Komenti

Xh. Gjini: Për dasmat e ditëve tona

PËR DASMAT E DITËVE TONA
DASMA është ngjarje e një rëndësie të veçantë për familjen që marton djalin ose vajzën, ngjarje jetësore për të martuarit. Gëzimi dhe hareja e dasmës janë edhe të farefisit, miqve dhe shokëve ose shoqeve të çiftit të ri dhe të familjes.
Dasma është vlerë tradicionale dhe hise e kulturës së popullit tonë, siç është edhe e popujve tjerë. Dasma, sikur edhe tradita e gjithëmbarëshme dhe kultura, ka evoluar…, në disa drejtime për mirë dhe në disa tjera ka degraduar. Dasma shqiptare ka disa veçori (karakteristika) themelore që e bëjnë të jetë e tillë, që duhet të ruhen, që e dallojnë nga një dasmë e huaj (e një populli tjetër)…
DASMA DHE FLAMURI
Dasma shqiptare tradicionalisht është bër me flamurin kombëtar, kuqezi. Dekada më parë kur Atdheu ishte i pushtuar (siç ndodh edhe sot në shumë krahina të pushtuara të Shqipêrisë, ku është i ndaluar Flamuri shqiptar) rrugë nuk kishte, rreziqet e pritave dhe të bandave (edhe të pushtuesit) ishin të mëdha. Duhej kaluar male e kodra në këmbë ose kaluar. Kjo ishte arsyeja që duhejë të merreshin masa për mbrojtjen e Flamurit. Po t’u merrej Flamuri dasmorëve ishte poshtërim që e lante veç pushka…, prandaj i zoti i dasmës përzgjidhte tre burra që do të ecnin para Flamurit. I pari duhet të shquhejë për mençuri, i dyti duhet të ishte i pasur, të kishte para, kurse i treti duhet të ishte trim mbi trima dhe i zoti i pushkës. Po të binin dasmorët në pritë të organizuar nga ndonjë bandë ose nga forcat e pushtuesit krushku i parë do të hynte në bisedime me ta për t’i bindur të hapnin rrugēn, po qê se nuk gjente mirëkuptim do t’u propozonte para. Nëse pajtoheshin ta hapnin rrugën për një shumë parash do t’i paguante ky i dyti, i pasuri… Nëse, ata që u kishin zënë pritën dasmorëve nuk pranonin të hapnin rrugën as me para, atëherë “çështja” i kalonte të tretit, i cili do të ballafaqohejë me ata që kanë zênë pritën dhe do të drejtonte betejën për mbrojtjen e flamurit dhe mposhtjen e atyre që kishin zënë pritën…
Në kohën tonë (në pjesën e krahinave të lira…) flamuri dhe dasmorêt nuk janë të rrezikuar, prandaj Flamuri kuqezi, flamurtari duhet t’u prij krushqve. Mirëpo, po ka raste e familje kur, para Flamurit tonë kuqezi nxjerrin një hoxhë a haxhi!! Kjo përbën fyerje për ndjenjat kombëtare të dasmorëve! Askush nuk mund të matet me shenjën tonë kryesore, Flamurin… Në dasmat tona para Flamurit nuk duhet lejuar të ecë as prifti, as shehu as hoxha, askush… Shkelja e këtij “kodi” të pashkruar nga ndonjë familje duhet të kritikohet nga farefisi dhe nga dasmorët… Ka akoma ndonjë familje që krahas Flamurit tonë kombëtar vendos edhe flamurin shtetëror! Nuk e kupton që dasma është gëzim familjar e jo shtetëror dhe bëhet me Flamurin tonë kuqezi… Këto familje janë zakonisht (me ndonjë përjashtim) ato që në kohën e pushtimit jugosllav i bënin dasmat me Flamurin kuqezi dhe me flamurin shtetëror të Jugosllavisë! Besoj që do të mësohen ta bëjnë dallimin midis Flamurit tonë kombëtar dhe flamurit shtetëror (politik)…
VERË E BIRRË PËR TË GËZUAR
“Devijim” nga tradita e bukur shqiptare përbën edhe tendenca për të mos lejuar verën, birrën… për dasmorët!! Vera e birra janë pije që janë prodhuar dhe janë shërbyer që nga lashtësia nga ilirët, arbërit, shqiptarët… Këto pije prodhohen e shërbehen edhe sot gjerësisht nga shqiptarët, por ka familje që janë ndikuar nga kultura dhe tradita të huaja, të popujve tjerë. Edhe ky fenomen duhet të kritikohet dhe të mos pranohet nga shqiptarët… Dasma është gëzim i veçantë. Nuk bëhet gëzuar me ujë e me lëngje! Vera êshtë pije parajsore, pije “aristokratike”. Jo birrë e verë për t’u dehur, por verë e birrë për të gëzuar e për të bêr: GËZUAR! Gjëja më normale e më njerëzore dhe pjesë e traditës dhe e kulturës sonë…
MUZIKA “TALLAVA” DHE ZHURMA SHURDHUESE NÊ DASMAT TONA
Populli ynë ka edhe repertuar e fond të pasur me këngë e valle dasmash, që i japin shpirt e hijeshi dasmës shqiptare… Mirëpo, në anët tona po dominojnë në dasma këngë e valle të një zhargoni “tallava”, që s’kanë as një vlerë artistike, që e shëmtojnë bukurinë e dasmës shqiptare dhe dhunojnë ndjenjat artdashëse të dasmorëve. Veç kësaj, në sallën e dasmës vendosin altoparlantë me fuqi të madhe zëri, aq zë të lartë sa shëndeti i njerëzve, dasmorëve dëmtohet seriozisht. Lartësia e zhurmës (zërit) të lejuar është 40 – 50 decibel, kurse në dasmat tona zhurma është deri në dhjetë herë më e lartë!! Edhe sikur të ishte muzikë shqipe, muzikë e shpirtit nuk tolerohet dhe nuk durohet kjo shkallë e zhurmës e lëre më muzikë pa kurrë një vlerë artistike e kombëtare! I zoti i dasmës, por edhe rrethi shoqëror dhe shoqëria përgjithësisht duhet të reagojnë ndaj kësaj sjelljeje të dhunëshme që dëmton rëndë dëgjimin dhe shëndetin e njerëzve! Ky lloj “insani” nuk pyesin as për shëndetin e fëmijëve që janë në sallën e dasmës!! Kjo lloj “tallava” muzike në dasmat dhe lokalet tona po deformon edhe shijen dhe formimin shpirtëror artistik të rinisë sonë… Repertuari i këngëve “tallava” të kënduara është i njëjtë gati në secilën dasmë, si kënga “ma ke belin o për dy kollana”(!), kënga “rrushi Rahovecit”, “të ka rritur nëna”, “kallma cugaren”, etj., gjithësejt 20 – 30 këngë me tekst qesharak, të kompozuara keq dhe të interpretuara edhe më keq!! Një vulgaritet i pështirë nga “këngëtarë” që veç këngëtarë e artistë nuk janë! “Këngëtarë” që duhen paguar (po të jetë e domosdoshme) për të mos i futur në mesin e dasmorëve… Për shkak të këtyre deformimeve dasmat tona nga gëzim i dasmorëve janë kthyer në torturë për dasmorët! Vështirë që ka më njerëz që i gëzohen ftesës për të shkuar në dasmën e dikujt. Shkuarja në dasmë është bër detyrim e dënim, por jo kënaqësi e gëzim! Edhe veshja “tallava” (një pjesë edhe me lakuriqësinë e tyre fyese për dasmorët!) e një pjese të mirë të grave, vajzave e nuseve e ka dëmtuar hijeshin e dasmës shqiptare
Me shpresë që krahas parasë, njerëzit tanë do të (ri)fitojnë edhe kulturën dhe veshin e nevojshëm për muzikën e bukur shqipe… Kemi një fond ndër më të pasurit në botë të muzikës sonë dhe nuk kemi vesh ta dëgjojmë e shpirt ta përjetojmë! Kënaqemi me “tallava” e muzikë të huaj, shund muzikë, në dasma e lokale!! A s’jemi “suigeneris”?! Për këtë gjendje të mjeruar e të varfëruar shpirtërore një përgjegjësit të madhe ka shkolla jonë dhe politika që prodhon deformim e degradim të traditave të bukura, të artit, gjuhës dhe kulturës shqiptare!