Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLV) – HOTI – FSHATI PASARDHËS I FISIT TË AUTARIATËVE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLV)
HOTI – FSHATI PASARDHËS I FISIT TË AUTARIATËVE
Mbi qytetin e Plavës, në krye të rrjedhës së lumit Lim, rreth 8 km larg tij, ndodhet një fshat i vogël dhe i vjetër malor, i quajtur Hot. Nëpër Hot përshkon lumi i rrëmbyeshëm i Hotit, i cili vjen nga bjeshkët e larta të Alpeve Shqiptare dhe derdhet në liqenin e Plavës. Sot Hoti është fshat i harruar i komunës së Plavës.
Hoti është i njohur, që nga mesjeta, me emra të ndryshëm, por duke mbajtur përherë rrënjën Hot; Hoti i Kujit, Hoti i Vendit, Hoti i Plavës, Hoti i Tarës, Hoti i Limit. Pastaj është quajtur edhe me emrat: Malet e Hotit (nga shek. VIII), Hoti i Stratiotëve (shek.IX-XI), Kontea e Hotit, Kapedania e Hotit, Bajraku i Hotit. Me emrin Hot gjendet në Krisobulën e Manastirit të Deçanit të vitit 1330. Pra, në të kaluarën e largët ishte një vendbanim i rëndësishëm, që bartur histori të pasur.
Në hershmëri në Hot ka banuar fisi ilir i Autariatëve. Fisi i Autariatëve jetonte në rrjedhën e epërme të lumit Lim deri te rrjedha e epërme e lumit Tara, mes luginave të Tarës dhe Limit, në rrethinat e qyteteve të sotme Kollashin, Mojkoc, Zhabjak, Plevël, Bjellopole, Andrijevicë, Beranë, Plavë e Guci. Ky fis ishte nga më të fuqishmit në Gadishullin Ilirik, të cilët në shek. VI-V p.e.r. kishte formuar një mbretëri të fuqishme. Ata kishin një qytetërim të lartë, madje thuhet se i kanë ndërtuar tri piramida të mëdha në Visoçë të Bosnjës. Pasardhës i drejtpërdrejtë i Autariatëve është fisi i Hotit, që jetonte në rrjedhën e epërme të lumit Lim e deri në rrjedhën e epërme të lumit Tara. Dhe, qendra apo djepi historik i këtij fisi ishte në fshatin Hot. Shumë vonë është formuar “Hoti i Rrafshit” në Malësi të Madhe, por që mendohet se nuk ka lidhje gjaku me Hotin e Vendit.
Gojëdhëna thotë se Hoti (i Kujit, i Vendit) vjen nga vëllezërit Gjon e Gjokë Deda, bijtë e Dedë Nikës. Nga vëllazëritë e Hotit pastaj janë krijuar degëzimet edhe në Krushë të Madhe, në Pazar të Ri, në Rozhajë e në vende tjera.
Hoti i Plavës përmendet dhe njihet që nga koha romake, nga koha e Nemanjiqëve dhe nga koha e pushtimit osman. Djemtë e Hotit ishin pjesëmarrës në luftërat e Skënderbeut, në Luftën e Nokshiqit (1879), në luftën çlirimtare të Kosovës (1999) etj. Hoti mbante bajrakun e parë në Luftën e Nokshiqit. Në këtë luftë kanë marrë pjesë 35 hotjanë, nga të cilët në fushë të nderit kanë rënë 11 luftëtarë.
Derisa në vitin 1948 Hoti kishte 361 banorë, në vitin 1971 kishte 491 banorë, sot numri i popullsisë së Hotit është shumë i vogël. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2003, në Hot ka pas 37 familje, ku kanë jetuar 169 banorë, të gjithë shqiptarë. Dikur ishte me rreth 70 shtëpi, tash kanë mbetur aq sa mund të numërohen në gishtat e dorës. Pra, fshati Hot sot ka mbetur një fshat i vogël dhe pothuaj tërësisht i braktisur. Numri i popullsisë së Hotit vazhdimisht ka rënë për shkak të shpërnguljes së madhe të popullsisë.
Pushtetet osmane dhe ato serbe nuk kanë lejuar të hapeshin shkolla shqipe në Hot. Vetëm në vitin shkollor 1946/1947 është hapur një shkollë fillore me katër klasë, por me mësim në gjuhën serbe. Ndërsa shkolla e parë shqipe në Hot është hapur në një shtëpi private tek në vitin 1970. Mirëpo, mësimi shqip nuk ka funksionuar më shumë se tri vjet, sepse paralelet shqipe janë mbyllur në vitin 1973 dhe shkolla ka vazhduar punën në gjuhën serbe. Pasojë e shpërnguljeve ishte rënia e madhe e numrit të nxënësve dhe mbyllja e plotë e shkollës në vitin 1988, kur fëmijët e Hotit janë detyruar ta vazhdojnë mësimin në fshatin fqinj të Jasenicës, gjithashtu në gjuhën serbe. Hotjanët, me përpjekje të mëdha, në vitin 1993 kanë arritur të hapin pesë klasë shqipe, por jo në fshatin e tyre por në shkollën e Plavës. Prandaj, nxënësit udhëtojnë nga Hoti në Plavë me një minibus, dhuratë nga mërgimtarët hotjanë.
Fshati Hot e ka të trashëguar një betim të vjetër: – Pasha tokë e pasha qiell! Sepse hotjanët flasin me tokën e me qiellin, njëkohësisht. Këtij betimi i ka mbetur deri në fund, duke i rezistuar më së miri asimilimit në boshnjakë.
Fati historik e deshi që fshati Hot t’i falë botës rininë e vet, njerëzit e vet, shumë intelektualë të lartë të të gjitha lëmenjve të jetës, po kurrë nuk e harroi dheun e vet.