Lëvizja\UÇK

Ibish Neziri: Letër për Familjen Zeka ditën e zbulimit të Pllakës përkujtimore

E nderuara Familje Zeka,

të nderuarit Xhevat, Naser, Gani, Azem dhe Driton

Motra Zyrafete, Hajrije, Teutë dhe Vlorë

Miq, shokë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtar të Qazim Zekës,

Ushtarë dhe Invalid të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Të gjithë ju të pranishëm,

 

Në pamundësi që sot edhe unë të jem bashkë me juve dhe bashkë me juve të përkulem me respekt para emrit dhe veprës së mësuesit, veprimtarit të çështjës kombëtare dhe ushtarit veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qazim Zekës,  nuk më mbetet tjetër pos përmes këtij telegrami, të ju përshëndes juve dhe ta shpreh konsideraten time të lartë për punën dhe angazhimin e madh të bacës Qazë në luftën për çlirimin e atdheut.
Sado që flitet dhe thuhet për Bacën Qazë, asnjëherë nuk është shumë, ngase prapa tij qëndron një punë e madhe  dhe e palodhshme deri sa vendi u çlirua nga çizmja barbare serbe.
Baca Qazë asnjëherë nuk u ndal e as nuk u lodh. Nuk e ndalën dot ndjekjet e kërcënimet e vazhdueshme të pushtuesëve serbë. Nuk u ndal e nuk u lodh as kur ia burgosën djemtë, por gjithmon u përpoq të jetë në krah të tyre dhe veprimtarinë që atyre ua ndërprenë burgosjet ta qonte tutje, mu ashtu si edhe Ismail Kadare e thotë në poezinë e tij  NISJA E SHQIPTARËVE PËR NË LUFTË  „U nisën për luftë, bënë tutje.  Pa fjalë të mëdha e pa këngë…“, edhe Baca Qazë, pa fjalë të mëdha e rrahagjokse vazhdoi tutje. U ngazhua për strehimin dhe ruajtjen e ilegalëve që ndiqeshin nga pushtuesi. I shoqëroi e i strehoi te shokë e bashkëveprimtarë si bëri edhe njërin prej luftëtarëve më ëmblematikë të Betejës së Kosharës dhe gjith Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhemajl Fetahajn, të cilin e kishte strehuar në Prizren te bashkëveprimtarët Ruzhdi Saramati e Alush Shala, por edhe te të tjerët.
Edhe në vitin 1990 ishte në krah djemëve të vet dhe shokëve të tyre që duke e pajtuar popullin, e përgaditnin atë për luftën çlirimtare, e cila kishte filluar të dukej në horizont.
Edhe lufta e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare e gjeti të gatshëm dhe qysh në fillim, ndonëse i moshuar, iu bashkua me pushkë në dorë, me bindjen e plotë për fitore, deri sa u plagos rëndë në prillin e vitit 1999 në një përleshje me armiqët në Drenicë, por edhe pas plagosjes, më shumë u interesua për mbarëvajtjen e luftës se sa për plagët e veta.

Unë, miq të nderuar, sot jam i gëzuar që po nderohet një mësues, që po nderohet një veprimtar veteran e një ushtar shembullor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jam edhe i mërzitur e i zhgënjyer.
Jam i merzitur e i zhgënjyer sepse shumë nga figura emblematike, siç ishte edhe kjo e bacës Qazë po harrohen e nuk po iu ipet vendi i merituar, ndonëse heret a vonë ata do ta kenë vendin e vet meritor. Por, duke e ditur se edhe Qazim Zeka është njëri ndër meritorët e mëdhenj për lirinë, ndonëse jo të plotë, që sot e gëzon Kosova, unë juve që jeni sot të pranishëm në këtë nderim që po i bëhët Qazim Zekës, bashkë me konsideratën time të lartë për emrin dhe veprën e tij dhe përshëndetjen time për juve, po ua përcjell edhe propozimin që nga ky vend, institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës e pse jo edhe atyre të Shqipërisë t’u kërkohet që Qazim Zeka, post mortum të dekorohet me njërën nga dekoratat që i ndajnë këto institucione për merita të jashtëzakonshme në luftë për çlirimin e vendit.

 

Rroftë kujtimi për emrin dhe veprën e Qazim Zekës!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Rroftë Shqipëria e Bashkuar!