Histori

Organizata Dëshmorëve: 100-vjetori i vrasjes së Heroit të Popullit Avni Rustemi

100-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit të Popullit Avni Rustemi
Dritëhijet dhe zhvillimet në të cilat kalonte vendi, për shpirtrat atdhetarë që nuk mund të bëheshin kurrë palë e pazareve për interesat e veta dhe ato kombëtare, kishin krijuar ngadalë dhe bindshëm vatrën e një vullkani i cili fryhej e fryhej.
Rreziku për humbjen e pushtetit, çon dhe në gjetjen e rrugëve për shpëtim, edhe pse mënyra, morali dhe tradita e pastër e shqiptarisë, nuk i ka pasur si mjete të veta.
Në këtë rrjedhë të logjikës dhe virtytit antishqiptar, ndodhi dhe atentati ndaj Avni Rustemit më 20 prill 1924 në Tiranë, ku pas dy ditësh, jeta e tij do të shuhej së jetuari mbi tokë, për të kaluar në atë më sublimen, në përjetësi.
Avni Rustemi ka lindur më 22 shtator 1895 në Libohovë. Referuar portalit https://zeri.info
Ndër të tjera thuhet: “Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.
Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.
Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.
Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin.”
Në brumosjen dhe idealizmin e tij, plani i parë dhe kryesor ka qenë vetëm kombi. Ardhja e tij si nxënës në Normalen e Elbasanit, janë një tregues tjetër i dëshirës së tij për arsimimin dhe dije të gjera, të cilat ishin pjesë organike e një atdhetari të kompletuar, gjë që e tregon dhe fakti i vazhdimit të studimeve edhe në shkolla të tjera jashtë vendit.
Acarimi i brendshëm dhe revolta e përgjithshme në çdo zemër shqiptare ndaj tradhtisë së Esat Pashë Toptanit, e nxitën Avniun të shkrepte dy krisma në Paris, kundër tradhtisë së vendit që lëngonte nga skamja dhe padrejtësitë e kohës.
Atentati ndaj tij më 20 prill 1924, dhe vdekja pas dy ditës, më 22 prill 1924, rritën revoltën dhe pakënaqësinë në të gjitha shtresat atdhetare, si në atë popullore dhe në atë intelektuale.
Është tepër domethënëse jo vetëm prania e At Gjergj Fishtës në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, më 1 maj 1924, por mbi të gjitha, fjalimi i tij, ishte dhe mbetet një himn për vlerat e Avniut, dhe thirrje drejt së resë që duhej të ishte krejt ndryshe.
Referuar botimit elektronik të gazetës “Telegraf”, më 29 tetor 2023, me autor z. Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë, në artikullin me titull: “Fjalimi historik i At Gjergj Fishtës në varrimin e Avni Rustemit”, ndër të tjera citojmë: “… fjalimi i përmortshëm i At Gjergj Fishtës, në varrimin e Avni Rustemit, konsiderohet si njëri prej fjalimeve më historike të oratorisë shqiptare, ndonëse ndoshta jo më i famshmi i Fishtës. … Është ky një fjalim ku shprehet zi për momentin e rastit por edhe për historinë e Shqipërisë së pushtuar ndër shekuj, por njëkohësisht pasqyron edhe qëndresën e shqiptarëve ndër shekuj si dhe luftërat dhe përpjekjet e tyre për liri, demokraci, përparim e zhvillim, si e gjithë Europa, deri në ditët e sotme. Dhe u bën thirrje shqiptarëve që, “Shoq me shoq, kurr mos me u xanë”. … “E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymës s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, nëpër të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perëndija, por – ofshë un i mjeri! – se tepër pa mëshirë e turp shëmtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa bukë e shujtë dhe e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emën tand, dikur aq të lumnueshem… Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazën shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnisë. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipninë edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se për Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte për tjetër, veç për me i shërbye Shqipnis… Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipninë e desht me gjith fuqinë e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej vdiq, shkoj, mbaroj. … O ju male të Shqipnisë, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tue ju lanë: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî. … O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë
Shoq me shoq kurr mos me u xanë
Mos me u xanë as mos me u ngaë
Kurr ujët turbull mos me i raë
Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës së frytë me i lanun dalë.”
Lavdi të përjetshme Heroit të Popullit Avni Rustemi!
Lavdi të përjetshme, atdhetarëve që nuk u kursyen për kombin!