Botë

Gjiknuri në SHBA: Garantim i tërësisë territoriale të Kosovës

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, mori pjesë në forumin e organizuar nga Kongresi amerikan me temë “Si të kundërbalancojmë agresionin rus në Ukrainë dhe influencën malinje të Kinës në Europë”.

Në fjalën e tij, Gjiknuri theksoi se, konflikti i fundit mes botës demokratike dhe autokracisë nxori në pah faktin se, luftërat kanë premisa më të mëdha të fillojnë aty ku ka ende zona të nxehta strategjike e historike, apo janë lënë pezull çështje të pazgjidhura.

“Ballkani Perëndimor është një nga këto zona dhe prandaj duhet ta shohë veten në perspektivën e botës demokratike që përfshin gjithë rajonin në NATO dhe BE. I takon botës demokratike që në këtë aleancë të zgjidhë njëherë e mirë çështjet ende të nxehta”, nënvizoi Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh se, “garantimi i tërësisë territoriale të Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të jetë një prej objektivave për t’u përmbushur në këtë linjë”.

“Koordinimi dhe bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe atë të sigurisë del në plan të parë për ta bërë bllokun e botës demokratike të përballet me sukses në sfidat e së ardhmes”, tha Gjiknuri.