Lëvizja\UÇK

Xh. Gjini: Raport i veprimtarisë së Shoqërisë LËVIZJA për Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme

RAPORT PUNE PËR DELEGATËT E MBLEDHJES SË DYTË TË PËRGJITHSHME TË SHOQËRISË “LËVIZJA”

Bashkëveprimtare dhe bashkëveprimtarë të dashur! Të nderuara anëtare dhe anëtarë aktivë të Shoqërisë LËVIZJA!

Shoqëria LËVIZJA u themelua në Institutin Albanologjik, në Prishtinë, më 1 gusht 2015. Ideja për themelimin e saj kishte lindur në vitin 2012 gjatë përgatitjeve dhe takimeve që bënim për shënimin e 30 – vjetorit të bashkimit politik të organizatave patriotike – krijimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, siç quhej në vitet e fundit të jetës së saj.

Nisma për thirrjen e Mbledhjes themeluese erdhi nga një grup shokësh, dikur anëtarë, veprimtarë e drejtues të LPK – UÇK – së. Ftesa për të ardhur dhe për t’u bërë pjesë e kësaj Mbledhjeje të një rëndësie të veçantë ishte publike për të gjithë anëtarët, simpatizantët, veprimtarët dhe drejtuesit e LPK-UÇK-së, madje edhe për të gjithë ata që në kohë, vend dhe rrethana të ndryshme (për shkaqe dhe arsye të ndryshme) kishin vepruar në organizata të ndryshme atdhetare, por për qëllime të njëjta me ato të LPK-së: çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, – Kosovës dhe viseve të saja të pushtuara. Mbledhja themeluese miratoi edhe Deklaratën e Shoqërisë, në të cilën shpalosen qëllimet e themelimit të saj dhe orientimet e Shoqërisë në pika të shkurtëra.
«Qëllimi kryesor i Shoqërisë «Lëvizja» do të jetë mbledhja, ruajtja, kultivimi, mbrojtja, promovimi dhe afirmimi i vlerave të veprimtarisë çlirimtare të LPK-së dhe veprimtarisë së fshehtë në të gjitha trojet e pushtuara si dhe kudo që ka vepruar si organizatë» -thuhet ndër të tjera në Deklaratën e miratuar.
Mbledhja themeluese zgjodhi edhe një Këshill të Përkohshëm Drejtues me një koordinator dhe zëvendëskoordinator (Adnan Asllani e Xhevat Bislimi), deri në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme.
Këshilli i Përkohshëm Drejtues ishte ngarkuar me detyrën dhe mandatin e përgatitjes së Mbledhjes së Parë të Përgjithshme. Për këtë qëllim Këshilli dhe drejtuesit e tij u angazhuan për t’i njoftuar e takuar sa më shumë anëtarë dhe bashkëveprimtarë e drejtues të LPK-së, posaçërisht dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përgjithësisht. Pas një pune këmbëngulse dhe sistematike njëvjeçare, pas shumë takimesh me individë dhe grupe bashkëmendimtarësh e bashkëveprimtarësh, Këshilli i Përkohëshëm dhe drejtuesit e tij ia dolën që ta organizonin dhe mbanin Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të Shoqërisë, më 31 korrik 2016, në Institutin Albanologjik, ku morën pjesë 150 bashkëveprimtarë nga e gjithë hapsira shqiptare dhe nga Mërgata jonë atdhetare.

Mbledhja miratoi në parim Statutin e Shoqërisë dhe zgjodhi Këshillin Drejtues me 35 anëtarë. Në Këshillin Drejtues u përfaqësuan të gjitha trojet shqiptare si dhe Mërgata nga vende të ndryshme. Pastaj, u mbajtë edhe mbledhja e parë e Këshillit Drejtues të Shoqërisë që zgjodhi Kryesinë dhe Kryetarin e Shoqërisë, Xhevat Bislimin.

Kryetari dhe Kryesia e Shoqërisë, bashkë me Komisionin, morën përsipër dhe përzgjodhën emblemën e Shoqërisë, e cila u miratua edhe nga Këshilli Drejtues. Përveç mbledhjeve, takimeve, shkrimeve e pjesëmarrjes në takime e manifestime të ndryshme, Kryetari dhe Kryesia, por edhe Keshilli Drejtues dhe degët e Shoqërisë në Shkup e Prishtinë, u angazhuan dhe përgatitën, në bashkëpunim edhe me Shoqatën e të Burgosurëve Politikë, me Institutin Albanologjik dhe me Institutin e Historisë, Simpoziumin shkencor, që ishte menduar të mbahejë çdo vit, më 17 Janar. Në këtë Simpozium u paraqitën 32 kumtesa. Shumica e tyre u lexuan. Tema bosht e Simpoziumit të parë  ishte: «Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Heronjtë e 17 Janarit».
Veprimtari tjetër për t’u veçuar është edhe vendosja e pllakave në shtëpitë që ishin baza të LËVIZJES Çlirimtare. Pllakën e parë përkujtimore dhe nderimore Shoqëria jonë e vendosi në Kollare, në shtëpinë e veprimtarit të dalluar të LPK – së, Halit Zeqiri, ku ishte mbajtur Mbledhja e rëndësishme Konsultative e LPK-së.

Pllakë është vendosur edhe në Dyz të Besianës në shtëpinë e veprimtarit të palodhshëm Nazmi Llapashtica, në shtëpinë e atdhetarit të njohur Kadri Labënishti, në bazën e LPK – së në Shtrazë të Kumanovës, në shtëpinë e legjendës së LËVIZJES, Rafi Halili, në shtëpinë e Rexhep Malës, Kadri Zekës, Nuhi Berishës, Ramadan Shalës, Xhavit Hazirit, Ramadan Avdiut, në shtëpinë e Ismet shabanit në Shkup, në truallin e Familjes Ajeti, në Besianë, në shtëpinë e Beqir Limanit, në Kërçovë, të Xhemajli Blakajt në Istog, në Gostivar, Pejë, Rahovec e shumë tjera. Shoqëria «Lëvizja» ka organizuar edhe nderimin e atdhetarëve të shquar si Ahmet Haxhiu, Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Labënishti, Kadri Halimi, Shaban Shala, Rafi Halili, Xhavit Haziri, Afrim Zhitija e Fahri Fazliu, Fadil Vata, Arif Seferi, Ukshin Hoti, Xhemajli Berisha, Ramadan Shala, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Kadri Osmani, Beqir Limani dhe të shumë figurave tjera të Lëvizjes sonë Kombëtare, etj.
Në mërgatë, Shoqëria «Lëvizja» ka dhënë një kontribut të dukshëm në organizimin e protestave për lirimin e Ramush Haradinajt, kur ai po mbahej padrejtësisht në Francë si dhe ka ndihmuar në shpërndarjen e librit «Mashtrimi i madh» të autorit Bardhyl Mahmuti, etj.

Shoqëria «Lëvizja» kishte themeluar edhe degët e saj në Prishtinë, në Shkup, në Gjermani, Zvicër, Austri e Francë. Ajo është regjistruar (zyrtarizuar) në Republikën e Kosovës, në Maqedoninë tonë dhe në Zvicër. Selia e saj është në Prishtinë. Ajo ka hapur edhe llogaritë e saj bankare në Prishtinë dhe në Zvicër. Krahas zyrtarizimit në Prishtinë, Shoqëria jonë ka fituar edhe të drejtën e botimit të librave.

Krijimi i emblemës (logos), regjistrimi pranë organeve kompetente dhe hapja e llogarive bankare kërkonin angazhim dhe merrnin kohë në fillim të veprimtarisë së Shoqërisë.

    Bashkëmendimtarë dhe bashkëmendimtare të nderuara!

Parimi i Shoqërisë LËVIZJA për bashkim të veprimtarëve, luftëtarëve dhe drejtuesve të Lëvizjes dhe Luftës sonë Çlirimtare pa dallim krahine, partie e feje është vlerë themelore, të cilës jemi munduar t’i përmbahemi gjatë gjithë veprimtarisë së këtyre viteve dhe jam i bindur se do t’i përmbahen e do ta respektojnë edhe drejtuesit e rinj, që do të dalin nga kjo Mbledhje. Jemi të ndërgjegjshëm se jetojmë në një shoqëri dhe sistem politik pluralist – shumëpartiak. Prandaj, Shoqëria LËVIZJA i ka nderuar dhe nderon Veteranët e Lëvizjes dhe të Luftës sonë Çlirimtare pavarësisht angazhimeve të tyre partiake sot.

Shoqëria LËVIZJA është bashkim i shokëve të idealeve kombëtare shqiptare. Në kushtet e sistemit shumëpartiak ajo është dhe duhet të mbetet adresa, streha dhe përfaqësuesja jonë e përbashkët në ditë të mira e të këqija.

Veprimtaria e saj gjatë këtyre viteve ka qenë krejtësisht vullnetare. Angazhimi i shokëve të zgjedhur dhe i shokëve tanë anëtarë e simpatizantë të Shoqërisë ka qenë, gjithashtu, vullnetar, secili me vullnetin dhe mundësitë, shkathtësitë dhe aftësitë e tij. Për të gjitha nismat, propozimet dhe projektet është vendosur në mbledhjet e mbajtura ose në “tryezën” virtuale të Kryesisë e të Këshillit Drejtues. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimtarisë së Shoqërisë ka qenë i rregullt edhe me Degën e Shoqërisë në Shkup, në Prishtinë e në Zvicër.

Ajo që shpeshherë na ka bërë të ndihemi në vështirësi e të zihemi ngushtë gjatë veprimtarisë sonë të përditshme ka qenë përkrahja financiare e vogël, mungesa e financave. Më shumë na ka ndihmuar Dega jonë në Zvicër dhe diçka Dega në Gjermani. Nga anëtarësia në Atdhe ka patur një shumë simbolike të hyrash. Ka patur edhe ndonjë shok, kryesisht nga Mërgata jonë që ka ndihmuar ndonjëherë. Mirëpo, financat që ka patur gjatë këtyre viteve Shoqëria nuk do të mjaftonin as për së afërmi për përballimin e veprimtarisë voluminoze dhe intensive që ka patur. Mund të them se të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga xhepi i shokëve vullnetmirë dhe të përkushtuar për organizimin dhe përmbushjen e nismave dhe projekteve të Shoqërisë. Gjej ratsin t’ju falënderoj të gjithë juve që jeni këtu dhe ata që nuk janë për kontributin e dhënë për ta mbajtur gjallë veprimtarinë e Shoqërisë. Mungesën e financave në një shkallë të madhe e kemi zgjidhur duke bashkëpunuar me shoqatat autoktone, me institutet dhe komunat – bashkitë tona. Bashkëpunimi dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira me këto institucione na ka mundësuar që veprimtaritë tona t’i mbajmë dhe zhvillojmë në objekte dhe salla të tyre, etj. Prandaj, mirënjohje dhe falënderim për përkarhjen që na kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.

   Veprimtaria shkencore dhe botuese e Shoqërisë

Shoqëria LËVIZJA, që nga themelimi i saj ka mbajtur 5 simpoziume shkencore, shumë akademi dhe tryeza shkencore e përkujtimore.

Veprimtaria e Shoqërisë ka qenë e lidhur ngushtë me Institutin Albanologjik dhe me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Shoqëria ka patur bashkëpunim të herëpashershëm edhe me Institutin e Historisë në Prishtinë e në Tiranë, me Universitetin e Prishtinës e të Tetovës, etj. Janë botuar 3 libra me emrin LËVIZJA (me kumtesa të simpoziumeve) dhe disa libra të autorëve të ndryshëm.

 Bashkëpunimi me komunat – bashkitë tona shqiptare

Bashkëpunimi i Shoqërisë sonë me komunat – bashkitë tona shqiptare ka qenë i përherëshëm dhe mjaft i frytshëm, sidomos për 40 – vjetorin e Pranverës Shqiptare ’81 dhe për 40 – vjetorin e bashkimit politik të organizatave atdhetare – krijimit të LPK – së.

Më 11 Mars 2020, me nismën e Shoqërisë LËVIZJA u organizua një takim me Shoqatën e të Burgosurve Politikë, me Organizatat e dala nga Lufta e UÇK – së, me Institutin Albanologjik, me Institutin e Shqiptarëve në Shkup, me Institutin e Historisë, me Universitetin “Hasan Prishtina”, me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës dhe me Qendrën e Studentëve për ta shënuar 39 vjetorin e Pranverës Shqiptare ’81. Shoqëria LËVIZJA, në mirëkuptim paraprak me SHBP dhe me Institutin Albanologjik, propozoi krijimin e Këshillit për shënimin e 40 vjetorit të Pranverës Shqiptare ’81. Kryetar i Këshillit u zgjodhë Hydajet Hyseni, kurse sekretar Xhevat Bislimi. Këshilli vitin 2021 e shpalli Vit të Pranverës Shqiptare ’81. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave autoktone dhe të institucioneve shkencore e universitare përgatitën edhe kërkesën për ngritjen e një monumenti para restaurantit të studentëve në Prishtinë. Kërkesa e firmosur nga të gjithë të lartëshënuarit iu dërgua komunës, kuvendit dhe kryetarit të Prishtinës.

Gjatë vitit 2021 janë organizuar dhe janë bërë veprimtari e akademi të veçanta për shënimin e këtij 40 vjetori në Shkup, Prishtinë, Tiranë, Kumanovë, Kukës, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Kaçanik, Gjilan, Pejë, Ferizaj, Tetovë, Besjanë, Gjakovë, Rahovec, Prizren, Therandë, Lypjan, Klinë, Kastriot, Viti, Dardanë, etj. I keni të shënuara dhe të ilustruara me foto të gjitha këto veprimtari kulturore e kombëtare te faqja “Kryengritja e Pranverës Shqiptare ‘81” dhe te faqet e Shoqërisë LËVIZJA në rrjetet sociale. Shumë prej tyre janë ndjekur dhe pasqyruar edhe nga mediet e shkruara dhe elektronike. Të gjitha këto veprimtari janë bërë në bashkëpunim me komunat – bashkitë tona shqiptare dhe me institutet tona shkencore. Vështirësi dhe kufizime të rënda gjatë viteve 2020 – 2021 na ishin imponuar nga pandemia e shkaktuar me virusin kovid. Por, ne, duke përçmuar rreziqet, realizuam angazhimet që kishim marrë përsipër edhe në kushte pandemie dhe kufizimesh.

                                   VITI 2022 – VIT I LËVIZJES

Të dashur anëtarë dhe veprimtarë të Shoqërisë!

Shoqëria LËVIZJA, në Mbledhjen e saj të punës (takim dy ditorë) në Banjë të Kllokotit, mori vendim, përveç tjerash, që viti 2022 të shpallet VIT i LËVIZJES. Gjatë atij Viti janë organizuar dhe janë mbajtur akademi mirënjohjeje, falënderimi dhe përkujtimi në gjithë hapësirën shqiptare, në të gjitha komunat (me përjashtim të dy – tri komunave). Nga fundi i vitit është vendosur në qendër të Prishtinës edhe fotografia e përmasave 6 m X 4 m e tre themeluesve – Heronjve të LËVIZJES dhe janë vendosur e zbuluar pllaka përkujtimore e nderimore në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Tetovë, Gostivar, Shkup, Kavajë (Golem), Besjanë, Pejë, Burim (Istog), Rahovec, Klinë, Kumanovë, etj. E gjithë kjo veprimtari është bërë në bashkëpunim edhe me SHBP, me organizatat e dala nga Lufta e UÇK – së, me komunat dhe institutet tona.

Akademi mirënjohjeje, falënderimi dhe përkujtimi janë mbajtur edhe në disa qytete të Zvicrës nga Dega e Shoqërisë. Gjatë Vitit të LËVIZJES janë dhënë edhe mirënjohje për veprimtarët dhe luftëtarët, sot Veteranë të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare, por edhe mirënjohje të veçanta për Dëshmorë e Heronj të Lëvizjes e të Atdheut.

Shoqëria LËVIZJA ka organizuar ose ka qenë bashkëorganizatore dhe ka mbajtur edhe një varg përurimesh për libra me përmbajtje dhe vlera kombëtare, si libri i Berat Luzhës dhe shumë libra tjerë.

Shoqëria jonë ka organizuar dhe shënuar me akademi edhe 50 vjetorin e themelimit të Grupit Revolucionar të Kosovës, 30 vjetorin e Konferencës së OMLK – së në Divjak, 30 vjetorin e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme, 30 vjetorin e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme dhe 30 vjetorin e Mbledhjes Konsultative të Kollarës. Janë mbajtur akademi e tryeza të posaçme edhe për personalitete si Adem Demaçi, simbol i qënresës shqiptare, Mehmet Hajrizi, Kryetar i OMLK – së, Fazli Veliu, Kryetar i LPK – së, etj.

Përveç kësaj, Shoqëria LËVIZJA ka bërë edhe hapin e parë të kallëzimit në prokurorin speciale të Kosovës, ku pesë vite më parë janë dorëzuar 12 lëndë për ndriçimin e vrasjes së veprimtarëve, luftëtarëve e drejtuesve të LPK – së dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Duhet të procedojmë edhe raste tjera.

                                          DEGËT E SHOQËRISË LËVIZJA

Shoqe dhe shokë të nderuar!

Pas themelimit të Shoqërisë ne, të gjithë, ishim përfshirë nga entuziazmi dhe dëshira për të krijuar sa më shumë degë të Shoqërisë. Kështu u krijua Dega e Shoqërisë në Prishtinë, Dega në Shkup, Dega në Zvicër, Dega në Austri, Dega në Gjermani dhe Dega në Francë. Koha tregoi se një Organizatë joqeveritare e karakterit dhe natyrës së Shoqërisë LËVIZJA organizohet dhe vepron më mirë duke qenë unike në trojet tona shqiptare, kurse jashtë Atdheut organizimi në një Degë (Dega Jashtë Atdheut), ku do të përfaqësoheshin shokët që janë në vende tjera Perëndimore… Prandaj, kjo Mbledhje mund t’i bëjë korrigjimet dhe plotësimet që kërkon koha dhe funksionaliteti më i mirë i Shoqërisë.

                     SHOQËRIA LËVIZJA DHE MEDIET – RRJETET SOCIALE

Komunikimi dhe marrëdhënia me mediet e shkruara dhe ato elektronike nuk ka qenë i lehtë. Veprimtaritë e Shoqërisë LËVIZJA fillimisht nuk ishin të preferuarat e medieve në Prishtinë e qendra tjera. Por, me kohë Shoqëria LËVIZJA u bë emër i respektuar edhe nga mediet. Kontribut më shumë kanë dhënë Kosovapress -i, TV Gurra, ndonjëherë RTK, TV 21, KTV, etj.

Puna më e madhe për prezantimin dhe informimin e publikut me veprimtaritë e Shoqërisë LËVIZJA është bërë përmes rrjeteve sociale me faqet dhe grupet në fejsbuk dhe me portalin Gazeta LËVIZJA, të themeluar para katër vitesh. Para më shumë se tri vitesh, më 28 Nëntor 2020 është themeluar dhe ka startuar edhe portali Gazeta LËVIZJA. Ju ftoj të shkruani më shumë dhe më shpesh!

Ky është një raport i shkurtër pune për ju shokë anëtarë të kësaj Mbledhjeje.

Meqenëse, e gjithë veprimtaria e Shoqërisë LËVIZJA është e publikuar në rrjetet sociale, në media e video, me shkrim e foto, nuk po zgjerohem me dhënë shpjegime për qindra takime, për mbledhjet e takimet me karakter pune që janë mbajtur në Shkup, Prishtinë, Gostivar, Stanqiç dhe jashtë Atdheut. Këtu nuk shkrova edhe për deklaratat, reagimet dhe kumtesat që Shoqëria ka hartuar dhe publikuar për opinionin publik, për mediet, për institucionet tona dhe për qendrat ndërkombëtare, sepse janë të gjitha të publikuara. Pa i përmendur këtu vizitat e shpeshta për ngushëllime, varrimet, përkujtimet, homazhet, etj., që ishin gati të përditshme.

Punën e Kryetarit, të Kryesisë dhe të degëve e keni të pasqyruar gjerësisht në materialin autentik, që kemi nxjerr dhe përgatitur nga komentet, porositë, propozimet, nismat, vrejtjet dhe komunikimi i rregulltë i Kryetarit me Kryesinë në grupin që kishim në fejsbuk, në “Tryezën” virtuale të Kryesisë, siç e quanim. Ky material ka rreth 170 faqe. Janë edhe mijëra publikime te grupi Shoqëria LËVIZJA, te faqja Shoqëria LËVIZJA dhe te Gazeta LËVIZJA.

Juve dhe Mbledhjes së Dytë të Përgjithshme i uroj mbarësi dhe ecje përpara!

Qofshi me shëndet, jetë të gjatë dhe të bashkuar në idealet e Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare sot dhe përgjithmonë!

I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për të rënët dhe për bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët që nuk jetojnë më! Në jetë të jetëve Lavdi e nderim! Rroftë populli shqiptar!

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Prishtinë, më 5 mars 2024                     Kryetari i Shoqërisë LËVIZJA