Arkiv / Ripublikim

Disa dokumente të arkivave shqiptare për pjesën e pushtuar të Shqipërisë (Kosova me vise) nga Jugosllavia (4)

Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…

   Në arkivat e shtetit tonë AMË është një mal me shkresa e dokumente që presin mendjen, vullnetin dhe dorën e studiuesve tanë për t’i hulumtuar, analizuar e publikuar. Studimi, analizimi, interpretimi dhe botimi i dokumenteve arkivore është shkencë më vete… Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve kemi patur rastin t’i shohim edhe ne në arkivin e Ministrisë së Jashtme (kryesisht të viteve 1981, 1982, 1983).

   Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)

Prof. dr. Sabit Syla 

DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.

 

 

10-

 

Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë                 Vdekje fashizmit – Liri popullit

Nr. prot. 49 Sekret                                                               Beograd, më 10/5/56

Ministrisë së Punëve të Jashtme, Degës II, Tiranë

Mbi arsimin e kulturën në Krahinën e Kosovës e Metohisë

Siç dihet, nga të 15 pakicat nacionale që sot banojnë në Jugosllavi, më i madh është minoriteti shqiptar, shumica dërmuese e të cilit banon në Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë. Në të kaluarën, këtij minoriteti, i ishte marrë e drejta e arsimit shqip; kështu që në atë kohë nuk kompensuan në një shkollë të tillë. Edhe numri i atyre që kanë ndjekur shkollat serbe ka qenë shumë i vogël. Në masë minoriteti shqiptar ishte lënë pa shkrim e këndim. Mbas mbarimit të luftës, si gjithë pakicave të tjera nacionale në Jugosllavi, edhe pakicave shqiptare iu dha e drejta të kenë shkolla në gjuhën shqipe. Në fillim u hapen disa shkolla të tilla dhe më vonë numri i tyre u shtua. Një rol të rëndësishëm këtu kanë luajtur në atë kohë arsimtarët që ishin dërguar nga Shqipëria, të cilët me punën e tyre ndihmuan në ngritjen dhe organizimin e këtyre shkollave, në përgatitjen e kuadrit të ri arsimor dhe në dhënien e mësimit me kualitet të mirë në shkollat ku ata shërbenin si arsimtarë.

Sipas të dhënave zyrtare jugosllave të publikuara në shtyp dhe me sa kemi biseduar edhe me anëtarë të Këshillit Ekzekutiv Krahinor të Kosovës e Metohisë kur kemi qenë poshtë, në përgjithësi arsimi shqip në këtë krahinë shkon mirë, me gjithë se ka një seri të metash dhe vështirësish. Në Kosovë e Metohi gjithsej ka 716 shkolla fillore, 209 tetëvjeçare, 7 gjimnaze, 16 shkolla të plota dhe 9 të mesme profesionale. Por, këto nuk janë të gjitha shkolla shqipe. Këtu përfshihen edhe shkolla që janë në gjuhën serbe, edhe pse siç dihet, në bazë të statistikave zyrtare jugosllave, të nxjerra nga regjistrimi i popullsisë së vitit 1953, nga 803[1]234 banorë që ka kjo krahinë, 532 011 janë shqiptarë, kurse pjesa tjetër që mbetet në shumicën dërmuese janë serbë e malazezë. Në gjuhën shqipe në këtë krahinë ka 604 shkolla fillore, 101 tetëvjeçare dhe 6 shkolla të mesme, kurse shkollat e tjera për të cilat folëm më lart janë në gjuhën serbe.

Numri i nxënësve në shkollat e mësipërme, sidomos në ato që janë në gjuhën serbe, është i mirë. Kështu, p.sh. sipas “Rilindjes”, datë 29 prill 1956, në fund të vitit të kaluar në këto shkolla kanë mësuar më tepër se 120 000 nxënës. Me gjithë këtë shifër të gazetës “Rilindja”, numri i fëmijëve jashtë këtyre shkollave nga radhët e minoritetit shqiptar në këtë krahinë është shumë i madh. Një gjë e tillë vjen se nuk i është kushtuar kujdes i duhur kësaj çështjeje, megjithëse ashtu si në të gjithë Jugosllavinë me ligj është i detyruar arsimi tetëvjeçar. Numrin e madh të fëmijëve jashtë shkollës nga radhët e komunitetit shqiptar e tregojnë edhe këto shifra zyrtare të publikuara në librin “Të dhëna statistikore për të gjithë Jugosllavinë, viti 1954”: në Krahinën e Kosovës dhe Metohisë deri në 9 vjeç janë analfabetë 73.7%, prej 10 deri në 14 vjeç, 42.8% dhe prej 15 deri ne 19 vjeç janë analfabetë, gjithashtu 42.8%. Sipas “Rilindjes” të mësipërme gjendja në këtë drejtim në këtë krahinë ka shkuar duke u përmirësuar. Kështu që në vitin shkollor 1955-1956 numri i nxënëseve të regjistruar në këto shkolla ka qenë më i madh se vitin e mëparshëm shkollor. Megjithëkëtë, ndryshimi nuk është shumë i madh për faktin se, me sa kemi biseduar edhe me funksionarë të Këshillit Ekzekutiv Krahinor të Kosovës e Metohisë kur kemi qenë poshtë, ka mjaft fëmijë që nuk janë regjistruar.

Në shkollat shqipe fillore, tetëvjeçare dhe të mesme, zhvillohen lëndët që zakonisht behën në këto shkolla. Përveç këtyre, dy herë në javë zhvillohet edhe mësimi i gjuhës serbe. Por, këtu është për t’u theksuar kualiteti i dobët i dhënies së mësimit, i cili në shumë shkolla të ndryshme, bëhet i përciptë, metodika e dhënies së mësimit është e dobët etj. Si rezultat i kësaj, në provimet vjetore, nxënësit paraqiten shumë të dobët; përqindja e atyre që mbeten në klasë arrin edhe 40% dobët dhe, kur e mbarojnë krejt këtë apo atë shkollë, dalin në prodhim ose punë administrative me njohuri shkollore të përcipta.

Ky kualitet i dobët mësimi e ka burimin e vet në radhë të parë në kualifikimin dhe përgatitjen e dobët të kuadrit arsimor ekzistues në këtë krahinë. Sipas shtypit që del në gjuhën shqipe, aktualisht Krahina e Kosovës dhe Metohisë ka gjithsej 3 577 arsimtarë, nga këta 279 kanë mbaruar fakultetet ose shkolla të larta pedagogjike, 172 janë në ndonjë klasë të fakultetit ose të shkollës së lartë pedagogjike, 1 341 me shkollë normale dhe 71 me maturë gjimnazi; kurse pjesa tjetër që mbetet prej 1 785 arsimtarë, që është gati gjysma mësipërme, nuk ka kualifikim të nevojshëm. Për sa iu përket këtyre të fundit, me sa kemi biseduar me ata të Këshillit Krahinor të Kosovës e Metohisë, shumica e tyre dërmuese janë të rinj dhe kanë mbaruar vetëm shkollat tetëvjeçare. Këta si arsimtarë japin mësim në shkollat fillore, bile edhe në tetëvjeçaret. Edhe ata që kanë kualifikim të plotë ose të pjesshëm dhe që folëm më lart, shumica dërmuese janë arsimtarë serbë që japin mësim në shkolla të këtij lloji në Krahinën e Kosovës e Metohisë.

Mosdalja e nxënësve në shkollat shqipe të Kosovës e Metohisë me njohuritë e duhura shkollore e ka burimin e vet edhe në mosfrekuentimin në rregull të këtyre shkollave nga të regjistruarit. Kështu që gjatë viteve shkollore bëhen mungesa të mëdha që sipas shtypit shqip dhe me sa na kanë thënë edhe vizitorë të ndryshëm të kësaj Legate nga kjo krahinë, përqindja e mungesave në shumë shkolla është 35-45% nga të gjithë të regjistruarit dhe kjo veçanërisht në femra. Për ta përmirësuar gjendjen në këtë drejtim, bëhet shumë pak për të mos thënë fare. Më tepër merren masa administrative sesa edukative dhe në shumë raste tregohet edhe mospërfillje.

Për sa iu përket ndërtesave shkollore edhe këtu situata nuk është aq e mirë. Ka mungesë lokalesh, shumë prej ndërtesave ekzistuese janë shtëpi të vjetra dhe jo higjienike. Edhe disa që janë bërë të reja, nuk mbahen pastër. Sipas shtypit që del në gjuhën shqipe, aktualisht kjo krahinë ka 712 ndërtesa shkollore, nga të cilat 654 janë shtetërore dhe 118 private. Për shkak të mungesës së lokaleve, në 962 mësonjëtore zhvillohet me dy turne, dhe në 36 të tjerat, me tre turne. Sipas po këtij shtypi, për ta përmirësuar gjendjen në këtë drejtim, sivjet janë ngritur 19 ndërtesa të reja shkollore dhe janë duke u ndërtuar edhe 94 të tjera.

Nga shtypi shqip si dhe nga biseda që patëm në muajin prill të këtij viti me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës e Metohisë, Fadil Hoxhën, del se në Kosovë e Metohi, për shkollat shqipe fillore, tetëvjeçare dhe të mesme, nuk është ndjekur dhe nuk ndiqet kursi i shtimit të numrit të tyre, por kursi për forcimin e shkollave ekzistuese. Për këtë (na tha Fadil Hoxha), disa shkolla janë mbyllur dhe se mendohet të mbyllen edhe disa të tjera. Nxënësit e shkollave të mbyllura, po sipas fjalëve të Fadil Hoxhës, bashkohen me nxënësit e shkollave të tjera ekzistuese më të afërta. Në krahasim me vitin 1954, gjatë vitit 1955, numri i shkollave fillore është pakësuar dhe është rritur diçka numri i shkollave tetëvjeçare.

Ashtu siç del edhe më sipër, në Krahinën e Kosovës e Metohisë, nuk ka asnjë shkollë të lartë, qoftë në gjuhën shqipe, qoftë në gjuhën serbe. Pranë Institutit Filozofik në Beograd, ekziston Fakulteti i Albanologjisë, i cili ka katër kurse dhe në të mësojnë rreth 40 veta, minoritet shqiptar, në radhë të parë nga Krahina Autonome e Kosovës e Metohisë. Një fakultet tjetër i albanologjisë është edhe në Shkup, i cili ka më pak studentë se sa i Beogradit.

Çdo vit, Këshilli Ekzekutiv Krahinor i Kosovës e Metohisë si dhe këshillat lokale të kësaj krahine, japin një sasi bursash për nxënësit që kanë kryer shkollat e mesme. Me që në krahinë nuk ka shkolla të larta, këta i vazhdojnë studimet e tyre nëpër institute të ndryshme të Jugosllavisë, sidomos në Beograd, Shkup e Zagreb. Sipas të dhënave zyrtare, dhënë nga Fadil Hoxha, në këto institute të larta nga kjo krahinë sot mësojnë 1 000 studentë, prej të cilëve 400 janë shqiptarë. Sipas shtypit, Këshilli Krahinor do të japë këtë vit 138 bursa për studentë nga të gjitha anët e kësaj krahine dhe këshillat popullore të rretheve, 478 bursa. Por, siç pohohet edhe nga shtypi, pjesa më e madhe e kurseve, është dhënë dhe jepet për studentë të medicinës dhe të filozofisë, se një kohë kur kjo krahinë ka shumë nevojë edhe për specialistë të degëve të tjera. Përveç kësaj, me sa na thanë edhe funksionarë të Këshillit Krahinor të Kosovës, kanë hasur me vështirësi të mëdha me shumë studentë të kësaj krahine, të cilët mbasi kanë mbarur fakultetet, nuk dëshirojnë të kthehen e shërbejnë secili në specialitetin e tij, jo vetëm në qendra të vogla të kësaj krahine, as në qendra pak a shume më të mëdha, por preferojnë dhe mbeten në qytete të mëdha të Jugosllavisë, si në: Beograd, Zagreb etj. Në këtë drejtim, mund të themi se bëhet me ta një punë e shëndoshë dhe sipas sistemit që ekziston sot në Jugosllavi, studenti që mbaron shkollën, nuk e cakton njeri në punë, por e gjen atë vetë, duke iu përgjigjur konkurseve të ndryshme që institucionet dhe ndërmarrjet botojnë në shtyp. Me sa kemi mësuar, për të mundur që studentët nga kjo krahinë pas mbarimit të studimeve të kthehen prapë në Kosovë, Këshilli Krahinor dhe ato të rretheve, para se t’u japin këtyre bursat, përfundojnë me ta kontratën, në bazë të të cilave angazhohen se mbas mbarimit të shkollës do të kthehen prapë në atë krahinë apo rreth.

Për zhdukjen e analfabetizmit në krahinën e Kosovës e Metohisë, është bërë shumë pak. Sipas anëtarit, të Këshillit Krahinor të Kosovës e Metohisë, Kolë Shirokës, që në këtë Këshill merren dhe përgjigjet për arsimin dhe kulturën në krahinë, deri në 30 vjeç janë analfabetë mbi 20%, kurse mbi 30 vjeç analfabetizmi përfshin pjesën dërmuese të tyre. Sipas të dhënave zyrtare jugosllave të publikuara në shtyp, del se në fund të vitit 1954 në të gjithë minoritetin shqiptar që banon në Jugosllavi, ka qenë analfabetë, 71% të kësaj popullsie. Sipas shtypit në gjuhën shqipe, për luftën kundër analfabetizmit në Krahinën e Kosovës e Metohisë, sot ka 203 shkolla dyvjeçare për të rritur dhe fëmijët që u ka kaluar mosha shkollore. Këto shkolla, gjatë vitit të kaluar, kanë pasur 11 496 veta. Por, po sipas shtypit, del se numri i atyre që kanë dhënë provimet nuk është i kënaqshëm. Përveç kësaj, në Krahinën e Kosovës e Metohisë, ka edhe disa kurse të tjera. Po sipas shtypit, në 38 kurse për punë dore e shtëpiake që ka kjo krahinë, gjatë gjithë vitit 1955, kanë mësuar 996 femra, kurse në 6 shkollat bujqësore dhe në kurset e kësaj natyre, janë përfshirë rreth 700 bujq.

Sipas të dhënave zyrtare jugosllave, pakicat nacionale shqiptare që banojnë në Jugosllavi, kanë 70 shoqëri kulturale-arsimore në gjuhën shqipe, duke përfshirë këtu edhe seksionet ose grupet arsimore. Nga këto, 63 janë në Krahinën e Kosovës e Metohisë. Në Prishtinë ekziston teatri profesional i krahinës. Një teatër profesionist ekziston edhe në Mitrovicë. Në të dy këto teatro është grupi i teatrit në gjuhën shqipe dhe ai në gjuhën serbe. Në qytete të tjera të kësaj krahine ka grupe teatrale diletantësh, grupe muzikore etj. Të dy teatrot profesioniste nuk japin çdo ditë shfaqje, por herë mbas herë (sigurisht që ai i Prishtinës jep më shumë se ai i Mitrovicës) dhe se më shumë aktivitete tregon grupi i teatrit në gjuhën serbe, i cili jep më tepër shfaqje se sa në gjuhën shqipe. Një grup profesionistësh i teatrit në gjuhën shqipe është edhe në teatrin e pakicave nacionale në Shkup. Në repertorin e shfaqjeve të këtyre teatrove përfshihen pjesë nga aktorë jugosllavë e të huaj, si dhe nga aktorë shqiptarë që banojnë në Jugosllavi, si drama: “Parajsa e humbur” i Myrteza Pezës, komedia “Kryet e hudes” e Kristo Berishës etj.

Në çdo qytet të krahinës së Kosovës e Metohisë ka nga një kinema, kurse në Prishtinë, përveç kinemave ekzistuese, do të ndërtohet edhe një kinema tjetër e re. Në sallat e këtyre kinemave, ashtu si dhe në të gjitha kinematë e Jugosllavisë, përveç filmave jugosllavë shfaqen, në shumicën e tyre dërmuese, filma amerikanë, anglezë, francezë etj., filma të vendeve të perëndimit, kurse filmat sovjetikë janë shumë të paktë.

Në të gjithë krahinën e Kosovës e Metohisë ka 17 biblioteka dhe 134 salla leximi, që sipas shtypit, përfshijnë 45 500 lexues. Këto biblioteka dhe salla leximi janë të pajisura me libra të ndryshme në gjuhën serbe dhe shqipe si dhe në shtypin që del në Jugosllavi dhe në atë të kësaj krahine.

Mbas mbarimit të luftës dhe deri tani, në krahinën e Kosovës e Metohisë, janë botuar një seri materialesh në gjuhën shqipe. Sipas shtypit del se deri në vitin 1950 janë botuar krejtësisht materiale politike, disa shkencorë dhe pak tekste shkollore. Me këtë punë merreshin organizatat politike dhe shoqërore, kurse pas këtij viti është krijuar në Prishtinë, Shtëpia Botuese “Mustafa Bakija”, e cila është një ndërmarrje autonome dhe merret me botimin e literaturës së ndryshme në gjuhën shqipe. Prej vitit 1950 dhe deri më sot, ndërmarrja “Mustafa Bakija”, ka botuar 359 vepra me një tirazh prej dy milionë e dyqind mijë ekzemplarësh. Nga 359 botime, 160 janë tekste shkollore për shkollat shqipe fillore, tetëvjeçare dhe të klasave të pesta dhe të gjashta gjimnaz, kurse për klasat e shtata dhe të teta të gjimnazeve, nuk është bërë asgjë për botimin e teksteve të nevojshme, nga që këto kanë një numër të vogël nxënësish dhe se shikohet më tepër ana komerciale. Deri në vitin 1954 këto tekste shkollore janë përkthyer nga serbishtja dhe në këtë vit ka filluar botimi i librit të leximit dhe të gramatikës për të gjitha klasat e shkollave tetëvjeçare, veçanërisht për shkollat shqip të kësaj krahine. Gjithashtu, është botuar edhe sintaksa për klasat e larta të shkollave tetëvjeçare. Në këtë mënyrë librat e leximit janë plotësuar edhe me artikuj nga jeta në këtë krahinë.

Në botimet e tjera të kësaj ndërmarrje, gjatë kësaj kohe, përfshihen 40 copë literaturë për fëmijë, 23 copë literaturë artistike të shkrimtarëve jugosllavë, si romani i Qosiqit “Dielli është larg”, “Biografia e Titos” etj., pastaj veprat e shkrimtarëve të huaj: Shekspiri, Shileri, Balzaku, Gorki, Shollohovi etj. Përveç veprave të Marksit, Engelsit dhe Leninit, janë botuar edhe materiale teorike të Kardelit, Collakoviqit, materiale nga kongreset e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe asaj të Serbisë si dhe fjalive të ndryshme me tema aktuale. Botimet e tjera janë literatura mbi përhapjen e njohurive shkencore, si: “Origjina e njeriut”, “Si është krijuar religjioni” etj., si dhe botime për të rinj, botime për fshatin, botime pedagogjike, sindikale etj. Siç shikohet edhe më sipër, pjesa dërmuese e botimeve janë përkthime. Kështu, nga të gjitha botimet, 270 janë vepra të autorëve jugosllavë, 42 të autorëve të huaj dhe 47 të autorëve nga radhët e minoritetit shqiptar në Jugosllavi. Nga veprat e shkruar nga autorët shqiptarë, 31 janë tekste shkollore dhe 16 literatura tjera. Me sa kemi parë dhe sa del edhe nga shtypi, botimet e përkthyera janë shumë, nga që njerëzit që janë marrë dhe merren me këto përkthime nuk janë kompetente për këtë punë, me shumë raste i përkthejnë me ngutësi dhe duke i përkthyer fjalë për fjalë. Përveç kësaj edhe shqipja nuk shkruhet pastër. Përveç gabimeve ortografike, përdoren edhe shumë fjalë ose tema të atilla që janë të huaja për gjuhën letrare shqipe. Disa elemente të rinj që shkruajnë ose përkthejnë, këto i quajnë si fjalë ose tema të reja të gjuhës shqipe, por në të vërtetë, këto, nuk janë gjë tjetër, veçse fjalë ose shprehje që e kanë origjinën në gjuhën serbo-kroate. Gazeta “Flaka e vllaznimit” përdor një gjuhë shqipe më të pastër se ajo që përdor shtypi ose literatura në Kosovë e Metohi. Për sa i përket botimeve me karakter artistik të autorëve shqiptarë në Jugosllavi, me gjithë se nuk jemi shumë kompetentë, por me sa kemi parë edhe nga shtypi, nuk paraqesin ndonjë vlerë të madhe artistike.

Me gjithë këto botime që janë bërë në gjuhën shqipe, shfrytëzimi i librit nuk është i mirë. Një gjë e tillë vjen nga që organet e pushtetit dhe organizatat kulturale dhe ato të masave, tregojnë shumë pak interesim në këtë drejtim. Mos shfrytëzimi i mirë i librit del edhe nga shtypi në gjuhën shqipe. Kështu p.sh.: gazeta “Flaka e vllaznimit” datë 20 mars 1956, duke bërë fjalë për këtë problem në Krahinën e Kosovës e Metohisë, thotë: “Flakti se në magazinat e shtëpisë botuese qëndrojnë të pa shitura botime që kapin vlerën prej afër 35 milionë dinarësh, flet qartazi se shpërndarja dhe shfrytëzimi i librit është problemi aktual. Edhe pse tekstet shkollore shiten më së tepërmi, prapa edhe këtu kemi një disproporcion të madh në mes të librave dhe nxënësve. Sa për ilustrim, le të na shërbejnë këto shifra: prej 12 mijë ekzemplarësh të algjebrës për klasën e tretë të fillores, janë shitur vetëm 8 mijë copë, e numri i nxënësve arrin në 16 mijë. Situata është shumë më e keqe te literatura tjetër, sidomos te ajo politike e mandej edhe artistike”.

Sipas “Flakës së vllaznimit” të mësipërm, gjatë vitit 1956, parashikohen të botohen në radhë të parë tekste shkollore dhe literatura për fëmijë. Në radhë të parë, janë marrë parasysh këtu veprat e shkrimtarëve jugosllavë, mandej ato të krahinës së Kosovës si dhe veprat nga Shqipëria që sot mësohen tek ne nëpër shkolla. Përveç teksteve për shkolla fillore, tetëvjeçare dhe për klasat e pesta dhe të gjashta gjimnaz, parashikohet edhe botimi i logjikës dhe i teorisë së letërsisë për nxënësit e normales.

Siç dihet, në Krahinën e Kosovës e Metohisë del gazeta “Rilindja”. Sipas fjalëve të Ali Mulës, që është gazetar në këtë krahinë, kjo gazetë del me një tirazh prej 5 000 ekzemplarësh. Është menduar që në vend të dy herëve në javë që del tani, të del e përditshme, por ka mungesa të mëdha kuadri, sidomos për korrespondentë. Për këtë edhe sot, kjo gazetë më shumë publikon korrespondenca dhe artikuj të përkthyer nga shtypi qendror jugosllav se sa korrespondenca dhe artikuj origjinalë të korrespondenteve ose bashkëpunëtorëve të kësaj gazete. Me gjithë tirazhin e saj të vogël, kjo gazetë nuk shitet e tëra. Kështu, kur ishin në këtë krahinë, vunë re nëpër dyqanet ku shiten gazeta me një numër të madh të tyre qëndronte i pa shitur megjithëse kishte dy-tre ditë që kishte dalë dhe se numri tjetër i gazetës do të dilte. Përveç “Rilindjes”, dy herë në muaj del në Shkup gazeta “Flaka e vllaznimit” dhe një herë në muaj gazeta “Zëri i rinisë”, organ i studentëve shqiptarë në Beograd.

Përveç shtypit të mësipërm, në Krahinën e Kosovës e Metohisë del në gjuhën shqipe edhe revista letrare mujore “Jeta e Re”, kurse prej muajit gusht të vitit 1955 ka filluar të dalë edhe një revistë tjetër po në gjuhën shqipe, e cila mban emrin “Përparimi”. Kjo revistë gjithashtu është e përmuajshme dhe trajton probleme të ndryshme në lëmin e çështjeve filozofike, shoqërore, pedagogjike, gjuhësore etj.

Për sa iu përket muzeve, sipas të dhënave zyrtare, në këtë krahinë ka pak të tillë. Gjatë udhëtimit që bënë në këtë krahinë në muajin prill të këtij viti, përveç të tjerëve, vizituan edhe muzeun e Krahinës së Kosovës e Metohisë në Prishtinë dhe një kishë muze që quhet Manastiri i Graçanicës, i cili ndodhet 7 km larg Prishtinës në drejtim të Lipjanit. Gjatë vizitës që i bënë muzeut të krahinës, që është ngritur në vitet e mbas luftës, pamë se ky muze është një muze i përgjithshëm, ku ekspozohen minerale të ndryshme që ka kjo krahinë, shpendët e ndryshme që banojnë në të dhe peshqit, punime të artizanatit, disa kostume nacionale të kësaj krahine, poçeria të ndryshme, monedha, pllakate, maketa kishash e manastiresh të vjetra të Kosovës, kopje tablosh të këtyre kishave ose manastireve, pllaka varresh shumë të vjetra prej guri ose mermeri, armë etj., të cilat janë grumbulluar për të treguar kulturën e kësaj krahine në të kaluarën dhe sot.

Më pas, gjatë kësaj vizite në këtë muze, këtu mund të themi se janë grumbulluar vetëm gjërat ose eksponatet që tregojnë kulturën serbe shumë shekuj më parë në këtë krahinë, kurse për kulturën shqiptare ka shumë pak. Pedagogu që na shëtiste nëpër muze dhe që na shpjegonte, duke folur për gjërat dhe eksponatet e kohërave të vjetra që ekspozohen në këtë muze përfundimisht, na tha: “Të gjitha këto tregojnë se shumë shekuj më parë qendra kryesore e Serbisë ka qenë diku këtu në Kosovë e Metohi. Edhe në pjesën e kostumeve të atëhershme nacionale të kësaj krahine, ne pamë të ekspozuara vetëm kostume nacionale serbe dhe malazeze, kurse kostume nacionale shqiptare nuk kishte”. Kur e pyetem, pedagogun na tha se për mungesë vendi i kish hequr provizorisht. Manastirin e Graçanicës e pamë si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda. Pedagogu na foli për vlerën artistike që ka godina e manastirit, na tha se këtë në shekullin e XIII, apo XIV e ka ndërtuar krajli i Serbisë, Milutin. Për vlerën e madhe artistike që kanë disa piktura të vjetra të këtij manastiri, ato kanë qenë të ekspozuara edhe në një ekspozitë që është bërë në Londër në vitin 1954. Muzetë e tjera të kësaj krahine, janë gjithashtu faltore, si tyrbja e sulltanit të Turqisë, një xhami etj.

Çështjet e trajtuara në këtë relacion tregojnë gjendjen e arsimit dhe të kulturës në Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë si dhe ç’mendohet të bëhet në të ardhmen në këto drejtime.

Është për të ardhur keq se iniciativa e palës tonë për të zhvilluar aktivitete kulturale, sportive etj., nga pala jugosllave nuk është parë mirë. Në bisedën me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës e Metohisë, Fadil Hoxhën, ai u shpreh se aktiviteti kultural, sportiv etj., është mirë që të mos bëhet me këtë krahinë, por në vende të tjera të Jugosllavisë dhe më në fund më Krahinën e Kosovës. Fadili, duke kaluar më tej, na tha që të mos u dërgojmë as revistën “Novaja Albanija” organeve ose qendrave kulturale në këtë krahinë dhe kjo pavarësisht se në vende të tjera të Jugosllavisë këto dërgohen.

Ne i kemi pasur parasysh udhëzimet e asaj Ministrie për të bërë sugjerime ose propozime të ndryshme në lidhje me aktivitetin kultural dhe arsimor në këtë krahinë për të kontribuar në marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Jugosllavisë, por, duke marrë parasysh më sipër, propozimet ose sugjerimet tona eventuale nuk do të ishin aktuale.

Për bërjen e këtij relacioni, jemi mbështetur në udhëtimin e bërë në Kosovë e Metohi gjatë muajit prill të këtij viti, në shtypin shqip që del në Jugosllavi si dhe në bisedimet me vizitorët e kësaj Legate.

Ministri, Bato Karafili

 

-11-

 

Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë                              Beograd, më 13.05.1956

Nr. prot. 47

Ministrisë së Punëve të Jashtme

Degës II                                                                                                                Tiranë

   Mbi disa sektorë të ekonomisë në Krahinën e Kosovës dhe Metohisë

Siç dihet, minoriteti shqiptar në Jugosllavi që banon në Kosovë përbënë Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë brenda në Republikën e Serbisë; kështu, pjesa tjetër e kësaj është në përbërjen e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sipas të dhënave matematikore jugosllave, Krahina e Kosovës dhe e Metohisë ka një popullsi prej 809 234 banorë, nga të cilët 532 011 janë shqiptarë, kurse të tjerët janë serbë, malazezë e kombësi të tjera të Jugosllavisë. Territori i kësaj njësie jugosllave, është 10 689 km2. Krahina e Kosovës dhe e Metohisë, si para luftës ashtu edhe pas, ka qenë dhe është një vend bujqësor. Sipas të dhënave jugosllave, kjo krahinë ka gjithsej 509 200 kilometër katrorë tokë, ose të cilët 349 700 hektarë janë tokë e punueshme, kurse pjesa tjetër është kullotë dhe moçalishte. Në të kaluarën kjo krahinë nuk ka pasur objekte industriale në përjashtim të Trepçës (minierës afër Mitrovicës) ku nxirrej plumb, zink, flori dhe argjend. Por, edhe ky objekt industrial ka qenë në duart e kapitalit anglez. Për sa i përket rrjetit rrugor në këtë krahinë, qysh para luftës ka pasur rrugë të hekurudhës që përshkojnë: Mitrovicën, Prishtinën, Ferizajn, Kaçanikun dhe Shkupin, si dhe Prishtinë-Pejë. Gjithashtu, pjesët më të madha të qyteteve kanë qenë të lidhura me rrugë automobilistike.

Në periudhën e pasluftës, i ishte dhënë rëndësi industrializimit të vendit dhe në këtë drejtim, u lidhën me Kroacinë, Sllovenin, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Për sa i përket Krahinës Autonome është bërë shumë pak, ose thënë fare, dhe kjo krahasim me vendet tjera të Jugosllavisë. Kështu që kjo krahinë është e prapambetur. Kjo pohohet edhe nga vet shtypi jugosllav. Kështu p.sh.: në librin “10 vjet në Jugosllavinë e re” , që është botuar nga fundi i vitit të kaluar, në faqen 269 thuhet: “Sanxhaku mund të shihet si rajon i prapambetur jo vetëm në Serbi por në të gjithë Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë. Mandej këtu vjen territori i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë. Sikur këtë territor ta shohim në tërësi, nuk mund ta përfitojmë një tablo krejt reale mbi gjendjen e zhvillimit të saj, pasi këtu ekziston një kombinat i madh metalurgjik në Trepçë. Por, në qoftë se këtë e ndajmë do të kemi një tablo shumë më të qartë të prapambetjes së saj”.

Në të vërtetë, kombinati i Trepçës pas shtetëzimit është zgjeruar mjaft. Një vizitë që e kemi bërë gjatë muajit prill të këtij viti, pamë se është bërë mjaft në këtë drejtim. Sipas përshkrimeve do të jenë miniera deri në vitin 1950, por këtu gjatë kësaj kohe janë bërë studime të reja, janë gjetur burime të tjera sipas së cilave parashikime ka mundësi shfrytëzimi edhe për 20 vjet të tjera. Studimet akoma vazhdojnë. Si minierat ashtu edhe kombinati që përpunon metalin, janë të mekanizuara dhe makineritë në pjesën më të madhe janë të importuara nga jashtë. Mineralet, të cilat nga miniera transportohen në kombinat me teleferik, kalojnë gjithë proceset e përpunimit dhe nxirret plumb, zink, kallaj, argjend dhe ar, të gjitha të gatshme. Në këtë kombinat, së bashku me minierat, na kanë thënë se punojnë rreth 5 000 punëtorë. Kombinati prodhon 70 000 tonelata plumb në vit. Prodhimet e kombinatit eksportohen në Amerikë, Inglitere, Francë, Bashkimin Sovjetik etj. Për sa iu përket konditave për ruajtjen e shëndetit të punëtorëve, janë krijuar kondita të mira. Ne punëtorët e kombinatit, pjesa më e madhe është nga minoriteti shqiptar, kurse personeli drejtues e teknik është serb.

Përveç minierave të Trepçës, gjatë kësaj periudhe, janë ndërtuar në këtë krahinë edhe këto objekte industriale: Janë hapur disa miniera të reja si ajo e Kishnicës, Hajvalisë dhe Novobërdës, në të cilat ashtu si edhe në minierat e Trepçës nxirret: plumb, zink etj. Gjithashtu, është hapur miniera e Goleshit, ku nxirret krom. Ndërsa, për qymyrgur është filluar shfrytëzimi në shkallë të vogël në afërsi të Fushë-Kosovës. Në këto miniera numri i punëtorëve është shumë i vogël.

Gjatë kësaj kohe në krahinën e Kosovës e Metohisë janë ndërtuar: fabrika e fijes së pambukut në Prishtinë; fabrika e vajit prej lulediellit në Ferizaj; dy depo për grumbullimin e duhanit, njëra në Gjilan dhe tjetra në Prizren; një fabrikë e vogël çimentoje në Sharr; dy punishte për përpunimin e drurit, një në Mitrovicë dhe tjetra në Pejë; si dhe disa fabrika të vogla për përpunimin e tullave në Prishtinë dhe vende të tjera të Kosovës e Metohisë. Në Prizren është edhe një fabrikë mielli. Në përgjithësi këto janë objektet industriale të kësaj krahine, përveç se folëm më lartë për minierat.

Për sa i përket fabrikës së fijeve të pambukut në Prishtinë, projekti është që në të ardhmen të bëhet kombinat tekstili, por sot për sot asgjë nuk po bëhet. Makineritë e kësaj fabrike janë të reja dhe moderne dhe të importuara, pjesa më e madhe nga Inglitera. Fabrika punon në tre turne dhe gjithsej ka 500 punëtorë. Lëndën e parë e importojnë prej Egjiptit dhe prodhimin e saj (fijen), ja u shesin fabrikave të tjera të tekstilit në Jugosllavi. Sa i përket fabrikave të vajit, kjo është ngritur me qëllim që lulja e diellit të sigurohej në krahinën e Kosovës, por deri më sot, asnjëherë nuk e ka siguruar lëndën e parë në vend dhe për këtë është marrë në rajonet e tjera të Jugosllavisë.

Si nga shtypi, ashtu edhe nga bisedimet me funksionarë jugosllavë, kemi mësuar se në Kosovë dhe Metohi, janë bërë një seri studimesh gjeologjike. Studimet e bëra në këtë drejtim, kanë gjetur rezultate. Kjo krahinë është mjaft e pasur me minerale të ndryshme, si: plumb, zink, qymyrgur, magnez, hekur, krom, nikel etj. Me sa kemi parë, qeveria jugosllave po i jep rëndësi të madhe shfrytëzimit të pasurive të nëntokës në këtë krahinë. Sipas shtypit shihet se brenda katër viteve, duke filluar qysh nga ky vit dhe deri në fund të vitit 1959, do të investohen rreth 40 miliardë dinarë.

Sipas studimeve të bëra, në Fushë-Kosovë ka rezervë të madhe qymyrguri, që pothuajse ndodhet në sipërfaqe të tokës. Shtresa rreth tre milionë tonelata qymyrguri në vit, kurse deri më sot atje kanë nxjerr rreth 600 mijë tonelata. Shifra e përgjithshme e rezervave të qymyrit në këtë vend është 600 miliardë tonelata. Gjatë kësaj kohe këtu do të ndërtohet një kombinat si dhe një furrë e madhe për tharjen e qymyrit me një kapacitet prej 600 mijë tonelata. Kështu që, qymyri do të nxirret dhe punohet në vend. Qymyri prej 2 100 kalori qe ka do të arrijë në mbi 4 000 kalori. Këtu gjithashtu do të ndërtohej termocentrali prej 100 mw, dhe do të prodhoj 500 milionë kw (kilovat), orë energji elektrike në vit. Për të gjitha këto, parashikohen të shpenzohen rreth 28 miliardë e 700 milionë dinarë, të cilat jepen me kredi nga Bashkimi Sovjetik. Funksionarë të Këshillit Krahinor të Kosovës na kanë thënë se këtu dhe në minierat e Hajvalisë dhe Kishnicës, kohëve të fundit kanë qenë edhe inxhinierë sovjetikë, të cilët i kanë parë në vend dhe kanë inkurajuar nevojën pre shfrytëzimin e tyre.

Për sa i përket minierës së Kishnicës parashikohen të bëhen investime të mëdha, pasi ka mjaft rezerva plumbi, zinku etj., po kështu edhe në minierën e Hajvalisë. Në këto miniera parashihet zgjerimi i punimeve. Kështu p.sh.: deri në fund të vitit 1958 do të investohen në minierën e Kishnicës edhe 4 miliardë dinarë dhe në këtë kohë do të fillojë prodhimin e rregullt prej 400-500 mijë tonelata minerale në vit me një vlerë bruto rreth 2 miliardë e gjysmë në vit. Nga to 300 punëtorët që sot ka kjo minierë në të ardhmen do të punojnë 1 100. Minierat e tyre do të përpunohen në kombinatin e Trepçës.

Në Mitrovicë ka filluar ngritja e dy fabrikave. Njëra do të prodhoj sulfur, e tjetra plehra artificiale. Për të dy këto fabrika si lëndë të parë do të shërbejnë mbeturinat e prodhimtarisë së rregullt të Trepçës. Fabrika e parë do të prodhojë rreth 100 mijë tonelatë sulfur në vit, prej të cilave 10-15 tonelata sulfur do të përdorën për tregti, kurse pjesa tjetër do të përdoret prej fabrikës prej superfosfatit e cila do të prodhojë 250 mijë tonelata nga ky pleh në vit. Për të dy këto fabrika do të shpenzohen rreth 4 miliardë dinarë. Kjo është gjendja industriale në krahinën e Kosovës e Metohisë dhe çfarë mendohet të bëhet në të ardhmen në këtë drejtim.

Për sa i përket transportit, në përgjithësi mund të themi se gjendja është ajo e paraluftës. Rrugë të reja të rëndësishme nuk janë hasur. Rruga e trenit që ka ekzistuar edhe më parë në këtë krahinë ka një gjatësi prej 303 km. Rrugët e transportit automobilistik nuk janë në gjendje të mirë dhe kjo për arsye se nuk mbahen mirë. Nuk ka asnjë rrugë të shtruar në asfalt ose me gurë katrorë, siç ka në vende të tjera të Jugosllavisë. Gjendja e automjeteve të transportit për mallra e pasagjerë është e dobët. Në krahinë ekzistojnë katër ndërmarrje autotransporti: “Kosmet” me qendër në Prizren, ndërmarrja “Proleter” në qendër në Gjilan, ndërmarrja “Slloga” me qendër në Pejë dhe ndërmarrja “Pashtrik” me qendër në Gjakovë, të cilat merren me komunikacionin publik. Këto ndërmarrje, sipas “Rilindjes”, datë 25.03.1956, në vitin 1955, kanë pasur rreth 27 autobusë. Automjetet nuk mbahen me rregull dhe kjo ka shpurë në mosplotësimin e nevojave të popullit. Në gazetën e më sipërme, thuhet: “Prej gjendjes së dobët teknike të automjeteve rezulton se çdo autobus ka qenë vjet jashtë qarkullimit: në “Kosmet” 213 dite ose 55.2%, “Proleteri” 167 ditë ose 46.8%, “Sloga” 109 ditë ose 26, 2%”. Për sa i përket automjeteve për transportimin e mallrave, këto ndërmarrje i kanë shumë të pakta. Për shkak të kësaj situate me sa kemi parë kur kemi qenë poshtë, praktikohet në shkallë të gjerë transporti me qerre, jo vetëm për mallra, por edhe për njerëz.

Nga bisedimet me personalitete të Këshillit Krahinor dhe sa kemi parë në shtyp, është përmirësuar gjendjen në këtë drejtim, parashikohen një varg fondesh për meremetimin e rrugëve, për blerjen e pjesëve të këmbimit dhe blerje automjete të reja. Përveç kësaj, ndërmarrjet e komunikacionit publik janë përjashtuar nga tatimet federative, me qëllim që ato t’i përdorin për përmirësimin e gjendjes së transportit.

Gjatë kësaj kohe në krahinën e Kosovës dhe Metohisë, përveç se folëm më lartë, janë ngritur edhe një seri godinash për zyre, banesa dhe hotele. Këto ndërtime më tepër janë bërë në Prishtinë, Mitrovicë dhe Pejë. Disa ndërtesa të mëdha që janë ndërtuar shërbejnë për zyra. Kështu p.sh.: në Prishtinë është ndërtuar godina e Këshillit Krahinor, godina e Këshillit të Prishtinës, postë-telegrafe, kinemaja e qytetit, është duke u ndërtuar një hotel në qendër të Prishtinës, një hotel i vogël është ndërtuar në Gërmi, afër Prishtinës dhe mbahet për nevojat e Këshillit Krahinor. Pastaj janë ndërtuar tre blloqe për banim, të cilat kanë rreth 40-50 godina dy katëshe. Gjithashtu, në Prishtinë janë ndërtuar edhe disa shtëpi të vogla private nga nëpunës e punëtorë dhe kjo duke i ndihmuar shtetit me kredi. Në Mitrovicë janë ndërtuar rreth 15 godina dykatëshe për punëtorët e nëpunësit e Trepçës. Janë ndërtuar edhe disa godina të tjera ku banojnë familjet e ushtarakëve. Në Pejë është ndërtuar një hotel turistik, një hotel tjetër është duke u ndërtuar në qendër, janë ndërtuar disa banesa për nëpunës dhe disa për zyra. Në qytetet tjera për të mos thënë fare, janë ndërtuar pak. Megjithëse në meritorin e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë është kombinati i madh i Trepçës, si dhe objektet e tjera industriale që treguam më lartë, prapë se prapë kjo krahinë është një vend bujqësor. Nga 349 700 hektarë toke të punueshme që ka kjo krahinë, sot punohet dhe mbillen drithëra, zarzavate etj. Një sipërfaqe prej 274 600 hektarë, një sipërfaqe prej 5 900 hektarë tokë janë fruta dhe 4 000 hektarë vresht, kurse 65 300 hektarë janë lënë livadhe dhe 159 000 hektarë tokë është kullotë dhe moçalishte

Në këtë krahinë, ashtu si edhe para luftës, bujqësia është e prapambetur dhe kjo për faktin se shteti në këtë drejtim nuk ka treguar interesimin e duhur.    Ashtu si në të gjithë Jugosllavinë edhe në krahinën e Kosovës e Metohisë, sundon ekonomia private në bujqësi. Në bazë të ligjeve të vendit çdo ekonomi fshatare ka të drejta të ketë një sipërfaqe toke prej jo më shumë se 10 hektarësh, kështu që në Kosovë e Metohi ekonomitë bujqësore kanë një sipërfaqe toke prej dy deri në dhjetë hektarësh, me një mesatare prej 5 hektarësh. Siç dihet, mbas luftës, ashtu si në të gjithë Jugosllavinë edhe në Kosovë, u ngritën një numër i madh kooperativash bujqësore. Mbas 1948 deri më 1951, këto kooperativa në Kosovë u prishen dhe sot nuk ka asnjë të tillë. Nga konstatimet tona në Kosovë del se, kooperativat bujqësore që ishin ngritur në atë kohë nuk kanë luajtur rolin pozitiv, por mund të themi se mbahen mend për keq. Një gjë e tillë ka ndodhur, se pas siç dihet këto kooperativa kanë patur të meta parimore në ngritjen e tyre, duke shkelur principin e vullnetarizmit, paguhej qiraja e tokës etj. Ndihma e shtetit në atë kohë ka qenë shumë e pakët.

Në pjesën më të madhe kooperativat nuk kanë siguruar as bukën për nevojat e tyre. Shteti në këtë kohë dhe sidomos më vonë, jo vetëm që nuk mori masat e nevojshme për forcimin e tyre, porse shkoi në rrugën e prishjes dhe prishja e tyre është shoqëruar me një agjitacion dhe propagandë kundër këtyre, duke e justifikuar me atë kohë se në ngritjen e tyre janë përdorur metoda të huaja, shabllon, etj. Stacionet e makinave dhe të traktorëve që ishin krijuar në atë kohë, gjithashtu u prishen, u hoq sistemi i detyrimeve në natyrë, u la e lirë shitja dhe blerja e tokave, pastaj e organeve, etj.

Në kursin e ri për zhvillimin e ekonomisë jugosllave është deklaruar se do t’i jepet rëndësi zhvillimit të bujqësisë nëpërmjet mekanizimit të bujqësisë dhe kolektivizimit. Por, si nga konstatimet tona, ashtu edhe nga bisedimet që kemi pasur me funksionarë jugosllavë, del se për kolektivizimin e bujqësisë në Jugosllavi, për të mos thënë fare, bëhet shumë pak. Në krahinën e Kosovës, ashtu siç deklaruan funksionarët e Këshillit Krahinor, në këtë drejtim sot për sot nuk bëhet gjë. Për sa i përket ndihmës së shtetit në bujqësi me makina bujqësore, farëra të zgjedhura, plehra kimike, ndihmë me teknikë bujqësore etj., është jashtëzakonisht e dobët. Nga bisedimet që kemi pasur me anëtarin e veçantë ekzekutiv të Vojvodinës, Milenko Bojaniq, del se shteti në radhë të parë do të ndihmojë fermat bujqësore shtetërore, pastaj kooperativat bujqësore ekzistuese, kurse për sa i përket bujqësisë private, shteti nuk jep asnjë ndihmë. Në Jugosllavi privati është i lirë të blejë makina bujqësore, traktorë etj., dhe t’i ketë ato pronë të tija. Në krahinën e Kosovës, ku ekziston vetëm prona private me bujqësi, jo vetëm që nuk është ndihmuar me makina bujqësore etj., por as që do të ndihmohet. Vetë fshatari privat nuk është në gjendje ekonomikisht të blejë makina bujqësore dhe në këtë mënyrë është i detyruar që tokën ta punojë me mjete primitive.

Në krahinën e Kosovës e Metohisë sot gjendet një numër i kufizuar traktorësh në duart e kooperativave të shitblerjes, të cilat mund të punojnë me qira tokat e fshatarëve. Gjithashtu, traktorë kanë edhe fermat shtetërore që në Kosovë e Metohi janë gjithsejtë 19 ferma të tilla bujqësore, nga të cilat 5 ferma kanë deri në 100 hektarë tokë, 8 prej 101 hektarë deri në 500 hektarë dhe mbi 500 hektarë toke janë 6 ferma. Fermat shtetërore janë ndërmarrje në vete dhe asnjë ndihmë nuk u japin fshatarësisë. Për sa u përket traktorëve që janë në duart e kooperativave të shitblerjes, këto përdoren më tepër për transportim mallrash sesa për punimin e tokës. Kështu p.sh.: sipas “Rilindjes” datë 5 prill 1956, kooperativa e Vitomiricës që ka dy traktorë, në vitin 1954 këta traktorë kanë punuar vetëm 12 hektarë tokë dhe në vitin 1955, 16 hektarë tokë.

Në krahinën e Kosovës dhe Metohisë kultivohet grurë, misër, luledielli, fasule dhe patate. Mbjelljet e këtyre kulturave nuk bëhen në bazë të një plani nga shteti, por secili mbjell sipas interesit të tij, duke u tërhequr nga çmimet që janë në treg. Mungesa e një plani, punimi i tokës me mjete primitive, mungesa në shumë raste e farërave të seleksionuara, mungesa e plehrave kimike, mungesa e futjes së agroteknikës në bujqësi, kanë sjellë si rezultat rendimentet në bujqësi të jenë mjaft të ulëta, bile në disa zona edhe më të ulëta se para luftës. Krahina e Kosovës vazhdimisht ka siguruar nevojat e saj me bereqet, bile edhe ka eksportuar, ndërsa gjatë tre vjetëve të fundit, ajo nuk e ka siguruar këtë, por ka marrë nga rajonet e tjera të Jugosllavisë. Kështu p.sh.: në “Rilindje” datë 05.04.1956, duke bërë fjalë për bujqësinë në Pejë, thuhet: “Krejt rrethi ka afër 51 000 hektarë toka të punueshme. Në të jetojnë e punojnë 18 000 familje bujqësore me më tepër se 137 000 anëtarë. Kjo d.m.th. se një banor i katundit i bie 0.35 hektarë tokë. Prodhimi mesatar vjetor i drithërave është 205 kg, për një banor, megjithëse 79% të sipërfaqes së punueshme mbillen drithëra. Produktiviteti kaq i ulët bën që rrethi i Pejës, megjithëse është krejtësisht bujqësor, të detyrohet me importuar për çdo vit më tepër se 9 000 tonelata drithëra, ku për një muaj të sigurojë ushqimin e popullsisë”.

Këtë vit prodhimtaria parashikohet të jetë më e dobët për faktin se mbjelljet e vjeshtës në të gjithë krahinën kanë përfshirë vetëm 20% të gjithë sipërfaqes së punueshme të tokës, kështu që, për në pranverë kanë mbetur për t’u mbjellë 80% e sipërfaqes së tokës. Për shkak të kësaj gjendjeje dhe të mungesës së fuqisë motorike dhe kafshëve, farërave etj., këtë vit mbjelljet pranverore janë shumë mbrapa. Një gjë e tillë del si nga shtypi në gjuhën shqipe, ashtu edhe nga sa kemi biseduar me anëtarët e Këshillit Krahinor të Kosovës. Ky Këshill, për ta përmirësuar diçka këtë gjendje ka kërkuar ndihmën e ushtrisë.

Për sa i përket blegtorisë në krahinën e Kosovës e Metohisë, është në gjendjen e mëparshme. Në këtë krahinë më tepër ka dele, lopë dhe sasi të vogla buajsh, kurse dhitë ashtu si në të gjithë Jugosllavinë, me ligj janë zhdukur plotësisht. Në të gjithë krahinën sipas të dhënave të kryetarit të Këshillit Krahinor, Fadil Hoxhës, ka rreth 600 000 kokë dele. Për sa i përket përmirësimit të racës, pak është bërë, bile nga pakujdesitë në këtë drejtim, shtypi në gjuhën shqipe ka folur shpesh se përqindja e bagëtive shterpa është e madhe dhe pengon shtimin e numrit të tyre. Kështu, p.sh.: “Rilindja”, datë 5 prill 1956, tregon se vetëm në rrethin e Pejës, “Sipas një analize të ekspertëve, shterpësia e deleve shkon deri në 40 % dhe e dëmton blegtorinë me më tepër se 40 milionë dinarë në vit”.

Për sa i përket gjendjes së tregut në këtë krahinë, ashtu si në të gjithë Jugosllavinë, ka mallra, si bujqësore ashtu edhe industriale. Në pjesën më të madhe këto janë prodhim jugosllav. Ndërsa, në qytetet e mëdha të Jugosllavisë gjen mallra të kualitetit të mirë. Në krahinë ashtu si edhe në disa krahina të tjera të Jugosllavisë, më tepër ka mallra të kualitetit të dobët dhe kjo për t’u përgjigjur pak a shume fuqisë blerëse të kësaj krahine.

Me sa kemi parë gjatë udhëtimeve të bëra në Jugosllavi, duke përfshirë edhe krahinën e Kosovës e Metohisë, bie në sy se midis punëtorëve e nëpunësve në qytet dhe fshatarësisë, ka ndryshime të mëdha për sa i përket veshjes së tyre dhe fuqisë blerëse në përgjithësi. Nëpunësit dhe punëtorët në qytete janë veshur më mirë dhe shihet se blejnë më tepër në treg, kurse fshatarët janë të veshur në shumë raste, keq. Kjo veçanërisht bie në sy në Kosovë. Një gjë e tillë vjen sepse nëpunësit dhe punëtorët kanë rroga bazë, përfitojnë përqindje për çdo fëmijë, në shumë raste fusin gratë në punë dhe kështu kanë të ardhura më tepër. Rroga mesatare për një nëpunës ose punëtor është 8-10 mijë dinarë në muaj; ndërsa fshatari ka më pak të ardhura sepse prodhimet bujqësore janë shumë më të lira se prodhimet industriale. Fshatari nuk ka sigurime shoqërore, ose shtesa për fëmijë. Taksat në para nuk janë të vogla. Këto kohët e fundit u rriten, më tepër sesa kanë qenë deri më sot. Aq më tepër, të ardhurat e fshatarësisë varen edhe nga i zoti i mirë ose i keq, për faktin se shteti deri më sot asgjë nuk ka bërë për kanalizime, kullime ose vaditje.

Në krahinën e Kosovës e Metohisë, prodhimet bujqësore në vitet e fundit nuk kanë qenë të mira. Këtë e thonë jo vetëm fshatarët kosovarë, por edhe njerëzit zyrtarë. Prodhimet jo të mira bujqësore vijnë jo vetëm nga konditat e këqija atmosferike, por edhe nga faktorët që folëm më lartë. Pikërisht për shkak të të ardhurave të pakta që ka fshatarësia e Kosovës në mjaft zona, shumë njerëz nga kjo krahinë detyrohen të largohen në qytete të tjera për të siguruar punë, veçanërisht gjatë stinës së dimrit. Në Beograd shihen më shumë se kudo, shqiptarë të Kosovës në punë të ndryshme, si druvarë etj. Këta janë dhe të veshur më keq se kushdo tjetër.

Këta sektorë, për të cilët u fol më lart, tregojnë gjendjen ekonomike të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, si dhe çmendohet të bëhet në të ardhmen.

Për bërjen e këtij relacioni, ne jemi mbështetur në udhëtimin e bërë në Kosovë gjatë muajit prill të këtij viti, në shtypin shqip që del në këtë krahinë dhe në bisedime me vizitorët e kësaj Legate.

Ministri, Bato Karafili

[1] Në dokument, numri 3 nuk deshifrohet mirë.

(Vazhdon)