Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: “Shoku Enver” s’i shpëton dot të korruptuarit

Nga Viktor Malaj

“Politika është mjeti që përdorin njerëzit pa parime për të udhëhequr njerëzit pa kujtesë” – Volter

Përveç problemeve të përditëshme dhe ngushtësisë së jetesës, shqiptarët po i lodh gjithnjë e më shumë zallamahia, imoraliteti dhe paparimësia e luftës politike në Shqipëri. Mund të konkludohet me lehtësi, nëse duam të jemi të arsyeshëm dhe me integritet moral e qytetar, se populli shqiptar ndodhet sot në një situatë dhe mëdyshje delikate sa i përket qeverisjes së vendit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës. Nga njëra anë, kemi një qeverisje 11 vjeçare me shumë arritje por edhe mjaft të kalbur sa i përket përfshirjes në korrupsion dhe, nga ana tjetër, kemi një amalgamë individësh dhe forcash politike opozitare, të cilat kanë dëshmuar tej çdo dyshimi, se janë të korruptuar, të inkriminuar dhe të padenjë për të qeverisur vendin. Përkohësisht, pas shpalljes non-grata të babait politik të korrupsionit dhe krimit politik, Sali Berishës, besohej se opozita do të kthjellohej dhe, për interesin e Shqipërisë dhe të asaj vetë, do të shkelmonte berishizmin dhe, pas një katarsisi të sinqertë, do të bëhej e denjë për riqeverisje. Mirëpo, ndodhi krejt e kundërta. Shumica e saj u vu në garë për të na dëshmuar se kanë qenë dhe mbeten shpirtërisht, moralisht dhe politikisht bijtë e berishizmit dhe, si të tillë nuk meritojnë as vëmendje, as respekt dhe, aq më pak, kurrfarë besimi popullor.

                                                                                    ***

Shteti ligjor nuk ndërtohet duke përbuzur vendimet gjyqësore

Parlamenti shqiptar ka neglizhuar prej rreth një viti një vendim të Gjykatës Kushtetuese të RSH lidhur me trajtimin e ligjshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Zvarritja e të vepruarit në përputhje me këtë vendim e detyroi Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj të shprehej se “Është vërtetë një situatë e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën, në fakt, zbatimin e vetë Kushtetutës. Çdo vendim duhet të zbatohet. Nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër… Institucionet, të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duhet të sillen në mënyrë Kushtetuese”.

Ministri Bledi Çuçi nxitoi të pohonte se Parlamenti nuk e kishte neglizhuar zbatimin e atij vendimi dhe u vërdallos në disa “argumente” pa vlerë për të na bindur. Është gjë pozitive që, më në fund, këtë javë Parlamenti po i nënshtrohet ligjit dhe Kushtetutës lidhur me problemin në fjalë. E vërteta është se institucionet shtetërore, në qendër dhe ato lokale jo rrallë herë janë përpjekur t’i zvarrisin dhe “interpretojnë” vendimet gjyqësore, gjë që bije ndesh me Kushtetutën.

***

Gazment Bardhi dhe Babale 2

Kohët e fundit, politikani pa kurrfarë integriteti Gazmend Bardhi doli në publik dhe shpalli të njëjtën gënjeshtër që partia e tij e kishte lëçitur dhjetë vjet më parë, por pa sukses. Pra, ai doli dhe pohoi publikisht se në dosjen e çështjes penale “Xibraka” ndodhej edhe emri i z. Olsi Rama, vëllait të kryeministrit Rama, por, sipas tij, prokuroria e kishte fshehur. Madje, megjithëse me diplomë juristi, ai pohoi se i kishte dërguar një letër SPAK-ut, me të cilën i kërkonte nisjen e hetimeve për personin në fjalë. Edhe juristët e Plepave të viteve ’90 e dinë se organet hetimore nuk marrin rekomandime për fillimin e ndjekjeve penale nga zyrtarët në pushtet apo opozitë, por ato pranojnë kallëzime penale të shoqëruara me prova për veprimtari të mundshme kriminale.

Merreni me mend tani çfarë mjerimi institucional do të ishte sikur një njeri të tillë si Bardhi ta kishin shqiptarët në postin e Ministrit të Drejtësisë apo Kryeprokurorit! Dhe, jo vetëm kaq por, kur z. Olsi Rama njoftoi se e kishte paditur Bardhin për “kallëzim të rremë”, ndërsa i vëllai Kryeministër i hodhi poshtë me përbuzje akuzat e rreme të tij, Bardhi reagoi duke thënë se “Siç e patë Rama nuk e kundërshtoi përmbajtjen e dosjes…”. Tani lind pyetja: Ky Bardhi është torollak apo maskara xhanëm? Nëse dosja do ta përmbante emrin e O. Ramës apo do të kishte pasur prova për përfshirjen e tij në veprimtari kriminale, ai do të ishte trajtuar dhe dënuar tashmë nga gjykatat. Këtu çështja është që Bardhi pa integritet iu shet shqiptarëve për të vërtetë gjëra që nuk ndodhen në dosje por që ai dëshiron të ishin.

Gazment Bardhi duhet të shkojë në gjykatë dhe të provojë pretendimet e tij dhe, ose Rama duhet dënuar, nëse Bardhi sjell prova për pretendimet e tij, ose Bardhi duhet dënuar për shpifje, dhe jo për “kallëzim të rremë”, siç e ka paditur gabimisht Olsi Rama.

***

Shteti humanist dhe shteti komercialist

Një raport i KLSH-së tregonte se, nga kontrollet e ushtruar në sistemin mjekësor, rezultonte se Spitali Onkologjik dhe disa spitale rajonale vazhdonin “të mbanin buxhete historikë” që nuk ndryshojnë në vite, ndërsa numri i pacientëve të tyre shtohej çdo vit. Akoma më keq ishte fakti se për sëmundjet tumorale prej disa kohësh nuk punonte aparati i Brakiterapisë, ndërsa Ortovoltazhi nuk funksiononte qysh nga 2 nëntori i vitit 2022.

Këtu ka vend për çudi dhe për revoltë qytetare, pasi gjëra të tilla lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe (sidomos) me jetën e qytetarëve. Një qeverisje e përgjegjshme do të duhej të kishte dhënë alarmin dhe aparatura të tilla do të ishte dashur të riparoheshin ose zëvendësoheshin urgjentisht. Po ashtu, buxheti shtetëror për mjekësinë do të ishte dashur të vinte në rritje çdo vit. Ndërtimi i rrugëve, urave, hekurudhave apo edhe resortëve turistike ka rëndësinë e vet, por ato që i japin shtetit karakter human janë, së pari, investimet në mjekësi, arsim dhe kulturë. Një shtet që siguron shtatëmbëdhjetë firma për një tender rrugësh brenda 24 orëve por që lejon mospasjen e aparaturave jetike mjekësore për një apo disa vite mund të jetë një shtet komercialist, por kurrsesi humanist.

***

Ushtria e të korruptuarve lufton korrupsionin

A ka turp më të madh dhe fyerje më ekstreme se kur shqiptarëve iu përbetohen për të luftuar korrupsionin pikërisht ata që populli i ka larguar nga pushteti si të korruptuar dhe Perëndimi i ka damkosur si “përkrahës të korrupsionit madhor” ?! Kur figurat kryesore politike të opozitës iu premtojnë shqiptarëve luftë kundër korrupsionit, shqiptarët me sadopak kujtesë dhe integritet moral e qytetar sjellin ndërmend videon korruptive me zë e figurë të Ilir Metës duke bërë pazare me 7 përqindëshat e tenderave, sjellin ndërmend shkuarjen demonstrative të Sali Berishës në shtëpinë e zëvendësit të tij “për një gotë verë” një natë përpara se të jepej vendimi gjyqësor për korrupsion kundrejt zëvendësit të tij në qeveri (si karshillëk ndaj popullit dhe kujtesë për gjykatën). Shqiptarët kujtojnë mbylljen e çështjes penale me urdhër pushtetar kundër ministrit berishist Lulzim Basha për “humbjen” e 235 milion eurove në ndërtimin e Rrugës Milot-Morinë, sjellin ndërmend aferat CEZ-DIA, Kompleksin Sportiv “Partizani”, ARMO-n dhe qindra të tjera.

Shikoni tani tragjikomedinë që luhet përpara shqiptarëve: Sali Berisha, i damkosur si i korruptuar nga “rreziku anglo-amerikan” dhe i arrestuar në shtëpi nga gjykata për veprime korruptive në favor të familjarëve të vet, iu drejtohet shqiptarëve nga frëngjia e katit të tettë: “Miqtë e mi! Korrupsioni është mynxyrë e madhe, është rrënimtar”. Nga ana tjetër, bashkëpunëtori i tij, i shpëtuari prej tij dhe sivëllai i tij, z. Ilir Meta pohon me krenari dhe me paturpësi se “Sali Berisha është legjenda e ballkonit. Sali Berisha është i lirë sepse është në zemrat e të gjithë atyre njerëzve që kanë dinjitet… Hajde nënë Liza o burrneshë. Kjo fara e keqe e Rilindjes nuk i do nënat shqiptare… Jam 24 orë në përkrahje dhe solidaritet, kundër një akti skandaloz, të turpshëm që është ndërmarrë ndaj një politikani”. Mos o Zot të kenë të gjithë shqiptarët dinjitetin e Metës dhe çetës së tij!

Mos u fyej po deshe nga aleanca e paturpshme, e papenduar dhe e pandreqshme e shefave shqiptarë të korrupsionit që të japin leksione morale kundër korrupsionit dhe të premtojnë “Shqipërinë demokratike”, megjithëse janë damkosur ndërkombëtarisht si “minues të demokracisë”!

Shikoni me vëmendje edhe figurinat politike që vijnë rrotull tyre, bëjnë sikur largohen për “motive parimore e morale” dhe pastaj shndërrohen shpejt në dishepuj, zëdhënës dhe avokatë të të korruptuarve të mëdhenj. Duke qenë njerëz pa kurrfarë virtytesh dhe as parimesh, ata shfaqen sot e kundërta e asaj që na shiteshin dje. Gazment Bardhi na thoshte dje se: “Sali Berishës nuk ka Zot që ia heq njollën e zezë amerikane” dhe se Flamur Noka ka bërë vila 800 mijë euroshe në Lalëz me paratë e tenderave korruptivë kur ishte Ministër i Brendshëm. Tani, po kjo figurinë politike boshe dhe e padinjitetëshme vihet në rolin e avokatit të Sali Berishës, bëhet zëvendësi i tij partiak dhe, së bashku e përkrah F. Nokës bredhin nëpër Shqipëri duke u betuar për luftë kundër korrupsionit. Dhe të gjitha këto deklarime dhe qëndrime bëhen dhe mbahen në harkun e pak muajve. Hall i madh dhe turp i pashoq!

***

“Shoku Enver” s’i shpëton dot të korruptuarit

Është bërë zakon që skifterë të ndryshëm politikë, majtas e djathtas, kur duan të sugjestionojnë popullin në përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësive të tyre morale, i përmendin “shokun Enver” si për t’iu thënë: Mos na bezdisni se po ju sjellim gogolin!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, ndërsa mund të sqaronte me pak fjalë mospajtimin e tij me aktet e supozuara korruptive të vartësve të vet dhe mos dijeninë e tij për to, preferoi të na gajasë duke u shprehur: “Ku jemi këtu, në komunizëm? Kur shoku Enver iu vinte mbrapa një parti të tërë e një armatë të tërë me spiunë të gjithë zyrtarëve të shtetit, deri tek vrima e çelësit të shtëpisë së tyre?!

Dikush, më i mençur dhe më i pjekur se ai, duhet t’i tregojë z. Veliaj se “shoku Enver” ka qenë një diktator por korrupsionin nuk e luftonte duke “iu vënë mbrapa zyrtarëve armatat partiake dhe të spiunëve”, por duke vënë në punë organet e specializuara përkatëse të luftës kundër korrupsionit dhe ata që vidhnin paratë e popullit i varte në shesh dhe nuk i ngrinte në detyra shtetërore dhe as i dënonte me “shërbim prove” apo 2-3 vjet burg siç veprohet sot për megahajdutët e miliona eurove. Të korruptuarit i shpëton vetëm ndëshkimi ligjor ose mosdhënia e detyrave shtetërore dhe jo “shoku Enver” apo të vdekur të tjerë.

***

Reforma në Drejtësi dhe armiqtë e saj

Të gjithë njerëzit me mend dhe ndjekës të vëmendshëm të zhvillimeve politike e sociale të Shqipërisë e kanë të qartë si dritën e diellit se legjislacioni për Reformën në Drejtësi u miratua “unanimisht” vetëm pasi diplomacia perëndimore në Tiranë, në kundërshtim me statusin e vet, por në shërbim të shqiptarëve, i shtrëngoi dhe i kërcënoi shumicën e deputetëve të opozitës aktuale.

Qysh atëherë u pa qartë kush ishte kundër asaj Reforme dhe pse ishte kundër. Pasi u miratua legjislacioni dhe filloi veprimtaria e organeve të vetingut, drejtuesit kryesorë të opozitës nisën ta quajnë Ramaforma dhe të shprehen kundër kësaj reforme, edhe pse po bëhej nën mbikëqyrjen perëndimore. Është e sigurt se edhe shumëkush prej përfaqësuesve dhe zyrtarëve të të gjitha shkallëve të pushtetit të sotëm nuk e kanë dashur dhe as e duan atë Reformë.

Mirëpo, dallimi thelbësor midis shumicës në pushtet dhe figurave e figurinave politike të opozitës qëndron jo vetëm në faktin se legjislacioni për Reformën u përgatit dhe u miratua gjatë kësaj qeverisjeje, por sepse, përgjithësisht, “elita” politike qeverisëse i përkrah teorikisht dhe praktikisht organet e dala nga kjo Reformë.

Opozita aktuale, duke përfshirë edhe PL-në e Ilir Metën, atëherë në pushtet, e donin dhe e duan Reformën në Drejtësi me kusht që ajo të mos jetë “Ramaforma”, por “IlirSaliForma”, pra e tillë që të ruante në institucionet e drejtësisë të gjitha veglat dhe shërbëtorët e tyre, në mënyrë që këta të livadhisnin dhe të mos jepnin kurrë llogari. A i shikoni si “alarmohen”, gjëmojnë e mallkojnë faktin që Sali Berisha ndodhet në ndjekje penale dhe arrest shtëpie si i dyshuar për korrupsion dhe hiqen sikur nuk e shohin se qindra zyrtarë të shumicës qeverisëse, drejtorë në ministri, ministra, zëvendëskryeministri dhe kryetarë bashkish ndodhen të arrestuar në burg. E, megjithatë, na përrallisin përditë se organet e drejtësisë janë vegla të Kryeministrit dhe po përdoren për të goditur opozitën.

Cilën opozitë?! Për çfarë kanë bërë, në pushtet dhe opozitë, do të duhej që qindra zyrtarë të tyre të ishin sot e përherë pas kangjellave të burgjeve. Ata duan që sot të hetohen e dënohen vetëm zyrtarët aktualë, por jo ata, në mënyrë që ta mashtrojnë popullin duke i thënë: Ja cilët janë të korruptuarit, ndërsa ne jemi shpëtimtarët tuaj dhe kalorësit e luftës antikorrupsion! Në të vërtetë, megjithëse me mjaft të meta, po të ekzistonin këto organe drejtësie kur ata qeverisnin nuk do të kishte vend në burgjet shqiptare për t’i mbajtur të korruptuarit. Mirëpo, atëherë ekzistonte drejtësia e tyre, ajo drejtësi që ata betohen se do ta rikthejnë, ajo drejtësi që shpalli të pafajshëm zëvendëskryeministrin të cilin, me zë dhe figurë, e panë të gjithë shqiptarët duke planifikuar përlarjen e fondeve shtetërore.

Me gjithë të metat e panumërta që manifeston, z. Rama, jo për të parën herë, pohoi se “Goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdo qoftë në radhët e ekzekutivit në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, por si një ndihmë të paçmuar në luftën kundër korrupsionit”.

Nga ana tjetër, i korruptuari me damkë Sali Berisha, për të njëqindtën herë, pasi ka kërcënuar, shpifur e fyer gjyqtaren e GJKKO që drejton procesin kundër tij, iu hakërrye drejtuesit të SPAK-ut duke thënë se “Altin Rama, fytyra më e shëmtuar e drejtësisë së re, njeriu më i inkriminuar i saj, simbol i shëmtuar i korrupsionit, i gjobave… Afati yt ( në detyrë ) do të të kushtojë shumë dhe rëndë. Ndaj dhe Skrapi i partisë dhe larot e tij duhet të marrin përgjigjen që meritojnë”.

Nga llogorja e hipokrizisë, mashtrimit dhe frikës së ndëshkimit, Ilir Meta iu përgjigj aleancës imorale dhe antidrejtësi të “minuesit të demokracisë”, duke u shprehur: “Ramaformën do ta hedhim në koshin e plehrave të historisë bashkë me “Dvoranët” e saj të keqpërdorur”.

Nënkryetari famëkeq i Rithemelimit, Flamur Noka betohej se “SPAK-un do ta shkrijmë sapo të vijmë në pushtet”, ndërsa një spurdhjak dhe kopuk politik si K. Balliu shprehej se “Altin Dumani ka pranuar vetë si ndonjë terrorist i kuq apo bos Mafjeje se…”.

Dhe, në fund, tre fakte shumë domethënëse lidhur me drejtësinë dhe qasjen ndaj saj: Ndërsa zëvendëskryeministri i kësaj qeverisjeje (që, sipas opozitës, paska uzurpuar drejtësinë), z. Ahmetaj ndodhet nën urdhër-arrest me burg për korrupsion, ish-zëvendëskryeministri i qeverisjes Berisha (që premton sot drejtësi të pavarur), z. Ilir Meta u shpall i pafajshëm për korrupsion pasi shefi i tij i shprehu solidaritetin duke e vizituar në shtëpi një ditë përpara vendimit gjyqësor, megjithëse askush në Shqipëri nuk dyshon në aferën e tij korruptive.

Tjetra: Këta që na premtojnë shtetin ligjor dhe luftë kundër korrupsionit sapo të rikthehen në pushtet, kanë filluar t’i gradojnë politikisht si drejtues të partisë në qarqe ish-gjyqtarët e hequr nga Vetingu si të korruptuar?!

Fakti më domethënës për hipokrizinë, pafytyrësinë, por edhe mendjelehtësinë e armiqve të Reformës në Drejtësi është demonstrimi publik i përkrahjes së përditshme të Atit të tyre politik e shpirtëror, mbajtja e tij si drejtues partie dhe kandidat për kryeministër, megjithëse në arrest shtëpie për korrupsion dhe i shpallur non-grata për të njëjtën gjë, dhe, nga ana tjetër kërkesa për dorëheqje ndaj Kryeministrit apo kryetarit të bashkisë Tiranë pse dikush nga administrata e tyre po ndiqet penalisht për korrupsion (?!). O tempera, o mores!

Dhe, hajde pastaj e çuditu pse shumica dërmuese e shqiptarëve vazhdojnë t’i përbuzin dhe braktisin si njerëz plotësisht të padenjë për t’iu besuar çfarëdo  përgjegjësie.