Histori

Albert Zholi: 29 tetor 1996, Dita kur Britania dhe Shqipëria u pajtuan për incidentin e Korfuzit

29 tetor 1996, Dita kur Britania dhe Shqipëria u pajtuan për incidentin e Korfuzit

Tirana t’i paguante Londrës dy milionë dollarë dëmshpërblim për incidentin në Kanalin e Korfuzit, dhe Britania t’i jepte Shqipërisë 18 milionë dollarë nga vlera e arit të bllokuar.

-77-vjetori-

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Britania dhe Shqipëria më 29 tetor 1996, bien dakord që Tirana t’i paguajë Londrës dy milionë dollarë dëmshpërblim për incidentin në Kanalin e Korfuzit, dhe Britania t’i jepte Shqipërisë 18 milionë dollarë nga vlera e arit të bllokuar. Incidenti i kanalit të Korfuzit i referohet tri ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur në vitin 1946, ku Britania e Madhe dhunoi sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet një operacioni ushtarak të qëllimshëm, të paramenduar dhe me karakteristika të dukshme kërcënuese, duke hyrë në detin e brendshëm dhe territorial të Shqipërisë. Këto tri incidente janë konsideruar si një manifestim i hershëm i Luftës së ftohtë.

Versioni shqiptar

Më 15 maj 1946, dy anije luftarake duke lundruar pa flamur ose shenja të tjera identifikimi hyjnë në ujërat territoriale shqiptare në afërsi të Sarandës. Bateria e artilerisë bregdetare u jep sinjal anijeve luftarake që të ndryshojnë kursin. Pasi anijet vazhdojnë të ndjekin të njëjtin kurs, bateria hap zjarr paralajmërues. Anijet luftarake ngrenë flamurin anglez dhe tërhiqen nga ujërat territoriale shqiptare. Më 22 tetor 1946, katër anije luftarake (një kryqëzor e tre destrojerë) të ardhur nga Porti i Korfuzit, kalojnë kanalin e futen në ujërat tona territoriale, duke u afruar midis kepit të Varesë dhe kepit të Kasiopeas. Në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerë ranë në minat e mbetura të Luftës së Dytë Botërore, duke u dëmtuar në konstrukt e njerëz. Më 15 maj 1946, drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asnjë lloj ndihme, e më pas u larguan.

Versioni anglez

Më 22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët tanë ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarë tanë. (Nga ditari i anijes flamurmbajtëse angleze, paraqitur në gjyqin e Hagës). Megjithëse gjykata e pranoi faktin se në datat 12 nëntor 1946 dhe 13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për incidentin, dhe lëshoi një vendim, sipas të cilit Shqipëria duhej t’i paguante 844.000 dollarë Mbretërisë së Bashkuar. Qeveria shqiptare refuzoi njohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe që do t’u shpërndahej proporcionalisht shteteve, të cilave Gjermania ua kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare.

Historia

Incidenti i datës 22 tetor 1946, i cili njihet si Incidenti i Kanalit të Korfuzit është rezultat i incidentit të datës 15 maj 1946, në të cilën dy kryqëzorë britanikë H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb, në orën 08:30, ndërsa po kalonin nëpër Kanalin e Korfuzit në përputhje me regjimin e kalimit paqësor nëpër rrugëkalimin MEDRI, sipas versionit britanik, një bateri e artilerisë bregdetare shqiptare (në Kepin Paladha) hapi zjarr kundër tyre. Zjarri zgjati për rreth 7 minuta dhe u hodhën 18 predha 100 mm, të gjitha mosmbritëse. Anijet britanike nuk iu kundërpërgjigjën zjarrit të baterive bregdetare shqiptare. Mbas incidentit, midis dy qeverive pati një shkëmbin intensiv të notave diplomatike, në të cilat Britania e Madhe i kërkonte Shqipërisë të kërkonte ndjesë dhe të dënonte personat përgjegjës, duke e justifikuar se anijet ishin duke ushtruar të drejtën e kalimit paqësor nëpër Kanalin e Korfuzit. Shqipëria u justifikua se nuk kishte mundur t’i identifikonte anijet dhe “zjarri u ndërpre mbasi u identifikua kombësia e tyre (britanike)”. Incidenti i datës 15 maj 1946 ngeli në axhendën diplomatike të dy vendeve, pasi gjatë këtij incidenti nuk pati të dëmtuar dhe disa muaj më pas do të ndodhte Incidenti “i vërtetë” i Kanalit të Korfuzit. Më 21 maj 1946, një “urdhër ekzekutiv” i Qeverisë së Shqipërisë shpalli pezullimin e përkohshëm të kalimit paqësor nëpër detin e saj territorial (në Kanalin e Korfuzit) për të gjitha anijet e huaja ushtarake pa autorizim paraprak të Qeverisë së Shqipërisë. Deri më 15 maj 1946, trafiku detar në Kanalin e Korfuzit, sipas rrugëkalimit MEDRI, duke përfshirë edhe anijet e luftës, funksiononte relativisht pa probleme dhe pa ndonjë kundërshti nga vendet bregdetare, përfshirë Shqipërinë. Operacionet e pastrimit të minave në Kanalin e Korfuzit u kryen nga Marina Britanike në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945, duke përfshirë rrugët e afrimit për në Portin e Sarandës, Vlorës dhe Durrësit. Nga Shqipëria kalimi nëpër rrugëkalimin (MEDRI – Mediteranian 18/34) i anijeve luftarake të huaja nuk ka patur kundërshti, duke përfshirë edhe anijet e Marinës Britanike deri më 15 maj 1946. Rrugëkalimi MEDRI deri në këtë periudhë nuk ishte një rrugëkalim ku ushtrohej e drejta e kalimit paqësor, por një rrugëkalim i pranuar nga palët, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Goditja e anijeve britanike nga bateritë shqiptare ka qenë i paramenduar dhe pasojë e marrëdhënieve të përkeqësuara disa muaj më parë. Nëse do të ishte një gabim, Shqipëria duhet të kërkonte ndjesë Britanisë së Madhe. Nëse Shqipëria nuk dëshironte që luftanijet britanike të përdornin rrugëkalimin MEDRI, duhet t’i kishte lajmëruar në kohë. Pezullimi i të drejtës së kalimit paqësor mbas incidentit, më 21 maj, provon se incidenti i 15 majit ishte i qëllimshëm.