Shqipëria/Aktualitet

Kosova propozohet për anëtare në Këshillin e Evropës; Kryetari Begaj: Arritje e merituar

Kosova drejt KiE-së, Kryetari Begaj: Arritje e merituar, dëshmi e përkushtimit të palëkundur të politikës

Kryetari Bajram Begaj e ka quajtur një arritje të merituar miratimin e propozimit që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Europës. Begaj ka vlerësuar edhe përkushtimin e faktorit politik në Kosovë.

‘Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës @coe. Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standarteve evropiane.’, tha Begaj.

Kosova propozohet për anëtare në Këshillin e Evropës


Më 27 mars, Republika e Kosovës kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku kishte aplikuar në maj të vitit 2022.

Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së të mërkurën miratoi opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Nga 36 përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që morën pjesë, 31 votuan për, 4 ishin kundër miratimit të opinionit ndërsa një përfaqësues abstenoi.

Dy përfaqësues të Serbisë votuan kundër anëtarësimit të Kosovës. Për mos miratimin e opinionit votoi kundër edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Bosnje e Hercegovinës, kurse abstenoi përfaqësuesi i Greqisë në KiE.

Kështu Kosova për të dytën herë me radhë kaloi me sukses testin për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, meqë më 24 prill të vitit të kaluar, Kosova fillimisht kishte akumuluar votat e nevojshme përmes së cilës Komiteti Ministror i KiE-së në një mbledhje të jashtëzakonshme me më shumë se 2/3 e votave kishte proceduar tutje aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare.

Nga gjithsej 46 shtete sa kishin votuar në prill të vitit të kaluar 33 shtete, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kishin votuar pro.

Derisa 12 të tjera kishin votuar kundër apo abstenuar.

Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia kishin votuar kundër, kurse Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina kishin abstenuar.

Cilat janë procedurat e mëtejme?

Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare, e cila pritet të mblidhet më 18 prill.

Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.

Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.

Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim

Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për).

Votimi i 27 marsit erdhi edhe pas një zotimi që krerët institucional të shtetit i kishin dhënë diplomates greke lidhur me opinionin e saj.

Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti ishin zotuar se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në një komunikatë për media pas votimit të opinionit të Bakkoyanis, Këshilli i Evropës kishte theksuar se Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të KiE-së ka “mirëpritur një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës”.

Komiteti i Asamblesë Parlamentare, sipas kësaj komunikate, gjatë shqyrtimit të opinionit kishte cilësuar si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Manastirit të Deçanit.

Komiteti në fjalë kishte bërë të ditur se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën që do të ndihmonte atë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Komiteti i cili votoi pro Kosovës gjatë shqyrtimit të raportit të mërkurën kishte rekomanduar që shpronësimet në Veri të Kosovës të kryhen “duke respektuar rreptësishtë ligjet” dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit.

Në pikën 39-të të opinionit, Bakoyyanis thotë se progresi drejt themelimit të Asociacionit “duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsiderimim e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Lajmi për kalimin e opinionit në Këshillin e Evropës natyrisht u prit me ovacione në Kosovë, për dallim nga Serbia e cila e quajti vendimin për rekomandimin për anëtarësimin “të turpshëm dhe skandaloz”.

Madje Serbia paralajmëroi largimin e saj nga kjo organizatë ndërkombëtare në rast se Kosova anëtarësohet në të.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venedikut, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.