Komenti

Besim Zymberi: Asocacioni… sigurisht se e dëmton rëndë Kosovën! (sa për me thënë)

(Sa për me thënë)

“Asociacioni nuk e cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës!!!”
kaq shumë po thuhet kështu, aq gabimisht…
-Nuk e cenon, ndoshta…
Sepse, edhe nëse Kosova bëhet Federatë, prapë shtet sovran mund të mbetet!
Por, pyetja shtrohet: i kujt do të jetë ai shtet?
Të mos harrojmë: Kosova edhe deri më sot ka funksionuar në linja krejt monoetnike!
“Diskriminimi Pozitiv” ka qenë formula që i ka mbrojtur serbët, i ka favorizuar ata dhe madje i ka bërë të paprekshëm edhe ndaj fajësisë për gjenocid kundër shqiptarëve!
Ndërkohë në emër të multietnicitetit dhe pajtimit, klasa politike shqiptare, ajo civile dhe ajo mediale, kanë pranuar shantazhin, madje edhe atë për mosdeklarim të identitetit kombëtar!
“Popull i Kosovës”, “Qytetarë të Kosovës”, janë togfjalëshat, me të cilët ne ende e quajmë veten, vetëm e vetëm që të mos i “nervozojmë” serbët!!? Sepse, kështu na thanë!
“Asociacioni… nuk e cenon sovranitetin…”!!!
Ndoshta…
Por, sigurisht që e deshqiptarson edhe më tutje Kosovën!
Rrjedhimisht, të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe Shqipërinë, defaktorizohen rrënjësisht!…
Projekti Ahtisari, ka qenë kushti që Kosova të bëhet shtet. Por ka qenë edhe kusht, që të mos jetë shtet i shqiptarēve!
E para ka qenë e drejtë dhe e pashmangshme!
Të dytën kemi mundur ta eliminojmë!
Por, ç’ndodhi tutje?
U nëshkruan gabimisht parime për Asociacionin…
Erdhi Dik Marti, bashkë me rezolutën e KE-sê, që nuk kishte për qëllim ndjekjen e krimeve, por delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës!
Erdhi pastaj Specialja dhe arrestimi i krerëve të shtetit, që kontestoi edhe të drejtën e Kosovës për të qenë shtet!
Viteve të fundit, nga Qeveria dhe Presidenca, u përjashtua njëanshëm Shqipëria nga çfarëdo aktiviteti mbështetës për Kosovën. Si rrjedhojë, bota nuk i pa shpiptarët të bashkuar, por i pa si të dobët e të përçarë. Të kundërtën e ka parë te serbët.
Pastaj, konfrontimi i hapur me SHBA-në, solli defaktorizim edhe më të madh të palës shqiptare…
Lufta në Ukrainë, është maja!
Frika se Rusia mund ta zgjerojë konfliktin në këto anë, nguti jo vetëm Evropën por edhe SHBA-në…
Kjo frikë, shemb një pjesë të kujtesës për arsyet, për të cilat, Kosova edhe u bë shtet!
Në interpretimin aktual të situatës, në stilin: -stabiliteti mbi gjithçka-, duket një prirje e favorizimit të serbëve, vetëm e vetëm që Rusisë t’i ngushtohen arsyet për ndërhyrje në Gadishullin Ilirik, e veçanërisht në Bosnje e në Kosovë!
“Sui Generis” ishte arsyeja që u përdor ndërkombëtarisht për ta bërë Kosovën shtet!
Por, një situatë e re, një “Sui Generis” i ri, i paqenë dhe krejtësisht i trilluar, po shfrytëzohet që të kontestohet cilësia e shtetësisë së saj, madje edhe vetë identiteti i saj, edhe politik e edhe historik!
Ndaj, Asocacioni… sigurisht se e dëmton rëndë Kosovën!
Nëse nuk përdoret për ta mashtruar Rusinë, në të ardhmen do të mund ta deformojë plotësisht identitetin e saj!
Në fund, çfarëdo që mund të jetë nënshkruar, nuk mund të quhet e patejkalueshme, nëse ka një unitet gjithëkombëtar dhe arsyeshmëri në marrëdhëniet me SHBA-në, të cilat duhet të jene të pacenueshme, me çdo kusht!
Kurrë nuk është vonë!