Komenti

Xh. Gjini: Mandati i politikanëve dhe i krerëve të Republikës Shqiptare të Kosovës

MANDATI I POLITIKANËVE DHE I KRERËVE TË REPUBLIKËS SHQIPTARE TË KOSOVËS
Lëvizja Kombëtare Shqiptare në thelb dhe në themel të programit, të përpjekjes, të veprimtarisë dhe të luftës së saj kishte dhe ka (RI)BASHKIMIN E ATDHEUT – SHQIPËRISË NË NJË SHTET. Kjo do të përbënte zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri dhe krijimin e marrëdhënieve të mira me popujt dhe shtetet fqinje. Zgjidhja e drejtë dhe e plotë e çështjes shqiptare do të ishte edhe garancia dhe siguria më e mirë për paqe dhe prosperitet në Siujdhesën ilirike…
Rezultat i mendjes, mundit dhe luftës çlirimtare – antipushtuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila kishte dhe ka mbështetjen e shtetit AMË, është Republika Shqiptare e Kosovës… Rezultat i kësaj Lëvizjeje Kombëtare dhe i luftës çlirimtare është edhe pozita më e mirë e popullit shqiptar në Maqedoninë tonë…
Por ky nuk është “stacioni” i fundit i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Prandaj, politikanët e Republikës Shqiptare të Kosovës dhe krerët e saj duhet ta kenë të qartë si dritën e diellit që mandat dhe detyrim i tyre është përkushtimi, zotimi dhe përpjekja me të gjitha mjetet dhe rrugët politike, diplomatike e demokratike për shkëputjen dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe ndikimi i saj, me qëllim të fundit, bashkimin me shtetin tonë. Bashkimi i Republikës së Kosovës me shtetin e saj është kusht i domosdoshëm për zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare në Iliri…
Natyrisht, politikanët dhe krerët e Republikës Shqiptare të Kosovës nuk kanë pse të flasin e pse të japin deklarata të zjarrta për bashkimin e Atdheut tonë, Shqipërisë së copëtuar në një shtet, por duhet të zotohen dhe të punojnë me mendje të ftohtë e zemër të zjarrtë për këtë çështje jetike të kombit.
As një politikan dhe as një institucion i Republikës së Kosovës nuk ka mandat për ta shkëputur dhe pavarësuar Republikën Shqiptare të Kosovës nga shteti i saj… Politikanët dhe institucionet e Kosovës shqiptare kanë detyrim politik e kombëtar të zbatojnë (konform rrethanave dhe situatave) programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kanë detyrim të ecin në rrugën e shtruar prej saj me mendjen, mundin dhe gjakun e bijëve dhe të bijave më të mira të Atdheut tonë të copëtuar…
Politikani, kryeministri, kryetari i Republikës, deputeti apo kryetari i Kuvendit që i fut shkopinj qerres së BASHKIMIT politik, shpirtëror, kulturor e shtetëror të Atdheut duhet të përbuzet nga populli shqiptar i Kosovës dhe i trojeve tjera shqiptare, duhet të mos besohet e votohet, KURRË!