Shëngjinit është nga qendrat më të mëdha turistike në Shqipëri dhe qyteti më i afërt me Kosovën, gjithësesi destinimi më i parapëlqyer për pushuesit nga Kosova, i njohur si “turizëm patriotik”. Thuhet se 70 – 80 për qind e të gjithë pushuesve në Shëngjin vijnë nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Gjithashtu, në Shëngjin veprojnë edhe qindra biznese me pronarë nga Kosova. Kështu, mund të themi se plazhi i Shëngjinit është edhe plazh i Kosovës. Plazhi tjetër, Plazhi i Ranës së Hedhun ndodhet 3 – 4 km nga Shëngjini dhe ka gjatësi rreth 3 kilometra. Ky plazh, park kombëtar, është një mrekulli e vërtetë mes malit e detit, ku mali duket sikur zhytet në det e plazhi i ngjitet malit përpjetë. Këtu rëra ngjitet lart në mal deri mbi 60 metra, duke krijuar dunën ranore më të madhe në Evropë. Rana e Hedhun, me plazhin që i ngjitet malit, është nga zonat më të bukura dhe më interesante të bregdetit shqiptar, është një “oazë e Adriatikut” me rërë të pastër e të ashpër. Ky plazh ka disa veçori, sepse në det nuk derdhen ujërat e zeza, sepse rëra është shumë e imtë me veti shëruese ndaj reumatizmit, sepse është mali me pisha përbri tij, sepse ndodhet laguna prapa tij… Këndej do të kalojë rruga e re Shëngjin – Velipojë, që shpejt do të fillojë të ndërtohet. Mes detit dhe lagunës së Kunes ndodhet ishulli i Kunes, ishulli i dytë më i madh, pas ishullit të Sazanit, me madhësi prej 140 hektarësh. Ishulli strehon rreth 70 lloje zogjsh, 22 lloje zvarranikësh, 23 lloje gjitarësh etj. Plazhi i madh dhe plazhi i vogël në qytet, plazhi i Kunes dhe laguna e Kunes, plazhi i Ranës së Hedhun, zona ushtarake, porti detar, mali i Shëngjinit dhe mali i Rrencit, mbi qytet, hotelet e restorantet e shumta e shtëpitë tradicionale janë pasuria që Shëngjini ua dhuron turistëve. Turistëve Shëngjini u dhuron edhe diell të fortë, det të pastër e rërë shëruese, u dhuron natyrë me peisazhe të rralla, u dhuron shërbim, mikpritje e bujari, si rrallëkund tjetër. Pastaj, në qytet dhe në rrethinën e tij të afërt Shëngjini dhuron ajrin e pastër, freskinë e pyllit, aromën e detit, shëtitjet në natyrën e paprekur, gjuetinë sportive, peshkimin e çka jo tjetër. Janë edhe kushtet e mira të vendosjes, është ushqimi cilësor, janë çmimet e arsyeshme që ndikojnë kur përzgjedhet Shëngjini nga turistët për pushim. Kështu, gjatë sezonës së pushimeve numri i banorëve të qytetit shumëfishohet me turistë të vendit e të huaj, veçanërisht me pushues nga shqiptarët e R. së Kosovës e të R. së Maqedonisë së Veriut, me shqiptarë të ardhur për pushime nga mërgata, nga e tërë bota.