Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it
E SHTUNE
11 PRILL 1981
SHQIPTARI NUK E KA DURUAR KURRE ROBERINE
Armiqësia e serbëve është viseralet kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe, veçanërisht, kundër shqiptarëve që banojnë në tokat e veta në Jugosllavinë e ish-kralëve serbë, të kralit Tito dhe të shovinistëve të tjerë që sundojnë atje pas tij. Shqiptarët që banojnë në Jugosllavinë e krijuar nga traktatet antishqiptare të Londrës e të Versajës, kanë qenë dhe janë vazhdimisht të persekutuar, nuk kanë liri. Asnjëherë ata nuk kanë vetëvendosur për fatin e tyre, bile as edhe pas luftës Nacionalçlirimtare, pavarësisht se ç’pretendojnë titistët. Kufijtë e Jugosllavisë “së re” u vendosën në Bihaç, në mos gabohem, në mbledhjen e parë ose të dytë të AVNOJ-t dhe asnjë shqiptar nuk mori pjesë në këtë të ashtuquajtur mbledhje konstitucionale. Këta “kufij të rinj” ishin po ata të vjetrit, që i vendosi si deshi Klemansoi në Versajë. Pra, “vetëvendosja” e popujve të Jugosllavisë është një gënjeshtër, pse pas çlirimit asnjë referendum nuk u bë, askush nuk u pyet. Çdo gjë ishte vendosur veçanërisht në dëm të interesave të shqiptarëve nga pseudomarksistët titistë, që nuk ishin veçse shovinistë dhe nacionalistë të tërbuar. Bile Kosova u caktua një krahinë e thjeshtë e Serbisë dhe u quajt Kosmet. Vonë, me një amendament në kushtetutën e RSFJ, ajo u quajt “Krahinë Autonome e RS të Serbisë”. Tokat shqiptare dhe shqiptarët etnikë në Jugosllavi u bënë, me tërë kuptimin e fjalës, plaçkë tregu: një pjesë u quajt “Krahina Autonome e Kosovës”, një pjesë iu ngjit Maqedonisë, e cila ndryshe as nuk do të kishte kuptim të quhej «RS e Maqedonisë», ndaj së cilës bullgarët kanë pretendime, ku banojnë edhe turq dhe grekë të ashtuquajtur maqedonas të Egjeut dhe pjesa e tretë e tokave shqiptare iu bashkua Republikës të Malit të Zi, që pa shqiptarët nuk ka as 400 mijë veta. Kështu e ujdisën Federatën e tyre titistët jugosllavë. Stane Dolanci në një intervistë që u dha gazetarëve të huaj dhe atyre jugosllavë në Beograd në lidhje me ngjarjet në Kosovë, dënoi, si një qen i tërbuar shovinist, shqiptarët e Kosovës, sulmoi kërkesat e drejta të kosovarëve që krahina e tyre të bëhet republikë duke thënë midis të tjerave se “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë”, pse një gjë e tillë nuk është në interesin e Serbisë, se, po të shpallet ajo republikë, “shkatërrohet Federata” etj. Nuk ka vërtetim më të mirë se ky për atë që Federata Jugosllave qëndron në këmbë mbi bazën e përdorimit si “monedhë tregu” të tokave shqiptare dhe të shqiptarëve. Me fjalë të tjera copëtimi i shqiptarëve mban “në këmbë” Federatën, kurse shpallja e Kosovës republikë “plagos Serbinë”, bën inekzistuese RS të Maqedonisë dhe varfëron Malin e Zi. Sipas Dolancit, pra, Serbia e ka pushtuar Kosovën. Dolanci mendon se po të bëhet Kosova republikë, do të ngjallen dëshirat e kroatëve, me “kombësi myslimane” etj., për hegjemoni në Bosnjë dhe Hercegovinë. Prandaj, sipas tij, më mirë të këqijat le të vazhdojnë të bien mbi kurrizin e shqiptarëve. Dolanci gënjeu në këtë intervistë kur, për të fshehur të vërtetën, tha se në Kosovë u vranë 11 veta. Sipas të dhënave të tjera deri tani janë vrarë: në Prishtinë 150-200 veta, në Ferizaj 13, në Prizren 3 veta. Shumë të vrarë ka në Lipjan, Obiliq (nxënës shkolle të mesme), Podujevë etj. Të plagosur ka boll, janë mbushur spitalet. Edhe burgjet po ashtu. Masakër, gjenocid i vërtetë ndaj shqiptarëve nga policia dhe ushtria serbe. Por kjo nuk do të kalojë lehtë, siç mendojnë armiqtë jugosllavë, vrasësit e vëllezërve tanë kosovarë. Këtë problem jetik ne do ta studiojmë thellë dhe do të nxjerrim edhe pasojat. Sido që ne nuk kemi gisht në këto demonstrata, ne do t’i mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë deri në fund, në të drejtat e tyre dhe tonat të përbashkëta. Shqiptari nuk e duron robërinë, ai e di dhe e ka provuar se liria fitohet me gjak dhe me luftë. Lavdi studentëve, punëtorëve, rinisë dhe gjithë popullit shqiptar që jetojnë në trojet e veta në JugosIlavinë titiste, që i treguan grushtin e hekurt armikut. Le të dridhen titistët, “dy duart për një kokë” i kanë edhe shqiptarët. Ata kanë qenë shumë të durueshëm, shumë të sjellshëm. Ne derdhëm edhe gjakun tonë për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, kurse këta të na vënë pushkën!? Jo. Ky është kulmi i armiqësisë, i egërsisë, i shovinizmit serbo-titist.
E PREMTE
ARSYET E VERTETA TE GJENDJES DHE TE NGJARJEVE TE KOHEVE TE FUNDIT NE JUGOSLLAVINE TITISTE
Panoramë
Stane Dolanci me kombësi sllovene, ku niveli i jetesës është nga më të lartët në Jugosllavi, në intervistën që u dha gazetarëve të huaj dhe atyre jugosllavë në Beograd në lidhje me ngjarjet në Kosovë, mund të themi se nuk e përmendi fare gjendjen e rëndë ekonomike të kësaj krahine. Ai jo vetëm duhej ta kishte përmendur këtë, por edhe duhej të kishte analizuar për ç’arsye Sllovenia, Kroacia dhe Serbia kanë një nivel aq të lartë, kurse Kosova aq të ulët. A është toka e Sllovenisë, e Kroacisë ose e Serbisë më pjellore se ajo e Kosovës? Po nëntoka e Kosovës nuk është vallë më e pasur se çdo nëntokë tjetër e do republikë jugosllave? A nuk e di zoti Dolanci se çështjet ekonomike luajnë rolin vendimtar në ekzistencën e shteteve dhe të popujve? A nuk determinojnë këto çështje në politikën e mirë apo të keqe të brendshme dhe të jashtme të një vendi? Pse nuk u mor mundimi të shpjegoheshin këto probleme kapitale? Eshtë lehtë të shpjegohen këto çështje primordiale me sharje politike dhe ideologjike, se “shqiptarët u treguan kundërrevolucionarë, shovinistë, irredentistë”.
Këto të dytat nuk i shpjegojnë të parat, ndërsa të parat mund të shkaktojnë edhe të dytat. Si mundet në një vend si Jugosllavia, ku predikohet “barazia në të drejta politike dhe ekonomike”, “bashkim-vëllazërimi”, në realitet të ekzistojë diskriminimi dhe pabarazia në këto të drejta bazë? Si mundet që një republikë apo krahinë të trajtohet si “djali i nënës” dhe krahina tjetër si i “njerkës”, që të ketë një vëlla që ha me lugë të artë, kurse tjetri me një lugë të vogël prej druri? Kjo nuk tregon as “bashkim”, as “vëllazërim”. “Në të mira dhe në vështirësi të gjendemi të njëllojtë”. Kjo ishte dhe është parulla e revizionistëve jugosllavë. Por kështu nuk ngjet as në Jugosllavinë e Titos, dhe nuk ngjet as në atë pas Titos. Kujt i bie faji për këtë gjendje reale? Artikullit të “Zërit të popullit”, që shprehu mendimin e vet si gjithë shtypi botëror, i cili dënoi udhëheqjen jugosllave për represionin barbar të ushtruar kundër shqiptarëve të Kosovës?! Shqipëria socialiste dhe gazeta “Zëri i popullit”, edhe më parë se të tjerët, kanë të drejtën të thonë fjalën e tyre për vrasjet dhe torturat e egra që u bënë nga UDB-ja dhe ushtria serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe nuk është hera e parë që bëhet një gjë e tillë.
Shtypi i huaj flet për qindra të vrarë, qindra të humbur, të plagosur e të arrestuar në Kosovë. Këto i di mirë vetëm populli i Kosovës, pse gjaku i tij u derdh — pse u derdh dhe kush e bëri këtë gjëmë. Ata, pra, nuk ishin as 9, as 11 veta, por me qindra të vrarë dhe, duke u thënë gazetarëve të huaj se kjo që ngjau ishte vepër e një grushti “shovinistësh”, u mendua se u dhanë arsyet dhe u lanë duart. Por e vërteta do të çajë muret e shtetrrethimit dhe të censurës jugosllave, që është vendosur në Kosovë dhe bota do të shohë ç’masakra masive u bënë atje nga ushtria dhe policia serbe, do të shohë mashtrimet që u bënë dhe do të njohë fytyrën e vërtetë të atij “socializmi vetadministrues” me fytyrë gjoja njerëzore dhe që “po i zgjidh problemet e jashtme botërore me aq mjeshtëri akrobatike dhe ato të brendshmet me aq drejtësi dhe tejpamësi shembullore — me tanke”. Po i del kallaji kësaj gënjeshtre. Dolanci po ashtu tha se “i njohim cilët janë organizatorët. Ata janë në Shtutgart, në Bruksel dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ai tha, po ashtu, se gjoja në demonstratë ishte një numër i vogël të gënjyerish.
Kur zoti Dolanci i njihte organizatorët se ishin në Shtutgart e gjetkë nëpër Evropë, përse nuk i neutralizoi? Në rast se në demonstratë mori pjesë një numër i vogël njerëzish, atëherë pse u dërguan atje ushtria, milicia e Beogradit, tanket dhe avionët? Vallë për “një kokërr ulli prishet dasma”, ajo “dasmë”, për të cilën që tash nga të katër skutat e Jugosllavisë vërshojnë si lumi i Danubit, Savës dhe Dravës telegramet plot indinjatë e zemërim kundër “shovinistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, dhe plot himne ditirambike për “unitetin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë”? Kush e ndjell dhe e forcon armiqësinë në mes popujve të Jugosllavisë? Kjo fushatë e tërbuar që ka ngritur udhëheqja e Jugosllavisë, apo artikulli i natyrshëm, i drejtë dhe i matur i “Zërit të popullit”, që vetë Dolanci gjatë konferencës së tij të shtypit, kur një gazetar i huaj e pyeti: “A ka gisht Shqipëria”, u përgjigj: “jo” dhe shtoi se nga “Shqipëria nuk ka ardhur ndonjë protestë”. Kjo vërteton se “fajtori” priste një protestë. Por Qeveria Shqiptare nuk bëri protestë zyrtare.
A mos donte vallë udhëheqja jugosllave që shtypi shqiptar të heshtte për këtë tragjedi që ajo shkaktoi në Kosovë, kur gjithë shtypi botëror ka javë të tëra që po flet dhe dënon egërsinë e treguar? Jo, zotërinj udhëheqës jugosllavë. Jini realistë, ruani gjakftohtësinë! Ç’po bëni ju për demonstruesit dhe grevistët e “Solidarnostit” në Poloni, ku deri tash kundër tyre nuk është hedhur as edhe një pushkë nga qeveria polake? Ju po flisni, ju po shkruani. Ju paskeni vetëm të drejtë të flisni e të shkruani dhe, kur ne botuam një artikull të drejtë për problemin e madh të Kosovës, ju u hodhët përpjetë, por çfarë të hedhuri, saqë Radioja e Zagrebit arriti të kërcënojë dhe ekzistencën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë! Zagrebi harron se Shqipëria di të mbrohet edhe pa Zagrebin. Duhet ta dijë ai se Jugosllavia, qoftë dhe ajo e Titos, në asnjë kohë nuk e ka ndihmuar çlirimin e Shqipërisë. Kurse Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare e ka ndihmuar me gjak të derdhur çlirimin e popujve të Jugosllavisë dhe ne prapë do ta bëjmë këtë vepër sublime kur të rrezikohet Jugosllavia! Ne s’i kemi fjalë këto, por vepra, kurse ju flisni dokrra dhe bëni kërcënime rrugaçësh!
A harruat ju, zotërinj udhëheqës jugosllavë, si luftuat në Konferencën e Parisit për Triesten, Pulën, Fiumen etj? Të drejtë kishit. Ne nuk ju quajtëm as “shovinistë, as irredentistë”. Por kur nuk ishit të tillë, pse nuk ju shkoi ndër mend që ekzistonte një popullatë shqiptare, e treta në Jugosllavi nga madhësia, e cila duhej të bashkohej me Shqipërinë, aleaten tuaj socialiste në Luftën Nacionalçlirimtare? Ju heshtët. Pse heshtët, kur na qenkeni kaq parimorë? Ju as statusin e krahinës autonome nuk ia dhatë Kosovës deri në vitin 1968. Pse presidenti Tito nuk e realizoi atë që më tha mua në bisedimet zyrtare që patëm në vitin 1946 se “Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe do t’jua kthejmë, por jo tash, se reaksioni serbomadh nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Zoti Dolanci e shfaqi më hapur mendimin e tij “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë… pse këtë nuk e lejon Serbia”. “Po të bëhet Kosova republikë në kuadrin e Federatës’, tha Dolanci, atëherë u shkatërrua Federata”. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që viset e Shqipërisë janë bërë plaçkë tregu dhe njëkohësisht janë “kyçi i murit” që mban Federatën në këmbë. I çuditshëm mendim! Këtë nuk e themi ne, e tha Dolanci.
“Republikën e Kosovës” brenda Federatës Jugosllave, nuk e kërkuam ne, e kërkoi populli i Kosovës. Rivendikime territoriale nga ana e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk janë bërë. Nuk mund të gjesh një kërkesë të tillë në asnjë dokument, por dokumente për të mbrojtur të drejtat e vëllezërve kosovarë dhe të shqiptarëve që banojnë në tokat e veta në republikat e tjera të Jugosllavisë, të drejta që ua njeh kushtetuta dhe që u janë shkelur dhe po u shkelen, do të gjesh boll, në të kaluarën dhe në të sotmen. Dhe varet nga politika e qeverisë jugosllave ndaj shqiptarëve nëse do të ketë ose jo në të ardhmen. Jugosllavët kanë protestuar edhe për tabelat e dyqaneve, “përse nuk shkruhen në serbisht”, kur është fjala për ndonjë vend ku ekziston një minoritet i tyre! Këtë bëri tani së fundi, në mes të tjerave, zoti Gjuranoviç në Austri në lidhje me minoritetin e vogël slloven që ndodhet në Karinti. Ne nuk e akuzuam atë as si “kundërrevolucionar, as si irredentist, as si shovinist”. Si mundet populli shqiptar të mos interesohet jo për tabelat e dyqaneve në Kosovë, por për vetë gjuhën shqipe, për shkollat, liritë dhe të drejtat e tyre, si të mos interesohet ai për vrasjet në masë, për burgosjet e torturat që u bëhen shqiptarëve në Jugosllavi?
Nëpër fjalime të panumërta të udhëheqësve jugosllavë dhe të shtypit të tyre po bëhen kërcënime të hapëta kundër shqiptarëve të Jugosllavisë për të ardhmen. Mos ndiqni këtë rrugë të rrezikshme! Ju, po të doni, vazhdoni t’i merrni për keq të vërtetat tona, akuzonin, po t’u vijë për mbarë, për ndërhyrje në punët tuaja të brendshme nga ana jonë, por kjo nuk e ndryshon aspak situatën e sëmurë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Sëmundja kronike që ekziston te ju nuk vjen nga të drejtat e ligjshme që kërkojnë shqiptarët që banojnë në Jugosllavi brenda ligjeve të kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, por nga padrejtësitë dhe dobësi të tjera të thella në Federatë dhe jashtë kufijve të Krahinës Autonome të Kosovës. Ne shkruajmë jo për të ngjallur polemikën dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit, por dëshirojmë të shprehim dëshirën dhe gatishmërinë tonë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pse kjo është në interesin e të dyja palëve.
Gjatë luftës u përcaktuan nga AVNOJ kufijtë e Jugosllavisë dhe këta u riafirmuan pas lufte. Në këtë “bashkim-vëllazërim”, në këtë “Jugosllavi socialiste”, në këtë federatë të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ç’të drejta iu njohën shqiptarëve? Asnjë. Ata u copëtuan, Kosova mbeti pjesë e pandarë e Serbisë, shqiptarëve s’iu dhanë as shkolla shqipe, as të drejta as status, kurse zhvillimit ekonomik të tyre nuk iu vu fare veshi. Shqiptarët edhe pas luftës vazhduan të rronin në mjerim edhe politik, edhe ekonomik. Politika e ndjekur nga Tito-Kardeli dhe Rankoviçi (dhe faktet janë të njohura) ka qenë jo vetëm e gabuar karshi shqiptarëve, por edhe e egër e shfarosëse. Shqiptarët duruan, por nuk u përkulën dhe nuk ngritën krye, as bënë demonstrata kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Eshtë e vërtetë se popujt e Jugosllavisë bënë revolucionin. Por pas luftës revolucioni i tyre në brendinë e vet ruante grindjet dhe dasitë e vjetra, ruante të maskuara, të fshehura, si qymyri i ndezur nën hi, rivalitetet në mes serbëve, kroatëve, sllovenëve, pavarësisht se popujt atje luftuan kundër çetnikëve serbë dhe ustashëve kroatë dhe këta i mundën fizikisht. Nuk u spastrua sistematikisht ideologjia dhe fryma e tyre që do të manifestohej, siç u manifestua më vonë, në forma të ndryshme, por me përmbajtje gati të njëjtë, e mbuluar këtë herë me petkun e “socializmit”, të “bashkim-vëllazërimit” e “të drejtave të barabarta” të popujve që formonin Jugosllavinë.
Lufta heroike e popujve të Jugosllavisë s’kishte si të mos ngjallte një krenari të ligjshme, por s’mungoi që kjo të kthehej nga udhëheqja jugosllave në një megalomani dhe “shovinizëm” masiv jugosllav, për të vënë në dukje se gati vetëm ata luftuan, vetëm ata sakrifikuan, vetëm në sajë të atyre luftuan e morën shembull edhe popujt e tjerë. E gjithë kjo u transformua në një “ndjenjë superioriteti” që nuk mbante fare erën e marksizëm-leninizmit. Filloi dhe vazhdoi të degjeneronte kështu revolucioni jugosllav. Krimbi ishte brenda në “mollën e kuqe”, ai gërryente revolucionin dhe, për ta arsyetuar këtë, ia hodhën fajin Stalinit, Bashkimit Sovjetik, sistemit të tij të vërtetë leninist dhe ideologjisë që e kishte udhëhequr dhe ndërtuar këtë sistem, marksizëm-leninizmit. Politika e Tito-Kardel-Rankoviç-Gjilasit, e arriti çarjen dhe njihet se kujt ia hodhën fajin. Por as Stalini, as Bashkimi Sovjetik nuk e ngritën dorën kundër Jugosllavisë, as tanke, as ushtri dhe as pushkë hodhën kundër jugosllavëve. Titoja dhe shokët e tij u bënë nga borgjezia ndërkombëtare, heronjtë e ditës anti stalinianë dhe antisovjetikë. U dhjetëfishua megalomania e tyre dhe iu vu punës për të ndryshuar sistemin shtetëror dhe për të vërtetuar se në këtë drejtim bazë duhej të ndryshonin nga sistemi i Bashkimit Sovjetik.
U ndërtua një interpretim gjoja i ri, i përshtatshëm me situatat, i teorisë së Marksit, që të shpjegonte “sistemin e vet administrimit”, që të devijonte sistemin socialist në një sistem të kamufluar kapitalist, që të krijonte një “politikë gjeniale botërore të vendeve të paangazhuara”, dhe t’u përgatiste ligjërisht shtratin e ngrohtë kapitaleve të huaja të borgjezisë botërore dhe mënyrës së jetesës, të mendimit dhe të veprimit të saj. Të gjitha këto janë të njohura. Partia e Punës e Shqipërisë i dënoi dhe i demaskoi të gjitha këto devijime antimarksiste dhe kundërrevolucionare, për interes të popullit shqiptar, të popujve të Jugosllavisë dhe të revolucionit. Rrjedha e kësaj lufte të ashpër politiko-ideologjike në mes dy shteteve tona fqinje dy partitë tona i bëri armike. Ne shqiptarët në fillim na quajtën dhe na akuzuan me të madhe se bënim lojën e jugosllavëve, pastaj të sovjetikëve e më vonë të kinezëve. Si u demaskuan të gjitha këto nga vetë jeta dhe lufta heroike marksiste-leniniste e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e shtetit shqiptar, thanë se do të vdisnim, do të shembeshim, do t’i ndernim dorën dhe do të viheshim nën zgjedhën e kapitalizmit botëror. Asnjë nga këto s’ngjau dhe s’do të ngjasë.
Borgjezia dhe kapitalizmi botëror, revizionizmi modern dhe reformizmi nuk mund ta kuptojnë këtë fenomen shqiptar, i cili për ne është i qartë, se i qëndrojmë besnikë revolucionit proletar dhe teorisë marksiste-leniniste. Ç’situata krijoi kundërrevolucioni në Jugosllavinë e “socializmit vet administrues”? Sistemi ndryshoi dhe ky ndryshim ngjalli rivalitetet dhe hegjemonizmat e vjetër, hegjemonizmi serb, nga njëra anë, dhe ai kroato-slloven, nga ana tjetër. Janë këta të dy minuesit e socializmit në Jugosllavi e të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe jo “shovinizmi” shqiptar. Ky i fundit përdoret si cipë për të mbuluar shovinizmin serbomadh dhe atë kroato-sllovenomadh. Lufta për hegjemoni dhe për pushtet në mes këtyre dy klaneve po zhvillohet e egër. Klani kroato-slloven dominon mbi atë serb. Titoja hiqej si moderator, por ai ishte përkrahës i hegjemonizmit kroato-slloven. Grupi Rankoviç (veçanërisht vrasës i shqiptarëve) Gjilas, Nikeziç-Popoviç e Vukmanoviç, u likuiduan prej klanit Tito-Kardel-Bakariç-Dolancit. Klani i Titos rrojti në luks të madh, ai mori pjesën e luanit nga të ardhurat e Jugosllavisë dhe hëngri sa deshi nga borxhet e imperializmit amerikan dhe të shteteve të tjera kapitaliste.
Ç‘eshtë e kuptueshme se klanit serb një gjendje e tillë nuk i leverdis dhe lufton të rifitojë supremacinë e vërtetë në mos barazinë në politikë, ekonomi etj. Rreth këtyre dy klaneve rivale vërtiten republikat e tjera të varfra. Të gjitha me qëndrimet e tyre partizane, kush më shumë e kush më pak, i hedhin benzinë këtij zjarri të madh që ekziston në këtë Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë të pa stabilizuar kurrë. I vetmi faktor pozitiv dhe i paanshëm në këtë Federatë është faktori shqiptar, i cili, duke qenë ekonomikisht më i varfri, më i durueshmi dhe politikisht më i lëni pas dore në një sistem “socialist vet administrues”, brenda kushtetutës, kërkoi “statusin e republikës në kuadrin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”. Është kjo kërkesë një faktor përçarës i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë apo janë rivalitetet e mëdha serbo-kroato-sllovene? Është më se evidente se janë këto të dytat. Cilat janë arsyet që u bënë demonstratat në Kosovë ne e shfaqëm hapur mendimin dhe qëndrojmë pa u lëkundur në mendimet tona.
Në këto situata krize ndërkombëtare jo vetëm ekonomike, por edhe politike, në këto rivalitete agresive luftënxitëse në mes imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik, a kanë gisht këta të fundit në dobësimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në nxitjen e shovinizmit serbomadh dhe të atij kroato-sllovenomadh? Për ne këta janë, bile kryesorët. Në qoftë se ka ndonjë politikan të zgjuar dhe realist jugosllav këtë gjendje e sheh, por e fsheh. Pse fshihet kjo situatë e rrezikshme? Fshihet se Jugosllavia e Titos nuk është “e pavarur”, por e varur nga këto fuqi të mëdha. Teoria e Titos e vendeve “të paangazhuara” ishte boshe, ishte një falsitet. Këtë e tregoi dhe e tregon jeta. Jugosllavia nuk rron dot pa borxhe, ajo punon dhe nuk ia del dot të paguajë as vetëm përqindjet e miliarda dollarëve kredi. Po me këtë vartësi ekonomike s’ka asnjë dyshim që gërshetohen dhe interesat politikë, hegjemonistë dhe strategjikë të të dyja superfuqive. Klanet kroato-sllovene kanë mbështetjen e jashtme të një imperializmi, klani serb të një tjetri. Nëpërmjet tyre të dyja fuqitë e mëdha kërkojnë të fitojnë pozita të forta në Jugosllavi. Pasqyra e Polonisë i përngjet asaj jugosllave me karakteristikat e tyre të veçanta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës me njerëzit e tyre janë në ofensivë, veçanërisht në Evropë, gjë që na intereson më shumë në këtë problem.
Revizionizmi sovjetik dhe satelitët e tij, veçanërisht bullgarët, po ashtu janë në ofensivë. Duhen shpëtuar popujt e Jugosllavisë, popujt tanë vëllezër jugosllavë, zotërinj të revistës “NIN”, nga këta armiq të, tërbuar të hapët dhe të fshehtë të tyre. Dhe po jua përsëritim edhe një herë, për të njëqindën herë, se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe populli shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi nuk janë as armiqtë e popujve jugosllavë dhe as të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ju, zotërinj politikanë jugosllavë, po të doni mos na dëgjoni, po të doni vazhdoni të shpifni, po ne jemi të bindur se populli jugosllav do ta dëgjojë dhe do t’i arsyetojë mendimin dhe ndjenjat tona, ndjenjat vëllazërore të shqiptarëve.
E SHTUNË
18 PRILL 1981
I dhashë shokut Ramiz teza të reja, të zgjeruara, ose më mirë të them një artikull të ri, kundër revizionistëve shovinistë jugosllavë për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në Kosovë dhe për demaskimin e propagandës së tyre shpifëse kundër vendit tonë.
E MERKURE
22 PRILL 1981
KUSH E NXIT ARMIQESINE MIDIS POPUJVE TE JUGOSLLAVISE?
I dërguam gazetës “Zëri i popullit” artikullin me titull “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë”? për ta botuar në numrin e saj të nesërm. Në këtë artikull, i dyti që po botojmë brenda pak ditësh, theksojmë se nuk kemi për qëllim të ngjallim polemikën, as t’i hedhim benzinë zjarrit, por jemi të detyruar t’i japim përgjigje fushatës antishqiptare që ka shpërthyer aktualisht në Jugosllavi dhe të shprehim edhe një herë hapur mendimet tona mbi ngjarjet në Kosovë.
E DIEL
26 PRILL 1981
UDHEHEQJA JUGOSLLAVE KA HUMBUR KREJTESISHT TORUAN
Udhëheqja jugosllave është e marrosur, ka humbur krejtësisht toruan si dhe busullën e drejtimit: Kërkesat e drejta e të ligjshme të kosovarëve e tronditën aq shumë Jugosllavinë titiste, saqë menjëherë u dukën paqëndrueshmëria, kontradiktat, konfuzioni dhe rivalitetet që ekzistojnë në këtë vend të ashtuquajtur demokratik, në udhëheqjen e saj qendrore, në republikat dhe në komunat. Jugosllavia e Versajës, ajo e kralëve, Jugosllavia titiste, është një shtet artificial, me mballoma shumëngjyrëshe të qepura me pe të bardhë. Lufta nacionalçlirimtare nuk solli në këtë shtet asnjë ndryshim, vetëm që u çlirua nga pushtimi dhe Jugosllavisë iu dha një kushtetutë republikane, së cilës më vonë iu shtua emërtimi federative-popullore, e pastaj edhe socialiste. Brenda pak dekadave titizmi e ktheu Jugosllavinë në një vend kapitalist, me një përmbajtje e emërtim të ri “thelbësor” të “socializmit vet administrues”. Në këtë vend rivalitetet midis shovinizmave të ndryshëm janë të mëdha, të gjalla dhe sa vijnë e po forcohen. Rivaliteti më i madh e më gërryes, burimi kryesor i një rreziku të madh që zien, të cilin përpiqen ta mbulojnë me tym, është veçanërisht ai në mes serbëve dhe kroato-sllovenëve.
Ky rivalitet dominues serbo-kroato-slloven nxit dhe rivalitetet e tjera në Jugosllavinë prej shumë popujsh e kombësish, të unifikuara artificialisht. Titoja zëvendësoi kralin serb Karagjorgjeviç. Ashtu si ky, Titoja u mbështet te të huajt, por me një ndryshim, Karagjorgjeviçi lidhte aleanca, ndërsa Titoja u lidh me të huajt “pa aleanca”, por me zinxhirë më të rëndë politikë-ekonomikë dhe me mënyrën e jetesës. Titoja, si një monark i vogël, po, që hiqej si monark i madh, fantazoi me organizimin shtetëror, me politikën e brendshme dhe të jashtme. Nga centralizimi ai kaloi në decentralizim, nga administrimi kaloi në “vet administrim”. Parulla e tij ishte: oburra hani, oburra pasurohuni, oburra shfrytëzoni dhe rripni popullin individualisht e kolektivisht si republikë. Kështu më i madhi hëngri edhe pjesën e më të voglit. Titizmi nga parulla-fasadë “bashkim-vëllazërim”, kaloi në diferencime, në diskriminime, në mosbesim, në rivalitete ekonomike, politike midis republikave, popujve e kombeve që përbëjnë Jugosllavinë. Cili qe rezultati? Kroato-sllovenët u pasuruan më shumë se serbët, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi mbetën vëllezër të mjeruar, Kosova dhe shqiptarët mbetën në diell, kripë dhe në fund të shkallës.
Mbreti Tito sa rroi manovroi: ndihmo njërin, godit tjetrin, njërit i premtonte parajsën, tjetrit i bënte varrin e kështu me radhë. Kur ky mbret vdiq, përsëri u brohorit “rroftë mbreti”, veç kësaj radhe nuk kishte më një mbret me një kokë, por një “mbret” me shumë kokë dhe me një “mbretëri” të krimbur, të përçarë, të mbytur në borxhe dhe që rron me ekspedientel. Asnjë frymëzim, asnjë ideal nuk ka që t’i nxitë popujt e Jugosllavisë. Socializmi është fals, “bashkim-vëllazërimi” është fals, “vet administrimi” është, gjithashtu, fals, patriotizmi është kthyer në nacionalizëm e shovinizëm dhe demokracia në terrorizëm e në fashizëm, politika “mosangazhimit” është në të vërtetë politika e “angazhimit”. Ky i famshëm shtet është, pra, në një banker totale politike-ideologjike-ekonomike-morale dhe ushtarake. Dhe më e bukura nga të gjitha, mendimi më “gjenial”, më “i mprehtë”, më “i zgjuar” dhe më “origjinali” i udhëheqjes jugosllave është se këtë katastrofë “e shkaktuan” shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi, shqiptarët e Kosovës, ose një grusht organizatorësh “shovinistë-nacionalistë-irredentistë shqiptarë”.
Ky është faktori i brendshëm. Faktori i jashtëm është Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, Partia e Punës e Shqipërisë, gazeta “Zëri i popullit”, janë marrëdhëniet kulturore të Shqipërisë me Kosovën! Kështu, çdo gjë u shpjegua, u gjend “Kali i Trojës” dhe oburra ta shkatërrojmë atë, u gjend fajtori dhe oburra të luftojmë atë. Tani kori serbomadh jugosllav kundër shqiptarëve, kundër kosovarëve, kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë është aq i madh, aq i zhurmshëm saqë është bërë qesharak dhe asnjeri, me tërë kuptimin e fjalës, nuk u beson atyre që thonë jugosllavët. Po si mund të shpjegohet kjo histeri, kjo marrëzi, kjo verbëri politike e jugosllavëve? Ata e dinë se Republika Popullore Socliste e Shqipërisë nuk është për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, se Shqipëria socialiste nuk ka shfaqur kurrë pretendime territoriale, se Shqipëria socialiste është me vendosmëri të madhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, që janë agresorë të mundshëm ndaj dy vendeve tona.
Ata e dinë, gjithashtu, se shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi nuk mund të mos luftojnë krah për krah me Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, kur Jugosllavia të sulmohet. Të gjitha këto udhëheqja jugosllave i di. Ajo e di që ne nuk kemi gisht në ato që ngjanë në Kosovë, se ajo që ngjau atje ishte rezultat i zemërimit të shqiptarëve të shkaktuar nga vetë jugosllavët, ata e dinë se kërkesa e kosovarëve për republikë ishte e ligjshme. Atëherë pse kjo marrëzi? E qartë. Kontradiktat, që theksova në fillim, po ziejnë, kazani është në vlim, një “supë” plasi në Kosovë, do të pëlcasin edhe të tjerat, derisa kapaku i kazanit të hidhet në erë. Udhëheqja jugosllave do ta fshehë këtë situatë, do të fitojë kohë, po rregullohen hesapet me thikë në dhëmbë, por ndërkohë thotë: Të godasim fort shqiptarët, që të. mund të godasim më vonë edhe të tjerët. Diktatura ushtarake që po përgatitet, ka gjetur një “kokë turku”, shqiptarët. Por harrojnë titistët se kjo kokë shqiptari u ka qëndruar rrebesheve dhe kurdoherë ka fituar.