Deklarimet e Kujtim Shalës për periudhën e luftës së UÇK-së dhe fenomenet politike që e kanë shoqëruar shoqrinë tonë për tri dekadat e fundit, ishin tepër irituese. Ky degradim i nivelit akademik dëshmon se sa shumë kemi nevojë për historianë me kredibilitet akademik, që dinë e guxojnë të shkruajnë historinë reale të Kosovës, pa komplekse dhe bazuar në fakte e metodologji shkencore.
Prishtinë, 4 shkurt- Mercenarizmi, nëse i bëjmë një
analizë në të dyja nivelet, në nivelin sinkron dhe në atë diakronik, në Kosovë
na rezulton të ketë qenë i strukturuar deri në qelizat më të vogla të
shoqërisë, sidomos pas vitit 1981 e deri kur shpërtheu lufta e UÇK-së.
Lufta speciale, që zhvilloi sistemi i stërmbushur tashmë me mercenarë, nuk
kishte për qëllim të shoqëronte vetëm biografitë individuale të personaliteteve
të veçanta e me peshë reale për mbajtjen në jetë të rezistencës sonë dhe luftës
për progres e liri por, mbi të gjitha, të shkatërrojë në embrion grupet dhe
organizatat atdhetare të fshehta, produkt i së cilave ishin demonstratat e
pranverës së 1981. Kjo luftë speciale u kurorëzua më 17 janar 1982 me vrasjen e
dy prej tre themeluesve të LPK-së, që do të shkojë në histori si organizata më
e suksesshme politiko-ushtarake gjatë gjithë shekullit të rezistencës dhe që,
në fund, ia arriti ta krijojë UÇK-në, dalëzotësen e vendit.
Përurimi dhe publikimi i dokumenteve që dëshmojnë për funksionimin e
mikrostrukturave të mercenarëve të shndërruar në kolaboratorë të Serbisë, qoftë
brenda sistemit të UDB-së dhe shërbimeve të tjera, por edhe në shkolla,
institute, spitale… përmes të ashtuquajturave organizata themelore të LKJ-së
për Kosovën, do të mundësonte ta njohim më mirë mikrostrukturën e diktaturës,
por edhe shkallën e rezistencës. Për aq kohë sa, si shoqëri e organizuar
politike nuk do ta bëjmë këtë demolim e deshifrim të mikrostrukturave të
mercenarëve, për aq kohë do të lëngojë sistemi ynë politik e juridik. Ndërkaq,
nëse vazhdojmë ta quajmë si të përfunduar këtë çështje, duke gjykuar se pajtimi
kombëtar, i përmbyllur disi me tubimin te Verrat e Llukës (1990) i ka dhënë
fund këtij kapitulli të historisë, ndër breza do të vazhdojë të nxjerrë krye
sërish fenomeni i mercenarizmit, por
do të ngre kokë edhe intenca për ta falsifikuar historinë.
Ky konstatim logjik si një sentencë e urtësisë dhe dijes, po më shoqëronte gjatë gjithë kohës sa po ndiqja debatin politik në emisionin Pressing më 3.2.2021, ku përballej me penalist akademiku e nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala. Pohimet e tij të sforcuara me arrogancën atipike, për periudhën e lufëts së UÇK-së dhe fenomenet politike që e kanë shoqëruar shoqrinë tonë për tri dekadat e fundit, ishin tepër irituese.
Po sjell këtu disa nga xhevahiret që akademiku i LDK-së, pa droje dhe pa u skuqur, i pohonte si të vërteta historike!
– Bartësja e idesë së shtetëformimit ishte LDK-ja!
– LPK-ja (në vitet kur në skenë ishte LDK-ja:1989-1999) ishte vetëm jashtë!
– Themelues dhe komandant suprem i UÇK-së ishte Ibrahim Rugova!
– Rugovizmi si ideologji është një lloj kulture, edhe e sjelljes, e identifikueshme me shtetin e Kosovës…”
Ndërkaq nga fundi i emisionit dijet e tij akademike shpërthyen tek ngatërroi analizën letrare të poezisë me analizën politike të fenomeneve sociale e historike!
Në këtë debat nuk mund të pritej nga ky funksionar i lartë politik kërkimfalja për shkatërrimin e arsimit pikërisht nga kjo sortë akademikësh të LDK-së; natyrisht asnjë fjalë as për mercenarizmin politik; pavarësisht se nga panelistët iu kujtua, ai çuditërisht heshti për talljen me popullin edhe në kohë lufte, tek organizoheshin “zgjedhjet e lira e demoratike”(!) pavarësisht se atëbotë në Drenicë e në një pjesë të mirë të Dukagjinit bëhej luftë!
Meqë,
në debat ishin dy profesor universitar, por edhe një ish zëvendësministër i
arsimit, që shquhet për qasje profesionale, do të ishte e logjikshme të prisnim
reflektim të thellë për këtë degradim të dijes.
Tashmë është shumë evidente se në dobi të njohjes dhe përpunimit të kësaj epoke
do të ishte krijimi i qendrave të studimit, instituteve përkatëse pranë
fakulteteve të veçanta (brenda Fakultetit Filozofik, atij për Shkenca Politike,
Fakultetit Juridik etj.) dhe i një muzeu të specializuar, selia e të cilit do
të mund të ishte në Prekaz.
Ky degradim i nivelit akademik dëshmon se sa shumë kemi nevojë për historianë
me kredibilitet akademik, që dinë e guxojnë të shkruajnë historinë reale të
Kosovës, pa komplekse dhe bazuar në fakte e metodologji shkencore. Sa më mirë
që të rinjtë dhe brezat që vijnë t’i njohin të gjitha strukturat dhe
mikrostrukturat e mercenarizmit politik si fenomen ndër breza, sidomos ato pas
vitit 1981 apo të dekadës së apartheidit (1989-1999), aq më të përkushtuar do
të jenë për mbrojtjen e sovranitetit të vendit, lirisë dhe për zhvillimin
ekonomik e selitjen e demokracisë.