Kulturë\Letërsi

Djepi, ky objekt i rëndësishëm i kulturës shqiptare

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në kuadër të projektit të titulluar “Origjina dhe artizanati”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, solli në vëmendje të publikut një prej objekteve të fondit të tij, një djep.

Djepi ka qenë një nga objektet më të rëndësishëm në kulturën shqiptare. Si shtrat i foshnjës, i cili përkundet dhe vë fëmijën në gjumë. Përdorimi i tij njihet që në lashtësi dhe në të gjitha trevat shqipfolëse.

Djepi, fotot e të cilit MKAM ndau në rrjetet sociale është dëshmi e trashëgimisë kulturore, të përcjellë ndër breza, duke trashëguar punën e dorës, e dijebërjen popullore.

Një nga traditat e hershme, një punë e shkëlqyer dhe po aq e vështirë, ka qenë ndër shekuj gdhendja e drurit.

E përhapur në të gjithë Shqipërinë, prej kohëve të lashta, me specifikat e çdo vendi, gdhendja e drurit ka zënë gjithmonë një vend tepër të rëndësishëm në jetesën e popullit tonë, duke nisur nga objektet e nevojshme, të përdorimit të përditshëm, deri tek objekte e zbukurimit.

Motive gjeometrike, floreale dhe zoomorfe, të gdhendura me mjeshtëri, do të jenë në fokusin e programit mbi trashëgiminë kulturore, traditën dhe artizanatin.

MKAM, në fondet e tij përmban shumë elementë popullorë, të cilat do të ekspozohen si një shembull i mirë, i pasurisë sonë kombëtare.