Kanë kaluar dy dekada nga çlirimi i vendit dhe gjërat nuk janë bërë ashtu sikur do duhej bërë, apo thënë ndryshe sikur kemi ëndërruar se do duhej të ishte Kosova e dy dekadave liri. Politika që kalëroi dy dekadat që lamë pas, tashmë ka fytyrë të vjetër. Të vjetër e të urryer, edhe kështu nuk është tepër të thuhet.Kjo ka bërë që të prishet pakti, i cili natyrshëm ekziston për ato që pleksin brenda vetes. Të gjithë pa dallim, të paktën disa herë në ditë, kthehemi te fjala ndryshim, te ndjenja zhgënjim dhe te frika që mbjell pashpresa. Jo gjithçka ka shkuar mirë në kohët që po lëmë pas. Ka gjëra që kanë lëvizur, por ka gjëra edhe që janë përkeqësuar. Ekonomia e munguar ka shumë arsye të na shtyjë në veprime për ndryshim, sikur ka shumë përpjekje për t’ia vënë malin e përpjekjeve përpara nga ata që më mirë se sa emri që u kanë vënë prindërit e tyre u rri faji publik që ia kanë bërë vendit.
Racionalja jonë sot po i shtrohet vullnetshëm irracionales. Të dyja bashkë i ka fshi përpara zhgënjimi i madh. Ato rrotullohen në kërkimin e rrugës, në kërkimin e mundësisë! E si mund të shohim përtej vilave të liderëve hajdutë, vartësve hajdutë, orgjive të hajdutëve mbi mundësitë tona, mbi pasuritë e vendit, mbi të ardhmen tonë, mbi fatet tona që po na degdisin çdo ditë e më shumë në mjerim e braktisje: KU SYTË KËMBËT! Si mund t’i mbyllim sytë para privatizimeve të tipit “plaçkë lufte”, e të vrasjes së industrisë sonë për t’i privatizuar ambientet lirë e tepër lirë, ku fabrikat e djeshme sot janë salla dasmash a vetëshërbime tregtie, etj. Qindra e mijëra hektarë tokë përfunduan në duart e kapove të kupolës së shtetit real e të atij të nëntokës. Minierat u vdiqën. Politika e keqe e shndërroi shoqërinë tonë në shoqëri vetëm konsumuese. Ne po e përballojmë këtë falë mërgimtarëve, të cilët tashmë mund të jenë më shumë se sa banorë në atdhe. Një statistikë për gjuhët që fliten në Zvicër e nxori gjuhën shqipe të katërtën me 6.7%, që do të thotë se atje jetojnë nga 574 190 shqiptarë nga 8. 750 000 banorët e Zvicrës. Kur në Zvicrën e vogël jetojnë kaq shumë shqiptarë, po në shtetet e mëdha Gjermani, Francë Itali, Austri e vendet e Beneluksit dhe ato skandinave, po në Amerikën e largët etj., sa janë? Kjo mërgatë, që nuk i ka shkëputur rrënjët me vendin e saj, po e mban Kosovën në mundësitë e tërësishme të konsumit dhe kjo po na vret dita – ditës, sepse ikja nga vendi tashmë është bërë synimi i vendit të punës dhe mundësisë për jetë. Kjo mundësi e jashtme, e cila po e vdes vendin dita – ditës është dhurata që këta të babëzitur politikanë po ia japin Serbisë në duart e saj të përgjakura nga krimi mbi ne. Përtej gjithë të keqes që po zbrazet mbi ne, sallat e kërkim-votës po mbushen me njerëz e me tinguj këngësh e idhullimesh, në vend që sheshet të mbusheshin me mospajtimin qytetar për ta përmbysur të keqen siameze: mbetjet serbe- dhe të babëziturit që e morën Kosovën peng dhe po e trajtojnë si plaçkë lufte!
Përditshmëria po na përplasë në shumë halle, në shumë dilema e në shumë kërkim rruge. Kushdo pyetet si tutje? Vendi që po zbrazet mbetet brenga e parë. Pamundësia e zhvillimit të brendshëm mbetet cytja e kësaj zbrazjeje dhe po bëhet pasurimi i një klase ekonomike që vjen nga ish pushteti jugoserb, të cilës po i shërben jo pak përfituesi ortak (një grusht i vogël ish drejtues lufte). Kjo oligarki politiko-ekonomike, po bëhet mallkimi ynë.
Kudo flasim për të tillët, kudo shohim se ata po rriten mbi fatkeqësinë tonë, mbi zhvatjen e vendit tonë, mbi institucionet që punojnë për hesapet e tyre. Kudo dëgjojmë për telefonatat frikë-mbjellëse deri në palcë të atij apo këtij të forti të zonës a të krimit. Shohim me sytë tanë ndërtesa e ekonomi të tillësh ngritur mbi fatkeqësinë tonë. Privatizime pafund tokash e objektesh të dirigjuara e të rezervuara. Ndaj, ka aq shumë tërheqje të dhunshme nga privatizimet të kujtdo që nuk është në rrethin e tyre të pushtetimit mbi zhvatjen e çka do të tillë.
Të tillë “kumbarë të krimit” luajnë mbi fatin tonë, e përdhosin jetën tonë, e varfërojnë mundësinë tonë. Të tillët, sikur pafund hera në këto dekada liri, janë hedhur edhe sot lagje më lagje e odë më odë për votën, për pushtetin, për zhvatjen e radhës, për blerjen e madhe të secilës votë të atyre që u vramë çdo ditë e nga pak nga ta. Andaj shohim tubime me këngë e lartësime mjerane, ku u këndohet të gjallëve zhvatës. E neveritshme shumë, kur shohim mjerimin e të mjeruarit tek i këndon mjeruesit. Flasin për luftën dhe e lartësojnë atë mbetjet e Millosheviqit, ata heshtakët mjeranë të popullit tonë, që ishin të gatshëm ta vazhdonin jetën nën robëri. Dhe para kujt se, para korit të atyre që vërtetë luftuan dhe bartin plagët e atdheut në trupin e tyre! Dhe për çudi, si në ëndrrat e ironisë apokaliptike, po ata çlirimtarë u duartrokasin të tillave mbetje serbe të jetës fizike a të mendësisë së mbjellur në familjet nga ku dalin të tillët drejtues kërkues vote. Ka edhe raste krejt çmendurake, kur çlirimtarët e vërtetë ku e ku edhe kryeçlirimtarë të vënë në rresht para të tillave mbetje të Serbisë, i lartësojnë ato dhe e kërkojnë votën me rreshtim ushtarak për të tilla zezona serbe. Ata harrojnë se sot është rritur brezi i pasluftës dhe po kërkon t’i merr fatet në duart e tyre. Ata po harrojnë se ishin po kështu të rinj kur guxuan të mendojnë për lirinë dhe guxuan ta përmbysin pushtimin me fuqinë e armëve edhe me çmimin e flijimit. Nëse ata harruan, mbetja serbe dhe disa çlirimtarë e të babëzitur, gjenerata e re nuk ka çfarë të harroj, sepse ajo është me sytë hapur dhe nuk e tumirë të keqen e pafundme që po ia çon dhimbjet Kosovës deri në palcë. Kjo masë e të rinjve, për habinë e të babëziturve, sot po zgjohet dhe një ditë do ta bëjë përmbysjen e gjeneratave edhe me luftën e madhe të bugjeve, për fajtorët zhvatës e jo vetëm.
Për ironi të fatit, dhe për pafuqinë e mbledhur akoma nga rinia jonë, populli hallegji edhe sot e tërë ditën, ku e ku duartroket hajnat e aseteve të vendit, protagonistët e zbrazjes së vendit, kurthë-krijuesit e gjykatave të vendit, vrasësit e ardhmërisë së vendit. Duartrokiten ca të babëzitur, që nga maja e ish luftës çlirimtare sot motin e shkojnë në prehrin e mbetjeve serbe, të dashnoreve, orgjive apo vjamin e aseteve të bashkëzhvatura privatizimit me firmashët e Milllosheviqit, Kecmanit e Arkanit, tenderomanisë apo dhuratave për shërbesat institucionale. Për ta lexuar të keqen më qartë mjafton të shohim se vota e mjerimit popullor i ka stolisur me pushtet në të kaluarën, ashtu sikur po matet t’i stolisë edhe sot, po të tillët. Të babëziturit që sot po prekin sentimentin e gjakut çlirimtar për ta bërë dorën e tij të hidhet ashtu me dridhje nga shkërmoqja mbi fatin e trupit vetanak e familjar. Këndellja nuk po vie akoma edhe pse kudo flitet për kontot e majme të këtyre zhvatësve në parajsën financiare të bankave të Qipros e deri në Panama, edhe pse kemi parë me sytë tanë se si shitën a falën Debëlldenë, Kullën e Qakorrin, se si krijuan nga paqenësia dhjetë komuna serbe, para syve tanë, se si disa nga tradhtarët e vendit i dekoruan dhe i shpallën heronj me dekrete krahas heronjve të rënë në fushëbeteja çlirimtare, etj. Mjafton të shkojmë në lagjet elitë në kryeqytet e të shohim si ka mbirë zhvatja e përfitimi nga shërbesat institucionale e deri te pangopësia. Kudo kanë mbirë vilat me shije e shumë kosto, në lagje elitë e në qendra rekreacioni, brenda e jashtë vendi, në qytete, bjeshkë e bregdete.
Ky konceentrim i pasurisë dhe mundësive, në disa duar zhvatësish i ka bërë lotët e të tillëve të dalin lot krokodili. Kafshata e madhe, derisa po e hanë, atdheun tonë të të gjithëve, e që do të duhej t’u mbetej në fyt po u nxjerr lotë krokodili, ndaj po shkojnë t’i rimashtrojnë çlirimtarët e përmes tyre edhe votën elektorale, duke ua prekur sentimentet e luftës. Të tillët duan të derdhin më shumë lot krokodili që të mund të hanë më shumë nga atdheu ynë i përbashkët.
Këta të babëzitur nga çlirimtarë në zhvatës, po ua qajnë hallin e jetës përrallore ish argatëve të Serbisë, synojnë të njëjtësohen në formë jetese me ta dhe performojnë me kapje të të drejtës së përfaqësimit të jetës çlirimtare. Bashkë këto dy të këqija kanë kapur dy anët e shkopit, edhe Ligjin edhe Maliqin, ndaj e mbajnë kaq të kopsitur zhvatjen e vendit dhe dhunojnë të tashmen e të ardhmen tonë. Ndaj degdisen fëmijët tanë ku sytë këmbët, zbrazet Kosova.
A nuk e meriton Kosova të drejtohet nga gjenerata e re në mësimet e gjeneratës atdhetare, me idealet e rilindasve, sikur ata e deshën Shqipërinë zonjë? Ne që dimë ta nderojmë Skënderbeun në kaq shekuj do dimë ta nderojmë si popull përmes gjeneratës së re, si askush tjetër Luftën tonë Çlirimtare, pa patur nevojë të na shtyjnë të babëziturit në strofkën e tyre të babëzisë.
Pak vetëdije miq, motra e vëllezër! Është koha të ndodhë rinia dhe të përfundoj në përgjegjësi babëzia! Fund babëzisë, që ta mundim të keqen që na e ka lënë thurur rreth qafe Serbia me klasën e saj të kapur!
Pak vetëdije o miq! Populli ynë e pranoi në “Pranverën shqiptare ‘81” rininë prijetare dhe ja ku jemi, të lirë e të pavarur!
Pak vetëdije o miq që ta lindim të renë tonë, të mirën e të ardhmes!