Ç’KËRKON DINARI SERB NË REPUBLIKËN SHQIPTARE TË KOSOVËS?!
Çështje e madhe politike e diplomatike po bëhet dinari serb në Kosovën shqiptare! Janë vënë në lëvizje qendrat e vendimmarrjes botërore dhe diplomatët e tyre për t’i dhënë “zgjidhje” kësaj pune me dialog!!?
Vetëm pas miratimit të rregullores nga BQK-ja (Banka Qendërore e Kosovës) dhe afateve të saj për dinarin bota u kujtua se paska monedhë serbe në Kosovën shqiptare!!
Po bëhen 25 vite nga çlirimi dhe monedha serbe (dinari), falë politikave të mbrapshta (me shumë shpejtësi!) të pranisë ndërkombëtare dhe të institucioneve të tredhura vendore vazhdon të jetë mjet pagese dhe monedhë e njohur – legale në Republikën e Kosovës!!
Dhe, kur BQK – ja nxjerr rregullorën, e cila përveç euros nuk njeh monedhë tjetër në Kosovë dhe vendos datën 1 shkurt si ditën e fundit të dinarit serb në Republikën tonë, ngrihet në këmbë bota dhe kërkon shtyrjen e këtij afati dhe dialog me Serbinë për gjetjen e një “zgjidhjeje” – kompromisi!!
BQK – ja dhe Institucionet shtetërore nuk duhet të tërhiqen dhe nuk duhet të bëjnë as një kompromis me pavarësinë – shkëputjen e plotë të Kosovës shqiptare nga Serbia… Dinari nuk mund të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Monedha e një shteti pushtues dhe kërcënues e me pretendime territoriale nuk mund të jetë në asnjë rast monedhë legale në Republikën e Kosovës…
Kanë përgjegjësi politike, shtetërore e historike institucionet dhe krerët e tyre që e kanë toleruar dinarin serb deri tash në Kosovën tonë. Pavarësia – shkëputja e plotë nga Serbia është kompromisi dhe zgjidhja e vetme e drejtë dhe e qëndrueshme. Çdo kompromis tjetër me Serbinë do të ishte minë me sahat për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Kërcënimet permanente të Serbisë shoviniste duhet të merren seriozisht nga shteti i Kosovës dhe nga kombi shqiptar. Këto kërcënime po merren seriozisht edhe nga miqtë tanë, edhe nga NATO… Institucionet shtetërore të Kosovës duhet të jenë më të përkushtuara dhe më të angazhuara për përgatitjen morale, politike dhe luftarake të popullit (siç po bëjnë shumë shtete në botë)…
Kosova është vonuar shumë në ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse. Aftësimi dhe fuqizimi i mbrojtjes do të ishte ndihmesë e madhe edhe për miqtë tanë dhe kontribut i çmueshëm për paqen dhe sigurinë në rajon.
Nuk mund t’u falet institucioneve të Kosovës fakti që akoma nuk kanë organizuar, ndërtuar dhe strukturuar mbrojtjen civile të vendit!! Asnjëri nga qytetarët e Republikës së Kosovës nuk di si të sillet e si të veprojë në rast të një fatkeqësie natyrore ose në ras lufte!! Kjo është e pafalshme. Nuk ka çështje më vitale për një vend e popull se mbrojtja e tij. Vendin që nuk mund ta mbrosh në çdo situatë nuk quhet se është i yti! Vetëm një vend i mbrojtur mund të konsiderohet i sigurtë për të jetuar, për të punuar, për të krijuar familje, për të ndërtuar shtëpi, për t’u zhvilluar, për të bërë shkencë, art, kulturë, politikë,etj.
add a comment