Komenti

Xh. Gjini: Hapja e URËS garanton integritetin tokësor të Republikës, sovranitetin, paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon

HAPJA E URËS GARANTON INTEGRITETIN TOKËSOR TË REPUBLIKËS, SOVRANITETIN, PAQEN DHE SIGURINË NË KOSOVË E RAJON
Kosova (me Kosovë Lëvizja Kombëtare, shteti ynë AMË dhe LPK – UÇK – ja kuptonin të gjitha trojet e pushtuara të Shqipërisë nga Jugosllavia, rreth 40 000 km²) dhe pozita e saj u kuptua, u bë çështje rajonale dhe ndërkombëtare, që kërkonte zgjidhje, me Pranverën Shqiptare ’81. Kontribut vendimtar në ndërkombëtarizimin e kësaj çështjeje, që Jugosllavia shoviniste terroriste e Tito – Rankoviçit bënte çmos ta varroste, ka shteti i Enver Hoxhës, Nëna jonë, Shqipëria.
Që nga viti 1981 midis Jugosllavisë pushtuese dhe popullit të pushtuar shqiptar nuk pati as një ditë paqeje… Edhe forcat kolaboracioniste e kishin humbur definitivisht ndikimin dhe pushtetin e tyre mbi shqiptarët. Qëndresa e organizuar (edhe spontane…) e popullit tonë shënonte vetëm rritje, nuk kishte kthim prapa. Rezultat i Pranverës Shqiptare ’81 ishte bashkimi politik i organizatave patriotike, krijimi i LPK – së dhe masivizimi i rezistencës. Kjo qëndresë e organizuar dhe e drejtuar nga forcat patriotike, revolucionare, demokratike e progresiste, kryesisht nga LPK – ja, kulmoi me organizimin e luftës së armatosur, krijimin e USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, e cila ia doli të çlironte një pjesë të tokave të pushtuara të Shqipërisë (Kosovën pa viset e saja) dhe të përmirësonte dukshëm pozitën e popullit shqiptar në Maqedoninë e tij. Në gjendje shtypjeje e robërie mbeti populli shqiptar nën Malin e Zi dhe nën Serbi…
Lufta shqiptaro – serbe përfundoi me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, të cilat ishin të bindura se kjo luftë nuk mund të mbetej vetëm luftë për Kosovën e kufijve krahinor. Kryetari i ShBA – së, Klintoni, deklaronte se “zjarri i luftës në Kosovë do ta digjte edhe Evropën, nëse nuk do të shuhejë”. Vështirë të thuhet sakt se si do të zhvillohejë lufta shqiptaro – serbe në fazat e ardhshme, por ajo që e ka thënë Klintoni mendoj se është e saktë. Kjo edhe duhet të jetë një nga arsyet kryesore të ndërhyrjes së NATO-s, pos asaj të ndalimit dhe eventualisht dëbimit të Rusisë nga Ballkani (konkretisht Serbia). Arsye me më pak peshë e ndërhyrjes në Kosovë ishte arsyeja humanitare…
Marrëveshja e Rambujes u pranua nga delegacioni shqiptar, por nuk e pranoi delegacioni serb, Serbia. Arsye për mospranim ishte vendosja e trupave të NATO-s edhe në Serbi (atëherë Jugosllavi, me Malin e Zi). Kjo pjesë e marrëveshjes ishte e papranueshme për Serbinë. Ky mospranim i hapi rrugën bombardimeve që përfunduan me kapitullimin e Jugoserbisē, me marrëveshjen e Kumanovës.
Bombardimi i trupave ushtarake e policore serbe kishte filluar pa ndonjë rezolutë të OKB-së, kurse përfundimi i bombardimeve dhe hyrja e trupave të NATO – s ishte bër me rezolutë të OKB-së, 1244! Formulimi i kësaj rezolute ishte bër në atë mënyrë që të votohejë edhe nga Rusia e Kina… Kjo pastaj ka lënë mundësi të ndryshme interpretimi deri te “opinioni” i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, madje edhe sot, Serbia dhe aleatët e saj, duke “harruar” opinionin e GJND-së, i referohen kësaj rezolute për t’i arsyetuar pretendimet territoriale ndaj Kosovës, pa vise!?
Sipas kësaj Rezolute në Kosovë do të vendosej administrata e OKB-së (UNMIK-u), KFOR-i dhe organizma tjerë evropianē e ndërkombëtarë! Kjo prani kaq e madhe ndërkombëtare në një territor kaq të vogël, që ishte viktima e jo agresori, fillimisht u angazhua (sipas rezolutës 1244) për një Kosovë me “autonomi substanciale” dhe nuk donte t’ia dinte për “referendumin” pas tri vjete!! Kjo edhe ishte, sipas meje, arsyeja e shpikjes së “Veriut” nga ana e tyre, duke mbyllur URËN, që kishte bashkuar qytetin e Mitrovicës, si hap i parë, duke mos lejuar kthimin e shqiptarëve në shtëpitë dhe tokat e tyre, duke lejuar dhe “garantuar” veprimtarinë e strukturave, organeve shtetërore të Serbisë (pa uniforma) dhe duke spastruar Veriun nga shqiptarët, me dhunë, terror e vrasje (nën ombrellën e pranisë ndërkombëtare)!! VERIU (ndarja e Kosovës!!) ishte krijuar për ta bllokuar shkëputjen, pavarësimin e Kosovës nga Jugoserbia!!
Ngjarjet e marsit të vitit 2004 (sërish vjen Marsi!) tronditën nga themeli konceptin dhe strategjinë unmikiane (“ndërkombëtare”) të një Kosove me autonomi substanciale. Tashmë edhe Mali i Zi ishte shkëputur nga Jugoserbia dhe ajo që quhej Jugosllavi definitivisht kishte ngordhur, ishte varrosur. Ky ishte edhe një favor për pavarësimin e Kosovës nga Serbia…
Kështu nisën bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës (pa vise). Kushtet e bisedimeve për Kosovën ishin të rënda, kurse delegacioni për këto bisedime ishte zgjedhur me llupën e Fuqive të Mëdha dhe me kriteret e tyre “speciale” për Kosovën!! Trysnia dhe shantazhimi sërish rëndonin mbi Kosovën e Shqipërisë! Delegacioni që bisedonte në emër të Kosovës bëri “kompromisin e dhimbshëm”: hoqi dorë nga bashkimi me shtetin tonë për të fituar një pavarësi të sakatuar!!
Serbia, me mbështetjen e qendrave të vendosjes dhe me lojalitetin e pashembulltë të delegacionit të Kosovës, kishte imponuar Planin e Ahtisarit, i cili krijonte 5 – 6 komuna serbe në Kosovën shqiptare (më vonë i bënë 10!!), e ndante Mitrovicën dhe e mbante Veriun e Kosovës të ndarë, të rezervuar për Serbinë!! Koncesionet, që i bëri “delegacioni i elefantëve” Serbisë, ishin jo vetëm vetëposhtëruese, por edhe të rrezikshme dhe kërcënuese për tërësinë territoriale, për sovranitetin dhe për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit! Ky Plan me këto “zgjidhje” krijonte një entitet serb në 30% të territorit të Kosovës! Kësaj radhe VERIU i shpikur po shërbente për ta shantazhuar dhe kushtëzuar Kosovēn me bisedime PLUS (bisedimet e Brukselit), sepse Serbia nuk e pranoi as Planin e Ahtisarit!!
Prandaj, e gjithë forca civile, politike, diplomatike, policore dhe ushtarake e pranisë ndërkombëtare dhe e Fuqive të Mëdha (me ndonjë përjashtim) u vu në shërbim të “kauzës” serbe, “zajednicës”/asociacionit, me atribute shtetërore!! Prandaj, edhe pse janë arritur disa marrëveshje në Bruksel për hapjen e URËS, prania ndërkombëtare, e vendosur këtu për të garantuar “lëvizjen e lirë”, po e mban të mbyllur me një këmbëngulje shembullore URËN!!
Karta e fundit për ta shantazhuar Pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, URA mbi Ibër, nuk po mbahet e mbyllur nga pakica serbe dhe as nga Serbia, por nga prania ndërkombëtare me qëllim presioni dhe shantazhi për krijimin e “zajednicës”, pa u njohur shkëputja- pavarësimi i Kosovës nga Serbia. Nuk është jashtë kalkulimeve edhe VERIU në kēmbim të hyrjes së Serbisë në NATO, shkëputjen e saj nga Rusia… Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera shtetërore duhet të bëjnë çmos që ta shembin njēhere e përgjithmonë simbolin e ndarjes, pasigurisë dhe konfliktit, ta hapin URËN, e cila e mban të gjallē iluzionin dhe idenë e shkëputjes së Veriut nga Kosova… Për këtë zgjidhje të domosdoshme duhet kërkuar përkrahja e të gjitha forcave politike, e popullit, e Tiranës dhe e aleatëve tanë. Hapja e URËS, edhe pa ndonjë përkrahje të kalkuluar, ështē perspektiva dhe garancia jonē për paqe dhe stabilitet në Kosovë e rajon.
Hapja e URËS dhe vendosja e rregullit dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës do t’i stabilizonte dhe do t’i vendoste edhe marrëdhëniet me miqtë tanë, me Serbinë dhe me shtetet tjera në binarë normalë… Mjaft është mjaft!