Zotit NIKOLA GIJU,
Kryetari Gjykatës Speciale etnike për Kosovën në Hagë.
Zotit NIKOLA GIJU (Nicolas Guillou),
Unë që po ju shkruaj këtë letër kam qenë Zëvendës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtre të Kosovës gjatë periudhës mars–qershor 1999, njëkohësisht dhe oficeri që mbajta bashkëveprimin midis Ushrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Aviacionit të NATO-s për rreth 10.000 operacione ajrore brenda 78 ditëve, nga 36.000 opercione gjithsej, që kreu NATO-ja gjatë asaj lufte.
Zoti NIKOLA GIJU, jua shkruaj këtë letër nisur nga fakti se Gjykata Speciale në Hagë për Kosovën, e ngritur më 3 Gusht 2015 nga Parlameni i Kosovës, bie ndesh me nenin 6 të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit (1791), në të cilin theksohet: “Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, por që faktikisht Prokuroria e saj është e “anshme”. Duke qenë se Prokuroria e kësaj Gjykate është e anshme, sikundër ishte i njëanshëm edhe Parlamenti i Kosovës që e miratoi këtë lloj gjykimi, mendoj se do ta ketë të vështirë që Gjykata Speciale të mund të dalë në përfundime të vërteta objektive dhe të ftohta pa vënë në peshoren e drejtësisë krahas “krimeve” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe krimet e Ushtrisë dhe Policisë Serbe.
Me sa dimë edhe, “pikërisht inkuzicioni funksiononte me parimin e padëgjuar (për ato kohëra) të barazisë për të gjithë përpara gjykatës së shenjtë”[1]), sikundër na e bën të njohur historiani i inkuizicionit Rino Camileri. Dhe kjo anshmëri ndodh ndërkohë që parimet demokratike në shekullin XXI kanë çuar në ndryshime shumë më të mëdha se para tre a më shumë shekujve.
Përmes kësaj letre synoj: t’ju jap një pasqyrë të shkurtër të historisë së luftës njëqindvjeçare midis Kosovës dhe Serbisë gjatë shekullit XIX dhe XX, karakterin dhe zhvillimin e asaj lufte njëqindvjeçare; veprimtarinë dhe rëndësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, historia e së cilës edhe pse nuk ka filluar të shkruhet siç duhet, përsëri njihet botërisht; dhe disa pikëpamje të mia mbi figurat politike dhe ushtarake të Kosovës dhe të UÇK-së.
Edhe unë, si shumica e kuadrove komanduese dhe e luftëtarëve të UÇK-së jam i indinjuar për akuzën ndaj Ushtrinë Clirimtare të Kosovës si “ushtri kriminale”, e theksuar kjo në Pikën 35 të akt-akuzës, se kjo Gjykatë do të ketë të drejtën të gjykojë jo thjesht veç disa anëtarë të UÇK-së, por “udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ministra dhe zëvendësministra të QPK-së, komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave, komandantë të brigadave dhe njësiteve, komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së, ushtarë të tjerë të UÇK-së”, mbi bazën e së cilës ajo Prokurori ka dalë në përfundimin, se UÇK-ja ka qenë një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”! Ky lloj togëfjalëshi të përkujton në imagjinatën masmediale skena torturash kolektive sadiste, por pak të qarta. Njëkohësishtë ky përcaktim të len të kuptosh se kemi të bëjmë më shumë me një prokurori politike sesa juridike. Të thuhet nga një Prokurori serioze si kjo e kësaj Gjykate, se kemi të bëjmë me një “ushtri të tërë kriminale” mbart një barrë të rëndë të tipit akuzues, i cili duket sikur merr parasysh krime masive nga një ushtri e tërë gjoja çlirimtare.
Që kemi të bëjmë me një Prokurori të njëanshme etnike na bind edhe dokumenti i ish-Prokurorit të kësaj Gjykate Speciale, profesori amerikan i së drejtës ndërkombëtare, Paul R. Uilliams, i cili, në dokumentin që i ka dorëzuar Kongresit Amerikan, më 30 prill të vitit 2019, midis të tjerave thekson, “se është me rëndësi që komuniteti ndërkombëtar të mos lejohet ta shtrembërojë juridiksionin e Gjykatës Speciale, pasi ajo gjykatë nuk duhej që të kufizohej në ndjekje penale të anëtarëve të një grupi të caktuar etnik dhe ta vendosë ngushtë fokusin në një klasë të shqiptarëve dhe në UÇK”. Sipas tij, kjo do të ishte kundër parimeve themelore të së drejtës dhe drejtësisë së barabartë[2]). Prandaj gjykoj se është momenti i luftës kundër të ashtuquajturit “terrorizëm i UÇK-së”; momenti i të zbriturit në fushë, në emër të së vërtetës, por me armë ndershmërie që janë më efikase se “ndërmarrja e përbashkët e shpifjeve” të Serbisë me aleatët e saj shqiptarë.
Por, nga ana tjetër, përshëndes me gëzim që Kryetar i Gjykatës së Dhomave të Specializuara të Kosovës, e përbërë me personel krejtësisht të huaj, jeni Ju z.NIKOLA GIJU, Master në të Drejtën Penale Ndërkombëtare dhe Evropiane, duke shërbyer edhe si Shef i Kabinetit të Presidentit të Tribunalit Special për Liban, Prokuror Ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, Zëvendës Shef i Seksionit të së Drejtës Tregtare në Ministrinë e Drejtësisë së Francës, Këshilltar për Çështjet Penale dhe si Këshilltar për Çështjet Diplomatike, Gjykatës Hetues në Gjykatën e Meaux, afër Parisit, ku keni trajtuar një larmi çështjesh penale, të tilla si vrasje, krim i organizuar dhe krime financiare, përvojë që më bind se do të rrëzoni pseudo-mitet dhe paragjykimet për UÇK-në, duke qenë i bindur se jeni në lartësinë e detyrës dhe i aftë për t’u hiqur maskën gënjeshtrave dhe shpifjeve për këtë ushtri vullnetare çlirimtare.
Natyrisht që historia e UÇK-së nuk mund të mos jetë e paanshme, por, duke mos u njoftuar me historinë e ushtrisë me të cilën ajo luftoi, Gjykata që ju drejtoni mendoj se do ta ketë të vështirë të ballafaqohet me realitetin. Por qenia Juaj z.Giju, Gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës më gëzon se do t’ia delni, për faktin se ju e njihni luftën njëqindvjeçare midis Francës dhe Anglisë në shkujt XIV dhe XV (1337-1453), e cila përfundoi me kryengritjen dyvjeçare të udhëhequr nga Heroina 17 vjeçare e Kombit Frances, Zhanë d’Ark. E kam këtë besim për faktin se Lufta Njëqindvjeçare e popullit tuaj me Anglinë është shumë e ngjashme me Luftën Njëqindvjeçare midis Kosovës dhe Serbisë (1878-1999), e cila përfundoi me luftën dyvjeçare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse me një diferencë kohore prej pesë shekuj; gjë që tregon, se ndërgjegjia kombëtare në trojet tona ka lindur shumë më vonë se në kombin tuaj francez.
Nëse historia gjyqësore nuk do të ishte interpretim i historisë së përvojave gjyqësore paraardhëse, vendimet gjyqësore nuk do të ishin kurrë të drejta. Prandaj kam bindjen se Ju, në vendimin tuaj keni për të nxjerrë në pah, se UÇK-ja ka qenë një ushtri tipike çlirimtare kundër një shteti kolonizator njëqindvjeçar, duke e futur luftën e saj në kontekstin historik në të cilin veproi kjo ushtri dhe duke e konsideruar në bazë të fakteve, të cilat flasin me një gjuhë krejt ndryshe nga ajo që për shumë kohë i është ngjitur UÇK-së.
Ngjashmëria tjetër midis këtyre dy luftrave njëqindvjeçare qëndron edhe midis ngjashmërisë së Zhanë d’Ark me Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Këto të dyja, Adem Jashari dhe UÇK-ja, janë trupëzuar në një, për vetë faktin se UÇK-ja lindi menjëherë pas luftës së Prekazit si një frymëzim ndaj heroizmit të Komandantit të saj, Adem Jasharit dhe fisit të tij.
Ku qëndron për mua ngjashmëria midis Zhanës dhe UÇK? Zhana, kur kërkoi të merrte Parisin me besnikët e saj, u kap nga burginjonët dhe iu shit aleatëve të tyre, anglezëve. Për anglezët ishte thelbësore t’i rrëzonin Zhanës mitin; pa e bërë martire. Anglezët, të vendosur t’i shkulnin rrëfimin se të gjitha sukseset e saj ishin vepër e shtriganisë, ia dorëzoi për procedim peshkopit të Beauvais, Pierre Cauchon. Ai ishte një proces politik në të cilin nuk hynte aspak feja, por, duke qenë se ajo ishte një bareshë e thjeshtë dhe aty për aty ra në grackë. Pranoi se donte t’i bindej për gjithçka Kishës dhe kjo u regjistrua si heqje dorë përfundimisht nga betimi (abiurim). Për këtë gjë, me urdhër të Mbretit Karli VII, të cilin Zhana e kishte kurorëzuar mbret, u dënua me vdekje në turrë të druve.
Edhe UÇK-ja, kur arriti të njësohej me ushtrinë shtetërore të Serbisë, duke bërë ndërrim të robërve të luftës në numër të barabartë, u organizua fshehtas nga Serbia dhe agjenturat e disa shteteve të Evropës masakra në fshatin Reçak të Kosovës, “Masakra e qëllimshme e forcave serbe”[3]), (sikundër u shpreh Presidenti Klinton), vetëm e vetëm që të eklipsohej ai stad i UÇK-së. Ajo masakër u realizua ngaqë “Ekipi i vëzhguesve ndërkombtarë të Walkerit nuk pat mundur të ndalonte masakrën e Reçakut, por gjithsesi kishin arritur që ajo të mos mbetej e pazbuluar.”[4]), fakt që e dekonspiroi zonja Medlin Ollbrajt.
Masakra e Reçakut u përgatit si “shkak” për një Mbledhje Ndërkombëtare me nismën e Evropës, pa u konsultuar me SHBA, sikundër tregon vetë ambasadori amerikan i asaj periudhe në Shkup, dhe i ngarkuari nga Departamenti i Shtetit për bisedimet me përfaqësuesin politik të UÇK-së, zoti Kristofer Hill: “Francezët ishin tejet të interesuar që të ishin nikoqirë të takimit dhe ne, në anën tjetër, nuk ishim aspak të interesuar. Organizimi i bisedimeve paqësore kurrë nuk ka qenë inisiativë e SHBA-ve”[5]). Qëllimi i Mbledhjes me urgjencë në Rambuje ishte të shuhej UÇK-ja.
Sipas vizionit që shpalosi Rambujeja, “Evropa ishte e ndarë. Franca historikisht ishte në favor të Serbisë. Madje Franca edhe pse ishte zgjedhur si vendi për bisedime për paqen, në vend që gjatë konferencës të qendronte asnjanëse, u tregua shumë aktive në mbështetje të Serbisë, gjë që bie ndesh me parimet e doplomacisë për të tilla raste. Britania e John Majorit nguronte dhe po ashtu favorizonte Serbinë në disa aspekte”[6]),theksonte H.Perrit J., një prej analistëve amerikanë, i cili e ndiqte nga afër çështejn e Kosovës.
Në Rambuje, Drejtoria Politike e UÇK-së pranoi kompromisin që të shkrihej UÇK-ja, të ndërpritej lufta dhe Kosova të mbetej pjesë integrale e Serbisë. (Shihni “Marrëveshja e Rambujesë”, Kapitulli 7, Neni I.1.a;2.a; Neni II.3; Neni IV.2.a,b,c,d; Neni XVI, Shtojca 1.4), nga e cila Kosovës “i afrohet një autonomi më e keqe sesa që e kemi pasur në vitin ‘74”[7]), sikundër u shpreh ato ditë Komisari i Përgjithshëm i UÇK, Adem Demaçi. Mirëpo “Luftërat guerile bëhen për të pasur të fituar e të humbur e jo për kompromise”[8]), ka theksuar me të drejtë Henri Kissinger.
Ishte mosnënshkrimi nga pala serbe i Marrëveshjes së Rambujesë, që bëri të mundur angazhimin e NATO-s në Luftën e Kosovës. Kosova u çlirua, UÇK-ja u çarmatos, pushteti iu dorëzua ndërkombëtarëve, të cilët ringritën ish pushtetin paralel të “aleatëve të Milloshiviçit”[9]), si dhe filluan gjyqet nga UNMIK dhe EULEX kundër disa individëve të UÇK-së, disa prej të cilëve edhe u dënuan me të drejtë, por qëllimi i vërtetë ishte që mundësisht të shuhej edhe miti i UCK-së si çlirimtare, duke vijuar edhe sot me etiketimet e dikurshme të Serbisë dhe të pacifistëve shqiptarë, duke e akuzuar atë ushtri për “shtrigane komuniste”, ndaj dhe mbushën 64 dosje në Prokurorinë e Serbisë, me të cilat ka përgatitur akuzat kundër UÇK-së Prokuroria e Gjykatës Speciale për Kosovën.
Më pas UÇK-së i ndodhi përsëri ngjashëm si Zhanë d’Ark-ës me Mbretin Karli VII. Edhe Drejtori i Drejtorisë Politke i saj, Hashim Thaçi, mohoi para Prokurorit Smith ekzistencën e komandimit unik të UÇK-së, duke lënë të kuptohet se ajo ishte një lloj turme e armatosur, duke i thënë kryeprokurorit të ZPS-së, Z. Jack Smith, se “në asnjë moment, më 1998 ose 1999, ai (Thaçi) ose ndonjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nuk kanë pasur ndonjë autoritet mbi UÇK-në.”[10])
Si rrjedhojë UÇK-ja u çarmatos dhe u shkri, sikundër ishte pranuar në Rambuje[11]), ndërsa Ushtria e Serbisë, edhe pse ishte një ushtri pushtuese, edhe pse kapitulloi pa kushte, jo vetëm që nuk u çarmatos, pasi forca ajrore e Aleancës – me më shumë se 36.000 operacione ajrore brenda 78 ditëve – nuk kishte mundur të shkatërronte forcën ushtarake serbe, prandaj dhe nuk i dorëzoi NATO-s as edhe një fishek!
Disa ngjashmëri midis luftës njëqindvjeçare Francë –Angli dhe asaj Kosovë-Serbi,ku të dyja kanë zgjatur me ndërprerje.
1).Lufta midis Francës dhe Anglisë filloi për të dyja palët si luftë grabitqare, ku feudalët anglezë luftonin për të rikthyer tokat e humbura në Francë, ndërsa pushteti mbretëror frances kërkonte të shtinte në dorë krahinën mjaft të pasur të Flandrës. Ndërsa lufta e popullit shqiptar në Kosovë me shtetin e Serbisë filloi nga Serbia si luftë grabitqare dhe Kongresi Berlinit (10 qershor-13 qershor 1878) që rishikoi Traktatin e Shën Stefanit, nuk pranoi t’i njihte kombit shqiptar kërkesat e tij. Kështu që Serbisë, përveç Vranjës dhe Pirotit, iu dhanë edhe krahinat me popullsi krejt shqiptare të Kosovës: Nishi, Prokuplja, Shpuza, Podgorica, Tivari, Plava, Gucia dhe Kolashini dhe deri në fund të vitit 1878 vetëm në Sanxhakun e Nishit u shfarosen 714 fshatra shqiptare.
2). E gjithë lufta njëqindvjeçare e kombit frances, sikundër dihet, shkoi kot, për arsye se përfaqësuesit e pushtetit mbretëror frances e bashkuan Francën me kurorën mbretërore angleze, gjë që e forcoi edhe më shumë Anglinë.
Edhe lufta e jonë njëqindvjeçare me Serbinë shkoi kot, për arsye, se feudalët shqiptarë të shekullit XIX, ngjashëm si feudalët francezë të shkullit XIV, nuk kishin kuptuar asgjë nga evolucioni i kohës, secili prej tyre kërkonte të forconte vilajetin e tij dhe nuk e bashkonte kryengritjen me vilajetet e tjera shqiptare. Si rrjedhojë e injorancës së feudalëve tanë, kryengritjet tona Turqia i shtypte lehtë. Këtë injorancë të feudalëve shqiptarë e shfrytëzoi për mrekulli Serbia, duke i shpopulluar me dhunë krahinat e lartpërmendura.
3). Francës tuaj, në vitet 1347-1361, iu shtua një fatkeqësi e madhe, pasi humbi gjysmën e popullsisë për shkak të epidemisë së murtajës.
Një fatkeqësi të tillë pësoi edhe kombi shqiptar në pragun e pavarësisë së tij. Ne nuk e patëm nga sëmundjet epidemike vdekjeprurëse, por nga epidemia e Luftës së Parë Ballkanike prej shtetetve ortodokse: Serbi, Greqi, Mal i Zi, Bullgari, të cilat e shpërthyen atë luftë në tetor 1912, me parrullën: “të çlirojmë vëllezërit e krishterë”, të cilën hebreu Leo Frojndlih e quajti “viti i krimeve dhe i shfarosjes së shqiptarëve nga serbët”[12]). Sado që zyrtarisht Aleanca Ballkanike luftën ia shpalli Turqisë, në realitet ajo ishte luftë në territorin shqiptar kundër Shqipërisë, ku vetëm Serbia angazhoi në luftë 286 mijë forca ushtarake, duke arritur në Jug deri në luginën e lumit Shkumbin, duke vrarë 35.000 shqiptarë dhe duke shpërngulur nga Kosova në Shqipërinë e sotme 150 mijë të tjerë.
4). Ashtu siç ndodhi në fillim të shekullit XV në Francë, ku feudalët e mëdhenj francezë u ndanë në dy grupe të mëdha armiqësore që luftonin për pushtet; një pjesë e tyre u bashkuan direkt me armikun kundër pjesës tjetër, duke ndihmuar kështu zgjatjen e pushtimit të Francës nga Anglia.
Kështu ndodhi edhe në Kosovë. Kur tradhtari Esat Pashë Toptani shkoi nga Italia në Nish, ku kishte vendosur selinë e vet qeveria serbe e Pashiçit, për t’i kërkuar ndihma financiare për të përzënë Princ Vidin nga Shqipëria, Pashiçi i kërkoi si kompesim që të bindte feudalët e mëdhenj të Kosovës, që të kërkonin bashkimin e saj me Serbinë. Esat Pashë Toptani e bëri këtë veprim dhe feudalët e Kosovës u shprehën për bashkimin e Kosovës me Serbinë. Për këtë tradhti dhe për terrorizimin që Esati i bëri popullsisë së Shqipërisë së Mesme, duke u vënë në luftë me 600 mercenarët e tij përkrah Serbisë dhe Antantës në Frontin e Lindjes, intelektuali nga Jugu i Shqipërisë, Avni Rustemi, shkoi në Paris dhe e vrau atë tradhtar, para Hotel “Kontinental”. Por gjykata e Francës e nxori të pafajshëm, ngaqë Avniu vrau tradhtinë shqiptare.
Disa nga Krimet më të spikatura të Serbisë në Kosovë pas Luftës së Parë Botërore
Konferenca e Paqes e Versajës, e cila filloi punimet më 18 janar 1919, vendosi që Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, të aneksuara më parë nga Serbia e Mali i Zi, të përfshiheshin në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, të porsakrijuar më 1 dhjetor 1918. Gjatë 22 vjetëve të ekzistencës së saj, ajo mbretëri u orientua në spastrimin etnik, shkombëtarizimin dhe sllavizimin e Kosovës. Në funksion të kësaj politike u falsifikua edhe numuri i shqiptarëve, nga 840 mijë që ishin regjistruar në vitin 1918, në vitin 1921 e publikuan të përgjysmuar vetëm 439 mijë. Ndërsa në periushën 1921-1941 në viset e Mbretërisë Jugosllve ku jetonte popullsia shqiptare, u shpërngulën me forcë në Turqi dhe në Shqipëri 250 mijë shqiptarë, u shpronësuan 218 mijë hektarë tokë, nga të cilat 192 mijë në Kosovë, të cilat u kolonizuan me 11 mijë familje serbe e malazeze. Dhe, për fat të keq, dyshojmë se kjo urrejtje shekullore fetare serbe kundër
shqiptarëve myslymanë ngriti kokë edhe në ngritjen e kësaj Prokurorie Speciale në Hagë për Kosovën, me akuzën: “UÇK-ja vrau katolikët shqiptarë dhe ortodokësët serbë”! Me këtë rast u bëj me dije se kjo është shpifje tipike serbe, duke u thënë se gazetari kryesor i fronteve të asaj lufte, për dy mediat që kishte ajo luftë, Radi Kosova e Lirë dhe Agjensia Kosovapress, ishte shqiptari katolik Martin Çuni; ndërsa Shef Shtabi i forcave të UÇK-së që sulmuan nga Republika e Shqipërisë, ishte katoliku tjetër gjenerali Anton Çuni, sot Ministër i Mbrojtjes së Kosovës. Një akuzë e tillë nga Prokuroria e kësaj Gjykate të krijon imazhin e inkuizicionit spanjoll (1478-1834) që lindi nga problemet e bashkëjetesës në të njëjtin territor të krishterëve, hebrejve dhe myslymanëve.
Apo mos vallë kjo akuzë me ngjyrë fetare i është vënë UÇK-së për faktin se lufta u fitua nga ushtria e Kosovës me shumicë myslymane, dhe humbës ishte ushtria e Serbisë ortodokse? E shtroj këtë pyetje, duke u nisur nga fakti se edhe fitorja e Afganiatanit ndaj Bashkimit Sovjetik është quajtur nga shumë historianë si fitoria e parë e myslymanizmit kundër kristianizmit, sikundër e citon edhe historiani ushtarak amerikan George Friedman.
Meqë ra fjala, pse të mos shtrojmë dyshimin se ky lloj persekutimi kundrejt UÇK-së është shkaktuar si pasojë e urretjes serbe me ndikim fetar ndaj gjithçkaje që nuk është serbe, si dikur ajo e herezisë së katarëve besimtarë (neo-manikeiste)? E bazoj këtë pyetje në atë çfarë shkruan filozofi i Orientalistikës në Universitetin e Beogradit, serbi Millorad Tomaniq, në librin e tij ”Kisha serbe në luftë dhe luftërat brenda saj”, ku thotë: “Peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe vendosën që në vend të pushtetit të shtetit serb, të paktën pushteti i Kishës Ortodokse Serbe të ishte në gjithë territorin e ish RFSJ-së.””[13]). Po ashtu, e bazoj këtë edhe në deklaratën e ish-Prokurorit serb Dragoljub Stankoviç, më datë 4 nëntor 2020, i cili ka qenë i përfshirë direkt në bashkëpunim me Hagën, (2003-2015), duke u shprehur se ishte ai që i ka lejuar hetuesit e Hagës për të gjetur e intervistuar sa më shumë dëshmitarë në Serbi: “Detyra ime ishte të gjeja dëshmitarë, të inkurajoja ata dhe t’i bindja të jepnin deklarata për Prokurorinë Speciale”[14]). Gjë që tregon se Serbia ka mbetë po ajo që ka qenë kundër Kosovës shqiptare.
Qëndresa e pandërprerë dhe shumëformëshe e shqiptarëve në vitet 1918- 1941 ndikoi për të mbajtur lart moralin e popullit për të përballuar situatën e rëndë, dhunën e terrorin. Ajo ishte faktori kryesor për të përballuar këtë periudhë për shkombëtarizimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.
Më 6 prill 1941 Gjermania dhe Italia sulmuan Jugosllavinë dhe më 17 prill ajo kapitulloi. Prej vitit 1942 filluan të krijohen edhe në Kosovë çetat e armatosura antifashiste dhe në gjysmën e dytë të viti 1944, lëvizja e armatosur në Kosovë e viset e tjera shqiptare u shndërrua në kryengritje të përgjithshme ku pati gjithsej 53 mijë partizanë. Më 31 dhjetor 1943 dhe më 1 e 2 janar 1944 u mblodh Konferanca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën, i cili shprehu dëshirën për bashkimin me Shqipërinë, mbështetur në vendimet e orientimet e PKJ për vetëvendosjen e kombeve. Në shkurt të vitit 1945 Josip Bros Tito vendosi në Kosovë Adminiastratën Ushtarake. Mirëpo, ashtu siç u bashkuan me anglezët tradhtarët francezë me në krye dukën e Burgundisë, edhe pse francezët e kishin fituar betejën e Azenkurtit (1415), ajo tradhti solli çarmatosjen krejt Francës; edhe në Kosovë, më 8-10 korrik 1945 mblidhet “Kuvendi” në Prizëren, nga 137 pjesëmarrës, 32 ishin shqiptarë, dhe miratuan me duartrokitje, pa votime, anullimin e vendimit të 2 janarit 1944 të Konferancës Themeluese të Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën, e cila atë ditë iu aneksua Seerbisë; katër përfaqësues shqiptarë që e kundërshtuan atë votim u pushkatuan më vonë.
Josif BrosTito më 1953, përmes Paktit Jugosllavi+Greqi+Turqi, arriti ta riaktivizoj në Split Marrëveshjen Xhentellmene të vitit 1938 me Fuad Kyprilin. Rezultati:
415.000 shqiptarë u shpërngulën në Anadoll, që sot po shkrihen ngadalë në gjeneratën e tretë, dhe më nuk ndihen se janë shqiptarë[15]).
Nëse gjatë 22 viteve të periudhës së Mbretërisë Jugosllave janë kryer nga shqiptarët 152.000 vite burg, pas Luftës së Dytë Botërore, deri në çirimin e Kosovës nga UÇK-ja, Federata Jugosllave ka dënuar 5 herë më shumë shqiptarë, me 777.856 vite burg dhe janë hapur 750.000 dosje personale për shqiptarët, duke montuar procese, duke vëndosur herë pas here administratë ushtrake vetëm në Kosovë, dhe vetëm gjatë viteve 1945-1949 janë pushkatuar mbi 40.000 shqiptarë në të gjitha anët e Jugosllavisë Federative, të cilëve nuk u është gjetur asnjë gjurmë[16]). Kjo vërteton deklaratën e priftit serb Nikollaj Velmiroviq më 1942 (të cilin Kishta Ortodokse Serbe e shpalli të shenjtë më 1998), se: “Atë që po bënë sot Hitleri, kundër Hebrenjëve, atë e ka bërë Shën Sava në Mesjetë kundër Arbanasve, që nuk donin të konvertohen në sllavë”[17]).
Edhe pse në vitin 1974 Kosova u bë Krahinë Autonome, ajo mbeti ekonomikisht më e varfëra. Të ardhurat kombëtare për frymë në Kosovë ishin 6 herë më të ulta se në Slloveni, rreth 5 herë më të ulta se në Kroaci, 3,5 herë më të ulta se në Serbi; rritja e prodhimit industrial ishte 4-5 herë më e vogël se ai i Serbisë; investimet ekonomike në Kosovë qenë 43% më të ulta se mesatarja e Jugosllavisë; dinamika e zhvillimit të vendit ishte 46,9 % nën mesataren e Federatës; shkalla e papunësisë ishte 20 herë më e madhe se në Slloveni, 2,5 herë se në Serbi; qenë larguar për punë jashtë Kosove e Jugosllavisë 110.000 veta, përveç 70.000 të papunëve në Kosovë[18]).
Si rrjedhojë e këtij diskriminimi që u bëhej shqiptarëve, populli shqiptar në Kosovë e prishi atë paqe, ngjashëm sikundër e prishi edhe mbretëria franceze me Anglinë në vitin 1369, shpërthyen demostratat e vitit 1981, duke kërkuar Republikën e Kosovës në kuadër të Federatës,. Në ato demonstrata u vranë rreth 300 shqiptarë. Pas ngjarjeve të vitit 1981, statusi shoqëror–politik e juridik i Krahinës së Kosovës erdhi duke u rrudhur. Ky fenomen u bë më i dukshëm pas ardhjes së S. Millosheviçit më 1985 si president i Serbisë. Në mars 1989, nën kërcënimin e armëve dhe me vota të joparlamentarëve, S.Millosheviçi e likuidoi autonominë e Kosovës. Pas kësaj u rrëzuan të gjitha strukturat institucionale politike, ekonomike, gjyqësore, policore, shëndetësore e kulturore autonome të Kosovës. Prej ngjarjeve të vitit 1981 deri në vitin 1990 u keqtrajtuan nga policia 584.373 shqiptarë, u përzunë nga puna 70 mijë punëtorë pjesmarrës në greva e protesta dhe mijëra të tjerë u larguan në emigracion.
Ishte kjo lloj diktature fashiste e Serbisë, që bëri të mundur daljen në skenë të forcës më të madhe politike në Kosovë: LDK-ja 800 mijë anëtarëshe në një shtet me 1,8 milionë banorë(!), e udhëhequr nga kryetari i saj, Ibrahim Rugova. Strategjia e saj politike ishte pacifizmi ekstrem, duke u përcaktuar për një çlirim paqësor të Kosovës, pa demonstrata masive, me heshtje si dhe me veprime diplomatike, jo me armë në dorë, por nëpërmjet marrëveshjeve me armikun duke i shtrirë dorën tërë lutje, duke iu referuar mesazhit të Biblës “Duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë!”[19], se “me forcë nuk i dilet përpara Serbisë”, se Kosova do ta fitonte pavarësinë mirë e bukur me diplomaci me Fuqitë e Mëdha, etj. Kjo parti, duke i qëndruar besnike strategjisë së saj për të mos e ngritur popullin në luftë, filloi të përplaste në opinion përkufizime dhe komentime të ndryshme rreth vërtetësisë së UÇK-së. Si rezultat i kësaj politike, në Kosovën e pushtuar nga Serbia dhe me autonomi të likuiduar, mbretëroi një gjendje pezullie, “as luftë, as paqe”. “Milosheviçi me sa duket e kishte ndier se institucionet paralele të Rugovës do ta ulnin vrullin për një kryengritje dhe për këtë arsye ai nuk u mundua t’i mbyllte ato… Në një shkallë të caktuar ai kuptoi se LDK-ja dhe Rugova ishin aleatët e tij më të rëndësishëm për ruajtjen e Kosovës.”[20]), sikundër konkludon Profesori amerikan i të Drejtës Ndërkombëtare z.Henry H.Perritt Jr.
Në këto kushte “as luftë, as paqe”, edhe faktori ndërkombëtar vazhdoi të këmbëngulte në tezat tradicionale: a) ruajtja e integritetit të Jugosllavisë, b) statusi i minoritetit apo të komunitetit etnik për shqiptarët e Kosovës, c) restaurimi i një autonomie për Kosovën, qëndrime të cilat i dëshmojnë Konferenca e Hagës (1991), mbledhja e Luksenburgut (1992) dhe Konferenca e Londrës (1992) si dhe vendimet e Grupit të Kontaktit, mars-qershor 1998, kur në Kosovë bëhej luftë.
Pikërisht në këtë situatë tepër të vështirë, del nga gjiri i popullit të Kosovës, burri i jashtëzakonshëm 40 vjeçar Adem Jashari, i cili me cilësitë e veta morale dhe atdhetare shprehte njëkohësishtë edhe aspiratën e shumicës së popullit shqiptar në Kosovë, njësoj sikundër doli në vitin 1429 nga gjiri i popullit frances, vjaza e jashtëzakonshme shtatëmbëdhjetëvjeçare Zhanë d’Ark.
Adem Jashari kishte lindur në vitin 1955 në fshatin Prekaz të Drenicës, pikërisht në atë vit kur Serbia vrau 30 mijë bashkëkombës të tij në Drenicë me pretekstin se po luftonte reaksionin e brendshëm. I llahtarisur edhe ky burrë, njësoj se Zhanë d’Ark, nga shpopullimi galopant i Kosovës, varfëria e popullsisë, tradhtia e politikanëve dhe e shumicës së inteligjencës shqiptare, i trimëruar nga urrejtja për armikun, nga dashuria për vendin dhe popullin e vet, i bindur, për kushtet e kohës, se vetë koha e kishte përcaktuar atë të dëbonte armikun, ai krijoi njësitin e vet luftarak.
Ashtu siç e kishte parashikuar, njësoj si Zhana d’Ark që i detyroi anglezët të hiqnin dorë nga rrethimi i qytetit Orlean në vitin 1429, pozitë me rëndësi të madhe strategjike, ashtu edhe Adem Jashari, në krye të formacionit të tij luftarak mundi t’i largonte forcat ushtarako-policore serbe nga Drenica, krahina me rëndësi të madhe strategjike në qëndër të Kosovës dhe krahina më kryengritëse e saj. Por në rrethimin e tretë, që iu bë nga ushtria e Serbisë më 5-7 mars 1998, sikundër iu bë Zhanë d’Ark-ës në vitin 1430 në Kompienj, Ademi, njësoj si Zhana që nuk mundi të tërhiqej nga qyteti, ashtu edhe Ademi ynë nuk mundi ta çante këtë radhë rrethimin. Por ndryshe nga Zhana, Ademi bashkë me 56 luftëtarët e fisit-njësit të tij nuk pranuan të binin të gjallë në duart e armikut dhe luftuan e ranë duke luftuar, e që është një faqe tjetër historike jo vetëm e popullit shqiptar në Kosovë dhe e kombit shqiptar, por rast unikat në të gjithë historinë e luftrave çlirimtare në botë. Edhe pse një luftë e fituar tërësisht nga Serbia, ajo, edhe pse ishte humbje, nuk bëri efektin që kërkonte politika pacifiste “as luftë, as paqe”, por, përkundrazi, ngriti në këmbë gjithë Kosovën. Si rezultat i zhdukjes së mitit të pathyeshmërisë së Serbisë, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës në formën e një bumi. Lindja e saj eleminoi politikisht si Ibrahim Rugovën edhe partinë pacifiste, LDK-në.
Por, ndryshe nga Karli VII, që i besoi Zhanës tuaj trupat e fundit të ushtrisë franceze, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e quajti UÇK-në “dorë e zgjatur e Serbisë”. LDK-ja u hakmor kundër UÇK-së, kësaj bije të Luftës së Prekazit, duke e akuzuar si një ushtri ideologjike komuniste, enveriste, marksiste-leniniste, tradhtare e Rugovës dhe e LDK-së, deri në atë masë sa edhe kur Kosova u çlirua, Rugova deklaroi nga Italia: “Unë nuk kthehem në Kosovë pa u çarmatosur edhe ushtari i fundit i UÇK-së”.
Zoti Kryegjykatës, ashtu si ushtarakët feudalë francezë, që rrethonin mbretin gjatë luftës së Zhanës dhe u munduan t’i bënin kurthe, edhe mjaftë ushtarakë shqiptarë të shkolluar në shkollat e Jugosllavisë, të cilët besonin në “institucionet paralele” të LDK-së dhe çuditeshin se si ishte e mundur që disa “çobanë” mund të udhëhiqnin një luftë me armë, u përpoqën si e si t’i përgatisnin UÇK-së disa kurthe për ta zhdukur dhe shuanin luftën çlirimtare. Ata kishin frikë se mos me UÇK-në në krye forcohej lufta dhe dobësoheshin “institucionet paralele të Rugovës” dhe shkëputej Kosova nga Serbia, njësoj sikundër ushtarakët feudal francezë që kishin frikë se me Zhanën në krye do të forcohej lufta e fshatarësisë kundër feudalizmit. Dhe si është e mundur që asnjë nga këta oficerë komandues, që luftuan disa muaj në Kosovë nën siglën e Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK), nuk është akuzuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, apo ndoshta nga që janë sivëllezërit e atyre shqiptarëve pacifistë që kanë mbushur dosjet kundër UÇK-së?!
Kur zjarri i inkuizicionit po e përpinte Zhanën, dikush nga anglezët klithi: “Jemi të humbur! Kemi djegur një shënjtore!”. Ngjashëm klithi edhe Millosheviçi para Parlamentit të Serbisë, kur Presidenti Klinton deklaroi në 23 maj 1999: “Millosheviçi nuk e ka eleminuar dot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita-ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve ajrore. Tani Milosheviçi po përballet me sigurinë e vazhdimit të fushatës ajrore, me këmbënguljen e UÇK-së dhe me mundësinë për t’u përgjigjur para popullit të tij.”[21])
Zoti Kryegjyqtar, njëzet e katër vjet pas vdekjes së Zhanë d”Ark, në dimër, mbreti Karli VII hapi bisedimet në Katedralen e Shën Mërisë së Parisit dhe caktoi një komision për hetimin dhe rivendosjen një herë e mirë të figurës morale të Zhanës, e cila rezultoi absolutisht pa njollë. Edhe për hetimin e figurës së UÇK-së dhe të gjithë kuadrit drejtues, njëzet e katër vjet pas fillimit të luftës prej saj dhe 21 vjet pas mbarimit të asaj lufte Parlamenti i Kosovës, me kërkesë të Asamblesë Parlamentare të Bashkimit Europian, ngriti Gjykatën Speciale të anshme etnike në Hagë, më 3 gusht 2015, e cila pas pesë vjet hetim filloi procesin gjyqësor, edhe për këtë në dimër, për ta shpallur atë pa njollë ose “ndërmarrje e përbashkët terroriste”! Nëse UÇK-ja do të kishte 63 burgje, sa thuhet në aktakuzë, asaj nuk do t’i mjaftonin ushtarët për të ruajtur burgjet e jo më të luftonte, pasi ajo kishte veç 19.800 vetë.
Duke qenë se Ju, si kryetar i kësaj Gjykate Speciale në Hagë për Kosovën keni autoritetin për të nxjerrë të vërtetën për figurën e drejtuesve të UÇK-së dhe për vetë atë ushtri, duke qenë francez, kam bindjen se, duke e njohur historinë e luftës njëqindvjeçare Francë-Angli si dhe figurën luftarake të Zhanë d’Ark, të cilat janë të ngjashme me luftën njëqindvjeçare Kosovë-Serbi dhe figurën luftarake të Adem Jasharit e të UÇK-së, kam besim se vendimi përfundimtar i asaj gjykate do të jetë i ngjashëm me konkluzionin e komisionit të ngritur nga mbreti Karli VII i Francës për Zhanë d’Ark. Njohja e pafajësisë së UÇK-së do ta bëjë Serbinë dhe Asamblenë e Parlamentit Europian të rrëzohen nën peshën e përbuzjes publike.
Dihet që më 7 janar 1999, ditën që UÇK-ja kapi rob 8 ushtarë serbë, Millosheviçi bëri mobilizimin ushtarak të të gjithë civilëve serbë në Kosovë, të aftë për ushtri, (gjithsej ishin 120.000 serbë[22]), dhe pas një muaji, prej 6 shkurtit deri në 15 mars 1999, solli edhe 40 mijë forca të tjera ushtarake nga Serbia, gjithsej 165.000 trupa që vranë 11.840 shqiptarë të pafajshëm, prej të cilëve 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç, 296 fëmijë deri në 5 vjeç, 1.739 femra, 1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare dhe 5081 të moshave 19-64 vjeçë, prej të cilëve 1.450 ende janë të pagjetur. “Historitë që po dëgjojmë janë vërtetë të tmerrshme: forcat serbe mbledhin shqiptarët në grupe, i vrasin ata me armë automatike dhe u vënë zjarrin”[23]), u shpreh Presidenti Bill Klinton më 12 prill 199.
– të gjithë këta të vrarë u groposën në mbi 530 varreza masive;
– dhunuan 20.400 femra shqiptare;
– dogjën dhe shkatërruan 100.589 shtëpi, banesa e objekte të ngjashme;
– dogjën 358 shkolla;
– dogjën 71 zyra institucionesh;
– dogjën 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka publike, 123 objekte shëndetësore;
– dogjën 215 objekte fetare të besimit myslyman (xhami, teqe, tyrbe);
– dogjën Arkivin e Bashkësisë Islame ku ishin dokumente prej shekullit XV;
– dogjën 5 kisha katolike;
– dogjën 88.101 objekte ekonomike shtetërore e private ndihmëse;
– therrën dhe dërguan në Serbi 70 % të të gjithë gjësë së gjallë (lopë, dhi, kafshë pune dhe dore) etj.
– Në raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, i hartuar nga antropologu i lartë i ICMP-së, për mjekësi ligjore, Dr.Mark Skinner, thuhet se gjatë luftës në Kosovë janë gjetur 82 persona, të cilët ishin transportuar të gjallë deri në Serbi dhe ekspertiza ka vërtetuar se këta trupa nuk ishin ekzekutuar me plumba apo mbytur me mjete tjera, vdekja e tyre është krejtësisht e një natyre tjetër, ku të njëjtit më pas ishin varrosur me arkivole dhe qese të etiketuara në varrezat e Rashkës, Batanjicës dhe Petrovosellës. Këtyre viktimave dyshohet se u janë nxjerrë organet, kanë qenë 13 meshkuj, 14 femra dhe 9 fëmijë.[24])
”Historia do të regjistrojë se njëri prej akteve më të mëdha të barbarisë, që ka parë Evropa në këtë shekull, u mund me ndihmën e akteve më të mëdha të zemërgjerësisë që kemi parë ndonjëherë.”[25]), deklaroi Presidenti Klinton më 21 qershor 1999, ditën kur u largua nga Kosova dhe ushtari i fundit serb.
Në Këto kushte, a mundej që ne shqiptarët të rrinim e të bënim sehir sesi na vriteshin e digjeshin të gjallë prindërit, vëllezërit dhe sesi na përdhunoheshin nënat dhe motrat, kur dihet se edhe kafshët më të ndrojtura, kur nuk kanë rrugë tjetër, hyjnë në luftë për vetëmbrojtje?! Mos vallë shqiptarëve në Kosovë kjo gjë nuk u lejohej? Pra rasti i Sanxhakut të Nishit, ku nuk mbeti shqiptarë i gjallë, po përsëritej para syve tanë, e partitë shqiptare (disa) po moralizonin me tragjedinë! Ky është krimi i UÇK-së kundër njerëzimit, pse nuk lanë serbët të zhduknin krejtësisht shqiptarët në Kosovë? Shqiptarët dashurinë për atdheun e kanë zhvilluar, si dhe francezët, që nga periudha e Zhanë d”Ark dhe e Skëndërbeut, të cilët kanë qenë bashkëkohës; pavarësisht se për fatin tonë të keq, udhëheqësit e partive politike “demokratike” shqiptare të fundshekullit XX i kërkonin UÇK-së, madje dhe NATO-s, ta ndërpriste luftën me armë kundër agresorit të pashoq kolonizator serb, që do të thoshte: të hiqej dorë nga dashuria për atdheun dhe kombin. Këtë faj kombëtar e bëri edhe delagacioni i Kosovës në Rambuje, por falë gabimit historik të Sllobodan Millosheviçit, që nuk e nënshkroi Marrëveshjen në Rambuje dhe detyroi NATO-n të ndërhynte me aviacion duke bashkëvepruar me UÇK-në, “se po të mos kishte dhënë rezultat kjo, NATO-ja do të kishte futur atje forcat tokësore dhe ne ishim të vendosur të mos i largoheshim qëllimit tonë, ishim të vendosur për ta përmbysur spastrimin etnik.”[26]), sikundër e pranon Presidenti Klinton.
Por çudia më e madhe, Zoti NIKOLA GIJU, është fakti, se Gjykata ndërkombëtare e Hagës për krime lufte vendosi që ish-presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviç (tashmë i vdekur), nuk ishte përgjegjës për krimet që u kryen gjatë viteve 1992-95 në luftën e Bosnjës dhe 1998-1999 gjatë luftës në Kosovë![27]), ndërsa Prokuroria Speciale e Gjykatës në Hagë për Kosovën akuzon gjithë kuadrin komanduese të UÇK-së, me pretendimin se kanë pas dijeni për krime të kryera nga individë të ndryshëm të UÇK-së, dhe për këtë i etiketon “ndërmarrje e përbashkët kriminale”?! Nuk e përjashtoj mundësinë që të jenë kryer vrasje të karakterit kriminal nga pjestarë të veçantë të UÇK-së, por të jeni të bindur se, edhe nëse janë kryer, ato duhet të kenë qenë veprime personale dhe aspak të organizuara me vendim të SHP të UÇK-së.
Ajo çka ka habitur jo vetëm kombin shqiptar, por edhe shumë juristë të njohur ndërkombëtarisht, sesi mund të gjykohen këto “krime” të UÇK-së në një gjykatë ndërkombëtare pa u gjykuar njëherazi ato krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, mjaft të shumta në numër, masive dhe të mirëdokumentuara, të kryera në Kosovë nga forcat e sigurimit, ushtria, të mobilizuarit serbë të Kosovës. Po ashtu, Gjykata Speciale nuk gjykon policët shqiptarë të MUP-it të Serbisë, si Agim Sahitaj, nga Sopia, Selim Selmanaj, Sahit Zogaj, nga Malisheva, Bekim Sahitaj nga Sopia, Ilaz Vranovci nga Tërna e të tjerë, të cilët ishin policë aktivë të degës së MUP-it serb në Prizren dhe në Therandë[28]), apo ngaqë i kanë shërbyer Serbisë?! “Menjëherë pas mbarimit të luftës, UNMIK, pas gati dy vjet punë, me sugjerim të kreut të LDK-së, më 17 nëntor 2001 na e pat ndaluar me kërcënim, që të hapnim ekspozitën: “GJENOCIDI SERB NË KOSOVË 1844-1999”, deklaron historiani P.Dr. Hakif Bajrami.
Zoti Kryegjykatës! Që t’u rreshtoj me radhë se ku, sa dhe si janë kryer krimet nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë gjatë luftës së tyre me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duhen vëllime të tëra. Por, nëse Prokuroria e asaj Gjykate është e interesuar, ato mund t’i gjejë te botimi i organizatës HUMAN RIGHTS WATCH, të titulluar: “Nën pushtetin e urdhërave. Krimet e luftës në Kosovë”, prej 635 faqesh, botim i tetorit 2002, në Londër, Washington, New York dhe Brussels.
Zoti Kryegjykatës, gjithçka që ju kam shkruar, i kam shkruar për t’u thënë se UÇK-së nuk mund t’i vihen përsipër gjithfarë akuzash; UÇK-ja ka luftuar në emër të popullit shqiptar në Kosovë dhe të gjithë kombit shqiptar, pa pasur asnjë ndjenjë hakmarrjeje ndaj individësh të veçantë serbë apo shqiptarë, por nga pasioni patriotik, sepse nuk ka pasion më të madh se dashuria për atdheun. UÇK-ja ishte urrejtja e një populli të shtypur kundër një shteti shtypës. Ju francezët më tepër se kushdo tjetër duhet ta kuptoni këtë, zoti GIJU, sepse ishit të parët që i rrëzuat shtypsit absolutë me gjakun që ka sfilitur faqet më të ndritura të historisë suaj.
Zoti NIKOLA GIJU, unë e kam të qartë se të gjitha këto vuajtje të popullit tim të shkaktuara nga barbaria shekullore serbe, e cila ka bërë që në kufijtë e Serbisë të ketë territore shqiptare sa tre Kosova, janë të njohura prej Juve. Duke e pasur parasysh përvojën tuaj si jurist, dhe si përfaqësues i drejtësis prestigjioze frenceze, nuk dyshoj aspak se Ju, nga gjykatës do të ktheheni në avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njësoj sikundër bëri avokati Anatol dë Monzi, kur mbrojti Avni Rustemin, duke e ngritur edhe më lartë prestigjin e drejtësisë franceze.
Me respekt
DILAVER GOXHAJ
Kolonel në pension
Tiranë, 7 dhjetor 2020
[1])Rino Camileri “Historia e vërtetë e Inkuizicionit”, Tiranë, 2004, f.43
[2])https://telegrafi.com/profesori-amerikan-williams…
[3]) Historiani Zekeria Cana, “Ditari i robërisë”, Rozafa, Prishtinë, 2000, vëll..2, f. 187
[4]) Medllin Ollbrajt, “Zonja Sekretare:, Tiranë, 2003, f. 458
[5] Blerim Shala, “Lufta diplomatike për Kosovën”, Zëri, Prishtinë 2003,
f. 98
[6]) Henry H.Perrit Jr., “Ushtria Clirimtare e Kosovës”, Prishtinë, 2008,f.190
[7]) Shkëlzen Gashi: “Marrëveshja për paqe të përkohëshme”, Prishtine 2004, f. 23
[8]) Henri Kissinger “Diplomacia”, Tiranë, 1999, f. 684
[9]Pr.Dr. Henry H.Perritt Jr.”Ushtria Clirimtare e Kosovës”, f.80: “LDK-ja dhe Rugova ishin aleatët më të rëndësishëm të Millosheviçit për ruajtjen e Kosovës”.
[10]https://www.koha.net/…/zps-ja-e-perdor-deklaraten-e…/
[11] “Ushtria çlirimtare e Kosovës duhet të demilitarizohet, ashtu siç ka rënë dakort”, Bill Klinton, 10 qershor1999, “Ne luftën ju paqen”, Tiranë, 2000, f.115
[12]Hivzi Islami “Spastrimet etnike-politika gjenocidiale serbe”, Pejë, 2003, f.171
[13]“Srpska Crkva u Ratu u Njoj”,Medijska knjizara Krug,2001, f.262
[14]https://www.kosova-sot.info/…/saviq-serbia-ia-dorezoi…
[15]Pr.Dr.Hakif Bajrami, studimi “Tito kundër shqiptarëve”.
[16]Po aty
[17]Hulumtone në: “Gllas Srpske Crkve”,1942
[18] “Zëri I Popullit”,8 prill 1981, “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”.
[19]Lluk.6:27 & Mt.5:44
[20]Pr.Dr. Henry H.Perritt Jr.”Ushtria Clirimtare e Kosovës: rrëfim prej brendanpër një kryengritje:, Koha, Prishtinë,, shtator 2008, f.80
[21]Gazeta Neë York Times”, 23 maj 1999
[22]The Serbians in Kosovo-Metoihia.www-ratko.rs
[23]Bill Klinton “Ne luftën ju paqen”, 2000, f. 42
[24] https://xn--cdaaa.kosova-sot.info/…/mark-skinner-te…/
[25]Bill Klinton “Ne luftën ju paqen”, 2000, f.150-160
[26] Bill Klinteon “Ne luftën ju paqen”, bazeta “Albania”, 2000, f.127
[27]) https://alb-spirit.com/…/miloshevici-shpallet-i…[28]) http://www.arhiva.srbija.gov.rs/video/kosovoreport2.pdf.